Paketa fiskale si shpëtim i shtetit nga falimenti

Nga Irena Beqiraj, botuar në Dita, 30 dhjetor 2013

Në vitin 1856, Abraham Linkoln u kërkoi njerëzve të vet më të mençur t’i krijonin një fjali të cilën ta kishte gjithmonë para syve. Fjalia duhet të ishte e vërtetë dhe e përshtatshme për çdo kohë dhe në çdo situatë. Ata e prezantuan me fjalinë “Edhe kjo gjë, po ashtu, do të kalojë e do të harrohet”. Kjo shprehje është një ndëshkim në kohë suksesi, dhe një ngushëllim në dhimbje të madhe!

Besoj se është e vështirë të parashikohet se kur do të, “harrohet” e t’i përkasë të shkuarës situata që shqiptarët jetojnë sot. Një situatë e caktuar vazhdon dhe zhvillohet derisa gjithkush apo pjesa më e madhe e shoqërisë e kupton çfarë e shkakton atë. Kur njerëzit e kuptojnë çfarë po ndodh, ato fillojnë të veprojnë ndryshe dhe situata vetvetiu ndryshon! Kur njerëzit ndryshojnë sjelljet e tyre, ky po ashtu është një sinjal që një situate të caktuar i ka ardhur fundi, qoftë kjo një situatë e mirë apo e keqe.

Gjatë të kaluarës tonë, sidomos vitet e krizës e kemi dëgjuar ekzekutivin të thotë: që Shqipëria nuk është prekur nga kriza ekonomike globale, që kishte rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Qeveria dhe opozita prodhonin shifra të cilat nuk mund të vërtetoheshin nëse ishin të sakta apo jo dhe arsyetime të vagëta mbi çfarë përfaqësonte ekonomia shqiptare, dhe ku po e çonin Shqipërinë politikat e ndjekura ekonomike. Foltorja e Parlamentit, “ishte ringu pa rregulla loje” ku deputetët e qeveria dëgjonin me qëllimin që të replikonin me njëri-tjetrin, jo më qëllimin për të reflektuar. Kjo është arsyeja që shpesh debati “bëhej shterpë, dukej si konkursi i batutës më të bukur, deri sa precipitonte në sharje personale“. Nëse rreth një tryeze të gjithë mendojnë, flasin dhe përgjigjen njësoj, asnjë nuk është duke reflektuar gjatë.

Po a kemi sinjale që situata po ndryshon? Kam përshtypjen se akoma jo. Personalisht futem në grupin e njerëzve optimistë që kam pritje të larta për Qeverinë aktuale. Ndërkohë kur dëgjoj Z.Veliaj, që replikon me opozitën, pyes veten “a do të ndryshojë ndonjëherë kjo metodë debati pa argumente dhe shumë cinizëm?” Dhe pjesa për të ardhur keq është që ka aq shumë argumente për paketën fiskale, sa çdo ministër, apo deputet nuk do të kishte kohë të kthente një replikë politike për një çështje kaq teknike.

Ka vetëm tre mënyra me të cilat mund të kapërcehet falimentimi i shtetit i cili vjen si rezultat i përdorimit të madh të borxhit publik: 1) vendosja e një takse të lartë mbi kapitalin, 2) përdorimi i inflacionit për zvogëlimin e vlerës reale të borxhit, 3) rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve të bëra nga qeveria. Duke përjashtuar vendosjen e një takse të lartë mbi kapitalin që shpesh barazohet me shpronësim dhe që do të zvogëlonte mundësitë për investime të reja të cilat janë te rëndësishme për zhvillim afatgjatë ekonomik të vendit, dy mundësitë që mbeten janë rritja e inflacionit ose rritja “e dhimbshme”e taksave !

Rritja e inflacionit mund të ishte një mënyrë shumë e mirë dhe e thjeshtë, për këtë Qeveri sepse është një metodë që mund të instrumentalizohejbshumë më pak politikisht sesa rritja e taksave, por shumë mirë që Qeveria nuk e ndërmori. Nëse Banka Qendrore do të lejonte një rritje të inflacionit (nëpërmjet printimit të parasë) do të ishte shumë e vështirë, më vonë ta fusje “gjigandin në shishe”. Do të duheshin të paktën më shumë se 20 apo 25 vjet të arrihej përsëri një stabilitet në çmime.

Rritja e inflacionit mund të ulë vlerën reale të borxhit por vetëm nëse ai është me norma fikse interesi. Por pjesa më e madhe e borxhit në sistemin ekonomik shqiptar është në norma të ndryshueshme interesi kështu që kjo do të shkaktonte rrijte të normave nominale dhe reale të interesit në Shqipëri. Kështu që Qeveria kur nuk zgjodhi inflacionin për të dalë nga situata e keqe financiare që gjeti zgjedhja e vetme që kishte mbetur ishte të të rriste taksat dhe të ulë shpenzimet. Dhe sa më shpejt aq më mirë. Ndërkohë që diferencat sociale në Shqipëri janë shumë të mëdha, pjesa dërmuese e qytetarëve kanë nevojë të konsumojmë të mirat publike pasi nuk mund të përballojnë ato private, siç është edukimi, mjekësia, apo pensionet. Kështu që ofrimi i këtyre shërbimeve të con në taksa më të larta. Me shumë përulësi do ti sugjeroja Ministrit që para se ta quante partinë opozitare “Partinë e Biznesit “(do të ishte shumë mirë sikur të kishte qenë e tillë në 8 vjet qeverisje). Z. Ministër mund ti shpjegonte qetësisht biznesit nga foltorja e parlamentit se sistemi i ri i taksave nuk është një shpikje e Qeverisë por një sistem efektiv që përdoret në gjitha vendet në zhvillim në Europë!

Çdo lexues i thjeshtë, aq më tepër biznesmen, e kupton nga tabela që sistemi i ri i taksave nuk është “dënim” i shpikur nga Qeveria për të rrënuar biznesin dhe Shqipërinë por një mënyrë për të financuar efektivisht shtetin.

Në bazë të të dhënave të nëntëmujorit 2013 në Shqipëri burimet kryesore të ardhurave të shtetit janë, 1) TVSH 48,57% , 2) tatimi mbi të ardhurat personale 13,3% , dhe tatimi mbi fitimin 7,1% . Ndërkohë që në vendet europiane në zhvillim burimet e të ardhurave të shtetit renditen si më poshtë 1) TVSH 43,8% , 2) Tatim Fitim i Biznesit  19,3%, dhe 3 tatimi mbi të ardhurat personale 16,6%.

TVSH është një tatim konsumi, dhe barra e tij bie direkt mbi konsumatorin, qoftë ky i varfër qoftë i pasur. Ndërsa nuk ndodh kështu me barrën e tatim fitimit! Ka shumë diskutime në qarqet ekonomike nëse barrën e tatim fitimit e paguan kompania apo punonjësit dhe konsumatorët. Nga studimet e bëra rezulton që në kushtet e konkurrencës këtë barrë e përballon 80% kompania dhe 20% punonjësit.

Në pikëvështrimin tim në vendimmarrjen për të rritur taksat qeveria është treguar e kujdesshme, jo vetëm për të ruajtur ekuilibrin mbi efektet pozitive dhe negative që mund të ketë rritja e taksave në por për të rritur dhe efektivitetit e sistemin. Nuk ka rritur TVSH edhe pse mund ti rriste më shumë dhe më lehtë të ardhurat në arkën e shtetit. Kjo vendimmarrje ka reflektuar faktin që TVSH si taksë konsumi ka qenë dhe është në thelb më regresive, ndërkohë që godet më shumë shtresat e varfra se të pasura.

eko

Ka rritur vetëm me 5% tatim fitimin si kontributori i tretë i të ardhurave në arkën e shtetit, dhe është sërish më poshtë se vendet e tjera në zhvillim, sepse kjo taksë mund të ketë efekte të tjera rrjedhëse në ekonomi, siç është kalimi i një pjesë të saj tek punonjësit apo konsumatori në kushtet e mungesës së konkurrencës. Ndërkohë që rritja më e madhe në sistemit e ri të taksave vihet re në taksën mbi të ardhurat personale. Struktura e normës së tatimit mbi të ardhurat personale është instrumenti më i dukshëm që qeveritë e vendeve në zhvillim përdorin për të treguar angazhimin e tyre kundrejt drejtësisë sociale dhe fiskale. Qeveritë me preferenca të forta në lidhje me rishpërndarjen e të ardhurave historikisht janë mbështetur në taksa progresive mbi të ardhurat personale.

Si qytetare e këtij vendi do të kisha dashur të dëgjoja më shumë gjatë diskutimit të buxhetit nga ministrat e kësaj qeverie të parashtronin prioritetet e ministrive përkatëse për vitin e ardhshëm, duke dhënë argumente të mjaftueshëm se paratë e taksapaguesve do të përdoren me efiçencë dhe efektivitet.

Shqiptarët kanë nevojë të jenë optimistë edhe pse situata ekonomike dhe sociale në të cilën jetojnë është jo e mirë. Por ky optimizëm ka nevojë të bazohet në faktin që të gjithë i kemi kuptuar dhe mësuar mirë mësimet e vështira të së kaluarës. Jam e bindur që kjo Qeveri ka në përbërjen e saj teknicienë dhe ekonomistë shumë të mirë, që ndoshta kanë shumë më shumë argumente bindëse mbi këtë çështje, sesa unë parashtrova në këtë artikull. Por, për sa kohë që ministra dhe deputetë të të dy kaheve nuk do ta kuptojnë që ka ardhur koha të lënë mënjanë pasionin politik kur flasin për çështje teknike, nuk do të arrijmë dot të ndërtojmë një situatë më të mirë në Shqipëri dhe do të vazhdojmë të ngushëllohemi me shprehjen se dhe kjo çka po jetojmë tani, një ditë do të kalojë dhe  të harrohet. Nëse vërtet duam ta “largojmë” Shqipërinë nga kaluara dhe” të afrojmë” të ardhmen, duhet “të pastrojmë “ nga pluhuri i të kaluarës sjelljen tonë si vetmi proces i cili mund të krijojë oportunitete për te pasur të ardhmen ndryshe afër!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi