Politikë serioze apo populiste

Nga Dorian Koçi, botuar në Shqip, 6 janar 2014

Pritshmëria dhe e ardhmja janë dy nga vlerat morale më fisnike të njeriut. Në emër të tyre, breza të tërë kanë vepruar dhe kanë ushqyer shpresa se e ardhmja që do të vinte, do të ishte më e bukur dhe më e mirë se e tanishmja që jetonin. Në përvijimin e tyre ka pasur vizione të ndryshme, duke filluar që nga ai fetar, shpirtëror, gjeografik, historik, iluminist e duke përfunduar te vizionet shkatërrimtare, nihiliste dhe të pashpresa. Shkurt në këto dy vlera që kanë qenë në korrelacion të ngushtë me njëra–tjetrën është pasqyruar i gjithë shpirti njerëzor. Por në këtë korrelacion të ngushtë me njëra-tjetrën ka pasur dhe vazhdon të ketë jo vetëm barazi vlerash si mund të duket në pamje të parë, por dhe hierarki vlerash që janë përcaktuar nga vetë njerëzit. Kështu p.sh., pritshmëria ka qenë më tepër në funksion të së ardhmes. Në të gjitha vizionet që ka përvijuar shpirti njerëzor për të arritur të ardhmen duhet një periudhë kohe pritshmërie, e cila shpeshherë ka vlejtur dhe si periudhë pritje ku është maturuar koha që e ardhmja të triumfojë. Ky tipar është më i dukshëm dhe më i prekshëm për shoqërinë njerëzore në botën shpirtërore që përfaqësohet nga besimet fetare dhe në realitetin e përditshëm të ndërtimit të marrëdhënieve mes njerëzve që përfaqësohet nga politika.

Të gjitha besimet fetare pa përjashtim predikojnë se jeta e përditshme natyrale në tokë që jetojnë njerëzit, në fakt është një periudhë pritje, pasi jeta e vërtetë fillon atëherë kur vdesim dhe shpirti njerëzor shkon në parajsë. Edhe pse shpërblimi në fakt është kaq i madh dhe i lavdishëm duke pasur parasysh përshkrimin e parajsës në të gjitha librat e shenjtë, kjo gjë nuk i ka penguar njerëzit që të jenë mëkatarë. Shoqëria e përsosur, ajo që pretendohet të ndërtohet nëse zbatohen parimet dhe ligjet të përshkruara në librat e shenjtë vazhdon të jetë një utopi. Madje dhe kur është pretenduar nga njerëz të ndryshëm që kanë ndërtuar këto shoqëri, ato në fakt kanë degjeneruar në sisteme teokratike që më shumë sesa shikonin mirëqenien e përgjithshme të popullsisë ishin mbrojtëse të interesave të një kaste të caktuar të përfaqësuar nga sundimtarët despotë dhe klasa e priftërinjve që u shërbenin atyre. Shembuj të tillë në historinë botërore mund të gjenden në regjimet faraonike të Egjiptit të lashtë, Indisë apo dhe Kinës ku sipas iluministëve francezë të shekullit XVII që analizonin qytetërimet, tipari teokratik i tyre kish shërbyer për të përjetësuar palëvizshmërinë e tyre përkundrejt ndryshimeve, gjë e cila i kish lënë mbrapa krahasimisht me Europën që përfaqësohej nga një larmishmëri formash qeverisjesh si monarki absolute, monarki kushtetuese, republikë, qytet-shtet, në të cilat njerëzit përfaqësoheshin më mirë dhe rrjedhimisht ishin më të hapur ndaj ideve të reja.

Edhe politika, ashtu si besimet fetare, duke qenë një nga “zanatet” e para të njerëzimit së bashku me besimin fetar e ka ndërtuar paradigmën e vet në besimin e ndryshimeve për një të ardhme më të mirë. Vetëm se në dallim nga besimi fetar, politika është ndarë në dy lloje për sa i përket pritshmërisë dhe së ardhmes. Njëra politikë, ajo që është serioze duke analizuar kushtet historiko-shoqërore të një vendi nuk bën premtime të parealizueshme për të ardhmen, por i drejtohet drejtpërsëdrejti elektoratit duke i kërkuar mbështetje për reformat, kohë që shërben si periudhë pritshmërie për të pasur rezultat në të ardhmen. Politika të tilla ishin ato të pasluftës së Dytë Botërore në Gjermani, ku një brezi iu desh të sakrifikonte për të realizuar mrekullinë gjermane të viteve ‘60-‘70. Politika tjetër është ajo populiste që bën premtime të paprincipta për të marrë vota vazhdimisht dhe që periudhën e pritjes e eliminon nga zhargoni i vet politik dhe në vend të saj përshkruan vetëm të ardhmen, duke “shitur” çfarëdolloj suksesi që arrin në qeverisje si vektor të së ardhmes dhe jo si një përmbushje e të drejtave legjitime të qytetarëve që i kanë votuar vazhdimisht. Për fat të keq, ky është modeli që ka nxjerrë kokën shumë herë në politikën shqiptare gjatë tranzicionit. Të gjithëve na kujtohen premtimet e gjithë klasës sonë politike për sa i përket së ardhmes së Shqipërisë si vend anëtar në Bashkimin Europian dhe kur nuk e kanë realizuar këtë ëndërr të shqiptarëve ia kanë vënë fajin prapambetjes historiko-shoqërore të vendit, duke harruar se në fushatat elektorale nuk e kanë përmendur atë pothuajse asnjëherë.

Të gjitha vizionet për të ardhmen në shoqërinë njerëzore kanë përfunduar si shkalla e fundit e tyre finale në një vizion të dominuar nga të mirat materiale. Le të jetë kjo dhe paradigma e së ardhmes së politikës shqiptare, pasi duke realizuar atë, realizon një nga objektivat finale të integrimit, por në të njëjtën kohë në këtë vit që jemi shumë më afër Bashkimit Europian pas liberalizimit të vizave të paktën, ajo duhet të jetë më e sinqertë dhe ta përgatisë elektoratin e vet jo vetëm për të ardhmen, por dhe për periudhën e pritshmërisë për të realizuar reformat përfundimtare që do na çojnë drejt integrimit tonë të plotë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi