Qeveria nis reformën; Pension minimal për të papunët?

Nga Blerina Hoxha, botuar në Mapo Online, 14 janar 2014

U mbushën plot dy vite me debate për një reformë të re pensionesh, e cila duket se është në prag. Qeveria ka si objektiv ta miratojë deri në muajin korrik, sakaq opsionet e para kanë dalë për diskutim. E rëndësishme është se do të ketë një pension minimal edhe për ata që nuk paguajnë sigurime dhe rritja e moshës nuk është një nga synimet e reformës. Por efektet e skemës treshtyllëshe që pritet të adoptojë Shqipëria, janë aplikuar gjatë kësaj dekade edhe nga vende të tjera të rajonit, të cilat tani janë në mes të reformës dhe po gjenden në vështirësi.

Rreziqet

Aplikimi i pensionit minimal me të njëjtin nivel si për qytetin dhe për fshatin, pavarësisht nëse ke paguar apo jo sigurim, pritet të nxisë në një masë të madhe informalitetin, thonë ekspertët. Sot në fshat ka 270 mijë kontribues në skemën e pensioneve me synim pasjen e një pensioni minimal në pleqëri. Por me të marrë lajmin se ky pension do të sigurohet pa paguar sigurime, ata do të demotivohen të paguajnë. Në këtë mënyrë, rreziku për financimin e skemës gjatë periudhës së tranzicionit të reformës pritet të rritet. Një problem tjetër themelor i reformës së pensioneve ka të bëjë me shpenzimet e tranzicionit të reformës, të cilat janë të lidhura me mbulimin e shpenzimeve si rrjedhojë e aplikimit të shtyllës së dytë të pensioneve. Aktualisht shqiptarët paguajnë 21.6 % të pagës sigurime shoqërore. Por kjo shkallë-shkallë planifikohet të zvogëlohet me aplikimin e shtyllës së dytë. Në shtyllën e dytë, më së shumti paguajnë kontribute të gjitha ata të cilët janë më të rinj se 40 vjeç, si dhe ata që paracaktohen vetë, kur gjenden në mes moshës 40- dhe 50- vjeçare. Kroacia filloi të aplikojë një reformë të tillë në vitet 2000 dhe aktualisht është në vështirësi të financojë skemën.

 Si do të jenë pensionet pas 20 vitesh

40 vjeçarët e sotshëm, pavarësisht nëse do të paguajnë ose jo kontribut sigurimesh, do të përfitojnë një pension minimal kur të mbushin moshën për pension. Këtë pension e siguron buxheti i shtetit. Shtylla e dytë parashikon sigurim me detyrim si një bashkëpunim shtet privat. Kontributet dorëzohen në Fondet e Pensioneve dhe alokohen në tregun financiar për pensionet e ardhshme. Shtylla e tretë parashikon sistemin vullnetar. Kontributet mblidhen drejtpërdrejt nga Fondi i Pensioneve, duke iu referuar marrëveshjeve vullnetare të nënshkruara me punëtorët. Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, kjo reformë do të prekë 40-vjeçarët e sotshëm dhe jo ata që sot janë afër moshës së pensionit. Gjithashtu, qeveria nuk po sheh imediate rritjen e moshës së pensionit, pasi Shqipëria ka popullsi të re në moshë dhe rritja e moshës do të demotivonte të rinjtë për tregun e punës. Shtylla e parë dhe e dytë janë në kontrollin e qeverisë, ndërsa e treta është në dëshirën e secilit për të pasur një pension të lartë në pleqëri. Ajo që mbetet disi e pasqaruar është se do të krijohet shtylla e dytë, fondet e së cilës do të administrohen nga një privat. Si një opsion po shikohet heqja e kufirit maksimal për llogaritjen e masës së kontributeve, ashtu siç u aplikua edhe për sigurimet shëndetësore. Aktualisht shqiptarët paguajnë 21.6 % të pagës sigurime shoqërore, por me tavanin e pagesës prej 75 mijë lekë, pavarësisht sa e kanë rrogën. Me skemën e re, sigurimet mund të jenë të përshkallëzuara dhe pensioni do të përllogaritet me një formulë që bazohet në masën e kontributeve të derdhura. Pensioni minimal sot është 12 mijë lekë, ndërsa maksimali 24 mijë lekë. Skema e re synon rishpërndarje të pagesës së pleqërisë. Deficiti i skemës aktuale ka shkuar në 42 miliardë lekë. Skema e re është ende në fazë propozimi, ndaj nuk ka shifra të sakta për masën e kontributeve.

 Disa nga risitë

-Preken ata që sot janë 40 vjeç

-Do të përfitohet pensioni minimal, pavarësisht kontributit

-Nuk do të ndryshojë mosha

-Do të hiqet kufiri i sigurimit për pagat 75 mijë lekë

-Shteti do të bashkëpunojë me fondet private për sigurimin e detyrueshëm

-Mundësohet sigurimi vullnetar në skemat private

Shqiptarët sot paguajnë dy herë për pensionin

Shqiptarët që punojnë sot paguajnë dy herë për pensionet. Njëherë nëpërmjet kontributeve dhe njëherë nëpërmjet taksave. Pasi paratë e grumbulluara nga kontributet nuk mjaftojnë për të paguar pensionet dhe pjesën tjetër të fondit mbi 45 për qind, buxheti i merr nga taksat e përgjithshme. Kështu më shumë se 400 milionë dollarë nga taksat shkojnë për të financuar skemën e pensioneve, para të cilat do të mund të investoheshin në arsim, infrastrukturë dhe shëndetësi. Kështu siç paraqitet, skema është deficitare dhe duhet ndryshuar. Ishte parashikuar që politikat e rritjes së shpejtë të përfitimeve në fshat të koordinoheshin dhe harmonizoheshin me rritjen dhe barazimin gradual edhe të kontributit të fermerëve me atë të të vetëpunësuarve në sektorin jobujqësor. Pikërisht këtu është krijuar hendeku, pasi pensioni i fshatit është barazuar me atë të qytetit, ndërkohë që kontributi që është sa 1/3-ta e atij të qytetit, e bën këtë skemë me mjaft kërkesa për mbulim me financime buxhetore të formës kontributive apo subvencionuese. Një ndër tiparet kryesore sociale dhe ekonomike të tranzicionit në vendet e Evropës Lindore kanë qenë krizat në sistemin e pensioneve. Këto kriza kanë sjellë vështirësi ekonomike, politike dhe sociale. Krizat e tilla janë reflektuar me mungesën e fondeve për të paguar pensionet. Përvojat e disa vendeve në tranzicion që kishin të bënin me rritjen e të ardhurave përmes rritjes së taksave dhe deficitit buxhetor, u treguan si alternativa shumë të rrezikshme dhe ndikuan keq në deficitin buxhetor dhe në borxhin kombëtar. Ky është rasti tipik i Shqipërisë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi