Një taksë e ndershme kërkon një administratë të ndershme

Nga Agim Hoxhaj/Financier, botuar në Shekulli Online, 16 janar 2014

Në buxhetin e vitit 2014 të ardhurat nga tatimet dhe doganat zënë 90 % të burimeve për mbulimin e shpenzimeve buxhetore, çka do të thotë se në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, shteti mbahet në këmbë, funksionon dhe kryen detyrat e veta, i mbështetur në kontributin e qytetarëve.

Kjo ia shton përgjegjësinë ekzekutivit për  menaxhim sa më të mirë të qeverisjes së vendit dhe transparencë të plotë me publikun.

Ligji për tatimet dhe taksat, në vite ka pësuar  ndryshime të vazhdueshme dhe është normale në një periudhë tranzicioni me ekonomi në rritje.

Gjithashtu, gjendja e vështirë ekonomike e vendit, kur rritja ekonomike aktuale është pothuajse e papërfillshme, borxhi publik në rritje,  ndryshimi i krahut të pushtetit politik dhe  nevoja për implementimin e filozofisë së shpërndarjes më të drejtë të barrës fiskale, diktuan së fundi ndryshimin e ligjit tatimor.

Në këto kushte, mazhoranca qeverisëse, duke iu përmbajtur premtimeve elektorale dhe nga nevoja për më shumë burime të ardhurash, ndërtoi sistemin e taksimit progresiv, ku ai që fiton më shumë duhet të përballet me barrë fiskale më të lartë.

Epërsinë e sistemit të taksimit  progresiv do ta verifikojë koha gjatë zbatimit të tij, qytetarët përmes nivelit të pranimit dhe arka e shtetit përmes  nivelit të realizimit të të ardhurave. Teknikisht, zbatimi i ligjit të taksimit progresiv është më i vështirë se ligji i mëparshëm i taksës së sheshtë.

Përqendrimi i vjeljes së taksës së biznesit të vogël në Drejtoritë Rajonale Tatimore do të ndikojë në uljen e informalitetit; kjo në varësi të bashkëpunimit të këtyre institucioneve me njësitë vendore, bashkëpunim i cili deri më tani ka munguar. Ndërkohë edhe bizneset vihen para vështirësish të reja, pasi përveç taksës së biznesit të vogël, për të cilën do të përballen me DRT-të,  njëkohësisht do të ballafaqohen dhe do të likuidojnë detyrimet ndaj njësive vendore për taksat dhe tarifat lokale, sipas strukturës dhe nivelit të miratuar në paketat fiskale të njësive vendore përkatëse.

Zbatimi   rigoroz i ligjit të taksimit progresiv, mund të sjellë rritje, ose ulje të taksave për subjektet që do ta paguajnë, duke qenë se detyrimi do t’i referohet fitimit faktik të llogaritur të biznesit.

Në ambientin ekonomik, ku  informaliteti dhe evazioni fiskal janë shumë prezent, gjithashtu edukimi fiskal lë për të dëshiruar; ta ndjesh se nuk mund t’i shpëtosh pagesës së detyrimeve tatimore kërkon sa ndërgjegjësim të publikut për rrezikun e përballjes me masa shtrënguese, aq edhe një administratë tatimore të aftë, të ndershme, të përkushtuar e të  motivuar.

Ky është një nga faktorët që ligji fiskal të funksionojë dhe t’i shërbeje rritjes së burimeve të të ardhurave në  nivel qendror dhe lokal. Nga ana tjetër shtrohet pyetja: A do të vazhdojnë shqiptarët që krahas detyrimeve të taksave dhe tarifave të miratuara, të nxjerrin nga xhepat e tyre para shtesë për të marrë shërbimet e nevojshme publike të ofruara nga shteti?

A do të paguajnë ata para nën dorë për të regjistruar pronën e tyre, për një leje ndërtimi, për një tender, për një gjyq, për një operacion, apo për medikamentet   në spitalin publik?

A do të paguajnë nën dorë për një vend pune,  a do të paguajnë nëpunësit e administratës për t’u  shmangur, ose ulur taksat, apo për të marrë një shërbim?  A do të  paguajnë para shtesë për kolaudimin e makinës dhe a do të rrinë përsëri në radha sfilitëse?

Tendenca për t’iu shmangur   detyrimeve tatimore nuk është  një fenomen vetëm shqiptar, por në ambientin, ku zbatimi i rregullave nuk është bërë një normë për shoqërinë, shmangia nga pagesa e detyrimeve tatimore me gjithfarë marifetesh  bëhet një mënyrë sjelljeje më prezente.

Nëse krahas detyrimeve të ligjshme, bizneset dhe qytetarët do detyrohen të japin para edhe atje ku nuk duhet të paguajnë, paketa fiskale nuk do të shërbejë si  instrument për stimulimin e biznesit dhe përmirësimin e edukimit fiskal, por do ta frenojë atë.

Nëse krahas   instrumenteve të tjerë ekonomikë, si në  nivel qendror dhe lokal,  rritet  pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje për përcaktimin e prioriteteve dhe kryerjen e shpenzimeve, bëhet transparenca e vjeljes dhe  përdorimit taksave dhe u pritet rruga pagesave nën dorë,  impakti në uljen e informalitetit dhe evazionit fiskal në ekonomi do jetë më i shpejtë e më pozitiv; rrjedhimisht, paketa fiskale do të jetë më e pranueshme   e do funksionojë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi