Tranzicioni shqiptar dhe ndërkombëtarët
Nga Tonin Gjuraj, botuar në Mapo Online, 21 dhjetor 2013
Në librin e tij “Vala e tretë: demokratizimi në fundin e shekullit të 20-të” (1991), Samuel P. Huntington konsideron shkallën e ndikimit shoqëror e politik të Perëndimit një prej premisave të procesit të demokratizimit për vendet në tranzicion. Më vonë, Larry Diamond & Marc Plattner do të flisnin për nevojën e angazhimeve ndërkombëtare të këtyre vendeve. Kriteret e Kopenhagenit (Këshilli Europian 1993) të sanksionuar në nenet 6 (1) dhe 49 të Traktatit të BE-së kërkuan për vendet në tranzicion nxitjen dhe mbështetjen e një ekonomie tregu funksionale, kapacitetin për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut të BE-së, aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE, si dhe rëndësinë, jo vetëm të përfshirjes së “acquis communautaire” në legjislacionin kombëtar, por dhe sigurimin e zbatimit të tij efektiv përmes strukturave të përshtatshme administrative dhe juridike. Më herët, Traktati i Maastrihtit më 1992 kishte të bënte kryesisht me aftësitë menaxheriale për vendet që donin të hynin në Eurozonë, me Kriteret e Konvergjencës. Më pas u përqafuan programe të BE-së, si CARDS (që prej 2001), Asistenca e Komunitetit për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilitet, si një prej instrumenteve kryesore financiare të BE-së për vendet e Ballkanit, MSA, si dhe një sërë programesh të tjera. Asistenca konsistoi në fusha të tilla, si: drejtësia, rendi publik, menaxhimi i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërtimi i kapaciteteve administrative, zhvillimi ekonomik e social, mjedisi, burimet natyrore dhe stabiliteti demokratik.
Pas vitit 1990, Shqipëria njohu dhe pranoi rolin e faktorëve ndërkombëtarë në zhvillimet e brendshme, nisjen e reformave të vështira të “imponuara” prej Perëndimit, bashkëpunimin me shtete dhe organizata të huaja, implikimin dhe ndikimin prej ngjarjeve dhe zhvillimeve ndërkombëtare. Vendi u përfshi në procese integruese me BE-në, NATO-n, FMN-në, BB-në, organizata të tjera, si dhe në rrjete të ndryshme globale, brenda kuadrit të marrëdhënieve ndërkombëtare me lidhje shumëpalëshe dhe dypalëshe. Në fakt, sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, përveç ndërtimit ndoshta, de facto kaluan në duart e kapitalit të huaj, veçanërisht sistemi bankar, pjesërisht sektori energjetik, telefonia celulare etj.. Megjithatë, përtej hapjes dhe vendosjes së kontakteve e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, disa prej reformave mbetën ende të paplota dhe të paqëndrueshme, kurse tranzicioni i tejzgjatur. Në këtë kontekst, roli i ndërkombëtarëve, veçanërisht i Perëndimit, gjatë tranzicionit shqiptar meriton një analizë të veçantë.
Ka patur një indiferencë, sipas meje, të ndërkombëtarëve për të ofruar zgjidhje të arsyeshme ndaj shumë çështjeve problematike në Shqipëri. Për shembull, të kishte patur një ndërhyrje më vendimtare të ekspertëve ndërkombëtarë të ekonomisë, të cilët këshillonin qeverinë shqiptare midis viteve 1992–1997, rënia tragjike e skemave piramidale ndoshta mund të ishte shmangur. Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar, me shumë zyra dhe ekspertë në Tiranë, ka qenë përgjegjës për kryerjen e përmirësimeve në Kodin elektoral të vendit, megjithatë situata mbeti shpesh e tensionuar midis forcave politike, përfshirë dhe debatin për (mos)balancimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Reforma zgjedhore është nxitur dhe udhëhequr gjithnjë prej OSBE/ODIHR-it, autoritetet dhe ekspertët e saj në Tiranë. Ky ka qenë një disavantazh që ka vonuar procesin e ndryshimit domethënës në vend, zhvillimin dhe progresin drejt integrimit europian.
Ambiguiteti i të huajve ushqeu tek qytetarët shqiptarë një gjendjeje pakënaqësie, pesimizmi dhe mungesë durimi, përforcuar kjo edhe me faktin se ata nuk kishin gëzuar për shumë vite avantazhet e lirisë. Shpresat e shqiptarëve më 1990 ishin të larta, kurse besimi i tyre tek bota perëndimore ishte i fortë, duke krijuar kështu një hendek të madh midis shpresave për një jetë më të mirë dhe sfidave të tranzicionit në vend. Me qëllim zbutjen e pasojave të reformave të ndërmarra, një ndihmë më konkrete dhe më e ndershme nga jashtë ishte, jo vetëm e nevojshme, por dhe e ngutshme. Organizata dhe qeveri të ndryshme ndërkombëtare shprehën përkrahje verbale për demokracinë në Shqipëri, por rrallë përkrahja e tyre u pasua me veprime konkrete. Nuk mund të mohohet roli i OSBE/ODIHR-it sa i takon kontributit për të përmirësuar procesin zgjedhor në Shqipëri, por ambiguiteti i kësaj organizate shkaktoi konfuzion në përcaktimin e statusit të të dyja zgjedhjeve, të përgjithshme dhe lokale. Ka patur gjithnjë besim më të madh të opinionit publik shqiptar tek NATO e BE, jo dhe aq tek OSBE/ODIHR-i, edhe pse kjo e fundit kishte ndikim të drejtpërdrejtë tek institucioni i zgjedhjeve, si themeli i demokracisë në një vend në tranzicion. Po ashtu, u dallua qartë besimi i palëkundur tek Brukseli, jo tek Tirana dhe institucionet e klasa e saj politike. Në të gjitha progres–raportet e BE-së, faji pothuajse i vishet tërësisht politikës shqiptare, jo institucioneve ndërkombëtare. Paradoksalisht, ka qenë pikërisht klasa politike, që edhe pse delegjitimohej gjithnjë nga brenda, prej qytetarëve të saj, kërkonte legjitimim nga jashtë dhe kjo, në fakt, “pranohej” nga Brukseli. Përtej përkushtimit verbal për Europën, standardet dhe institucionet e saj, studiuesi Ardian Vehbiu ka të drejtë kur argumentonte se orientimi i elitës politike shqiptare drejt Europës nuk ishte për arsye idealiste apo e motivuar filozofikisht, por duke luajtur kartën e integrimit në BE, synimi i saj i vetëm ishte të legjitimonte dhe të zgjaste pushtetin e saj.
Megjithatë, BE-ja mbeti aktori demokratizues më i dukshëm i jashtëm, modeli i së cilës mbeti më tërheqës se organizatat e tjera, sepse këto vende janë të stabilizuara dhe demokratike. Përveç kësaj, BE-ja ka edhe kondicionalitetet, në kuadër të përmbushjes së kritereve të perspektivës për anëtarësim në rrafshin politik, të ndihmës financiare dhe përdorimit të sanksioneve të ndryshme. Fuqia e ndikimit të BE-se qëndron tek europianizimi i institucioneve, strukturave dhe politikës së brendshme shqiptare. Vetëm BE-ja shihet si garanci për demokracinë, me institucionet e saj, si modeli më i mirë i administrimit dhe organizmit institucional e legjislativ. Duke mbështetur BE-në, shqiptarët arritën të kuptonin se mbikëqyrja e Europës nuk cenon sovranitetin e vendit, as dinjitetin e tij, por, përkundrazi, kjo ndikon në zhvillimin e vendit dhe kalimin nga tranzicioni drejt konsolidimit demokratik.
Kur Shqipëria vendosi të mos marrë armët kimike të Sirisë, ajo e futi veten në radhën e vendeve që mund të marrë vendime të pavarura. Ky mund të ishte ndoshta edhe momenti kur nuk duhet të priten më tej favore për çdo gjë, por ata duhet të meritohen. Çmimi i vendimeve që merren në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka parasysh edhe pasojat e tij, cilatdo qofshin ato. Në (mos)dhënien e statusit nuk duket të kenë patur ndikim SHBA, por anëtarësimi në NATO u akordua, edhe si “dhuratë” për interesa të caktuara, gjë që i kontribuoi vendit në shumë aspekte të zhvillimeve të brendshme demokratike, atyre rajonale e më gjerë.
Shqipëria, pas këtyre dy ngjarjeve, përtej luftës së palëve politike, duhet të kuptojë se gjithçka fitohet vetë, por me një lobim të fortë tek ndërkombëtarët që na duan. E njëjta gjë vlen dhe për FMN-në dhe raportet me të, duke mos harruar se ajo “kontrollohet” në një masë të konsiderueshme prej SHBA-së. Në diplomaci, nëse tregohesh i fortë, atëherë duhet t’i dalësh zot vetes.