Viti i hartimit të ndryshimeve të Kushtetutës
Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 5 janar 2014
Tashmë kaluan 15 vjet që kur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u miratua dhe hyri në fuqi. Po, vetëm ky fakt në vetvete nuk mund të nënkuptojë që Ligji Themelor doemos të ishte i vjetëruar. Zhvillimi ekonomiko – social, roli që kanë luajtur deri më sot institucionet kushtetuese për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe veprimet e pushtetit shtetëror për të respektuar të drejtat dhe liritë e individit në vendin tonë, qartësisht tregojnë për cilësitë e Kushtetutës së vitit 1998.
Në këto rradhë nuk mund të mos shënohen veçanërisht dy vlera të spikatura të saj: përfshirja e disa garancive materiale të Konventës Europiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut si pjesë përbërëse të Kushtetutës sonë dhe, në zbërthim të kësaj përfshirjeje, konsakrimi i marrëveshjes ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare. Ndërkohë, nuk mund të mohohet gjithashtu ndikimi i drejtpërdrejtë i normave kushtetuese, veç të tjerash, për të rritur ndjeshëm debatin parlamentar midis shumicës dhe pakicës, sidomos për aprovimin e legjislacionit, si edhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë, Presidentit të Republikës dhe organeve të tjera kushtetuese të pavarura.
Sidoqoftë, ndonëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është konceptuar dhe klasifikuar si një akt që mund të rishikohet vëtëm nëpërmjet disa procedurave të ngurta, në të vërtetë ajo i është nënshtruar edhe ndryshimeve thelbësore nën imponimin e mazhorancës legjislative, sikurse ka ndodhur me miraimin e një pakete amendametesh në Prill 2008. Madje, vështruar nga ky realitet, edhe sanksionimi në ‘të i një mase të ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë, siç vlerësohet referundimi për gjithpërfshirjen e popullit në procesin e ndryshimeve kushtetuese, nuk e ka bërë të mundur konkretizimin në organizimin dhe zhvillimin e tij, përderisa vendimi i shtruarjes në referendum të ndonjë projektligji me rëndësi të veçantë i është lënë si prerogativë vetëm Kuvendit, me kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve ose me propozim të Këshillit të Ministrave.
Në përgjithësi dhe zakonisht, synimi i miratimit dhe hyrjes në fuqi të kushtetutave, si akte themelore të shteteve, ka të bëjë kryesisht me kufizimin e pushtetit, për të mos e shpërdoruar atë. Mirëpo, në këtë kuadër, përvoja 15 vjeçare e Kushtetutës sonë nuk ka dhënë prova të besueshme për të garantuar në vazhdimësi frenimin e maxhorancave vendimmarrëse në realizmin e synimeve politike të tyre, duke përdorur funksionin ligjbërës dhe kontrollues të Kuvendit. Nuk ka dhënë prova të besueshme as për mbylljen e të gjitha shtigjeve ndaj shkeljeve të autoriteteve të tjera kushtetuese, siç vlerësohen për ilustrim ato të pushtetit gjyqësor. Këto dhe dukuri analoge e kanë detyruar një nga hartuesit aktivë të Kushtetutës të deklaronte që disa vite më parë në literaturën juridike të vendit, se “Ne nuk kemi mbajtur mirë parasysh faktin që Republika jonë nuk është thjesht parlamentare, por diçka më shumë, ajo është konstitucionale”.
Tani, pas verdiktit që dha një shumicë e cilësuar, si edhe cilësore, e shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, debati për nevojën e rishikimit të Kushtetutës nuk përbën më një zë të veçuar në shkretëtirë, por të unifikuar në një realitet të ri. Dhe, ndonëse opinionet shprehen në shumë plane, ato konvergojnë apo përparojnë drejt një rishikimi tërësor të Kushtetutës. Për shembull, te konsakrimi në Kushtetutë i elementëve realisht garantues për kontrollin dhe balancimin e pushteteve, ashtu si edhe për moslejimin e cenimit të pavarësisë së institucioneve, që kanë rënë deri tani pre e tendencave politike.
Prirje të tilla, shpesh herë nuk kanë nguruar të influencojnë deri edhe te përzgjedhja e Presidentit të Republikës, sikurse ky i fundit te seleksionimi i kandidaturave për funksionarë të organeve kushtetuese, për shumatoren e thjeshtë të votave në dhënien e pëlqimit nga Kuvendi të gjyqtarit kushtetues, të atij të Gjykatës së Lartë, të Prokurorit të Përgjithshëm, të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë etj.
Këto kushte bëjnë të domosdoshëm ndryshimin e formulave kushtetuese, duke filluar nga procesi i emërimit të këtyre funksionarëve dhe duke vijuar me parashikimin e procedurës që do të siguronin proces të rregullt e të depolitizuar. Pikërisht votimi me shumicë të cilësuar është mekanizmi konstitucional ai që do të mund t’u garantonte institucioneve kushtetuese pavarësinë reale të pretenduar. Në këtë aspekt, nuk janë të padobishme idetë që janë hedhur, për shembull, për të kufizuar qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të lartë dhe të atyre kushtetues, pasi këta kanë përfunduar mandatin e tyre; për të vendosur një afat të përcaktuar, që do ta detyronte Kuvendin të shprehej domosdoshmërisht mbi dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve; për të kufizuar kompetencën kushtetuese të Gjykatës së Lartë në drejtim të juridiksionit fillestar vetëm në gjykimin e akuzës ndaj Kryetarit të Shtetit etj, etj.
Pa u zgjatur këtu me çështje të tjera mbi raportet e Kuvendit me Ekzekutivin apo edhe me vetë Kryeministrin, mbi kompetencën e papërshtatshme të Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e ankimeve të individëve, mbi pozicionin e gjyqtarit të juridiksionit të zakonshëm ndaj ligjeve, si edhe në çështje të tjera që kanë të bëjnë me formulimin e disa dispozitave mbi integrimin e shtetit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO, e rëndësishme është të theksohet që, pavarësisht se Kushtetuta e kushtëzon rishikimin e parashikimeve të veta me arritjen e një konsensusi të gjerë në Parlament, mospasja hë për hë e numrit prej dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, të cilët do të binin në një mendje për ndryshimet e domosdoshme dhe të mundshme të Kushtetutës, nuk mund të përbëjë pengesë për hartimin paraprakisht të draftit të ndryshimeve. Prandaj, ky vit që sapo ka filluar, përveç zgjidhjes së disa problemeve politike dhe ekonomiko – sociale që mbart, në hapësirën kohore të tij do të ketë gjithashtu detyrën e rëndësishme për t’u përballur edhe sfidat në këtë fushë përballë një realiteti europian.