22 dhjetori, një shans i humbur

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 25 dhjetor 2013

Gjatë vitit 2012 rreth 60 mijë qytetarë, përfshirë autorin e këtyre radhëve, nënshkruan kërkesën për referendum popullor për ndalimin e importit të plehrave në Shqipëri. Nisma erdhi nga organizata civile dhe u mbështet nga trupi diplomatik si dhe nga forca të caktuara politike. Qëllimi ishte shumëplanësh: do të votohej anulimi i neneve të importit, do të jepej një leksion demokracia sesi qytetarët e ushtrojnë votën dhe sovranitetin e tyre kushtetues, do të themelohej tradita e demokracisë direkte dhe do të tentohej ndërgjegjësimi qytetar për më shumë kurajë e reagim në mbrojtje të drejtave të veta.

Pas shumë pengesash burokratike nisma u dorëzua në KQZ, mori miratim prej tij, miratim nga Gjykata Kushtetuese dhe në fund Presidenti i Republikës dekretoi datën e referendumit, 22 dhjetorin, e cila është njëherësh e diela më e afërt e krishtlindjeve si dhe dita më e ftohtë dhe më e shkurtër e vitit. Në shtator kabineti i ri qeveritar anuloi dy nenet e importit të plehrave, akt që mori votën e shumicës parlamentare dhe firmën e Presidentit në tetor 2013. Nga ky moment referendumi u braktis dhe askush nuk tregoi më interes për ngjarjen më të rëndësishme të demokracisë direkte në 100 vjet shtet shqiptar.

 Supozimi se qeveria e zgjidhi problemin është relativ, përderisa e njëjta qeveri, dy javë më pas hyri në negociata dhe pranoi p.sh, importimin e armëve kimike, të cilat teorikisht ishin më të dëmshme sesa mbetjet e plehrave. Plus që në logjikën politike, një akt qeveritar ndryshon me një akt qeveritar, pra siç qeveria anuloi dy nenet, mund ti rikthejë përsëri ajo ose një qeveri pas saj. Nëse anulimi bëhej me referendum do duhej referendum tjetër për të rikthyer gjendjen e mëparshme. Shans që e humbëm, siç kemi humbur edhe dhjetëra shanse të njëjta në të kaluarën e largët dhe të afërt.

Juridikisht, Presidenti nxori dy dekrete të kundërta miratimi: dekretoi datën për referendum për anulimin e dy neneve të importit të plehrave, dhe në tetor, ndryshimin ligjor që anulon dy nenet e ligjit mbi importin e plehrave, pra objektin e referendumit. U refuzua zgjedhja institucionale, kushtetuese, ligjore dhe politike dhe kështu, pas një vargu paradoksesh, me 22 dhjetor nuk u bë referendumi, pra zyrtarisht u shkel kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, të cilat lidhen me dekretin presidencial. Në vend të votës popullore atë ditë Presidenti organizoi ballo luksoze në vendin më të varfër të Evropës, qeveria festoi 100 ditët e ministrave në poste, administrate zgjedhore ishte me pushime, partitë ishin në FB, media mbeti e ftuar në lozhat e pushtetit, komisioni organizator vijon në kërkimin e ideve të tjera fitimprurëse, dhe qytetarët, si gjithnjë, u përdorën si manekinë, pa zë, pa fjalë, pa ndjenja, pa respekt dhe vetëm për vitrinë.

 Nuk është thjesht një skandal, as një skandal i radhës, është më shumë se kaq: një tregues i krizës së përfaqësimit, i krizës institucionale, i krizës së demokracisë funksionale dhe i amoralitetit politik. Kush mban përgjegjësi kur Presidenti nxjerr një dekret që nuk zbatohet as nga ai vetë? Kur qeveria nuk përmbush asnjë detyrim që buron nga Kodi Zgjedhor në rastet e zgjedhjeve direkte? Kur palët politike dhe grupi iniciues refuzojnë fushatën dhe respektimin minimal për referendumin? Kur KQZ mbetet në pritje dhe përballë mungesës së çdo ankese ose kërkese, bashkohet me formalitetin e referendumit? Kur 60 mijë qytetarët nënshkrues nuk respektohen dhe braktisen nga të gjitha palët, përfshirë edhe respekti i tyre për vetveten? Liderit tanë politikë flasin për gjithçka, deri edhe për hobet personale ose kartelën mjekësore të rivalit politik, por si është e mundur që nuk gjetën 5 sekonda kohë e vullnet të flasin për referendumin e mohuar? A mund të imagjinohet një skandal i tillë në një vend të BE? Përse kërkojmë alibi për refuzimin e katërt të BE kur ne vetë, prodhojmë çdo ditë sjellje antivlerë dhe argumente seriozë të mungesës së meritës, të standardeve dhe të vullnetit për reflektim?

Në raste të tilla, në respekt për publikun, duhet dhënë përgjigjia: cila duhet të ishte zgjedhja! Zgjidhja optimale ishte referendumi, ndalimi me votë popullore të importit të plehrave, si shprehje direkte e sovranitetit dhe si garanci për të ardhmen, pavarësisht emrit të kryeministrit dhe ngjyrës së qeverisë. Referendumi do impononte një sjellje të re të partive politike, vetëpërmbajtje të qeverive në aktet e tyre abuzive dhe klienteliste, do forconte shoqërinë civile dhe do ta bënte demokracinë më funksionale, më të prekshme dhe më efektive.

Në rastin e dytë, kur referendumi do duhej i tepërt, p.sh mbi alibinë e kostot financiare në kohë krize, zgjidhja do të duhet të ishte institucionale. Presidenti mund të ritakonte grupin iniciues dhe partitë politike për një anulim konsensual të dekretit, qeveria mund t’i kërkonte kreut të shtetit ndalimin me akt ligjor ose administrativ të pasojave që buronin nga dekreti për referendumin, si dhe të konsultohej me çdo palë për një zgjidhje oportune brenda logjikës politike. Vetë organizatorët e nismës mund të tërhiqeshin zyrtarisht, ose të kërkonin garanci me shkrim nga parlamenti e qeveria për vullnetin politik të ndalimit të çdo importi të plehrave, duke i hapur rrugë kreut të shtetit të anulojë dekretin dhe KQZ-së të bllokojë procesin pasues zgjedhor të dekretit. Juristët e parlamentit mund të kërkonin një investim ligjor të organit legjislativ për parandalimin e situatave të tilla, duke paraparë p.sh, praktikën për anulimin e dekreteve ose për një investim të ri nga Gjykata Kushtetuese. Nismat mund t’i ndërmerrte, p.sh edhe institucioni i Avokatit të Popullit, meqenëse bëhej fjalë për interes e 60 mijë nënshkruesve, ose institucione të tjera të zbatimit të ligjit që paguhen me taksat tona edhe për punët që nuk bëjnë.

 Në fund, siç pamë të gjithë, nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Secili institucion heshti dhe shansi i 22 dhjetorit u humb në mënyrë konsensuale midis atyre që flasin në emrin tonë dhe kanë pushtet për shkak të votës tonë. 22 dhjetori juridikisht do mbetet një precedent për studim, kurse në aspektin politik dhe institucional, sot dhe mot na vlen për të kuptuar sesa të brishta janë institucionet tona, sa të nevojshme janë reformat që kërkohen për të evituar situata të ngjashme paradoksale, sa e politizuar dhe viktimë e interesave të ditës është shoqëria civile, dhe se qytetarët nuk kanë pasur dhe nuk kanë një garant të mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi