Një lloj i ri i pabarazisë ekonomike
Nga Harold James/Princeton University, botuar në Shekulli Online, 12 janar 2014
Qysh në, fillim politikat e reagimit ndaj krizës financiare të vitit 2008 ishin të ngjyrosura me kujtimet dhe interpretimet e Depresionit të Madh. Mendimi i ngulitur tashmë është se bota e shmangu një përsëritje të katastrofës të mes dy luftërave botërore, kryesisht sepse politikbërësit morën vendime më të mira kësaj radhe. Por, ndonëse ka boll vend për t’iu gëzuar vetes, dy karakteristika të pas rimëkëmbjes nga kriza, u bëjnë hije festimeve. Së pari, pavarësisht zgjerimit monetar të paprecedent dhe stimujve fiskalë masivë, rimëkëmbja ka qenë çuditërisht e dobët dhe e brishtë. Në Eurozonë, krizat e borxhit, provokoi një kthesë të fortë drejt tkurrjes fiskale dhe bashkë me të, një rikthim në recension. Por deri edhe në SHBA, ku kishte mundësi të mëdha për stimujt fillestarë, rritja afatgjatë, të paktën në të ardhmen e parashikueshme, duket se qëndron mjaft më poshtë nga nivelet e parakrizës. Ringritja e pasigurtë na çon në vitet ’30, kur mjaft ekonomistë të njohur, përfshirë John Mynard Keynes dhe eksponentin e tij udhëheqës, Alvin Hansen shpallën se bota po hynte ne një fazë të stanjacionit shekullar. (Teori sipas të cilës rritja e të ardhurave çon në rritje të kursimeve bankare, pra në stanjacion për shkak të sasisë shumë të madhe të kursimeve). Sipas pikëpamjes së tyre, dinamizmi dhe fuqia e Revolucionit Industrial ishte gërryer, pa krijuar një alternativë për të mbështetur rritjen e qëndrueshme. Paralajmërimi i dytë për botën e post-krizës është edhe më alarmues. Shumë vende iu përgjigjën Depresionit të Madh me adoptimin e politikave që synonin reduktimin e pabarazisë në mirëqenie dhe të ardhura. Si rezultat, nga mesi i shekullit të 20-të, pabarazia ekstreme social-ekonomike, që kishte karakterizuar vendet industriale dukej se po zhdukej. Por, që prej vitit 2008, pabarazia e matshme, e cila kishte nisur të rritej që para krizës financiare, është ngritur sërish, kryesisht si pasojë e atyre masave kaq shumë të lavdëruara se do të parandalonin një tjetër Depresion të Madh. Politikat monetare jo konvencionale ushqyen një bum të vlerës së pasurive, me rritje të çmimit të aksioneve dhe pronave të paluajtshme në qendra ekonomike si New York, Londër, Paris, Rio de Janeiro dhe Shangai duke lënë jashtë blerësit vendas. Teksa i pasuri u bë edhe më i pasur, shtresat e mesme u shtrydhën nga normat e interesit që shkuan afër zeros, të cilat në terma realë, ishin në të vërtetë negativë. Ndërkohë të ardhurat e klasës punëtore u goditën nga rritja e konkurrencës për punë nga vende me kosto pune më të ulët. Disa bankierë të bankave qendrore pëlqejnë që të kujtojnë Winston Churchill dhe himnizimin e tij për ata që luftuan në betejën vendimtare të Britanisë: “Kurrë më parë në një fushëbetejë njerëzore kaq shumë njerëz u detyrohen kaq pak të tjerëve”. Por e aplikuar në ekonominë moderne, një vlerësim i tillë vështirë se mund të merret për mirë, sepse në këtë rast ai është literalisht i vërtetë: “Sistemi financiar u stabilizua me akumulimin e një volumi të jashtëzakonshëm të borxhit në disa banka qendrore”.
