Administrata në 2014, 1210 punonjës më pak se 2013
Open Data, 27 dhjetor 2013
Struktura e të punësuarve në shtet për vitin 2014 do të shënojë ulje krahasuar me vitin që po mbyllim. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga një artikull që po pulbikon “Open Data” me të dhëna mbi numrin e personave të punësuar në sektorin buxhetor sipas ligjit që rregullon shpenzimet publike në 2014.
Sipas këtij artikulli, vitin e ardhshëm struktura e të punësuarve në shtet do të shënojë në total 86 500 persona, pra rreth 1 210 punonjës më pak se viti pararendës 2013.
Kështu, reduktim të personelit është parashikuar të pësojnë: Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave; Ministria e Financave dhe Ministria e brendshme. Ndërkohë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror është ndër institucionet me strukturë të tkurrur kundrejt 2013.
Sipas “Open Data” të papërfshirë në tabelën që është pjesë e parashikimit buxhetor për 2014, mbetet institucioni Avokati i Prokurimeve. “Për këtë institucio nuk kemi qartësi nën vartësi të cilës strukturë është përfshirë në vitin që vjen” thuhet nga “Open Data”.
Por për vitin 2014, janë disa institucione që do të kenë Shtesë stafi, si Ministria e Arsimit dhe Sporteve; Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit; Këshilli i Ministrave; Kuvendi. Po kështu, edhe institucione të tjera të pavarura si Inspektorati i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive dhe Zyra e Administrimit Gjyqësor do të kenë më shumë punonjës në organikë për vitin 2014.