Statusi dhe enigma e qëndrimit britanik

Nga Arben Manaj, botuar në Shqip, 23 dhjetor 2013

Mosprononcimi i Foreign Office-it, Ministrisë së Jashtme britanike, pas kërkesës për të sqaruar paraprakisht, zyrtarisht pozicionin britanik për çështjen e statusit kandidat të Shqipërisë, më la të nënkuptoj ditë më parë, atë çka pritej të ndodhte me qëndrimin e Londrës zyrtare, parandjenjë e cila tashmë është konfirmuar, ku qeveria britanike e Kryeministrit Kameron tashmë u është bashkuar korit të të pavendosurve dhe skeptikëve, krahas Holandës, Gjermanisë dhe Francës.

Të jem brutalisht i hapur dhe i sinqertë, s’e prisja që Londra nuk do të ishte ende e bindur me Tiranën.

Këtë ma përforconte, ndër arsye të tjera, edhe takimi i paradokohëve mes Kryeministrit Rama dhe homologut të tij Kameron në Londër, duke marrë të mirëqenë atë deklaratë që doli nga zyra e Ramës pas takimit në Downing Street, dhe po citoj: “Dy kryeministrat biseduan edhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, që u cilësuan të shkëlqyera… Kryeministri Kameron e uroi Kryeministrin Rama për marrjen e detyrës dhe theksoi se qeveria e tij mbështet integrimin europian të Shqipërisë. Gjatë takimit me homologun britanik, Kryeministri Rama u përqendrua tek e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe theksoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Pikërisht te rreshti i fundit, duket se ka ngecur moskandidimi i Shqipërisë për në BE.

Që njoftimet e zyrave të shtypit të qeverive shqiptare historikisht janë produkt personal si formulim lajmi i vetë kryeministrave, kjo dihet, sidomos kur takohen me të huajt. Por si bumerang ato nxjerrin zbuluar, si në këtë rast, enigmën e marrëdhënieve reale mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.

Dilema është e tillë: ose Kryeministri shqiptar në Londër nuk ka arritur të bindë realisht Kryeministrin britanik, vendi i të cilit nuk e pranon hëpërhë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pikërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndër të tjera, ose gënjehet kur thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë shqiptare, pasi ajo britanike kurrë nuk u prononcua për atë takim faktikisht, kur thotë se qeveria e tij (Kameron) mbështet integrimin europian të Shqipërisë.

Në parim, pa dyshim e mbështet, por konkretisht nen për nen, duket se i ka vënë një barrierë për të kapërcyer, që jo domosdoshmërish është gjë e keqe, tek e fundit.

Në raport bilateral, Tirana faktikisht është treguar kooperuese me Londrën, në kuadër edhe të integrimit europian dhe ka firmosur e nënshkruar marrëveshje bilaterale mjaft domethënëse, edhe pse me kosto jo të paktë, për jetën e një kategorie të shqiptarëve informalë që jetojnë ose kanë mbërritur me shumë sakrifica në Britani.

Kam parasysh marrëveshjen për riatdhesimin e shqiptarëve apo bashkëpunimin e suksesshëm mes Tiranës dhe Londrës për verifikimin e gjeneraliteteve dhe të dhënave personale për shumë shqiptarë që kërkojnë azil në Britani.

Pa harruar edhe marrëveshjen për rikthimin e të dënuarve shqiptarë nëpër burgjet britanike për të kryer dënimin e mbetur në burgjet shqiptare, e më tej, bashkëpunimin mes prokurorive respektive apo edhe vetë bashkëpunimin mes dy vendeve për projektin e burgjeve private në Shqipëri, sipas përvojës britanike.

Por dukshëm Londra duket e pakënaqur po të lexosh siç duhet prononcimin e kryediplomatit britanik në Tiranë z. Kenon, në Shkodër para do ditësh, kur tha se gjakmarrja është shndërruar në një industri në Shqipëri.

Për ata që nuk janë të informuar sa duhet, nënteksti është i qartë, pasi ka një shtim të madh të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Britani për motive gjakmarrjeje, çka edhe pse ka një kosto jo të paktë për buxhetin e qeverisë britanike, në fund të fundit, për hir të së vërtetës nuk është se është produkt i drejtpërdrejtë i dështimit të qeverive shqiptare, aq më pak kësaj aktuales, por edhe të shkuarave, për vetë specifikën e këtij fenomeni.

Po aq sa ajo është një rezultante e vendimmarrjes personale të tyre që e kërkojnë këtë mbrojtje ndërkombëtare, qoftë duke shfrytëzuar avantazhet e marrëveshjes së Shengenit, aq edhe një vendim që është personal dhe individual e që nuk mund të mbahet përgjegjës asnjë qeveri. Ok, parandalimi i këtij fenomeni dhe lufta ndaj tij për ta shuar, në një argumentim teorik, është shumë e thjeshtë e thënë sesa e bëshme në praktikë.

Mundet që qëndrimi britanik të jetë rezultante edhe e koniunkturës politike, kur Kryeministri Kameron është duke lobuar dhe luftuar t’u imponohet homologëve të tij europianë për vendosjen e kuotave të lëvizjes së shtetasve të rinj të BE-së, si rumunëve dhe bullgarëve, kur dihet se ka një presion të jashtëzakonshëm në vend edhe nga media për të frenuar fluksin e pritshëm të tyre pas 1 janarit 2014.

Në të tilla rrethana, qoftë edhe për motive të nevojës së politikës së brendshme, Kameron dhe qeveria e tij do të ishin nën presion politik dhe mediatik, për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, një vend që për mentalitetin e këtushëm më së shumti nënkupton varfëri, papunësi, korrupsion dhe burim emigrantësh dhe krimi, duam apo nuk duam ta pranojmë.

Thënë kjo, skepticizmi i dukshëm britanik ndaj statusit të Shqipërisë, duket se dëshmon se marrëdhëniet reale mes të dyja vendeve nuk janë aq rozë sa në email-et e dala nga zyrat e shtypit të qeverisë shqiptare.

Ekzistenca, qoftë edhe minimale e problemeve në marrëdhëniet ndërshtetërore, do të duhet të ketë qenë një shkak i qëndrimit refuzues për momentin i Londrës zyrtare.

E nëse këta gjashtë muaj deri në verën e ardhshme asgjë nuk do të ndryshojë thelbësisht në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Londrës apo ky është qëndrim më i bashkërenduar mes disa nga vendeve më potente të BE-së, si Gjermania, Britania dhe Franca, që Shqipëria të japë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar ose korrupsionit, kjo mbetet të shihet.

Një gjë mbetet e sigurt që sot, se Tirana do të duhet të demonstrojë me shembuj konkretë, edhe pse koha paradoksalisht është e shkurtër për të bindur, se po ndërmerr reforma dhe po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, shembuj që do të kënaqin kryeqytetet më të rëndësishme vendimmarrëse të Eruopës, vendime që padyshim do të kenë edhe bekimin e tyre, për të fituar Shqipëria në shkëmbim, bekimin e 28 vendeve të BE-së për statusin kandidat, që as për të tretën herë nuk doli i vërtetë.

Hyrja në Tokën e Shenjtë politike të Europës, duket se për Shqipërinë do të kalojë njëlloj si në Kishën e Nativitetit në Betlehem, përmes “Portës së Poshtërimit”, mjaft e ulët për nga lartësia për të hyrë brenda, por që në këtë rast do duhet quajtur, për të qenë politikisht korrekt, Porta e Përuljes.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi