Kushtetutshmëria, Përfaqësueshmëria, Demokratizimi
Nga Xhemal Uruçi, avokat në ShBA, botuar në Shqiptarja.com*, 27 dhjetor 2013
Po të shikosh në kaleidoskopin e politikës në Shqipëri, kujton tërë perversitetin e etjes për pushtet, të përshkruar aq hollë nga Makiaveli, që mahnitej vetë nga fuqia që të jep pushteti. Të kujton Glen Tinder, i cili thotë që politika i largon njerëzit e ndjeshëm dhe të ndershëm e afron ata, që nuk kanë as ndjenja e asnjë skrupull. Cilësimet e mësipërme përfshijnë klasën politike në Shqipëri, që dominohet nga politikanë dinakë e marifetçinj, politikanucë, hajna të dorës së parë, maskarenj, të përulur, karagjozë dhe gangsterë politikë.
Dhe, nga ky lloj gjirizi buron dhe ngrihet pushteti, qeverisja plutokratike ose – e thënë shqip – ”Qeverisja nga Hajnat”! Aty ke dhe ata, që i vunë zjarrin Shqipërisë në 97-tën për të marrë pushtetin, që bënë të vriten e të mbyten mijëra njerëz e të tjerë të humbin pa nam e nishan, që shkatërruan vlerat morale e materiale të një populli të tërë, duke e çuar atë deri në kufijtë e marrëzisë, me qëllimin për të ardhur në pushtet, duke përdhosur kështu atdheun, nderin e dinjitetin e tij.
Për pushtetin aq të dëshiruar këta maskarenj i thurën lavdi ”sovranit të mrekullueshëm, të mençur e të pagabuar”.. I bënë thirrje me dajre, lodër e curle … me muzikë popullore … tallava e pop-folk, duke involvuar dhe çengijet më moderne për t’i marrë votën. Atë popull, që e gënjyen për 23 vjet dhe e vodhën pa ia nda, bënë që edhe të shitet krejt lirë, deri me mall në natyrë. Vërtet, sa është populli Sovran në Shqipëri?… Sa pushtet kushtetues ka?… Si ushtrohet pushteti, që buron nga ai? A është Shqipëria vërtet një shtet demokratik? A mbështetet shteti në Shqipëri mbi katër parimet bazë të shtetit modern demokratik, që në Evropën Perëndimore janë vendosur ndërmjet 1789-tës e 1848-tës, bazuar në frymën që prodhoi Revolucioni Francez e që janë në fuqi edhe sot, si: 1-Kushtetutshmëria, 2-Shteti i së Drejtës, 3-Përfaqësueshmëria dhe 4-Demokratizimi.
Po të analizohen secila në veçanti këto kolona të një shteti demokratik në kushtet e realitetit shqiptar do të kuptohet lehtësisht se përse Shqipëria ka lënguar kaq gjatë në këto lloj qeverisjesh të këqia dhe po i duhen sak 35 vjet për t’u bashkuar me Evropën dhe kjo lëngatë vazhdon dhe sot për shkak të mospasjes së një Kushtetute që përnjimend të jetë bërë për të mirëqeverisur një popull, për të bërë një shtet demokratik.
Kushtetutshmëria dhe Kushtetuta
Kjo cilësi e parë e shtetit demokratik duhet kuptuar në sensin substancial e jo formal, duke iu drejtuar së Drejtës Kushtetuese, që thotë: ”Nuk mjafton pasja e një Kushtetutë (sepse dhe shtetet absolutiste e totalitare e kanë patur nga një), por një Kushtetute me një përmbajtje të përcaktuar, në të cilën të shprehet vullneti popullor, si akt Sovran i tij”. Dhe kjo përmbajtje e domosdoshme minimale ishte treguar qartë në Nenin 16 të ”Deklaratës së të drejtave të njeriut e qytetarit”, miratuar nga Asambleja Kombëtare Franceze më 26 gusht 1789, sipas së cilës: ”Çdo shoqëri, ku garancia e të drejtave nuk është siguruar dhe nuk është vendosur ndarja e pushteteve (sipas parimit pushteti frenon pushtetin) nuk ka kushtetutshmëri”.
Asambleja Kombëtare Franceze bëri të vetat parimet e Monteskjësë në librin e tij ”L`Esprit de Loi” (Shpirti i ligjit), ku thotë se “çdokush që ka pushtet, ka prirjen ta shpërdorojë atë dhe ai shkon deri aty ku gjen kufijtë”. Dhe këto kufij duhet të vendosen qartë e pa asnjë ekuivok nga populli Sovran në Kushtetutë. Në Asamblenë Kushtetuese Italiane më 1946, në debatin për Kushtetutën, një autoritet si Esposito shprehet: “Pa Kushtetutën dhe të drejtën nuk ka sovranitet, por një arbitër popullor nuk është populli Sovran, por turma (masa) me pasionet e dobësitë e saj. Popullit nuk duhet t’i përkasë sovraniteti vetëm ”quad titulum”(si titull), por “quad exertitum” – ta ushtrojë atë.
Dhe përmbajta e demokracisë do të thotë që populli të ketë pushtet, jo vetëm pushtet kushtetues, por atij t’i përkasin pushtetet e kushtetuara dhe të mos ketë sovranitetin e zhveshur, që praktikisht nuk do të thotë asgjë, por ushtrimin e sovranitetit që praktikisht do të thotë gjithshka dhe një sovranitet i tillë ekziston vetëm në kufijtë e format që Kushtetuta njeh dhe bën të mundur”.
Këtë ekspoze, Esposito e bën në Asamblenë Kushtetuese për t’i dhënë Italisë një Kushtetutë demokratike, pas një regjimi totalitar fashist.
Në Shqipëri nuk u bë një gjë e tillë, por vetëm u mjaftua me një ligj të parlamentit, si kompromis mes komunistëve, që vinin nga një regjim gjakatar dhe shtypës e Partisë Demokratike, që ishte një minorancë e papërfillshme.
Në një vështrim të shkurtër të Kushtetutës në Shqipëri, mund të thuhet plotësisht se, me ndryshimet që i janë bërë asaj, ajo i ngjan një Kushtetute që quhet ”Koncesion”, që ishin Kushtetuta të sovranëve absolutistë, qe vetëkufizonin pushtetin e tyre, pa shprehjen, të paktën formale, të vullnetit popullor dhe i bënin këto ndryshime sipas objektivave të tyre politikë.
Argumenti është një postulat: ”Kushtetuta nuk mund të jetë akt i një parlamenti dhe as një koncesion i tij”. Ja pra pse në Shqipëri ka një shpërdorim pushteti aq të madh në të gjitha format e korrupsionit politik dhe tash 20 vjet vendi qeveriset nga hajnat!
Që më 1992, Sali Berisha erdhi në Këshillin Kombëtar të PD-së dhe kërkoi zgjerimin e pushteteve të tij dhe i mori ato pushtete në Parlament pa asnjë akt të sovranit popull. Këtu fillon dhe mospasja e dëshirës, lere më të vizionit, për ta bërë Shqipërinë një shtet vërtet demokratik dhe të kushtetutshëm, me vullnetin e një populli të lirë e sovran.
Ai e humbi pushtetin në 97-tën sepse nuk kishte as bazë morale, as juridike pushteti i tij. Ai nuk bëri një Kushtetutë! Ai nuk mundi ta mbronte shtetin, sepse ai e kishte ngitur shtetin pa themel … sepse themeli i palëkundur i një shteti është Kushtetuta, si akt i një populli Sovran, e cila njeh e bën të mundur dhe mbrojten e vetë shtetit, si nga një sulm i jashtëm, por dhe i brendshëm.
Edhe Kushtetuta e vitit 1998 është një Kushtetutë me synime të qarta manipuluese të institucioneve të shtetit nga politika e partisë së radhës në pushtet, pa patur balancimin detyrues të pushteteve në një shtet demokratik.
Sidomos ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit e kanë kompromentuar atë institucion. Mënyra se si zgjidhet presidenti nga Kuvendi, deri me një shumicë të thjeshtë, ka bërë të mundur që ky institucion i rëndësishëm kushtetues dhe balancues të politizohet skajshmërisht dhe, në kohën e zgjedhjes së tij, presidenti është njeriu i besuar i kryetarit të partisë në pushtet: kryeministrit. Ky është një korrupsion i pastër politik, që quhet: Cronysm! Sepse ky soj presidenti eshte nje ”crony“ i kryeministrit.
Shto këtu dhe kompetencat e tjera të zgjeruara të kryeminstrit në këtë Kushtetutë, që e bëjnë atë zot absolut të shtetit për kohën në detyrë, duke kapur institucionet më të rëndësishme të shtetit, përkatësisht duke i dhënë mundësinë që të abuzojë rëndë me pushtetet që s’i ka aspak të deleguara nga populli sovran. Duke marrë në konsideratë se Ekzekutivi dhe Legjislativi nuk janë faktikish (por formalisht) pushtete të ndara në Shqipëri, merr rëndësi të veçantë institucioni i presidentit për të balancuar pushtetet. Vetëm një president i zgjedhur direkt nominalisht nga populli, me kompetenca të qarta balancuese të pushteteve te tjera kushtetuese, mund ta bëjë atë një institucion të besueshëm të unitetit të popullit, që mund të jetë mbi palët në rastet e konflikteve politike dhe që të ketë mundësi të ndërhyjë, kur e kërkon interesi kombëtar.
E Drejta (Shteti i së Drejtës)
Ky parim ka një përmbajtje substanciale, në të cilën përcaktohet se: Shtet i së drejtës është ai, ku jo vetëm çdo autoritet i nënshtrohet së drejtës, por e drejta ka një përmbajtje të përcaktuar, duke u njohur qytetarëve liritë civile e të drejtat subjektive publike, të shprehura e të mbrojtura juridikisht, edhe kundrejt vetë shtetit. Por, siç thekson filozofi italian Felice Bataglia: “Nuk mjafton kushtetutshmëria për mbrojtjen e të drejtave të qytetarit. Duhet që gjyqtari të gjejë shkelësin e tyre!”
Në Shqipëri mund të thuhet se Gjyqësori është një fatkeqësi kombëtare. Ai përbën vetë mekanizmin e korrupsionit të çdo hallke të shtetit e të administratës shtetërore. Ai është një mekanizëm i organizuar për të vjedhur dhe për të lejuar pushtetarët e hallkave të pushtetit të vjedhin dhe të abuzojnë me liritë e të drejtat e qytetarëve … Jo vetëm Gjyqësori është i korruptuar, por ai është dhe arrogant e kjo arrogancë vjen se është i çimentuar në detyrë, pothuajse i palëvizshëm. Ky Gjyqësor, vërtet i urryer nga populli, duhet të reformohet konstitucionalisht në thelb dhe të bëhet një institucion, që ushtrohet në emër të popullit.
Vetëm një Gjyqësor i Gjykatave të Shkallës së Parë, i zgjedhur direkt nominalisht nga populli për një mandat të përcaktuar në Kushtetutë, mund ta bëjë Gjyqësorin të besueshëm, si për pavarësinë e tij, ashtu dhe për besueshmërinë në dhënien e drejtësise dhe shumë më pak të korruptuar, por dhe duke e bërë atë edhe konkurues. Sigurisht, mekanizma kushtetues kontrolli duhen parashikuar në Kushtetutë qartazi dhe pa asnjë ekuivok.
Pallavrat që fliten për reforma të sistemin të drejtësisë janë rrena, sepse reformimi i sistemin të drejtësisë fillon nga themeli: Nga Kushtetuta!
Përfaqësueshmëria
Përfaqësueshmëria është esenciale në një shtet të kushtetutshëm dhe shpreh pjesëmarrjen indirekte (kur nuk është e mundur ajo direkte) të qytetarëve në formimin e ”vullnetit të shtetit”, që do të thote të “politikës shtetërore”, si prej një prej postulateve të “Deklaratës së të drejtave të njeriut e qytetarit” të vitit 1789, Neni 6. Dhe përfaqësueshmëria përcakton kushtin: Zgjedhjen e lirë nga qytetarët (populli) të përfaqësuesve të tyre dhe pa zgjedhje të lira nuk ka përfaqësueshmeri”.
Në Shqipëri ka tash 23 vjet që zgjedhjet kontestohen dhe ka patur deri vjedhje të votës, që do të thotë përvetësim i së drejtës së një populli Sovran: Përfaqësueshmërisë! Pra, në Shqipëri ka munguar përfaqësueshmeria, sepse ajo është vjedhur! Aq më keq kur kryetarët e partive famëkeqe në Shqipëri i bëjnë vetë listat sipas shijes e preferencave të tyre, duke përfshirë në to persona pa asnjë vlerë intelektuale e deri dhe personale, njerëz të lidhur me botën e krimit e pisllëqe të tjera interesash. Të tillë njerëz u duhet shefave të partive për të mbajtur në vathën e tyre politike kompaktësinë, për t’i përdorur si numra për të qendruar në karrigen e tyre kryeministrore!
Demokratizimi
Si princip juridik, këtu dhe politik, përmban disa rregulla të qarta kushtetuese për zgjidhjen e konflikteve, sepse vetë politika mbulon konfliktet antagoniste, që janë në natyrën njerëzore. Gjithmonë divergjencat e interesave çojnë në konflikte të papajtueshme, prandaj i mbetet qeverisë që gjithmonë këto pasione interesash t’i menaxhojë, duke ruajtur paqen sociale. Siç thekson juristi i njohur Hans Kelzen, mazhoranca duhet të mundësojë që minoranca, në kushte të barabarta, të mund të bëhet mazhorance. Romakët shpikën të Drejtën Private për zgjidhjen e konflikteve mes individëve dhe Revolucioni Francez të Drejtën Kushtetuese për zgjidhjen e konflikteve politike në një shoqëri.
Por, fatkeqësisht, në Shqipëri konfliktet politike janë të vazhdueshme, në konflikt për çdo gjë dhe papajtueshmëria ka qenë në nivele të tilla, sa që janë vënë në pikëpyetje dhe interesat kombëtare! Shqipërisë, popullit shqiptar, u ka kushtuar shumë kjo luftë për pushtet, saqë distanca në kohë për t’u bashkuar me Evropën është 35-vjeçare!
Konkluzion
Shqiperia mund të them se nuk është një shtet demokratik i tipit perëndimor dhe duhet të reformohet. Dhe reformimi fillon nga rrënja, nga themeli dhe kjo është Kushtetuta! Nuk mund të ketë as Rilindje, siç propagandohet, as reforma të suksesshme, nëse nuk ka vullnet politik për të bërë një Kushtetutë tjetër, duke thirrur një Asamble Kushtetuese. Dhe, nëse politika s’e bën atë, atëhere i mbetet popullit vetë të organizojë një peticion për të patur një Kushtetutë si akt i sovranitetit të tij! Sepse, siç ka thënë Thomas Paine: Një Kushtetutë vjen në kohë më parë se një qeveri. Ajo është akt i një populli që formon nje qeveri!
* Titulli origjinal në Shqiptarja.com është “Gjykatësit t’i zgjedhë vetë populli”