No West… Arsyet e refuzimit të (pa)pritur

Nga Vladimir Karaj, botuar në Mapo Online, 22 dhjetor 2013

Himni i Evropës së Bashkuar është “Ode gëzimit”, një poezi e Fridrich Shiller dhe muzikë nga simofonia e 9 e Bethovenit. Fan Noli e quan atë “himnin e vëllazërimit e bashkimit botëror”.  Por për shqiptarët këto ditë nuk kanë ardhur mesazhe gëzimi nga Evropa. Në fakt, as Evropa nuk duket e gëzuar me veten, ç’ka simbolikisht është e mjaftueshme për të shpjeguar edhe arsyet e ngecjeve të politikave të përbashkëta evropiane dhe mes tyre, edhe asaj për zgjerimin për të cilën Shqipëria është e interesuar.

Dje mesazhet për hapin e mëtejshëm, atë të marrjes së statusit që sapo u shty për në qershor, ishin më të zymta dhe më të paqarta. David Cameron, kryeministri i Britanisë tha se “duhen bërë shumë hapa, përpara se Shqipëria të bëhet kandidate”, duke vënë një pikëpyetje të madhe edhe për qershorin. Euobserver e sheh këtë si një shkërmoqje të shpresave për vendin tonë. Nga ana tjetër dhe për interesa të tjera, kryeministri i Çekisë shpalli veton ndaj Shqipërisë, nëse nuk njihet borxhi që Shqipëria i ka kompanisë CEZ. Ai madje e ka cilësuar Shqipërinë një vend trafikantësh droge. “Kësaj herë nuk m’u desh të vendos veton, sepse as Holanda, Gjermania, Franca dhe Britania nuk janë shumë të kënaqura me afrimin e vendit Ballkanit që është i mbushur me trafikant droge”, -ka vazhduar kryeministri çek. Mediat në Shqipëri e kanë interpretuar si pozitive një fjali në komunikatën për shtyp të Kancelares Gjermane, Angela Merkel, që sipas tyre mund të shihej edhe si hapësirë për kapërcim direkt në hapje negociatash me BE, nëse vendi bën vërtetë hapa përpara. “Ne ramë dakord për Shqipërinë. Do të kërkojmë një qasje me dy hapa për të. I përshëndesim reformat e ndërmarra, që pjesërisht janë mbresëlënëse. Por ne duam të shohim zbatimin e tyre para se të japim dakordësinë për statusin kandidat”, thuhet në faqen zyrtare të kancelares Merkel (bundeskanzlerin.de). Përmendja e dy hapave mbetet ama këtu, pasi më tej flitet vetëm për statusin kandidat, i cili siç duket nuk është më i sigurt, as për në qershor. Por cilat janë arsyet e “fshehta” për refuzimin e statusit? A ka një kompromis “antishqiptar”?! A ka ndikuar marrëveshja e prishur për demontimin e lëndëve kimike siriane?! Sa të fortë janë zërat konservatorë kundër zgjerimit, bazuar kryesisht në paragjykimet për fenë, emigracionin dhe kriminalitetin, por edhe krizën e vetë Bashkimit?! Sa është përgjegjëse për statusin situata politike në vend dhe sa rëndojnë dyshimet mbi koalicionin e ri qeverisës?!

SHBA e ftohtë…

“Atëherë, duke pranuar se arsyetimet e vogla të opozitës dhe ato të qeverisë rreth refuzimit nuk arrijnë të kompletojnë arsyen e madhe, a është e përligjur që ta kërkojmë këtë arsye në raportet e krisura me SHBA pas refuzimit të armëve kimike?”, shkruante dy ditë më parë në Mapo Arjan Vasjari, duke lënë të kuptohej se prishja e njëanshme e një “marrëveshjeje” të arritur qoftë parimisht, mund të jetë një nga arsyet pse vendit iu shty sërish marrja e statusit kandidat dhe me këtë thuajse i gjithë procesi drejt anëtarësimit në BE. Në fakt, si rrallëherë SHBA-të nuk kanë komentuar mbi atë që ndodhi në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendimin për bllokimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Përmendja e vetme është pas pyetjes së një gazetari në konferencat e përditshme të shtypit në Departamentin e Shtetit. Zëvendës/zëdhënësja e shtypit, Marie Harf tha pas kësaj se SHBA do e mbështesnin integrimin e këtyre vendeve (Shqipërisë dhe Maqedonisë) duke theksuar se pranimi i tyre në BE do të mundësonte thellimin e marrëdhënieve me to. Ndërkohë në Shqipëri, mjaft analistë shohin një farë zbehje të impenjimit amerikan, madje duke cituar sërish Vasjarin, ai lë të kuptohet se në rastin e statusit, kjo e fundit është më e rëndësishme se sa burokratët e Brukselit dhe e sheh reagimin e  politikës shqiptare (opozitë dhe pozitë) që nuk e ka përmendur këtë si mundësi edhe si pasojë e mungesës së seriozitetit me të cilin palët trajtuan rastin e “lëndëve kimike”.

Kimia e një koalicioni dhe mosbesimi

Nëse për shqiptarët është bërë “normale” të shohin kundërshtarë të rreptë politikë, që i bëjnë njëri tjetrit akuza të rënda dhe deri dosje të gatshme për prokurori, të pajtohen dhe bëhen bashkë në qeverisje, në BE kjo është e vështirë të kapërdihet. Nuk bëhet fjalë këtu për akuzat e ish-kryeministri Sali Berisha, edhe vetë deri vonë pjesë e një koalicioni jo pak të çuditshëm qeverisës, se  kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta kishin dorëzuar në kancelaritë perëndimore dosje për njëri- tjetrin. BE ndoshta nuk ka nevojë as për dorëzime të tilla dosjesh. Ata i bën skeptikë thjesht mundësia që dy palë të përfshira në konflikt dhe akuza për krime jo të vogla, të lidhen çuditshëm në koalicion dhe më pas të drejtojnë vendin drejt reformimit apo edhe të luftojnë korrupsionin, që ka qenë thelbi i akuzave ndaj njëri-tjetrit. Praktikisht, nëse thuajse për çdo vend tjetër mund të gjendet edhe një justifikim jashtë Shqipërisë dhe qeverisjes së saj, për Francën dhe Gjermaninë kjo bëhet e vështirë. Përgëzimet për reformat dhe iniciativat shoqërohen thuajse menjëherë me një fjali të dytë dyshuese që shtron kërkesën për prova, se kemi të bëjmë me seriozitet dhe vërtetësi. Dy vendet që drejtojnë praktikisht Bashkimin Evropian, zëri i të cilave është edhe më i rëndësishmi në fushën e zgjerimit, kërkojnë prova pasi e gjenë të pamundur t’i besojnë symbyllur qeverisë shqiptare.  “Përpara se të japim statusin në qershor do të kemi edhe një raport të Komisionit Evropian nëse janë bërë apo jo përparimet e nevojshme”, thuhet në deklaratën e zyrës së kancelares Merkel. Hapat e nevojshëm nuk janë një listë me njerëz për t’u arrestuar, siç sqaron një nga deputetët e Socialdemokratëve (tani në koalicion qeverisës me Kristian Demokratët e Merkel) në komisionin e jashtëm të Bundestagut. “Unë nuk jam i informuar që në ministritë gjermane, në dhomat e pasme të tyre të ekzistojë ndonjë listë për kokat që duhet të bien”, -thotë Dietmar Nietan për Deutsche Welle. Ama ai këmbëngul se vendi duhet të krijojë bindjen se drejtësia në vend funksionon vërtet. “Pra duhet të ekzistojë bindja që reformat janë bërë realitet në vend”, thotë ai duke i ftuar shqiptarët të kenë durim.

Jo-ja gjermane dhe franceze

Gjermania nuk është nga ato vendet që mund të akuzohet si penguese e zgjerimit. Aq më shumë tani, që politikën e jashtme të vendit e morën në drejtim Socialdemokratët. Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, është përfaqësues i tyre në PE dhe qëndrimi i tij dje ishte mjaft kritik ndaj shtyrjes së statusit dhe madje ai kërkoi një datë për negociatat. “Siç e dini, Komisioni Europian prezanton raportin në bazë të analizës për situatën politike dhe ekonomike në vend. Qëndrimi im është se ne duhet të japim datën për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë sa më shpejt. Do të ishte mirë që vendet anëtare të përgjigjeshin, kur ata e bllokojnë Unionin”,- deklaroi Schulz pas vendimit të Këshillit të Ministrave. Nga një anë, kjo mund të shihet si diçka pozitive. Gjermania nuk ka ndërmend të bllokojë Shqipërinë. Më shumë se njëherë ajo e ka bërë me dije se me Tiranën do të ndiqet e njëjta politikë si me Beogradin, pra një “presion” i fundit për të shtyrë dhe shpejtuar reformat, por nga ana tjetër edhe një shenjë e mosbesimit që vendi ka ndaj raportimit të zhvillimeve në vendet që duan të anëtarësohen në BE. Në një farë mënyre, ashtu siç thekson edhe deputeti i Bundestagut, “fajtorë” për këtë mosbesim mund të bëhen Bullgaria dhe Rumania. “Tek Bullgaria dhe Rumania për arsye politike, siç themi ne në Gjermani, na u desh të mbyllnim të dy sytë, dhe të mbanim afatin e përcaktuar të anëtarësimit. Sot e dimë që ky ishte gabim, jo sepse nuk e donim Bullgarinë dhe Rumaninë në BE, por sepse ato nuk i kishin përmbushur kriteret ashtu siç duhet. Nga kjo kemi mësuar dhe jemi më kritikë”, thotë Nietan. Të njëjtat arsye mund të jenë të vlefshme edhe në Francën, që po ashtu qeveriset prej të majtëve pro- zgjerim edhe pse në vend ka një rritje të forcave konservatore dhe radikale të djathta, që mbështeten kryesisht në politikat anti-emigracion. Danimarka po ashtu nuk është në listën e vendeve antizgjerim. Ajo drejtohet nga Socialdemokratët që janë në favor të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe kanë si moto: “Liri, barazi, vëllazëri”, çka i përjashton ata prej të qenit ekstremistë dhe fobikë ndaj të huajve. Helle Thorning-Schmidt, kryeministrja e Danimarkës që zuri goxha hapësirë në faqet e shtypit në vend për fotot me Obamën dhe Cameron gjatë cermonisë së përcjelljes së Nelson Mandelës në Afrikën e Jugut, është nga ana tjetër edhe një prej drejtuesve të BE që ka pritur zyrtarisht kryeministrin e Shqipërisë edhe para se ky të zgjidhej si i tillë. Rama pati, siç u raportua atëherë një takim mjaft të frytshëm me kryeministren daneze, dhe kjo një muaj para se vendi të futej në zgjedhje. Zyrtarisht Danimarka refuzon me të njëjtin qëndrim si Gjermania dhe është në pritje të provave.

Jo-të e fobisë

Ish-kryeministri Berisha e përsëriste deri para pak kohësh shpesh “albanofobinë” në fjalimet e tij duke theksuar se shihte një rritje të saj. Por në fakt, përtej kësaj më shumë se një fobi ndaj shqiptarëve, konservatorët në BE janë fobikë ndaj të huajve në përgjithësi. Ata tani për tani janë të zënë të kundërshtojnë migrimin masiv të bullgarëve dhe rumunëve, që do të kenë të drejtë tashmë të punojnë në BE dhe sigurisht përballë kësaj, Shqipëria duket një barrë tjetër edhe pse vendi ynë është mjaft larg këtij momenti. Kjo është ndoshta arsyeja se përse Hollanda ishte e para që tha “jo”. Partia e Lirisë, partia e tretë në vend, e ka në program të saj kundërshtimin e zgjerimit të BE-së. Madje, ajo ka në program edhe referendumin për të dalë nga BE dhe njëkohësisht është e qartë kundër emigrantëve, sidomos nga vende myslimane dhe joperëndimore. Qëndrimet e kësaj force mund të duken jorealiste për shqiptarët, por partia ka qenë deri para një viti ajo që mbante në këmbë qeverinë në Hollandë. Nuk dihet sa ka ndikuar në rastin e Shqipërisë, pushteti i kësaj partie. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i përmendi ata veçanërisht kur foli për ekstremizmin në BE kundër shqiptarëve duke i veçuar prej pjesës tjetër, madje edhe duke theksuar qëndrimin e tyre në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike.

Në fund Britania

Një pjesë e mirë janë të habitur pse Britania do thoshte “Jo”. Edhe pse ka një qëndrim të dyzuar ndaj BE, diplomacia e ishullit deri tani ka qenë e orientuar drejt zgjerimit të bashkimit dhe kundër përqëndrimit të pushtetit të tij në Bruksel. Qartazi dje ama kryeministri Britanik dhe më pas edhe ai çek ishin më pak shpresëdhënësit për Shqipërinë.

David Cameron, është zotuar para euroskeptikëve të partisë së tij se nëse fiton zgjedhjet e 2015 do ta çojë vendin në një referendum për të vendosur nëse Britania do të mbetet apo jo pjesë e bashkimit. Arsyet e tij, përfshi edhe një deklaratë të fortë për të riparë liberalizimin e vizave, mund të jenë të lidhura kryesisht me emigracionin e paligjshëm, por edhe me rritjen e qëndrimeve kundër BE në Britani. E përditshmja  “Die Presse” shkruante se  Cameron do jetë “Zoti Jo” në BE duke mos u kufizuar kjo te zgjerimi, por edhe te politikat e përbashkëta të mbrojtjes dhe të ekonomisë, të cilat kundërshtohen nga Britania e Madhe. Por në rastin e Shqipërisë Cameron thjeshtë ka ritheksuar se duhet të bëhen edhe mjaft hapa deri në marrjen e statusit. “E kam takuar kryeministrin shqiptar dhe ai bëri shumë përpjekje për reformat në vendin e tij. Por mendoj se hapa të mëtejshëm duhen ndjekur përpara se statusi kandidat të jetë i përshtatshëm”, tha Cameron. Ai ndërkohë e ka shpjeguar qëndrimin pikërisht me frikën prej emigrimit masiv. “Ne jemi pro zgjerimit, por kur shohim nga e ardhmja, unë nuk dua që të përsëriten lëvizjet e mëdha të njerëzve siç i kemi parë. Ne duhet të mësojmë nga historia”, theksoi ai. Kryeministri Çek nga ana tjetër është më i qartë se të gjithë. Ai ka thjeshtë një çështje biznesi me Shqipërinë dhe po e përdor statusin për t’i bërë shantazh qeverisë që t’i japë paratë që sipas Çekisë vendi i ka detyrim ndaj ish kompanisë CEZ. Kjo e fundit u largua nga Shqipëria pas shumë debatesh dhe me një imazh jo fort të mirë. Mbifaturimi, ndërprerjet e energjisë dhe mos përmirësimi i arkëtimeve apo mbledhja e borxhit ishin arsyet kryesore të konfliktit që ajo pati me shqiptarët dhe qeverinë. Madje ndaj saj ka edhe një çështje penale në prokurori, ku hetohet për abuzim me faturimin. Përtej kësaj pas revokimit të njëanshëm të licesës CEZ, ku qeveria Ceke është aksionere kryesore, kërkon dëmshpërblim dhe duket se do ta marrë këtë përmes shantazhit me statusit.

Në fund nëse Shqipëria do të avancojë në BE në qershor veç gjithë sa renditëm më sipër do të jetë edhe “gëzimi”. Gjasat janë që emocionet deri atë herë të mos kenë ndryshuar dhe himni i vëllazërimit të mos i shërbejë shumë Shqipërisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi