Sistemi kërcënues i militantëve

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 18 janar 2014

Në sistemin komunist qenia anëtar i PPSH ishte privilegj dhe parakusht për karrierë të suksesshme kudo, pavarësisht profesionit, arsimimit dhe meritës. Një nga dallimet e këtij sistemi me ato të një demokracie funksionale është ikja nga kjo praktikë dhe kalimi në sistemin ku merita dhe profesionalizmi përcaktojnë shanset e karrierës. Për ta mundësuar përgjegjësinë politike kushtetuta dhe ligjet bëjnë ndarjen midis posteve politike (deputetët, ministrat, kabinetet dhe zëvendësit e tyre), si dhe nëpunësve civilë e publikë (të gjithë të tjerët jashtë kategorisë së parë.

Shqipëria ka një përvojë të brishtë në këtë drejtim, e ndjekur nga Miti i Rozafës: çdo palë që prish gjithçka dhe nis gjithçka nga e para. Jo pak, por katër herë në dy dekada, me mesatare njëherë në 6-7 vjet. Më 1992 neni 24 ligjëroi shkarkimet dhe emërimet mbi kriter politik, më 1997 neni mbi reformën e re riktheu praktikën e vitit 1992, më 2005 neni i meritës legjitimoi rotacion tërësor në strukturën civile e publike, më 2013 po përsëritet i njëjti fenomen, në të njëjtat përmasa, me të njëjtat mjete dhe gjithnjë, në emër të reformave dhe shtetit ligjor!

Ashtu si dje edhe sot kryefjalë janë “militantët”, “zhgënjimi i militantëve”, “shkarkimi se isha militant”, etj. Po çfarë janë militantët partiakë? Janë qytetarë si gjithë të tjerët me një cilësi më shumë: ata vendosin interesin politik të partisë dhe liderit politik të tyre mbi çdo interes tjetër. Ata në shumicë duan më shumë partinë sesa shtetin, më shumë votën pro sesa standardet e zgjedhjeve, më shumë mitingun sesa orët në bibliotekë, siç kanë alergji deri në përjashtim ndaj tjetrit vetëm se ai ka bindje të ndryshme politike. Dy partitë kryesore politike kanë rregullisht 25-30% militantë në raport me numrin kombëtar të zgjedhësve.

Për ata nuk ka rëndësi programi, as sjellja, as standardi, asgjë tjetër përveç bindja e verbër ndaj kauzës politike që mbron. Ata ekzistojnë në çdo shoqëri, por në janë dominues vetëm në shoqëritë parademokratike ku pushteti i partive (militantëve) është mbi institucionet dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, siç është edhe Shqipëria. Ata krijojnë një sistem të mbyllur klientele, një sekt të verbër mendimi, me vendimmarrje pa transparencë, me bindje të verbër ndaj shefit politik, me klientelizëm në administrimin e pasurisë publike. Pra ata nuk duan thjesht vota dhe punë, por me sistemin e tyre funksional, me dashje ose padashje i kundërvihen shumë prej vlerave të demokracisë!

Modeli ynë mbetet i pakrahasueshëm me vendet e bashkësisë evropiane ku duam të aderojmë. Një vend si Italia ka ndryshuar më shumë se 50 qeveri në 50 vjet, por drejtuesit kryesorë të administrimit publik, sigurisë, arsimit, shëndetit, etj, kanë qenë të njëjtë në më shumë se 10 kabinete. Modele më ideale dhe më frymëzuese gjenden në vende me demokraci funksionale në perëndim të Evropës. Sa më në lindje, aq më shumë u largohemi këtyre modeleve.

Dhe Shqipëria, ndodhet diku në listën e atyre vendeve ku tema të tilla ende konsiderohen tabu dhe jashtë kohe. Qenia militant, anëtar shtabi elektoral, vëzhgues partiak, komisioner besnik, bodigard elektoral, financues elektoral, etj, në Shqipëri vijon të ketë shumë më tepër peshë dhe vlerë sesa qenia profesional, korrekt me ligjin dhe i pajisur me të gjitha nivelet e kualifikimit shkencor. Dallimi i militantëve të sotëm me ata të vitit 1992, 1997, 2005 është vetëm dallim në imazh, fenomeni është i njëjtë, mekanizmi i njëjtë, produkti dhe mesazhi i njëjtë.

Unë jam prej atyre që jetoj në këtë vend dhe e di se pretendimi për standard evropiane është ende I hershëm për një vend me standard parademokratike, si Shqipëria. E di se rotacionet politike shoqërohen me shkarkime/emërime masive, e di se kjo ndodh edhe kur ndryshohen qeveritë e një pale politike, madje edhe ministrat brenda vetë qeverisë. Po si shtetas, taksapagues dhe profesionist në një fushë larg frymës militante të partive e di që unë dhe mijëra shqiptarë vijojnë të paguajnë rregullisht dy administrate, një në punë dhe një në shtëpi.

Dhe kjo ka ndodhur rregullisht, dhe kjo vijon të ndodhë rregullisht. Unë e di gjithashtu se nuk u them të vërtetën studentëve të mi të ekselencës kur u jap mesazhe optimiste për të ardhmen e punësimit të tyre, sepse e di që në 10 vite në profesion ata që kanë ecur më shumë prej ish studentëve nuk janë të aftët në tregues, por ata që ndoqën praktikën shqiptare: hynë në parti, morën pjesë në fushata, njohën ndonjë politikan dhe përfunduan deri në zyrat më të larta të shtetit. Pa konkurs, pa CV, pa ndonjë sistem merite.

Ajo që më shqetëson është gjendja e sotme e katërfishtë: Shqipëria me rotacion politik dha mesazhin se sistemi i kaluar duhej ndryshuar, dhe siç fituesi premtoi, ndryshimi bëhet duke ndryshuar sistemin jo individët e caktuar. E kundërta po ndodh në praktikë, pra fituesit po sillen si ata që përpara pak muajsh anatemuan me të drejtë në fushatë elektorale. E dyta, BE vijon të ketë kusht thelbësor administratën publike. Ishte një nga shprehjet dominuese në Bruksel në maj, në nëntor, në dhjetor dhe do jetë edhe në qershor apo nëntorin e ardhshëm. Sepse BE ka qenë financuesi kryesor i trajnimit të mijëra nëpunësve, të cilët partitë tona i trajtojnë si plaçkë pushteti.

E treta sepse kaluan dy dekada, hymë në dekadën e tretë dhe ende nuk po gjejmë sinjale të besueshme të fundit të tranzicionit dhe ndërtimit të shtetit. Së fundi, sepse jeta publike (mediat, aktorët politikë, personat publikë, OJF, institucionet e të drejtave të njeriut, parlamenti, etj), janë në shumicë në anën e gabuar, – janë pro sistemit të militantëve. Të majtët sepse e shohin si detyrim për votën, të djathtët sepse duan ta përdorin retorikën e shkarkimeve për qëllime politike të ditës. Dy palët kanë dështuar nga dy herë dhe së fundi, një numër deklarimesh politike në media i sugjeron kryeministrit (sipas medias, ky i fundit më pas deputetëve e ministrave) punësimin prioritar të militantëve.

Sistemi i meritës është kthyer kokëposhtë. Një parti që ka për slogan votën në shkëmbim të vendit të punës (në shtet) në mënyrën më skandaloze dhe fyese vijon të shihet si modeli i të bërit karrierë, i fitores elektorale në Shqipëri. Ndonjë politikan që refuzon militantizmin dhe kërkon një sistem merite, denigrohet, kritikohet dhe me siguri përbën emrin e parë në ndryshimet e radhës në qeveri dhe administratën e lartë. Vetë fakti se ministritë kanë shpallur disa qindra vende pune (deri dje thuhej se ministritë kishin punonjës më shumë sesa organika dhe se organika e re ka shkruar 30%!!), lë vend për një pyetje të thjeshtë: si u hapën këto vende? Përgjigja është e thjeshtë: u hoq një palë, do vijë një palë tjetër! Kjo logjikë militante ballkanike nuk ka lidhje me shtetin, – ka lidhje me modelin e Pashallëqeve orientale, sipas të cilit kur sulltani/titullari ndryshohej, shfuqizoheshin të gjitha emërimet dhe sulltani/titullari i ri emëronte gjithçka nga e para sipas vullnetit të tij.

Liderit tanë modernë në veshje e fjalime, arkaik në sjellje dhe veprime, – le të japin disa përgjigje të thjeshta publike: në cilin vend të BE ndodh që zyrat e partive janë zyra pritje për punësim? Në cilin vend të perëndimit ndodh që deputetët dhe ministrat të merren me emërim/shkarkime nëpunësish? Në cilin vend të Evropës demokratike ndodh që partia fton njerëzit të dërgojnë CV në parti për tu emëruar më pas në shtet? Në cilin vend të Evropës moderne ndodh që të shkarkuar për korrupsion në një ministri të emërohen në ministrinë paralele, që “reforma” të imponojë konkurse qesharake si ato për roje, shofer apo magazinier, siç po shohim ditët e fundit në reklamat e paguara në media?

Në cilin vend të Evropës ndodh që zyrtarët publikë të shtetit (ata që ikën dhe ata që erdhën) të kalojnë ditën duke shkruar komente militante dhe partiake në rrjetet sociale kundër rivalit politik të partisë së tij? Në cilin vend tjetër ndodh që të rekrutohen në nivele të larta publike e politike individë pa asnjë ditë përvojë pune në shtetin shqiptar? Ku tjetër ndodh që të kalojnë 3-6 muaj rotacioni duke folur vetëm për shkarkimet dhe emërimet militante? Ku tjetër ndodh që ministri më militant të jetë ministri që duhej të ishte më pak militant, siç ka ndodhur me ministrin e djeshëm e po ndodh sot me pasuesin në MB?

Këto pyetje dhe dhjetëra të tjera të njëjta me siguri nuk marrin asnjëherë përgjigje. Sepse kur militantizmi është dominues nuk ka vend për zërat e arsyeshëm dhe as për debate që cenojnë sadopak pushtetin e tyre. Por janë pyetje pjesë e një mentaliteti më të gjerë që praktikisht mbajnë peng të sotmen tonë shtetërore, të ardhmen tonë politike, projektin tonë për shtet funksional dhe aspiratën tonë për integrim evropian. Ia vlen të sakrifikojmë gjithçka: të sotmen, të ardhshmen, shtetin dhe Evropën për militantët dhe mentalitetet e shtetit militant?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi