Nis reforma për skemën e pensioneve
Nga Edlira Shehu, botuar në Dita, 11 janar 2014
Një nga reformat më të diskutuara prej shumë vitesh, ajo e pensioneve do të marrë udhë këtë vit. Lajmi është konfirmuar nga Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj në një takim informal që kishte dje me një grup gazetarësh.
Kanë qenë disa pikat e prekura nga ministri për këtë çështje. Në do ketë rritje të moshës së daljes në pension ose jo. Në do të ketë skemë private të pensioneve, apo gjithçka do të bazohet në vetëdeklarimin vullnetar të individit. Edhe pse ende nuk ka një draft në tryezë për këtë çështje, grupi i punës i ngritur për këtë qëllim ka hedhur disa piketa se ku mund të fokusohet në këtë reformë pensionesh. Ajo çka është si një mundësi e diskutuar, është garantimi i një pensioni minimal edhe nëse kontributi nuk do të jetë nga individi dhe këtu flitet për personat nën 40 vjeç.
Po kështu skema e sigurimit mendohet të jetë vullnetare, ku mbi bazën e një formulari, secili individ do të vendosë se në cilën skemë do të jetë, që pas 20 vitesh të ketë mundësinë e pasjes së një pensioni normal, të ulët apo të lartë. Ndërsa gjithashtu po diskutohet që kategoria mbi 40 vjeç nuk do të preket nga reforma e re. Një nga pikat më të nxehta që është diskutuar këto ditë është rritja e moshës së pensionit, por në diskutimet paraprake të grupit të punës është hedhur teza e mos rritjes së moshës së daljes në pension. Të gjitha këto janë diskutime paraprake dhe ashtu siç ka konfirmuar ministri fushata për këtë skemë do të jetë e gjerë dhe të diskutohen të gjitha opsionet e specialistëve të fushës, duke marrë dhe përvojën e vendeve të tjera për të cilët kjo skemë ka mirëfunksionuar.
Reforma në pensione është një çështje shumë e debatuar, pasi prej 20 vitesh kjo skemë ka mbetur e pareformuar, duke çuar në dështimin e saj. Ndaj debati dhe vëmendja pritet të jetë e madhe, jo vetëm se prek të gjithë njerëzit, por se duhet bërë një skemë e kujdesshme dhe e mirëmenduar, duke ruajtur bazën ligjore, e duke qenë gjithashtu skemë më kontribut afatgjatë. Aktualisht numri i personave në punë që kontribuojnë për mbajtjen e sistemit të sigurimeve shoqërore, pra, sa pensionistë mban me pagesën e tij të sigurimeve shoqërore një i punësuar në shtet apo privat, tek ne është më i ulti në Ballkan, si dhe ndër më të ultit në Evropë. Pensionet sot i përkasin një sistemi të vendosur 20 vjet më parë dhe që tani kanë nevojë të marrin një formë krejtësisht tjetër, ndaj me të drejtë kjo konsiderohet si një nga reformat më të ndjeshme për ne shqiptarët.
Si ka dështuar skema e pensioneve në Shqipëri?
Skema e pensioneve konsiderohet e dështuar në vendin tonë. Të gjithë ekspertët e ekonomisë, Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë kërkuar prej kohësh ndërhyrje në këtë skemë, pasi raporti kontribues në sigurime dhe pensionistë është shumë i zhdrejtë, duke krijuar në këtë mënyrë një gropë të madhe në buxhetin e shtetit, pasi vit pas viti është rritur fondi për Institutin e Sigurimeve në subvencionimin e pensioneve, dhe niveli kontributor ka mbetur i ulët. Këtë e deklarojnë dhe të dhënat statistikore.
Le të marrim vitin 2012; Informaliteti financiar që vjen nga diferenca midis pagës që derdhën kontributet, me pagën reale mujore që marrin të punësuarit, është shumë i lartë. Mjafton të analizohet vetëm rritja e pagës minimale, ku konstatohet një evazion fiskal i konsiderueshëm. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që mblidhen nga DPT, sipas evidencës financiare të DPT në vitin 2012 ndaj vitit 2011, janë rritur me 3%. Ndërkohë që, me VKM, paga minimale në vitin 2012 është rritur me 4,76%, pra krahasuar me vitin 2011 efekti financiar është më pak për 1.7% ose rreth 865 milion lekë (6.2 milionë euro). Bazuar në ligjin për sigurimet shoqërore, Shteti jep në fondin e sigurimeve shoqërore, diferencën e kontributit midis shumës së shëndederdhur nga personat e vetëpunësuar në bujqësi me kontributin minimal vjetor në qytet.
Në këto kushte, shuma e kontributeve të paderdhura në fondin e sigurimeve shoqërore nga buxheti i shtetit përllogaritet 3 miliardë lekë, ose mbi 23 milionë euro. Kjo shumë rrit së tepërmi defiçitin buxhetor të pensioneve, i cili kap shifrën 5.3 miliardë lekë ose 38 milionë euro. Kjo ul ndjeshëm kontributin e ligjshëm për pensionet dhe rrezikon pagesën e tyre në të ardhshmen e afërt.
Numri i lartë i subjekteve debitorë dhe i kontribuesve që ato përfaqësojnë, janë një problem shqetësues jo vetëm për mosmbledhjen e të ardhurave të konsiderueshme me pasojë krijimin e defiçitit dhe subvencionimin e tij nga buxheti i shtetit në sigurimet shoqërore, por sepse ato mbartin edhe një problem të madh social, në fushën e përfitimeve nga ligji i sigurimeve shoqërore, pasi si rezultat i mospagesave të kontributeve për një numër të madh personash, të punësuar në këto subjekte, këta shtetas nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore asnjë lloj pensioni. Me skemën aktuale janë rreth 700 mijë pensionistë të fshatit dhe qytetit që rrezikojnë pensionin e tyre, ndaj ky dështim kërkon një reformë të thellë e të mirëmenduar nga qeveria e re.
Tre propozimet e BB për pensionet
Një nga kërkesat e vazhdueshme të Bankës Botërore për mos rritje të mëtejshme të borxhit publik, ka qenë reformimi i thellë i skemës së pensioneve. Madje dhe në ditët e Dhjetorit të kaluar kur flitej për paketën e re fiskale dhe buxhetin e vitit 2014, sërish drejtuesit e kësja banke propozuan reformë në këtë sistem, duke dhënë dhe opsionet e tyre të ndarë në tre kolona.
Kolona e parë u cilësua prej tyre si “kolona zero” dhe në të parashikohen të përfshihen të gjithë të moshuarit, pavarësisht nëse ata kontribuojnë apo jo. Në disa vende kjo shtyllë aplikohet vetëm për të moshuarit e varfër dhe në disa të tjera për të gjithë të moshuarit, mbi një moshë të caktuar. Qëllimi i kësaj kolone është të ofrojë një nivel të ardhurash bazë për të gjithë të moshuarit, duke u siguruar atyre minimumin jetik, pavarësisht nëse nuk e kanë vjetërsinë e nevojshme në punë për të përfituar pension.
Ndërkohë, për sa i përket kolonës së dytë parashikohet që një pjesë e kontributit të detyrueshëm do të administrohet nga skema publike “pay as you go” (në anglisht, “paguaj sikurse shkon”, skema aktuale e bazuar në solidaritetin midis brezave), e cila do të garantojë një pension bazë dhe pjesa tjetër do të administrohet nga kompani private, që do të zgjidhen nga Shteti, në bazë të legjislacionit që do të miratohet. Këto kompani, në bazë të ligjit, do t’i investojnë këto fonde në tregun financiar, për të bërë të mundur rritjen e masës së parave te kontributeve. Këto para të paguara si kontribut i detyrueshëm, së bashku me fitimin e realizuar ndër vite nga investimi i tyre do të jepen në formën e pensionit, kur mbushet mosha e daljes në pension. Kolona e tretë e propozuar nga Banka Botërore ishte tërësisht private, pra fondet e pensioneve që funksionojnë aktualisht, të cilat nuk janë të detyrueshme, por janë në zgjedhjen personale.
Reforma e propozuar prej tyre parashikonte që të përcaktohej një vit referimi dhe të gjithë personat pas atij viti, do të përfshihen në skemën e re të sigurimeve shoqërore. Të gjitha këto janë skema që do të merren në diskutim nga grupi i punës për të gjetur opsionin funksional për vendin tonë.