Verifikim i ndërtesave, pastaj taksimi

Nga Agim Hoxhaj, botuar në Shekulli Online, 22 dhjetor 2013

Njëzetetre vite të kaluara nga përmbysja e sistemit të centralizuar, nuk janë shumë vite për ta harruar nga kemi ardhur dhe as pak, për të vazhduar ecjen me instinkt në të kundërt të atij sistemi. Është një periudhë e mjaftueshme që duhet të na bëjë të reflektojmë, të programojmë për zhvillim të qëndrueshëm dhe t’i jepet fund zhvillimit spontan të viteve të tranzicionit të tejzgjatur.

Ndër vite janë miratuar ligje për kalimin e pronës nga duart e shtetit tek individi, ligje për kthimin e pronës dhe kompensimin e pronarëve, për shpërndarjen e tokës bujqësore, ligje për privatizimin dhe shpërndarjen e ndërmarrjeve shtetërore, për legalizimet etj., qëllimi i të cilëve ishte decentralizimi i ekonomisë dhe pronësimi i ish-pronarëve ose  pronarë të rinj. Të tjera ligje, në kuadër të implementimit të ekonomisë tregut, rregullojnë funksionimin e biznesit, vendosin sistemin e taksimit dhe përcaktojnë marrëdhëniet shtet-biznes-klient.

Por çfarë ka ndodhur? U ndanë tokat , u njoh prona, ose u kthye, u shpërndanë dhe u privatizuan ndërmarrje shtetërore,  por kjo në të shumtën e rasteve nuk u shoqërua me aktin e pronësisë, gjë që e bën pronarin të pasigurt si posedues ligjor i pronës. Kjo bëri që në mjaft raste, territore të tëra, edhe pse të pacertifikuara si pronë, u copëtuan në parcela të vogla dhe u shitën për troje ndërtimi.

Më i zhvilluar ky fenomen ndodhi në zonat urbane e në bregdet dhe më pak  në zona rurale. Shpesh shitblerja ka kaluar dorë më dorë, duke aktivizuar  në këtë treg  shuma marramendëse  parash. Këto transaksione, nëse mund t’i quajmë të tilla, përgjithësisht  janë bërë në informalitet , pra s’janë  kaluar përmes zyrave të regjistrimit dhe shteti nuk ka përfituar të ardhura. Shumë nga këto objekte jepen me qera për banim ose për biznes dhe përsëri në informalitet, shteti nuk e merr tatimin e qerasë.

Megjithë përpjekjet e bëra për regjistrimin e ndërtimeve, ku nisma më e plotë   ishte ajo për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, nuk ka  bazë të plotë të dhënash të ndërtimeve nga njësitë vendore dhe as nga agjenci të pushtetit qendror, pasi edhe pas përfundimit të  procesit të evidentimit të ndërtimeve për efekt të legalizimit, informaliteti urban ka vazhduar përsëri. Pothuajse gjithë territori i vendit është në procesin e planifikimit urban.

Përshpejtimi i këtij procesi me pjesëmarrjen e komunitetit, regjistrimi i gjithë ndërtimeve ekzistuese,  kontrolli i saktësisë së të dhënave dhe shkëmbimi i informacionit  mes gjithë palëve të interesuara,  pushtet lokal, zyra regjistrimi, tatimet, zyrat  e zhvillimit urban etj.,  kërkon saktësi dhe  shpejtësi, por edhe ndarje të përgjegjësive mes aktorëve. Ky do të ishte hapi i parë për vlerësimin e gjendjes, marrjen e vendimeve dhe përmirësimin e situatës.

Duke qenë se ndërtesat dhe trojet  janë objekt i taksave mbi pronën, verifikimi i këtyre të dhënave nga komunat e bashkitë, do mundësonte njësitë vendore të sigurojnë  më shumë  të   ardhura dhe do  jepte impakt pozitiv në luftën ndaj korrupsionit në  fushën e ndërtimeve. Ligji për procedurat tatimore dhe gjithë legjislacioni tatimor, rregullon marrëdhënien e biznesit me aktorët e tjerë, tatimet, doganat, sigurimet, klientin etj.. Po cilin aktivitet  biznesi prekin këto ligje?

Praktika e derisotme ka provuar se në më të shumtën e rasteve, ligjet veprojnë  mbi subjekte që i zbatojnë ato dhe rregullojnë marrëdhëniet me subjektet e regjistruara si biznes. Subjektet e paregjistruara,  jo vetëm që nuk paguajnë tatime, sigurime etj., por më së shumti janë të “imunizuara” edhe nga kontrollet e tatimeve, të sigurimeve,  kontrollet e zyrave të punës dhe sigurisë në punë,  kontrolli shëndetësor, kontrollit ushqimor, të peshëmatjes  etj..

Inspektorët e këtyre agjencive nuk i  kontrollojnë  këto subjekte  pasi nuk janë të regjistruara dhe nuk janë të pajisur me numër identifikimi( NIPT). Kështu  subjektet e licencuara duhet të paguajnë më shumë tatime, më shumë sigurime, madje më shtrenjtë energjinë elektrike, ujin etj., për të plotësuar gropën e të ardhurave nga mospagesat prej subjekteve të paregjistruara.

Biznesi  informal, jo vetëm që ndikon në grumbullimin e më pak të ardhurave për shtetin dhe njësitë vendore, por  ekzistenca e tij është diskriminuese për paguesit e rregullt, krijon terren dhe favorizon zhvillimin e aferave korruptive. Regjistrimi i gjithë bizneseve që operojnë në treg, zgjerimi i bazës së taksapaguesve, mbase edhe ndërhyrjet në ligjin për procedurat tatimore do të ishin mjete për të  parandaluar informalitetin në biznes, për të ulur evazionin dhe përmirësimin e edukimit fiskal.

Lufta më efektive ndaj korrupsionit është të krijohet ambienti ligjor, parandalues i veprimeve të paligjshme.  Përmirësimi i legjislacionit, njohja e tij nga zbatuesit e ligjit dhe zbatimi i rregullave në ndërtime, biznes dhe në çdo fushë të zhvillimit do të ishte rruga e demokratizimit të ekonomisë, instrumenti me kosto më të ulët për vendin, rritjen e të ardhurave e për t’u prerë rrugën veprimeve korruptive. Askujt  nuk i intereson sa më shumë njerëz të ndëshkuar; qytetarëve  u intereson zhvillimi, ecja përpara e vendit duke e ndjerë  veten të barabartë para ligjit dhe rregullave.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi