Evazioni fiskal, sa ka qenë e sa do të jetë
Nga Eduard Zaloshnja, botuar në Balkanweb, 13 janar 2014
Evazioni fiskal nuk mund të matet drejtpërdrejt, por në vendet ku zbatohet Tatimi i Vlerës së Shtuar (TVSH), matja e tërthortë e tij është relativisht e thjeshtë. Në vija të trasha, të ardhurat nga ky tatim, në përqindje ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, duhet të jenë afërsisht sa ç’është tarifa e taksimit. Kështu, në qoftë se tarifa e taksimit është 20% (si në Shqipëri, për shembull), të ardhurat nga TVSH-ja, në kushte ideale, duhet t’i afrohen 20-përqindëshit të PBB-së. Sepse Produkti i Brendshëm Bruto nuk është gjë tjetër veçse vlera e shtuar nga aktiviteti ekonomik brenda një vendi (INSTAT-i ka filluar ta quajë Vlera e Shtuar Bruto PBB-në, term me të cilin jemi mësuar prej dy dekadash).
Përdora më sipër shprehjen “në vija të trasha”, sepse një pjesë e vlerës së shtuar bruto u takon shërbimeve që ofrohen si të mira publike (arsimi publik, policimi, administrata publike, etj), për të cilat nuk paguhet TVSH. Po të llogaritim vlerën e këtyre shërbimeve në Shqipëri, i bie që të ardhurat nga TVSH-ja duhet të jenë diku në nivelin 16% të PBB-së, e jo 20%, sa ç’është niveli i TVSH-së. Kuptohet, në qoftë se nuk ka evazion fiskal…
Le të shohim tani se sa ka qenë faktikisht kjo përqindje e sa pritet të jetë në vitin në vazhdim.
Viti i fundit kur INSTAT-i ka bërë një matje të drejtpërdrejtë të PBB-së (matje që konsiderohet si përfundimtare) është viti 2009 – në vitet e mëpasme matjet kanë qenë të tërthorta, pra jo përfundimtare. Në vitin 2009, PBB-ja ka qenë rreth 11.5 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja për 12-mujorin kanë qenë 1.1 miliardë dollarë. Pra, sa 9.6% e PBB-së, nga 16% që duhej të ishte në kushtet e evazionit zero. Thënë ndryshe, thesarit të shtetit i kanë munguar në 2009-ën rreth 740 milionë dollarë, për shkak të mosvjeljes së plotë të TVSH-së.
Duke e ekstrapoluar këtë evazion të pagimit të TVSH-së, mund të arrihet në përfundimin se rreth 40% (100%-9.6%/16%) e aktivitetit ekonomik joshtetëror nuk ka kaluar në sitën e administratës fiskale në vitin 2009.
Le të vijmë tek shifrat e buxhetit të 2014-ës.
Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohen të jenë sa 8.5% e PBB-së, e cila pritet të jetë rreth 13.9 miliardë dollarë. Pra, qeveria parashikon të mbledhë rreth 1.2 miliardë dollarë, nga 2.2 miliardë dollarë që duhet të mbledhë, në qoftë se e vjel TVSH-në në nivelin 16% të PBB-së.
Duke e ekstrapoluar këtë evazion të pritshëm të pagimit të TVSH-së, mund të arrihet në përfundimin se rreth 47% (100%-8.5%/16%) e aktivitetit ekonomik joshtetëror nuk do të kalojë në sitën e administratës fiskale në vitin 2014.
Krahasimin e 2014-ës me vitin 2009 e bëra për faktin se është viti i fundit kur INSTAT-i ka bërë një matje të drejtpërdrejtë të PBB-së, e cila konsiderohet si përfundimtare. Por në qoftë se krahasimi bëhet me 2013-ën (për të cilin nuk kemi ende matje, qoftë dhe të përafërta), viti 2014 mund të duket një përmirësim. Sepse parashikimi për vitin 2013 ishte se TVSH-ja nuk do të kalonte 8% të PBB-së.
Le të shpresojmë se në vitin 2015 do të kemi një ulje domethënëse të evazionit fiskal…