Banka Botërore konfirmon rritjen ekonomike të Shqipërisë me 2.1%
16 janar 2014
Banka Botërore ka raportuar se ekonomia e Shqipërisë parashikohet të rritet me 2.1% në nivel vjetor gjatë vitit 2014, nga 1.3% që ishte rritja për 2013-ën.
Sipas edicionit të Janarit, të titulluar “Perspektivat Ekonomike Globale” që hartohet nga BB-ja, prodhimi ekonomik i Shqipërisë parashikohet të përshpejtohet në vitit 2014 dhe në 2016-n do të shkojë deri në 3%. Ndërsa deficiti i llogarisë korente të vendit tonë do të ngushtohet gradualisht nga 8.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që ishte në 2013-n, në 7.1% këtë vit dhe në 6.3% në 2015-ën. Në krahasimin rajonal, Shqipëria do të rritet më shpejt se Bosnjë-Herzegovina dhe Serbia, por do të lihet pas nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Edhe qeveria shqiptare parashikon pak a shumë të njëjtën shifër rritjeje për këtë vit. I të njëjtit opinion është edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas raportit më të fundit mbi projeksionet ekonomike.
Edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka përmirësuar pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2% gjatë këtij viti, nga 1.9% që ishte vlerësimi i mëparshëm.
Edhe institutet shkencore në raportert 3-mujore për Europën Qendrore dhe Lindore parashikojnë se, ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 2% gjatë këtij viti, nga 1.7% që ishte vlerësimi për rritjen ekonomike gjatë vitit 2013. Një ditë më parë Banka Botërore publikoi raportin mbi “Perspektivat Ekonomike Globale”, ku parashikohej një përmirësim i ekonomive të pasura dhe një ngadalësim i ekonomive në zhvillim.
RRITJA EKONOMIKE NË RAJON PËR 2014-N
Vendi Rritja në %/PBB
Serbia 1%
Bosnjë-Hercegovina 2%
Shqipëria 2.1%
Mali i Zi 2.5%
Maqedonia 3%
Kosova 4%