Investimet gjermane në sektorin e energjisë në Shqipëri

Nga DW, 10 janar 2014

Gjermania është financuese e projekteve strategjike në sektorin e energjisë si linja e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë. Shqipërisë, importuese të energjisë kjo linjë i mundëson shfrytëzim optimal të burimeve të saj.

Dy kompani nga vendet e rajonit, Dalekovod nga Kroacia dhe Energoinvest nga Bosnja, kanë nisur përgatitjet për të filluar punën në terren për ndërtimin e linjës 400 KW të interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë, me një financim prej 75 miliom Euro nga qeveria gjermane përmes bankës së saj, KfW. Fillimit të punimeve i hapi rrugën marrveshja e nënshkruar mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, para pak javësh në Prizren, e cila la pas bllokimin e projektit prej gati 2 vitesh.

Erik Tintrup, zv. ambassador i RFGJ në Shqipëri, thotë për DW se financimi i këtij projekti është në rrjedhën e bashkëpunimit për zhvillim mes dy vendeve. “Shqipëria është partner zyrtar i bashkëpunimit të Gjermanisë për zhvillim, të nisur që para 25 vitesh, që nga viti 1988. Qeveria shqiptare dhe ajo gjermane, në kuadër të bisedimeve qeveritare, kanë rënë dakord që sektorët kryesore të këtij bashkëpunimi të jenë energjia, uji dhe zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë, së bashku me arsimin profesional. Në të ardhmen synohet të përfshihen më shumë edhe projekte në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Projektet, duhet të vijnë prej këtyre sektorëve dhe vazhdimësia është e rëndësishme” thotë Z. Erik Tintrup.

Pikërisht në këtë kontekst, qeveria gjermane përzgjodhi për të financuar ndërtimin e kësaj linje që pritet të përfundojë pas dy vitesh, në fund të vitit 2015.

“Ky projekt financohet nga Gjermania, përmes kredive të zhvillimit, në vlerën e 75 milionë eurove si një projekt me rëndësi të vecantë për furnizimin e Shqipërisë me energji elektrike, në një sektor kyç si energjitika. Shqipëria ka detyrimet përkatëse përmes Operatorit të saj të Transmetimit të Energjisë, ka rolin e zbatuesit dhe porosidhënësit në këtë projekt” thekson Z. Tintrup.

Linja e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë me rëndësi strategjike

Shqipërisë, që importon energji elektrike për të plotësuar nevojat e saj, kjo linjë do t’i mundësojë qëndrueshmëri importi dhe shfrytëzim optimal të burimeve të saj energjitike plus atyre të Kosovës. Por vlera e tij shkon përtej Shqipërisë dhe Kosovës. Agim Bregasi, Drejtor i Politikave në sektorin e Energjisë, në Ministrinë e Energjisë, në Tiranë, thotë për DW se realizimi i këtij projekti i shërben gjithë rajonit dhe më gjerë

“Ky është një projekt strategjik për gjithë rajonin. Si ide ai daton që para 20 vitesh, më 2003, kur Shqipëria nënshkroi marrëveshjen me Malin e Zi për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 Kw Tiranë – Podgoricë . Që atëhere u parashikua që kjo linjë, deri në afërsi të Vaut të Dejës, të ishte e dyfishtë: njëra të shkonte në Podgoricë dhe tjetra në Kosovë. Në mënyrë strategjike kjo linjë do t’i shërbejë shkëmbimit të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës, që kanë dy sisteme komplementare të përftimit të energjisë elektrike: Shqipëria 100% hidro kurse Kosova 100% me termocentrale, nga pasuritë e mëdha me lignite. Një kombinim i këtyre dy sistemeve dhe përdorimi i kësaj linje për të eksportuar energji nga Shqipëria drejt rajonit dhe më gjerë do të sjellë uljen e kostos së prodhimit të energjisë elektrike dhe për pasojë uljen e çmimit të saj për konsumatorin. Me këtë logjikë është projektuar të ndërtohet edhe linja e interkonjeksionit 400 Kw mes Shqipërisë dhe Maqedonisë që do të nisë në Elbasan dhe përfundojë në Manastir. Tanimë është kryer studimi i fizibilitetit për këtë linjë nga Fondi i BE për Investimet në Ballkanin Perëndimor dhe banka gjermane KfW ka shprehur interes për ta financuar edhe këtë projekt”, thotë Agim Bregasi.

Traktati i Komitetit të Energjisë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor

Projekti i ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 Kw Shqipëri- Kosovë është në përputhje edhe me Traktatin e Komitetit të Energjisë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, të nënshkruar në vitin 2005 në Athinë, ku Shqipëria është palë.

“Ky traktat përcakton masat që duhet të marrin vendet e rajonit për të rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike, përafrimin e legjislacionit të këtyre vendeve me atë të BE dhe krijimin e një tregu rajonal me efiçencë maksimale në të mirë të popujve të rajonit. Shqipëria ka bërë progres në realizimin e kërkesave të këtij Traktati dhe në vitin 2015 do të bëhet edhe liberalizimi i tregut vendas të energjisë elektrike. Qeveria Rama është në fazën përfundimtare të hartimit të kuadrit përkatës ligjor, në bashkëpunim me Sekretariatin e Komitetit të Energjisë, BE- Ballkan Perëndimor, për të qënë në përputhje të plotë me direktivat e BE dhe me ato specifike për vendet e rajonit” thekson Agim Bregasi.

Respektim i marrëveshjeve nga palët

Përfundimi i ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë pas 2 vitesh i hap edhe një mundësi tjetër të madhe, afatgjatë Shqipërisë: eksportimin përmes kësaj linje të energjisë elektrike të përftuar nga termocentralet, që bën të mundur kalimim në territorin e saj të Gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline). Rrugëtimi i projektit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë për të ardhur në momentin e tanishëm, kur ka filluar zbatim i tij në terren, ka ecur përmes problemesh dhe ngërçi për shkak qëndrimesh jo korrekte nga pala shqiptare në Shqipëri, që nga fillimi i vitit 2012, që u futën në rrugën e zgjidhjes aty nga vjeshta e vitit të kaluar për t’ u kurorëzuar me nënshkrimin e kontratës me kompanitë dhe me KfW.

Nisur nga mundësitë e hapjes së një bashkëpunimi të gjerë në të ardhmen mes Shqipërisë dhe vendeve të BE për realizimin e projekteve strategjike, peripecitë në të cilat eci projekti në fjalë pritet të sjellin dhe mësime.

“Mësimi i nxjerrë: nëse të gjitha palët respektojnë dhe u përmbahen marrëveshjeve të nënshkruara prej tyre, atëherë nuk lindin probleme”, thotë Erik Tintrup, zv.ambasadori gjerman, në Tiranë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi