Tranzicioni i pushtetit në tremujorin e tretë groposi ekonominë
INSTAT, 8 janar 2014
Instituti i Statistikave konfirmoi zyrtarisht së në tremujorin e tretë të vitit të kaluar ekonomia ka rrëshqitur sërish në territor negativ, për herë të tretë që nga fillimi i krizës së vitit 2009.
“Në tremujorin e tretë vlerësohet të ketë patur një rënie prej 2.26 për qind ndaj tremujorit të tretë të vitit 2012. Ndikimi kryesor i kësaj rënie vjen nga tërësia e degëve të ekonomisë dhe përjashtimi në këtë rast është vetëm bujqësia”, tha drejtori i INSTAT, Gjergj Filipi.
Rënia me 2.26 për qind është më e forta që nga koha, kur Shqipëria filloi të llogarisë rritjen ekonomike me seri tremujore dhe është e lidhur me tkurrjen e prodhimit thuajse në çdo sferë të ekonomisë.
“Grupi i industrive ka një rënie prej 4.6 për qind, ku këtu vlen për t’u theksuar si ndikim kryesor rënia e industrisë përpunuese me 7 për qind, ndaj të njëjtit tremujor të vitit pararendës. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2013 ka shënuar gjithashtu një rënie prej 10 përqindësh krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012. Grupi tregti-hotele-restorante në tërësi gjithë grupi ka pësuar një rënie prej 3.4 për qind”, theksoi Filipi.
Rënia e fortë e prodhimit në tremujorin e tretë e ul rritjen ekonomike të vendit në vetëm 0.4 për qind si 9 mujor. Më këto shifra është gati e sigurtë se edhe objektivi minimal që viti 2013 të mbyllet me rritje ekonomike 1.3 për qind është i pamundur. Kjo e bën vitin që lamë pas pikën më të ulët dhe momentin me negativ të ekonomisë shqiptare, në dy dekadat e fundit përvec 1997-ës.
Tremujori i tretë përkon me periudhën e tranzicionit politik, me muajt korrik, gusht, shtator, pas përfundimit të zgjedhjeve të qershorit, ku vendi ishte vetëm formalisht me Qeveri, çka duket se ka ndikuar jo pak në ecurinë e ekonomisë. Ndërkohë INSTAT deklaroi se për shkak të sistemit të ri të llogarive që ka miratuar së fundmi Bashkimi Europian, së shpejti ky institucion do të nisë rishikimin e llogarive kombëtare, përfshirë rritjen ekonomike edhe për vitet e kaluara.