Partneritet strategjik Shqipëri – Kosovë: Politika të përbashkëta
Prizren, Mbledhje e përbashkët e Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, 11 janar 2014
Kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë zgjedhur pikërisht Prizrenin për të krijuar lidhjen e ngushtë mes dy qeverive e dy vendeve. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, mbledhja e përbashkët ka nisur në orën 11:00 në ambientet e hotel ‘Theranda’, me fjalën e kryeministrit Thaçi, i cili i uroi kabinetit të Shqipërisë mirëseardhjen në tokën e përbashkët të shqiptarëve. Kryeministri Thaçi theksoi se kjo mbledhje do t’i shërbejë avancimit, afirmimit dhe kultivimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, që siç tha ai duhet të ecin në një të ardhme të përbashkët. Nga ana e tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nënvizoi se takimi i Prizrenit për bashkëqeverisjen strategjike mes dy vendeve është pikënisje e një rrugëtimi të përbashkët institucional drejt zhvillimit të 2 vendeve, forcimit të ekonomive dhe modernizimit të shteteve. Kryeministri Rama siguroi të gjithë ata që mund ta shohin me shqetësim këtë mbledhje të përbashkët dhe partneritetin e ngushtë me Kosovën, duke theksuar se kufiri mes dy vendeve është i qartë dhe i pandryshueshëm.
Në mbledhjen e dy qeverive të dy shteteve të një kombi, kryeministrit Hashim Thaçi dhe Edi Rama kanë dhënë mesazhin e qartë se mes dy vendeve nuk do të ketë bashkim kufijsh sipas kuptimit të mirëfilltë.
“Jemi sot këtu për të punuar për të ardhmen, nuk ka asnjë dyshim se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare përbën një nga arritjet më të mëdha për dy shtetet shqiptare. Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”, u shpreh Thaçi.
Kryeministri i Shqipërisë në fjalën e tij theksoi se kjo mbledhje ka për qëllim heqjen e kufirit mes dy vendeve por ai foli për një bashkim të stilit të vendeve të Beneluksit.
Nga ana tjetër, Rama u shpreh se nuk mund të ketë bashkim të dy vendeve pasi kjo gjë u është premtuar SHBA-ve dhe BE-se.
“I takojnë një kombi me një gjuhë kulturë të përbashkët, por nëse mbledhja e përbashkët bëhet arsye trembjeje apo inkurajimi për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua të them se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm si një vijë që na kujton qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë apo përpjekjet heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër dhe qoftë dhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre pa të cilët Kosova e lirë dhe e pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur SHBA-ve dhe BE-së”, u shpreh Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim dhe partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës pikërisht në vendin ku është mbajtur Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Në praninë e përfaqësuesve të dy kabineteve qeveritare dhe shumë njerëzve të tjerë pjesëmarrës me këtë rast janë nënshkruar edhe marrëveshjet për lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në fushën e transportit dhe infrastrukturës.