Mjetet e konfliktit shfaqen
Nga Aleksandër Çipa, botuar në Shqip, 11 janar 2014
Formalizmi shtetëror në shoqërinë shqiptare fatkeqësisht nuk është sjellje e ndërgjegjshme. Ai gjen shprehje te një masë nëpunësish të cilët jetojnë në periudha gënjimesh e zhgënjimesh dhe që dëshmojnë gjatë fatit të tyre si nëpunës, pasazhe utopish. Kjo gjendje ka për autore politikën. Palët që ndërrohen në pushtet e premtojnë ndryshimin si një brendi të re që do e sjellë instalimi i sjelljes dhe ndërgjegjes së munguar në të cilat mishërohet institucionalizmi dhe kultura e formalizmit shtetëror. Mirëpo, sapo ndodh ndërrimi i pushteteve, të parat aspekte, kritere dhe premtime që braktisen ose injorohen, janë pikërisht formalizmi shtetëror dhe ndërgjegjja institucionale.
Qeverisja e re e vendit është në një moment nga më të vështirët në prologun e vet tremujor. Aq sa po krijohet perceptimi se kabineti i Kryeministrit Rama dhe administrata që ai po ngre e kanë humbur konceptin dhe sensin e kohës. Koha prej tre muajsh, në perceptimin publik dhe sidomos pas kohëzgjatjes së transferimit të pushtetit nga ishte qeveria te qeveria, duket e gjatë dhe e pashfrytëzuar sa dhe si duhet. Në këtë aspekt, qeveria “Rama” dhe sidomos gjithë struktura e imazhit dhe info-imazhit të saj duket se po mbesin në përpjekje të sfiduara.
Armikja kryesore e qeverisë “Rama” në kësi kohe është pritshmëria. Por përveç kësaj, beteja më sfidante për qeverinë është ajo që lidhet rishtazi me rikthimin e politizimit. Kjo është një betejë e mirëmenduar dhe që shprehet përmes akuzave që opozita dhe sidomos militantët opozitarë po i bëjnë dhe shpërndajnë në adresë të qeverisë përmes hapësirës virtuale, pra rrjeteve sociale dhe mundësive të tjera të komunikimit. Kjo është një mësymje që lehtësisht konstatohet dhe po ia del të mposhtë dijeninë dhe njohjen reale, me perceptimin e shpejtshtrirë për pafuqinë ndaj “së pamundurës”. Kritikat për vonesat në emërimet e drejtuesve të lartë në administratën publike, problemet brenda niveleve partiake të së majtës për këto emërime. Bllokimet e pranuara prej PS-së dhe qeverisë për shkak të ligjit të Administratës Publike dhe procesin ankimues të mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, etj., etj., janë elemente të mjaftueshme për një kohë vonesë, e cila po sipas perceptimit, duket se po shkakton kosto dhe rënie të besueshmërisë për fuqinë dhe procesin ndryshues prej qeverisë. Ky perceptim në shtim po bashkëshoqërohet edhe me një aksion politik jo vetëm opozitar për politizimin dhe kontestimin partiak të masave dhe sipërmarrjeve të ashpra ndëshkuese. Në disa raste, madje në ato më të diskutueshmet, kësaj semantike i bashkohen edhe disa diferenca në praktikat ligjore dhe ato vepruese prej organeve të prokurorisë dhe atyre të drejtësisë në përgjithësi.
Vizita e djeshme e një grupi deputetësh të PD-së në qelitë ku ndodhet kryebashkiaku i Kamzës, në vetvete mbart jo vetëm kumtin e ndërtimit të një kauze politike mes akuzës qeveritare për shpërdorim detyre dhe korrupsion prej tij dhe tentativës opozitare për politizim të pashmangshëm të rastit. Tashmë kjo përballje është e pandryshueshme në brendinë e vet politizuese. Sido që të veprojë dhe gjykojë drejtësia, tashmë rasti në fjalë është paragjykuar politikisht. E tillë ka triumfuar, përderisa parlamentarët opozitarë ia çojnë avokatinë politike të akuzuarit në qeli edhe pse verdikti për fajësi apo pafajësi të tij, do kohë procedurale për të mbërritur.
Mirëpo, ky nuk është i vetmi detaj dhe natyrisht as i vetëmjaftueshëm. Ish–kryeministri Berisha, i cili gjendet një hap para opozitës zyrtare si deputet i saj, ka një forcë dhe patos akuzues dhe politizues më shumë se kushdo tjetër. Së fundi, në statusin e vet në “fb”, përdori një stilemë të harruar prej vitesh në adresë të policisë së shtetit:”… mijëra e mijëra qytetarë gdhijnë në mëngjes të gjobitur nga skuadra të policisë partiake socialiste…”.
Por ky mëkat jo vetëm politik nuk po kryhet vetëm prej opozitës. Shkas në jo pak raste, vetë opozitës, i jep administrata e sapoinstaluar në nivelet politike, përmes titullarësh majtistë. Është një politizim që rikthehet me dashje dhe prej pakujdesisë. Prej mungesës së ndërgjegjes analizuese të të rinjve në krye të administratës dhe natyrisht edhe prej leverdisë politike të opozitarëve.
Kjo diaboli politike nuk është thjesht një çështje mes pozitës dhe opozitës së vendit. Kjo po rindëshkon besueshmërinë publike ndaj institucionalizmit dhe ndërgjegjes shtetdashëse, po bjerr pavarësinë institucionale dhe perceptimin për dominim të kriterit politik mbi ato ligjore. Pasojat në kohë të ndryshme të këtij tranzicioni prej politizimit, militantizmit politik, luftës agresive dhe radikale opozitare dhe sidomos mësymja frenuese mbi administratën, policinë dhe drejtësinë, janë premisa të forta për paqëndrueshmëri. Kësi pasojash ndihen menjëherë në rend, siguri, drejtësi dhe veçanërisht për anemi shtetërore dhe ligjzbatuese. Aksioni opozitar sidomos ndaj kësaj të fundit është tejet evident.
Mirëpo nëse vijon kështu, kjo premisë mund të ngrihet në nivelin e frymës, pasi inkurajohen populizmi dhe turmat. Nëse nuk veprohet shpejt dhe me konsensus mes dy establishmenteve politike pozitë-opozitë, atëherë kjo sjell të papritura të reja, aleate të të cilave bëhen problemet sociale, reagimet e drejta qytetare dhe skenari opozitar i shpalosur për “moslënie vetëm të rebelimit qytetar”, siç e paralajmëron aktualisht kryetari i ri i PD-së, zoti Basha. Tendenca e opozitës për ta konvertuar pakënaqësinë sociale në rebelim dhe natyrisht si qëllim; përfitimi politik, në të vërtetë është një strategji jo fort e mirëmenduar dhe e pastudiuar.
Koha që ka kaluar nga ndërrimi i qeverisjes së vendit është afër 4-mujore. Ngutja opozitare për të kërkuar rebelim pa konsumuar maturitetin dhe pritjen opozitare të kohës së logjikshme është një rrugë e vetëzgjedhur gabueshëm që në nisje. Sado mëkatësi të kenë qeverisësit e rinj, sado ikje të kemi prej premtimeve të tyre, sado devijime përmbajtësore të mund të konstatojmë në programin dhe projektin e premtuar elektoral, sërish, alternativa e ngutshme për rebelim opozitar është një zgjedhje që e bën shumë herë më të largët konstruktivizmin politik të opozitës dhe sidomos të lidershipit politik në tërësi. Alternativa të tilla para se të ekspozojnë dritëshkurtësi së pari pasqyrojnë mungesën e ndërgjegjes politike për një qëndrueshmëri institucionale dhe politike në vendin, të cilit i premtojnë integrimin dhe i mbjellin stanjacion dhe ecje retrograde. Alternativa dhe mjete të tilla, jo si aksion politik, por si pasqyrë e ndërgjegjes së keqe politike, tradhtojnë së pari mbartësit e kauzës për konkurrim opozitar politik dhe vlejnë vetëm si armë të ripërdorura për konflikt politik.