Nuk është vetëm politika monetare që po jep një impakt polarizues. Evropianët, që po i konsiderojnë politikat kejnesiane, përballen me trashëgiminë e shtrenjtë të projekteve të dikurshme të investimeve publike. Për shembull, Lojërat Olimpike të vitit 2004 në Athinë, supozoheshin se do ta kthenin Greqinë në një ekonomi dinamike dhe moderne. Por, ndërsa lojërat mundësuan një sistem nëntokësor metroje për qytetin dhe një aeroport mjaftueshëm modern, ato gjithashtu prodhuan kompleksin e braktisur Hellinikon Olympic dhe një mal me borxhe. Për më tepër, kritikët me të drejtë e vënë gishtin te favorizimi dhe forma të tjera të korrupsionit në dhënien e kontratave për projekte të këtilla. Ky është rast që ndodh si në vende të zhvilluara si Greqia dhe Spanja, ashtu edhe në vende në zhvillim apo ekonomitë me zhvillim të shpejtë. Ana e errët e ndërhyrjeve post-krizë në Kinë, doli në dritë në gjyqin e Liu Zhijun, i cili mbikëqyrte zhvillimin e rrjetit të trenave të shpejtë-një pozicion që i lejonte atij të blinte 374 prona të paluajtshme, 16 vetura dhe të mbante 18 dashnore. Kur dënimi me vdekje ndaj tij dukej se do të ndryshonte drejt një dënimi me burg, Kina shpërtheu në protesta. Një indinjatë e tillë ndaj korrupsionit pasqyrohet në paqëndrueshmërinë popullore të përhapur në vendet e tjera të mëdha, në dukje ekonomi-tregje të suksesshme dhe me rritje të shpejtë. Deri në verën e kaluar, kryeministri turk, Reccep Tayyip Erdogan shfaqej si gjeniu pas një mrekullie ekonomike të paprecedentë. Në këtë kohë ai bëri të ditur një plan për të zëvendësuar parkun e gjelbëruar Gezi në Sheshin “Taksim” në Stamboll me një projekt godinash të ngjashme me barakat e ushtrisë së kohës otomane brenda të cilave do të ngriheshin qendra tregtare. Kjo gjë provokoi protesta.
Ngjarje të mëdha sportive janë pasuar nga kundërpërgjigje veçanërisht të fuqishme. Polonia u trondit nga skandali pasi firmat e huaja që fituan kontratat për kampionatin e futbollit 2012, morën paratë e qeverisë, por nuk i paguan ndërtuesit polakë që ishin nënkontratorë të tyre. Në Brazil, protestat kundër kupës së Botës që pritet të zhvillohet vazhdojnë, teksa teprimet e Rusisë me Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi rrezikojnë të kthehen në një katastrofë të marrëdhënieve publike. Shkurt, ekonomia politike e projekteve stimuluese kejnesiane mund të jetë tepër problematike, sepse qytetarët e thjeshtë shpesh nuk kanë akses në përfitimet nga to. Për një botë që është ende duke e marrë veten nga pasojat e krizës së vitit 2008, me zbulimet sensacionale të abuzimit në industritë financiare dhe të pasurive të paluajtshme, projekte të këtilla të një profili kaq të lartë, duken si një tjetër hap i parashikuar për të shpërblyer një elitë të korruptuar. Por këtu ka një dallim kyç: Ajo çfarë po e ushqen pabarazinë aktualisht nuk është kapitalizmi i pakufizuar, por përpjekjet problematike të politikave publike për të stabilizuar ekonomitë në valën e krizës financiare. Konkurrenca kapitaliste e gërryen përfitimin monopolist, aty ku politika publike rrezikon të krijojë privilegje të ngulitura. Sot, me politikën monetare në zgjerim dhe shpenzimet e rritura shtetërore që po provokojnë një kundër-reagim të fuqishëm nga të përjashtuarit dhe të nënprivilegjuarit, hapat e marrë në emër të shmangies së një tjetër Depresioni të Madh, mund të përfundojnë me përkeqësimin e polarizimit.