Rrethi apo dhe zona funksionale në ndarjen e re administrative

Nga Gjergji Duro, botuar në Shqip, 29 dhjetor 2013

Diku andej nga muaji gusht, së bashku me një koleg kemi shkruar një artikull për reformën territoriale, në të cilin hidhnim idenë se baza kryesore për ndarjen e re territoriale duhet të ishte konturimi i njësive vendore të nivelit të parë, mbi bazën e ish-rretheve të dikurshme. Puna e solli që të angazhohemi në një projekt të “ShtetiWeb”, që ka në fokus (por jo vetëm) pikërisht edhe ndarjen administrativo-territoriale, me kahe nga poshtë lart, që do të thotë pa paracaktuar asgjë, të mundohemi të përcjellim atë që gjykohet nga një rreth më i gjerë prej atyre që puna i ka lidhur direkt a indirekt me qeverisjen vendore. Ajo që bie në sy, është shkalla e lartë e interesit që ka ngjallur kjo reformë, prej së cilës pritmëria është e madhe sidomos në një drejtim: çfarë gjëje të re do sjellë kjo reformë në përmirësimin e kushteve kolektive të jetesës e posaçërisht nivelit të shërbimeve ndaj qytetarëve, si objekt i drejtpërdrejtë i punës së qeverisjes vendore dhe zhvillimit në tërësi.

Duke e parë me këtë këndvështrim, natyrshëm lind pyetja, si do të konturohen njësitë e reja pikërisht në funksion të objektit kryesor të veprimtarisë së tyre? A mjafton të kemi kriter pedant vetëm ish-rrethin apo duhet korrigjuar “shënjestra”. E thënë ndryshe, po qe se i zmadhojmë apo zvogëlojmë territorialisht njësitë e sotme të fragmentizuara tmerrësisht, automatikisht do të rritet dhe niveli i shërbimeve, punësimi, kontrolli i territorit? Është e vërtetë që rreth 100 komuna aktuale pothuajse 100% të burimeve financiare (pra të vetat dhe transfertat nga qeveria) i përdorin për shpenzimet e tyre administrative, por nëse këto do bashkoheshin në një bashki të vetme do ishte e mundur që niveli i këtyre lloj shpenzimeve të ulej në 20-30% dhe pjesa tjetër të shkonte në shpenzime për shërbime ndaj komunitetit, apo përsëri “pjesa e luanit” do shkonte për rroga dhe telefoni?! Nga ana tjetër nëse analizon shpenzimet për një nxënës të bëra nga Bashkia e fuqishme e Tiranës në zonën e Kodrës së Priftit do konstatosh se ato janë dy deri në tre herë më të vogla se ato që bën komuna e “vogël e Farkës”, kufitare me të sipërcituarën. Në një nga rrethet e veriut kemi gjetur mbështetje për bashkimin e 6 komunave në një të vetme. Gjatë diskutimit me të interesuarit, na u duk interesant një propozim lidhur me këshillat dhe këshilltarët komunarë (por e njëjta gjë qëndron dhe për ata bashkiakë. Në këto komuna ishin zgjedhur 73 këshilltarë që “konsumonin” një fond page prej rreth 4,32 milionë lekë i barabartë në nevojat për mirëmbajtjen e 6 shkollave të arsimit bazë të këtyre komunave. Propozimi ishte këshilltarët të paguhen vetëm për dietën ditore të mbledhjes, sepse kështu do eliminohen dhe tarafet dhe interesaxhinjtë që nuk japin kurrë ndonjë mendim, por e shikojnë pozicionin si “shpërblim ngaqë i vë në listë. të tilla analiza të performancës së njësive vendore deri në nivel qarku përgjithësisht mungojnë (përjashto një studim të kësaj natyre, shume eficent të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit) të cilat duhet të jenë baza kryesore e gjykimit mbi madhësinë e njësive vendore. Disa vrojtime të thelluara dhe të konsultuara në kuadrin e projektit të lartpërmendur na kanë çuar në disa konkluzione:

Së pari, nuk mund të merret “gur themeli” i vetëm i ndarjes së re administrative ish-rrethi i dikurshëm edhe për arsye që sikundër e shpjegonte z. Y. Bufi në një shkrim të ditëve të fundit, ato nuk ishin ekuivalente me nivelin e parë të qeverisjes vendore.

Por kjo nuk e cenon aspak faktin se një sërë e mirë e njësive të reja, territorialisht mund dhe duhet të jenë në kufijtë e përcaktuar e jo konfliktualë të ish-rretheve.

Së dyti, dhe kjo është thembra e Akilit e gjithë reformës, në çfarë shkalle do shtrihet decentralizimi dhe çfarë kompetencash të reja do të kenë njësitë e reja vendore, e për më tepër do të jenë ato reale apo ‘jepi nga dera dhe merri nga dritarja’. Ne ndajmë mendimin se pjesë e rëndësishme e gjendjes nekrotike të mjaft komunave aktualisht është se ato jo vetëm nuk janë mbështetur, por nuk kanë pasur as “karrocë” që të ecin me këmbët e veta. Kur themi nuk janë mbështetur, kemi parasysh gjithë detyrimet e barabarta që ka shteti dhe jo diku të ketë rrugë apo autostradë me 4 korsi dhe përballë saj të mos ketë as rrugë ku të ngjitet mushka, jo në qendër të ketë 20 klinika e njëzetë farmaci dhe 20 km me tutje të mos ketë asnjë nga këto lloj shërbimesh. Shumë bashki e komuna prej vitesh, me mbështetje të donatorëve të ndryshëm, kanë hartuar “Strategjitë e zhvillimit ekonomik e social”, por për shkak të mosmbështetjes financiare “kanë mbetur në faqen e parë” të këtyre dokumenteve të domosdoshme në praktikën qeverisëse. Vërtet të gjitha menjëherë nuk bëhen, por të ketë akoma njësi të vogla a të mëdha ku nuk është siguruar uji i pijshëm edhe pas një çerekshekulli të sistemit demokratik “ku e drejta më e vogël i takon shumicës më të madhe”, nuk është “faji” i ndarjes territoriale dhe as mos besojmë se të nesërmen e hyrjes në fuqi të ndarjes së re këto pabarazi do sheshohen.

Së treti, a do të bashkëshoqërohet kjo reformë me standardet e shërbimeve, të paktën në dy apo tri kategori mbi bazën e së cilave mund të kategorizohen dhe vetë njësitë? P.sh në shërbimin e pastrimit, midis 36 bashkive kryesore aktuale shpenzimet për pastrimin për njësi të sipërfaqes luhaten me diferencë 5-32%.

Nëse do të vihen standarde, qeveria, por dhe vetë njësitë vendore do synojnë të mbështesin pikërisht ato që janë më larg standardit, bile kjo e mirësanksionuar e jo duke shpikur formula mbi formula që kanë brenda përmbajtje politike.

Lëvizja demografike e këtyre viteve të fundit, ka shumë arsye, por midis tyre një nga shkaqet e rëndësishme është mungesa e shërbimeve dhe padyshim e punësimit. Një fenomen i tillë ndodhi edhe me Greqinë fqinje në vitet ‘80, kur njerëzit mbipopulluan dy qytete kryesore, Athinën dhe Selanikun. Por pas viteve ‘90, kur niveli i shërbimeve dhe infrastruktura në vendet e origjinës u tjetërsua ndodhi një rikthim i vrullshëm dhe shumë prej tyre sot janë shndërruar në zona të lakmuara edhe nga qytetet e “mëdha” të dikurshme. Prandaj është e domosdoshme që ndarja territoriale të mbartë në thelb mundësinë e politikave të zhvillimit dhe të frenimit të lëvizjeve demografike për të mos stimuluar krijimin e zonave të superpopulluara, “ku s’e merr vesh qeni të zonë” nga njëra anë dhe nga ana tjetër zona “me vakum popullsie” që realisht do të thotë largimi i njerëzve nga resurset natyrore, që janë “lënda e parë” e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Nëse shihet kështu, nuk ka vend që apriori të vihet kriteri p.sh numri i popullsisë, bile as të shkruhet si në projektligjin që ka përgatitur ministria në mbështetje të reformës administrative, që njësia “të ketë numër të konsiderueshëm banorësh”?! (kur bëri prezantimin e vet një kryetar komune nga Kina që kishte ardhur në Shqipëri për një binjakëzim tha “ne jemi një komunë e vogël me 1.8 milionë banorë”) për ne cili është ai numër i konsiderueshëm ?!

Këtij qëllimi do t’i shërbejë shumë mirë edhe ngritja e njësive të reja vendore në zona ku ka një “nukel” minimal shërbimesh sot, por që nesër do të fuqizohet dhe gjithë njësia do bëhet atraktive për jetesë normale të banorëve të saj, apo siç po quhet rëndom “zona funksionale” që do të thotë se jo vetëm aktualisht ka një bazë, por me decentralizimin ajo do të mund të mirëfunksionojë dhe nga një nukël i vogël të kthehet në një njësi vizionare për zhvillim në interes të komunitetit që do administrojë dhe më gjerë. Duke konsultuar konturimin e njësive të reja në rajonin e Vlorës, një pjesë e të konsultuarve insistonin se Bashkia Vlorë duhet të nënkuptojë gjithë Gjirin e Vlorës, d.m.th që fillon nga Karaburuni, Orikumi, Maja e Llogorasë, Kaninë, Nartë e mbyllet në Sazan, me idenë e një zhvillimi harmonik e të mirëkontrolluar. Por mendimi alternativ mbështeste variantin që Orikumi duhet të jete njësi me vete, sepse ai aktualisht është një “nukel” rreth së cilit mund të zhvillohen të gjitha llojet e turizmit, dhe Vlora natyrisht do të mbetet një qendër tjetër e rëndësishme, porpolifunksionale.

Pra, të mos jemi skllevër të kritereve e aq më pak t’i vendosim ato në ligj. Analiza do bërë rast pas rasti dhe të jetë rezultante e gjithë vektorëve të zhvillimit pa mbivlerësuar njërin apo neglizhuar tjetrin.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi