“Solidariteti korporativ” i KLD
Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 25.12.2013
Një ndër maksimat më të përdorura te ne, për t’iu referuar problemeve të dhënies ose jo së drejtësisë në organet gjyqësore të vendit, pa dyshim që është ajo me autor Monteskjenë: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar”. Por, në mbarsjen e efekteve negative të kësaj maksime në kohën tonë, në vend të tërheqjes së plotë të vëmendjes që dikton ajo, nuk ka ndikuar thjesht eksperienca e mangët personale apo edhe subjektivizmi i gjyqtarëve të veçantë, por veç të tjerash edhe (mos)zbatimi i rregullave etike të tyre në një shoqërizim të shtrembëruar të një grupimi të tillë të profesionistëve të ligjit. Me këtë element të fundit mund të kuptohet edhe veprimtaria e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organizimi dhe funksionimi i të cilit e fokuson atë parimisht si organ të qeverisjes së pushtetit gjyqësor. Por, praktikisht, a mbetet ky organ si model i përkufizimit që i është bërë?
Mbrojtja që i duhet pavarësisë së këtij pushteti nga ndërhyrjet e padrejta të Ekzekutivit dhe maxhorancës parlamentare që e mbështet atë, sigurisht që nuk do të thotë të lejohen dobësitë e organeve gjyqësore dhe të mohohet nevoja apo kryerja e një reforme të thellë të tyre. E një reforme që mund dhe duhet të prekë efdhe vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili deri tani nuk ka vepruar energjikisht për të përmbushur rolin që i cakton Kushtetuta dhe detyrat që i ngarkon ligji organik i këtij institucioni. Në kushtet tona KLD, megjithëse formohet në mënyrë demokratike dhe natyrshëm në shumicë prej gjyqtarëve, duke synuar atë që shpesh përmendet si “vetqeverisje e ana e tyre”, jo rrallë nuk ka mundur apo nuk ka dashur të shmangë, siç e kanë vënë në dukje edhe juristë të njohur shqiptarë, një farë “solidariteti korporativ”, në një kohë kur nevojitej të ndërmerrte jo vetëm masa disiplinore ndaj gjyqtarëve për vendimet e padrejta dhe antiligjore që marrin, por edhe të siguronte mbarëvajtje organizative të sistemit të gjykatave.
Në këtë plan, ndaj veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë formuluar vazhdimisht akuza të forta, për mbështjetjen që i ka dhënë ai korrupsionit të gjyqtarëve. Sikurse janë dëgjuar edhe zëra kritikë për një vendim të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizonte një ligj për KLD, sepse ky i fundit binte ndesh me gërmën dhe frymën e nenit 147 të Kushtetutës. Por, faktet e denoncuara kohët e fundit nuk mund të mohohen si tregues të qartë të dobësisë së vazhdueshme të aktivitetit të këtij organi.
Për shembull, mbajtja prej kohësh e një shumicë gjykatash pa kryetarë të emëruar, por veçse të komanduar; mosemërimi prej disa vitesh në detyrë i plot magjistratëve, kur vetëm në Gjykatën e Shkallës I në Tiranë kishte mjaft vende vakante për gjyqtarë dhe, së fundi, mbushja e këtyre vendeve me gjyqtarë të rretheve të tjera, të cilët nuk janë shquar për kompetencë të lartë profesionale, madje edhe për vendime kompromentuese (për ilustrim: rasti i një gjyqtareje të Gjykatës së Krujës) etj, etj, të gjitha këto bëjnë evidente dhe të ngutshme rishikimin e dispozitave të ligjit për organizimin dhe funksionimin e KLD, në kuadër të ndërmarrjes së një reforme të thellë në drejtësi. Të një reforme, nga e cila varet veçanërisht suksesi në vazhdimësi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, sidomos për gëzimin paqësisht të pronës së tyre. Pra, të një reforme, nga e cila varet në përgjithësi edhe fati i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke iu përmbajtur kushteve kryesore të shprehura në Kushtetutë, për moscenimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe mosdëmtimit të rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si organ i vetëqeverisjes së këij pushteti, i domosdoshëm është hartimi i një ligji të ri organik për këtë organ, që duhet t’i nënshtrohet një procesi ndryshimesh që tejkalojnë edhe efektet e dëmshme të konfliktit të interesave të anëtarëve të tij. Për këtë akt juridik të rëndësishëm ndoshta është e nevojshme të merren parasysh vërejtjet që përmbante vendimi i Gjykatës Kushtetuese (të përmendur më lart), si edhe propozimeve të paraqitura dikur nga vetë KLD, të cilat nuk u përfillën aspak nga Qeveria e mëparshme dhe maxhoranca parlamentare nga kishte dalë ajo.
Propozime që, veç të tjerash, parashikonin t’i ndalohej anëtarit të këtij organi për të konkurruar mbi vendet vakante të shpallura për në gjykatat e shkallës së parë dhe në ato të apelit, të transferohet apo të marrë funksione drejtuese gjatë kohës së ushtrimit të mandatit etj.
Tashmë është koha që të vihet gishti te plagët, prej të cilave vuan sistemi i drejtësisë, por më së pari e veçanërisht te korrupsioni dhe niveli profesional i gjyqtarëve. Mirëpo, fatkeqësisht, korrupsioni ka infektuar jo vetëm këtë sistem, por edhe administratën publike në nivel qendror dhe lokal, si edhe veprimtarinë publike në pothuajse të gjitha fushat e jetës së vendit. Në këtë kuptim, nuk është e lehtë që të përpunohen instrumente dhe mjete specifike për sistemin e drejtësisë. Por, duke marrë parasysh që është pikërisht ky sistem emëruesi i të gjithë përparimeve apo prapambetjeve tona, masat ndaj gjyqtarëve të korruptuar të jenë të atilla sa të përjashtojnë dhe t’i japin fund të ashtuquajtuarit “solidaritet korporativ” të tyre.
Ndërkohë që ka ardhur koha të aplikohet rigorozisht ajo çka është thënë dhe stërthënë shumë herë, pra gradimi i shkallëzuar i gjyqtarëve, duke u përcaktuar në këtë drejtim kushtet e domosdoshme për t’u emëruar nga një hallkë më e ulët në një hallkë më të lartë, deri në Gjykatës së Lartë. Moszbatimi i deritanishëm i këtyre kritereve, të cilave KLD nuk u ka vënë rëndësi pothuajse asnjëherë në vlerësimin e gjyqtarëve të veçantë, veç të tjerash ka ndikuar në demotivimin e shumë kolegëve të tyre për të ngritur pa ndërprerje edhe reputacionin profesional vetjak.