Për një Rilindje “përtej së majtës dhe së djathtës”

Nga Henri Çili, botuar në Mapo Online, 6 janar 2014

Shumica e majtë në pushtet tashmë është instaluar. Duke sintetizuar tek paketa e re fiskale dhe tek henri cilibuxheti i ri i 2014 të gjitha ‘obsesionet’ e së majtës për taksimin progresiv, një dëshirë mbarëpopullore për të taksuar më shumë të pasurit, shumica në pushtet hyn në vitin e ri me realitetin e ashpër dhe të hidhur përballë saj.

A do të mundet sistemi i ri fiskal të sjellë, sidomos në këto rrethana ekonomike ku ndodhet Shqipëria, e rrethuar nga kriza rajonale, më shumë para në buxhet dhe rritje ekonomike? E vështirë, për të mos thënë e pamundur. Sidoqoftë, të kthejmë faqen e elektoralizmit dhe të populizmit të vitit të mbrapshtë 2013. Çdo qeverisje e një vendi demokratik ka nevojë të jetë e suksesshme, ka për detyrë ta çojë përpara shoqërinë, në raport me ku e lanë kundërshtarët politikë. Opozita ka për detyrë që me projektin e saj të krijojë një horizont të ri për Shqipërinë. Kjo është dialektika demokratike, kjo është shoqëria e paqes dhe zhvillimit, ky është uniteti kombëtar, i ndërtuar në diversitet. Të gjithë, kundërshtarë dhe mbështetës të kësaj qeverie, apo të kësaj shumice që erdhi në pushtet më 23 qershor, kanë interesin që qeverisja e vendit të ketë sukses.

Po cilat janë premisat për një sukses të kësaj qeverisjeje, të këtij ekipi dhe të këtij lidershipi që sot qeveris Shqipërinë me shumicën që donte, (shumicë të cilësuar madje), me taksat që kërkonte, me përbërjen dhe frymën e ekipit ministror që dëshironte dhe që e ka ndërtuar thuajse pa asnjë kushtëzim në verën e këtij viti? Ato janë të vështira, por e sigurt është që kjo qeveri e ka të pamundur justifikimin në këto rrethana pa patur sukses.

Premisat për sukses të kësaj qeverisjeje do të rriten apo krijohen nëse, së paku, Edi Rama dhe bashkë me të Ilir Meta, do të vijnë tek një frymë realiste për filozofinë e qeverisjes së vendit, që i largohet obsesionit majtist të fushatës, por që i afrohet, për sa është e nevojshme për të patur rezultate, pikërisht asaj dhe vetëm asaj që ka rëndësi për një qeverisje: REZULTATEVE.

Këtu është rasti që Edi Rama, ndoshta të bëjë një kërkim tek Edi Rama i vitit 2009, tek Rama “përtej së majtës dhe së djathtës”, kur citonte mentorin e tij Tony Blair: “Ne nuk do ta mbajmë me domosdo një politikë joefikase vetëm e vetëm pse ajo është e majtë, ne nuk do ta refuzojmë domosdo një politikë efikase vetëm e vetëm pse ajo është e djathtë”.

Pikërisht këtu mund të niste një program i ri realist, pragmatist, në përputhje me rrethanat dhe me ciklin e një bote që po mundohet të dalë nga një krizë ekonomike, në kushtet kur shoqëria shqiptare gjendet në fazë kritike të zhvillimit ekonomik që përkon me ezaurimin e një cikli, por pa nisur ciklin tjetër.

Dhe kantieret janë aty, janë të gjithë aty. Territori, Turizmi, Bujqësia, Arsimi, Shëndetësia. Janë të gjithë sektorë dhe detyra tipike të shumicës qeverisëse në çdo vend, për të cilat asaj nuk i nevojitet vota e opozitës, sa kohë zotëron luksin e një shumice të cilësuar.

Kantieret e tjera të reformës, ato që kanë të bëjnë me reformën e shtetit dhe të sistemit demokratik si drejtësia, pensionet, ndarja territoriale etj., kërkojnë patjetër një karakter bipartizan, pra një marrëveshje me opozitën. (Edhe pse shumica aktuale është në kufijtë e një mazhorance që mund të bëjë dhe ndryshime kushtetuese.) Në këtë lehtësi qeveria nuk duhet të bjerë sepse tentacioni për të bërë ndryshime të pjesës natyrore të shtetit, jo vetëm do të gëlltisë energjitë qeverisëse në një debat për sistemin dhe do ta gërryejë shpejt legjitimitetin e qeverisjes.

Është plotësisht e mundur që duke ruajtur objektiva të majtë për shoqërinë shqiptare, gjë që kjo qeveri e ka detyrim elektoral, të mos hezitohet të kërkohen rrugë, instrumente, politika, skema të politikave të djathta, të cilat do të ishin më rezultative, më të shpejta për të kapërcyer ngërçet në shumë e shumë sektorë, që janë e kanë mbetur të pareformuar, të pafutur ende në kapitalizëm.

Një referencë në të shkuarën e afërt politike të Edi Ramës, viti 2009, tek filozofia e Giddens-it, “përtej së majtës dhe së djathtës”, mund të ishte zgjidhja e ngërçit në të cilin kjo mazhorancë është vendosur në këtë fillim mandati: fryma anti-reformiste e votës së 23 qershorit, pamundësisë apo vështirësisë për sukses të këtyre tip reformash, dhe nga ana tjetër nevoja urgjente e kësaj shumice për të patur rezultat, për të krijuar bilanc.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi