Përtej suksesit (të lajmëruar) të mbledhjes së Prizrenit

Nga Ardian Haçkaj, Enio Civici, botuar në Shqip, 13 janar 2014

Mbledhja e parë e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është paraprirë dhe po pasohet nga një diskutim mbarë shqiptar mbi nevojën e një bashkëpunimi bilateral më intensiv. Ndërkohë, një debat publik mes ekonomistëve shqiptarë i organizuar gjatë periudhës shtator–nëntor 2013 në forumin shtetiweb.org, ka vënë në pah kompleksitetin e kësaj qasjeje.

Nga opinioni publik merren të mirëqena avantazhet e një bashkimi ekonomik më të thelluar mes dy vendeve. Heqja e barrierave tarifore përmendet si sukses, por pa analizuar impaktin e barrierave ekzistuese jotarifore. Rritja e shkëmbimeve tregtare në vlerë absolute këto 10 vitet e fundit përdoret për të ilustruar komplementaritetin e dy ekonomive, por pa përmendur qëndrueshmërinë e tyre në kohë. Fërkimet me pataten, aflatoksinën, çimenton etj., trajtohen si problemet e momentit e jo si tregues të një situate që do vëmendje ligjore dhe vullnet politik nga të dyja anët e kufirit për t’u trajtuar në mënyrë të suksesshme dhe të qëndrueshme. Intensifikimi i bashkëpunimit konsiderohet, sidomos nga politikanët dhe politologët e dy vendeve, gati si një domosdoshmëri historike me përfitime të garantuara për të gjithë të interesuarit, qofshin ata qytetarët, bizneset, qeveritë, madje dhe partneret në rajone e më gjerë.

Tabloja është pak më e ndërlikuar. Së pari, përpara se të flitet për qasje të re strategjike dhe përpjekjesh mes dy vendeve, mund të shfrytëzohen më mirë mundësitë që na jep konteksti ekzistues rregullativ dhe administrativ. P.sh., CEFTA është një marrëveshje e paaplikuar në tërësinë e saj. Problemet e eksportuesve në kufi vënë në dukje ekzistencën e barrierave jotarifore dhe zbatim të shtrembëruar të rregullave ekzistuese. Shpesh ato pasqyrojnë reminishencat e politikave tregtare të bazuara në interesa të ngushta dhe janë presion i lobeve të ndryshme kombëtare. Probleme të “thjeshta”, si p.sh. kërkesat e sigurisë në lidhje me produktet – rasti i aflatoksinës, ndërhyrja e shtetit me masa administrative dhe kontrolli i çmimeve – patatja; ose vendosja e masave mbrojtëse në importe – çimentoja, e shumë të tjera mund të zgjidhen në kuadrin ligjor ekzistues mes dy vendeve.

Së dyti, heqja e barrierave kufitare mes dy vendeve nuk sjell automatikisht rritjen e shkëmbimeve mes tyre. Për të shkëmbyer duhet të prodhosh. Struktura e produkteve të shkëmbyera reciprokisht mes Shqipërisë dhe Kosovës është e varfër dhe dominohet nga lënda e parë dhe mallrat e papërpunuara. Pa prodhim vendor të qenësishëm, shkëmbimet nuk do të sjellin vlerë të shtuar në ekonominë e dy vendeve dhe si pasojë dhe investimet në strukturën thjeshtësuese të shkëmbimeve tregtare do të kenë rentabilitet të ulët. Në këtë optikë, “Rruga e Kombit” një investim prej 1,6 mld euro për të dyja vendet, ka kontribuar më tepër në diversifikimin e rrugëve të furnizimit sesa në modifikimin e origjinës së mallrave të importuara. Me pak fjalë, Shqipëria ka investuar 1 mld euro për të lehtësuar transitin e mallrave që Kosova importon nga vendet e treta. Ndërkohë, në anën tjetër, ende nuk kemi shfrytëzuar mundësimin e financimit nga Banka Botërore me fondin prej 500 mijë dollarësh në këtë drejtim. Mungesa e prodhimeve shqiptare të krahasueshme me importet kosovare, e ka ulur kontributin e pritshëm të këtij investimi.

Së treti, ekziston një komplementaritet mes dy ekonomive, ku sektori më evident dhe më i përmendur është prodhimi, shpërndarja dhe shkëmbimi i energjisë. Rritja e shkëmbimeve të prodhimeve bujqësore tipike të çdo vendi, bashkëpunimi në zbulimin dhe shfrytëzimin e pasurive minerale në zonat kufitare, afrimi i diasporës shqiptare si mbajtës të know-how teknologjik dhe të fuqisë financiare për projektet e përbashkëta, janë vetëm disa nga fushat ku bashkëpunimi do të rriste eficiensën e politikave nacionale.

Së fundmi, roli i faktorit politik është parësor në këtë proces, por i plotësuar me masat ligjore dhe administrative të duhura, i pajisur me burimet njerëzore dhe financiare të nevojshme dhe i kompletuar me politikat publike përkatëse.

Bashkëpunimi strategjik mes dy qeverive që u nënshkrua në Prizren të shtunën, do të duhet të pasohet nga një bashkërendim i politikave fiskale, unifikim i politikave tregtare dhe përshtatje të ligjit për investimet e huaja mes dy vendeve. Në anën tjetër, mbetet kategorike harmonizimi i prokurimeve publike, ndërtimi i planeve të përbashkëta për zhvillimin ekonomik dhe integrimin duke filluar nga financimi i projekteve ndërkufitare nëpërmjet projekteve IPA të bazuar në strategjinë e shkruar dhe aprovuar “Cross-Border 2014–2020”.

Problemet aktuale në implementimin e marrëveshjes ekzistuese të CEFTA, veçoritë e strukturës prodhuese të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe kosto politike, financiare e administrative e një bashkëpunimi të plotë strategjik, militojnë në favor të një thellimi gradual të bashkëpunimit dypalësh. Në kushtet e sipërcituara, intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi me politika ekonomike të përbashkëta në sektorë të caktuar, do të ishte më optimal sesa një bashkërendim politik i imponuar nga lart-poshtë. Gjithashtu, kjo e dyta mund të krijojë edhe një ngacmim të panevojshëm të ekuilibrave politikë në rajon, që janë të domosdoshëm për proceset integruese të të dyja vendeve. Marrja e vendimeve politike detyruese përkatëse nga të dyja qeveritë, e shoqëruar me ndërtimin e strukturave mbështetëse, do të krijonte dinamikën e nevojshme për suksesin dhe qëndrueshmërinë e këtij procesi, përtej mbledhjes së parë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi