Buxheti-individi, faktorët e interesit dhe shteti
Akademik, prof. Anastas Angjeli, botuar në Mapo Online
Buxheti i shtetit, si dokumenti kryesor më i rëndësishëm juridik, financiar, ekonomik e social i shtetit, duke pasqyruar treguesit kryesorë të zhvillimit të vendit, gërsheton, reflekton dhe plotëson interesat e gjithë faktorëve të shoqërisë, të cilët konvergojnë në ushtrimin e funksioneve të shtetit për realizimin e objektivave të programit qeverisës të vendit. Kësisoj, debatet që zhvillohen për të janë të natyrshme. Kështu edhe ato që po zhvillohen tani që po diskutohet p/buxheti i vitit 2014.
1-Buxheti-refleksion i një filozofie tjetër
Buxheti 2014 dhe paketa fiskale që e mbështet atë përbëjnë dokumentin me të rëndësishëm për fillimin e zbatimit të Programit të Qeverisë së re, në themel të së cilës qëndron një filozofi ndryshe, me një vijë ndarëse të qartë me qeverisjen e mëparshme. Natyrisht, një filozofi e majtë që bazohet në solidaritetin dhe parimin “kush fiton më shumë, kontribuon më shumë dhe kush fiton më pak, kontribuon më pak” dhe që synon zhvillimin kundrejt rrënimit, stabilizimin financiar kundrejt “çakordimit” në këto tri-katër vitet e fundit, të financave publike, më shumë punësim dhe mirëqenie, në luftë me varfërinë dhe papunësinë, më shumë liri ekonomike dhe konkurrencë të ndershme, pra një model tjetër ekonomik me prioritete të reja zhvillimi përballë një modeli tashmë të shteruar në këtë fund tranzicioni. Është pikërisht Buxheti, pas shifrave të të cilit “fshihen”, gërshetohen e pleksen politikat kryesore të stabilizimit makroekonomik të vendit, rivendosja e ekuilibrave financiarë, reformat ekonomike, politikat e zhvillimit të vendit në përputhje me programin e qeverisë. Dhe pse jo?
Por gjithashtu, të gjithë që ndoqën e ndjekin debatet për buxhetin dhe paketën fiskale që e mbështet atë, janë të interesuar më tepër se për debatin ,ndonjëherë tejet i politizuar pse jo dhe shterpë, për atë se çfarë do të thotë për ta, për qytetarin ky p/buxhet dhe kjo paketë fiskale, si përkthehen gjithë këto shifra e “fjalë të mëdha” që ne themi, në shërbime, për plotësimin e interesave dhe kërkesave të gjithsecilit, të zhvillimit ekonomik e social, të më pak varfërie dhe më shumë mirëqenieje, të më shumë punësimi dhe zhvillimi për vendin tonë.
2-Çfarë synohet përmes këtij buxheti?
Padyshim që në radhë të parë dhe mbi të gjitha, përmes treguesve të paraqitur në këtë buxhet, përmes të cilit synohet të arrihet një ritëm rritjeje ekonomike 2 për qind dhe në terma nominalë një rritje prej 3.6 për qind gjatë vitit 2014, një rritje të të ardhurave buxhetore prej rreth 42 miliardë lekësh dhe të shpenzimeve të përgjithshme prej 54.2 miliardë lekë (e ku shpenzimet kapitale parashikohen në nivelin 6 për qind të PBB,) me përpjekje maksimale për të mbajtur në kontroll inflacionin, deficitin buxhetor dhe borxhin publik, kryerjen e një reforme të thellë fiskale, vendosjen e një disipline të re financiare dhe formalizimin e ekonomisë dhe me vullnetin për fillimin e zbatimit të politikave për zhvillim dhe punësim, dëshmohet përpjekja për një buxhet sa solidar aq edhe me synim të hedhë themelet e frenimit të rënies ekonomike dhe e shënimit të një kthese shpresëdhënëse të ekonomisë dhe financave tona të rrënuara që trashëguam nga tronditja e thellë dhe rënia e shpejtë e 3-4 viteve të fundit.
3- Ku mbështetet buxheti 2014 ?
Buxheti i vitit 2014 mbështetet në zhvillimet e ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit, rezultatet e arritura dhe ato të pritshme për vitin aktual, objektivat e parashikuara në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal Afatmesëm 2014-2016; ka në themel prioritetet e programit të qeverisë për stabilizimin e situatës makroekonomike, vendosjen e ekuilibrave fiskalë, veçanërisht rivendosjen e kontrollit mbi financat publike, kryerjen e një reforme fiskale të thellë. Të gjitha këto, në funksion të zhvillimit ekonomik e social të mëtejshëm të vendit. Ky buxhet konsideron edhe ndikimin në ekonominë e vendit tonë të faktorëve ndërkombëtarë e rajonalë, zhvillimet në ekonominë globale, veçanërisht situatën në eurozonë etj. Kësisoj, buxheti konsideron edhe pritshmëritë për zhvillimet ekonomike në eurozonë dhe rajon, veçanërisht në vendet me të cilat vendi ynë ka bashkëpunim më të gjerë ekonomik, financiar e tregtar, pritshmëritë e sjelljes së agjentëve ekonomikë privatë, konsumatorë dhe investitorë, në ekonominë e vendit tonë, si dhe pritshmëritë për ndryshimin e kushteve të financimit të ofruara nga sistemi ynë bankar.
Njëherësh treguesit kryesorë makroekonomikë fiskalë të tij janë programuar me më realizëm se çdo herë tjetër (ritmi i rritjes ekonomike, si faktor kryesor- PBB 2 %, deficiti, borxhi dhe inflacioni) dhe janë konsultuar dhe kanë marrë mbështetjen e institucioneve financiare ndërkombëtare, si FMN e Banka Botërore, dhe konsiderojnë edhe obligimet e vendit tonë ndaj proceseve integruese në BE. Kësisoj, ky buxhet mbështetet në dy shtylla kryesore:
A-Një reformë e thellë fiskale – një paketë ndryshimesh të mëdha.
Burimi kryesor i shtesës së të ardhurave mbështetet në marrjen përsipër për zbatim të një reforme të thellë fiskale dhe vënien në zbatim të një paketë të re fiskale, bazuar në parimin “Kush përfiton më shumë, duhet të kontribuojë më shumë dhe kush përfiton më pak, do të kontribuojë më pak”. Kështu mbi këtë koncept, taksimi i sheshtë i përdorur deri tani zëvendësohet nga taksimi progresiv, një ndarje kjo dhe filozofike midis së majtës dhe së djathtës në përgjithësi, dhe natyrshëm mes mazhorancës sonë aktuale dhe opozitës. Këtu më duhet të sqaroj një çështje shumë të rëndësishme, e cila megjithëse e shumëdebatuar, ende në shumë raste është keqkuptuar apo keqinterpretuar. Fjala është për zbatimin e principit të mësipërm, i cili për ne socialistët nuk do të thotë aspak se ne jemi kundër biznesit të madh, kundër atyre që quhen të pasur. Jo, ne as kemi qenë dhe as nuk jemi kundër tyre. Por ne ndërtojmë dhe zbatojmë politika fiskale që mbështesin ata që përfitojnë më pak dhe nxisim që të fitojnë më shumë dhe të kontribuojnë më shumë, ata që zhvillojnë biznese të mëdha, natyrisht bazuar në ligje dhe në një konkurrencë të ndershme, duke ndikuar kësisoj në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në punësim.
Disa të tjerë pretendojnë së kështu siç propozohet dhe kërkon të zbatohet taksimi progresiv, është i “cunguar” e pjesor dhe nuk e realizon sa duhet “drejtësinë fiskale”, (për shkak të shkallëzimit të tarifave mes të ardhurave të ndryshme të siguruara nga punësimi, fitimi në biznes etj). Koha do ta provojë. Por, gjithsesi unë besoj se është më e udhës që një reformë (në rastin konkret edhe këtë të taksimit progresiv) është më e udhës të fillosh ta zbatosh dhe ta [përsosësh sesa të mos e fillosh. Kësisoj, mbi bazën e kësaj filozofie janë bërë edhe ndryshimet në disa elementë dhe instrumente të reja fiskale që sjell kjo paket si në:
a) Ndryshimin e normës së tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi, duke kaluar nga taksa e sheshtë prej 10 për në taksën progresive me tri shkallë;10,13 dhe 23 për qind;
b) Faktin që të gjitha kategoritë e shtresave në nevojë do të marrin subvencion në masën 10 për qind të TVSH-së së paguar për produktet bazë të shportës së mallrave, në shumën 1.1 miliard lekë;
c) Faktin që fermerët do të kompensohen në masën 20 për qind për vlerën e TVSH së paguar për inputet bujqësore;
d) Faktin që pacientët do të përfitojnë prej përjashtimit nga TVSH prej 10 për qind e barnave dhe e shërbimeve shëndetësore.
dh) Faktin që të vetëpunësuarit në qytet, nga data 1 janar 2014 do të paguajnë më pak kontribute shëndetësore;
ë) Hiqen përjashtimet nga disa taksa në sektorin e hidrokarbureve, të vendosura që prej 20 vjetësh,
f) Ristrukturohet taksa vendore mbi biznesin e vogël, duke u shfuqizuar si taksë vendore dhe duke u trajtuar si tatim mbi fitimin në masën 7.5 për qind. Kjo masë përfshin subjektet e biznesit të vogël me xhiro vjetore nga 2-8 milionë lekë, të cilat përfitojnë reduktim të nivelit të taksës. Dhe gjithashtu 60 mijë biznese të vogla, duke filluar nga data 1 janar 2014, nuk do të paguajnë më taksën e biznesit të vogël;
Gjithashtu, në funksion të parimit të mësipërm por jo të keqinterpretimit të tij do të:
ç) Rritet nga 10 në 15 për qind e shkallës së tatimit mbi fitimin për bizneset, do të kompensohet me përmirësimin e administrimit tatimor;dhe do të rritet niveli për disa taksa, si akciza për cigaret, produktet e duhanit, pijet alkoolike, ndryshohet struktura e taksimit të birrës, rritet taksa e qarkullimit për benzinën dhe gazoilin, duke i përafruar me nivelet e rajonit dhe duke ndjekur politika në mbrojtje të mjedisit. Padyshim që për produktet e ndikuara prej këtyre tarifave do të ketë ndikim në rritje të çmimeve të tyre (të cilat duhen kompensuar në ulje me masa të tjera).Por ajo që mbetet e rëndësishme është moslejimi i spekulimit në tregjet tona me çmimet e këtyre mallrave, që ka filluar të shfaqet ende pa hyrë në fuqi paketa e re fiskale.
B- Buxheti-prioritetet dhe zhvillimi
Mirëqeverisja varet veç të tjerash dhe nga një sjellje ndryshe, një mentalitet ndryshe në përdorimin e fondeve publike që ky buxhet sjell. Kjo në funksion të një modeli tjetër zhvillimi dhe qeverisjeje, prioritetesh dhe administrimi. Është kjo arsyeja që edhe shpenzimet e përgjithshme të buxhetit për vitin 2014 parashikohen në nivelin 32.7 për qind të PBB, nga 29.9 për qind të planifikuara për vitin 2013, duke u rritur me 54.2 miliardë lekë. Nga këto, shpenzimet kapitale që parashikohen në nivelin 6 për qind të PBB-së sigurojnë mbështetjen e nevojshme për sektorët prioritarë, në përputhje me programin e qeverisë, si arsimi, ku shpenzimet për këtë sektor parashikohet të arrijnë nivelin 2.9 për qind të PBB-së, për shëndetësinë 2.8 për qind të PBB-së, për bujqësinë 0.6 për qind të PBB-së dhe për infrastrukturën 4.2 për qind të PBB-së, mbështetjen e nevojshme sociale për shtresat e popullsisë më të ekspozuara ekonomikisht. Kjo pasi rreth 4.6 për qind e shpenzimeve totale ose rreth 6 për qind e shpenzimeve korrente janë fokusuar për politika sociale, si: politika të reja pensionesh 1 miliard lekë, ndihmë ekonomike dhe paaftësi 19 miliardë lekë, kompensim për shtresat në nevojë 1.1 miliard lekë. Buxheti siguron edhe mbështetjen e nevojshme në drejtim të forcimit të rendit publik dhe sigurisë në vendin tonë, duke e konsideruar atë një element mjaft të rëndësishëm dhe thelbësor, që krijon kushtet e nevojshme për zbatimin e ligjit nga të gjitha institucionet publike e private, si dhe për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit. Për këtë arsye, ai parashikon rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit me një efekt total prej 1 miliard lekësh.
Por edhe këtu, në drejtim të përdorimit të shpenzimeve sipas prioriteteve më duhet të sqaroj një çështje e cila, ose nga moskuptimi, ose nga mos-mirëinterpretimi, pse jo në ndonjë rast edhe me keqdashje ka lënë ekuivoke. Fjala është në veçanti për shpenzimet kapitale( investimet) që do të përballohen me financim të brendshëm nga ky buxhet. Lidhur me tymnajën që po shpërndahet se nga ky buxhet nuk do të ketë investime, ajo jo vetëm nuk qëndron, por më duhet të theksoj se:
-Financimi nga buxheti i këtij viti i investimeve në projekte të nisura por të papërfunduara, është një politike e drejtë, korrekte nga pikëpamja ligjore, efektive nga ana ekonomike (nëse nuk do të përfundojnë, kostoja e tyre dhe dëmi ekonomik që shkaktohet gati trefishohen). Në fund të fundit këto investime janë të vendit, të Shqipërisë, nuk janë as të njërës qeveri, as të tjetrës.
-Gjithashtu ky buxhet do të përballojë një sërë shpenzimesh për projekte të reja në nivel kombëtar dhe lokal, në infrastrukturën kombëtare, rurale, ujësjellës e vepra të tjera publike.
. 4- Trinomi- individi, shteti-faktorët e interesit
Një çështje tjetër e cila është debatuar lidhet me atë në se ky buxhet dhe paketa fiskale është diskutuar e konsultuar me faktorët e interesit dhe çfarë përfitojnë ata. Padyshim, që në këtë drejtim asnjëherë nuk është mjaft. Por do t’i kthehem me poshtë kësaj çështjeje. Dhe tani le të vijmë tek problemi se çfarë përfiton nga ky buxhet dhe paketa fiskale që e shoqëron ai, që është në themel të tij: Trinomi Shteti-Individi-Faktorët e interesit.
Së pari, individi, qytetari. Pa marrë përsipër të analizoj në detaje e hollësi këtë përfitim, është e rëndësishme që qytetari, individi ta gjejë veten përfitues “pas shifrave të buxhetit’ dhe tatimeve e taksave që paguan. Këtu fjala është për përfitime të drejtpërdrejta dhe të tërthortat, përmes taksave dhe shërbimeve që u afrohen, zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor të vendit, punësimit etj. Pra janë një sërë faktorësh. Dhe ja konkretisht disa prej tyre:
-Me këtë buxhet dhe paketë fiskale ulet tatimi mbi të ardhurat personale për 97% të shqiptarëve, përmes heqjes së taksës së sheshtë dhe vendosjes së taksimit progresiv në tri shkallë.
-Është hequr taksa e biznesit të vogël dhe është ulur tatimi mbi fitimin për biznesin e
vogël nga 10% në 7,5%.
-Është hequr tatimi mbi vlerën e shtuar për shërbimet shëndetësore dhe barnat.
-Është ndërtuar skema që siguron se çmimet e barnave në Shqipëri nuk do të jenë më të
larta se çmimet e vendeve të origjinës.
-Është ulur, dhe në disa raste është hequr, tatimi mbi vlerën e shtuar për ushqimet e shportës.
-Ndryshoni ligji për sigurimet shëndetësore, që u mundëson rreth 800 mijë qytetarëve
të moshave 40-60 vjeç kontrolle mjekësore bazë falas.
-Heqja e tarifave për ekzaminimet e shtatzënisë dhe rasteve të kancerit, çka do të
ndikojë pozitivisht në shëndetin e mbi 30 mijë grave dhe vajzave në vit.
-Një sërë masash për përmirësimin e arsimit mbështeten gjithashtu nga ky buxhet etj.
Së dyti, faktorët e interesit.
a-Reformat rregullatore, Liria ekonomike, Klima e biznesit dhe Konkurrenca e ndershme.
Se sa të mjaftueshme kanë qenë dhe sa efektive diskutimet me komunitetin e biznesit dhomat dhe shoqatat e biznesit, mbetet për t’u parë nga efektet që kjo paketë do të ketë gjatë zbatimit të saj. Por edhe gjatë kësaj jave në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, diskutimet dhe konsultimet janë zhvilluar në mënyrë shumë intensive. Rëndësia e një partneriteti serioz Qeveri-Biznes ka qenë dhe mbetet gjithnjë thelbësore për më shumë reforma rregullatore, më shumë përmirësime të klimës së biznesit, më shumë liri ekonomike dhe konkurrencë të ndershme. Unë besoj se reforma fiskale e ndërmarrë, kaq e thellë, e ka konsideruar dhe duhet ta konsiderojë mirë dhe pozitivisht këtë çështje. Asnjë reformë nuk mund të jetë e suksesshme pa harmonizuar optimalisht këtë çështje.
b-Garantimi i mirëfunksionimit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe i atyre të krijuara me ligj përbën një ndër synimet e projektbuxhetit. Për këtë arsye, në projektbuxhet parashikohen fondet e nevojshme për funksionimin e mbi 20 institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj.
c-Buxheti i vitit 2014 synon gjithashtu vazhdimin e funksionimit më të mirë të pushtetit vendor, i cili parashikohet të arrihet nëpërmjet përmirësimit të administrimit të financave vendore, forcimit të autonomisë financiare të pushtetit vendor dhe rritjes së transfertës së pakushtëzuar të buxhetit të shtetit. Shpenzimet për pushtetin vendor do të përbëjnë rreth 2.1 për qind të PBB-së, duke u rritur me 725 milionë lekë në krahasim me vitin aktual. Rritja e granteve konkurruese me 1.9 miliardë lekë do të sigurojë mbështetjen financiare për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës vendore, ndërtimin e shkollave, kopshteve, ujësjellësve etj. Përmirësimet që do t’i bëhen formulës së llogaritjes së transfertës së pakushtëzuar, ndarjes së grantit për njësitë e qeverisjes vendore, si dhe rishikimi i kritereve për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve do të nxisin reformën e ndarjes së re territoriale. Natyrisht, këtu thelbësore mbetet përfundimi dhe vënia në zbatim e reformës administrative –që e riorganizon dhe i bën më eficente dhe më autonome autoritetet lokale.
d-Shoqëria civile. Zhvillimi dhe rritja e mëtejshme e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në zhvillimet demokratike të vendit është gjithashtu një moment i rëndësishëm edhe në diskutimin e shifrave të këtij buxheti, të paketës fiskale, sidomos bërja transparente e politikave të reja, përfitimeve dhe kostove të saj. Po kaq i rëndësishëm mbetet funksionimi dhe zgjerimi i vetë shoqërisë civile, i cili veç mbështetjes nga donatorët, jashtë politizimit, duhet dhe ka gjetur edhe në buxhetin e vitit 2014.
Së treti, shteti (buxheti e financat publike) dhe ekonomia e vendit.
Shteti –buxheti, financat publike dhe ekonomia e vendit padyshim janë përfitues nga ky buxhet në kuptimin e rritjes, zhvillimit dhe forcimit të tyre për t’u shërbyer më mirë dhe më shumë qytetarëve të vet, vendit tonë dhe zbatimit të funksioneve të tij. Kjo pasi nga zbatimi i këtij buxheti dhe i paketës fiskale (zbatimi i treguesve të këtij buxheti dhe aplikimi korrekt i paketës fiskale është një çështje shumë e rëndësishme) varet shumë stabilizimi dhe konsolidimi fiskal,vendosja e ekuilibrave të rinj fiskalë, mbështetja për rimëkëmbjen e ekonomisë, zbatimi i prioriteteve të zhvillimit sipas modelit të ri të ofruar.
5- Çfarë e kërcënon këtë buxhet?
Deficiti buxhetor, borxhi publik, informaliteti në ekonomi (zbatimi i ligjit) dhe ajo çka është më e rëndësishme, politikat e zhvillimit që do të zbatohen dhe pritshmëritë ekonomike që do të vërtetohen, përbëjnë faktorët kyç që do të përcaktojnë risqet e këtij buxheti, dhe padyshim edhe të vetë ekonomisë.
a. Deficiti buxhetor.
Deficiti buxhetor, sipas buxhetit të vitit 2014, parashikohet të jetë në nivelin prej 6.6 për qind të PBB-së në vitin 2014, në krahasim me rreth 6 për qind që mendohet të rezultojë në këtë vit (2-13). Prandaj, miradministrimi i deficitit dhe mbajtja në kontroll shndërrohet në një prioritet shumë serioz.
b. Borxhi publik në fund të vitit 2014 pritet të arrijë nivelin 74.8 për qind të PBB (përfshirë 35 miliardë lekë që destinohen për shlyerjen e borxhit të vjetër). Sipas strategjisë afatmesme, reduktimi i nivelit të borxhit do të fillojë nga viti 2015, për të arritur në 60 për qind të PBB-së brenda disa vjetësh. Kostoja e shërbimit të borxhit ka pasur dhe do të vijojë tendencën rënëse, për shkak të rritjes së peshës specifike të instrumenteve afatgjata (obligacione 3- dhe 5-vjeçare), si dhe emetimit për herë të parë në muajin tetor të vitit 2013 të obligacioneve 10-vjeçare me normë interesi më të ulët.
Një ndër masat e parashikuara në projektbuxhet është edhe shlyerja e detyrimeve të papaguara të shtetit ndaj biznesit për punë dhe shërbime publike të kryera, rimbursimi i TVSH-së, të cilat sipas raportit të Kompanisë “Deloitte”, arrijnë vlerën 24.6 miliardë lekë. Këto janë detyrime për projekte të infrastrukturës, kompani të farmaceutikës, pajisje mjekësore dhe ndërtim shkollash. Gjithashtu, në projektbuxhet parashikohet edhe shlyerja e detyrimeve për rimbursim të TVSH-së dhe tatim-fitimit në shumën 22.8 miliardë lekë. Nga këto, për vitin 2014 do të shlyhen 35 miliardë lekë detyrime të prapambetura.
Programi 3-vjeçar me FMN-në parashikon që shlyerja e këtyre detyrimeve të prapambetura të jetë transparente dhe sugjeron që të bëhet një strategji për të mos u krijuar detyrime të reja në të ardhmen. Megjithëse “borxhi ha nga ekonomia”, në këtë program parashikohet që borxhet të shlyhen pa penguar rritjen ekonomike, përkundrazi, shlyerja e tyre do të nxisë zhvillimin ekonomik. Shlyerja e borxheve do të nxisë konsolidimin fiskal dhe do të përmirësojë sistemin bankar për një zinxhir detyrimesh që palët ia kanë njëra-tjetrës. Këto masa pra priten të ndikojnë në rritjen e likuiditetit të biznesit, rritjen e investimeve, të kreditimit në ekonomi, në zhvillim dhe në punësim për të. (Kjo do varet shumë edhe nga fakti se sa nga kjo shlyerje borxhi, sidomos kthimi i TVSH-së dhe fitimit u takon kompanive të huaja dhe ç’pjesë të tyre ato do transferojnë jashtë vendit?!)
C- Informaliteti.
Një reformë e thellë fiskale që vjen përmes zbatimit të paketës së re fiskale nga fillimi i vitit që vjen, e ka të lidhur suksesin e vet edhe me masat dhe zbatimin e tyre për formalizimin e ekonomisë dhe luftën kundër evazionit fiskal. Ne nuk mund të vazhdojmë të jemi vend me një ekonomi informale dhe evazion fiskal problematik. Ne nuk mund të vazhdojmë të jemi një vend ku gjysma e abonentëve nuk paguajnë energjinë elektrike (unikal), ku pagimi ose jo i tatimeve dhe taksave është “pronë e partive politike” apo e tarafeve dhe miqësive dhe jo e ligjit, e zbatimit të tij nga autoritetet fiskale. Prandaj, zbatimi i ligjeve, përmirësimi i administrimit fiskal, janë bashkëshoqërues të suksesit apo jo të paketës fiskale, realizimit të programit të të ardhurave të buxhetit..
d- Zhvillimet e pritshme ekonomike.
Pritshmëria për frenimin e rënies ekonomike dhe fillimin e kthesës së saj drejt rritjes, së paku për këtë vit që vjen, me një ritëm rreth 2 për qind, është një objektiv realist. Kjo në kushtet e një zhvillimi normal të ekonomisë së vendit, asaj rajonale dhe në eurozonë. Për më tepër, stabilizimi makroekonomik dhe vendosja e një ekuilibri të ri financiar gjatë këtij viti krijon premisa të përshtatshme për zbatim të reformave të thella strukturore në ekonomi, të cilat duhet të përkthehen në zhvillim, rritje dhe punësim. Kësisoj do të na duhet që shifrat e këtij buxheti të përkthehen në rritje ekonomike dhe vende pune që do të hapen. Përndryshe…Prandaj dhe duhet “ta kthejmë fytyrën” më shumë nga ekonomia dhe punësimi.
6- Cili është garanti?
Siç e theksova, ky buxhet dhe paketa e re fiskale vijnë të mirëkuptuar me FMN-në dhe kanë mbështetjen e një marrëveshjeje të qeverisë me të, në pritje për t’u nënshkruar dhe për t’u bërë efektive në fillim të vitit 2014. Sipas kësaj marrëveshjeje, është rënë dakord për hartimin dhe zbatimin e një sërë masash për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike, reforma të thella strukturore, reformim të sistemit fiskal, formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë përmes rritjes së miradministrimit fiskal, reformën në sigurimet shoqërore, shlyerje të borxheve etj. Ky program trevjeçar do të financohet nga FMN-ja me rreth 300 milionë euro, me kushte të buta. Kësisoj të lë “përshtypjen” se tani çdo gjë u rregullua, u vu në vijë dhe “Garanti është gjetur”; ai është FMN-ja. Në fakt, garant i kësaj marrëveshjeje kaq të rëndësishme dhe të dobishme me FMN-në është zbatimi i aksioneve prioritare dhe reformave që kjo marrëveshje përfshin dhe mbi të gjitha, e para është ekonomia, politikat për zhvillimin e saj.