E vërteta për një nga boshtet më korruptive
Nga Vasil Bendo, botuar në Shqiptarja.com, 21 dhjetor 2013
Prej më shumë se 15 vitesh kam qenë i shqetësuar pa masë për të thënë publikisht një të vërtetë. Vrarja e ndergjegjes, mendimi i kultivuar dhe iniciativa dobiprurëse kanë qenë dilemat më të mëdha për të thënë publikisht apo jo të vërtetën, që ka të bëjë me një nga boshtet më korruptive të drejtësisë shqiptare. Më së fundi, pas Nëntorit katër festash të këtij viti vendosa ta them publikisht nëpërmjet këtyre rradhëve. Dhomëtranxhat civile e penale dhe ajo administrative që pritet të fillojë së shpejti nga funksionimi në Gjykatën e Lartë duhet të shkrihen, të suprimohen një orë e më parë, për t’i hequr nga qafa publikut të varfër shqiptar një tranxhë që, jo vetëm nuk sjell drejtësi, por pret para’ me shumicë, para të pista. Dhe, megjithatë, nuk jam pishman që nuk kam folur, sepse shumë gjyqtarë 7-9 vjeçarë mandatmbaruar në këto 23 vite të Postkomunizmit, si edhe të tjerë mandatvazhdues, të dekretuar prej Presidentit të Republikes dhe me dhënie pëlqimi nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk kanë shprehur asgjë për luftën ndaj korrupsionit. Për më tepër, ndjehen të kënaqur që gjendja korruptive në vend të vazhdojë pafundësisht.
Qysh prej të paktën 17 vitesh kur janë miratuar Kodet e Procedurave Civile dhe Penale, në Gjykatën e Lartë funksionojnë dhomat e këshillimit, më saktë, të moskëshillimit gjyqësor, të cilat bëjnë paraprakisht seleksionimin e të gjitha çështjeve gjyqësore që paraqiten në rrugë ankimimi. Këto dhoma përgjithësisht vendosin: mospranimin e rekurseve dhe përfundimin e çështjeve civile, penale, administrative, etj, si edhe/ose kalimin e tyre për shqyrtim në seancat gjyqësore të kolegjeve të kësaj Gjykate. Pa as më të voglin ngurim, këto dhoma moskëshillimi gjyqësor mund të quhen dhomëtranxha, që presin pafundësisht pará, duke qethur publikun e varfër shqiptar.
Është i ditur fakti, sipas të cilit rregullimi ligjor i funksionimit të dhomave të këshillimit në Gjykatën e Lartë është tepër i mangët dhe i pamjaftueshëm. Në secilin prej dy kodeve proceduriale ka vetëm nga një dispozitë ligjore që përcakton në mënyrë dyshuese dhe kompromentuese kompetencat e tyre. Mungojnë dispozitat për procedurat vendimmarrëse të këtyre dhomave, duke patur parasysh që ato kryejnë veprimtari të mirëfilltë gjyqësore dhe konkludojnë në vendime gjyqësore. Praktika e gjatë e punës ka treguar, se funksionimi i kolegjeve seleksionuese ka rëndësi jetike për vazhdimësinë e gjykimit të çështjeve civile e penale apo përfundimin e tyre me mospranim të rekurseve, duke i barazvlerësuar këto të fundit me vendimet gjyqësore të kolegjeve të Gjykatës së Lartë.
Funksionimi i kësaj Gjykate me dhoma këshillimi, ku merren vendime pa njoftim publik të procesit gjyqësor, të paarsyetura, pa praninë e palëve dhe ku përfundimisht vendoset vazhdimësia ose jo e gjykimit ligjor të çështjes, veçse sa lejon shmangie nga parimet ligjore të kontradiktoritetit, të karakterit publik dhe të rregullsisë së procesit gjyqësor, krijon praktika antikushtetuese dhe mundësi të pashterëshme për abuzim apo korrupsion në gjyqësorin e lartë kombëtar.
Ligji dhe procedurat për gjykatat administrative, të sapofilluara nga funksionimi në fillimnëntorin e këtij viti, parashikon që e gjithë moria e çështjeve trishkallëshe gjyqësore administrative të kalojë për seleksionim ose “qethje”, apo “rrjepje”, në kolegjin administrativ seleksionues të Gjykatës së Lartë. Palët dhe konfliktet administrative të tejshumta, të gjykuara ne dy shkallët e gjyqësorit administrativ shqiptar, dhe më tej në shkallë të tretë do të kalojnë paraprakisht në dhomëtranxhën e këshillimit apo të moskëshillimit të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë. Kjo dhomëtranxhë do të vendosë përfundimisht, pa praninë e palëve në konflikt, mospranimin e rekursit apo kalimin e tij për gjykim në seancë publike të Kolegjit Administrativ, i cili do të funksionojë pjesërisht me të njëjtën përbërje gjyqtarësh.
Shtrohet pyetja: Me këtë ligj dhe këto procedura e kompetenca gjyqësore administrative a kemi bërë progres në gjykimin administrativ të sapofilluar apo jemi në të njejtat nivele korruptive si me gjykimet civile e penale në shkalle të tretë, të provuara negativisht prej 17 vjetësh? Përgjigjia është që kemi vetëm një progres të painfluencueshëm në gjykim. Ligji për gjykatat administrative parashikon që gjyqtari relator cakton datën dhe orën për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi, duke urdhëruar njoftimin e palëve. Më tej, sekretaria gjyqësore kryen njoftimet publike të paktën 21 ditë përpara shqyrtimit.
Pra, kemi vetëm një transparencë publike per palët në konflikt, por që nuk ndikon aspak në cilësinë e gjykimit. Ashtu si për çështjet civile dhe ato penale që gjykohen në shkallë të tretë, edhe për konfliktet administrative palët nuk do të marrin pjesë në dhomën e këshillimit apo të mos’këshillimit të Kolegjit Administrativ. Kuptohet lehtësisht që kjo dhomë do të vendosë përfundimisht për mbylljen e çështjes, pa dëgjuar palët në konflikt apo vazhdimësinë e gjykimit të çështjes në seancë publike të atij Kolegji. Fatkeqësisht, ky është një tender gjyqësor. Subjekti privat që paguan për një konflikt administrativ gjyqësor vërtetë që fiton, por pasojat në këtë rast i vuan publiku i varfër shqiptar. Organi publik që nuk paguan dhe nuk i lejohet të paguajë, funksionari publik që influencon politikisht e shtetërisht në procesin gjyqësor administrativ dhe përpiqet të shpëtoje pergjegjësinë civile personale, përsëri del i fituar. Pra, kush është më i fituari: shteti apo shtetasi? Sigurisht, gjithmonë ky i fundit, qytetari i thjeshtë dhe i varfër shqiptar.
Gjendja korruptive e dhomëtranxhave të moskëshillimit civil, penal dhe administrativ në Gjykatën e Lartë rrezikon të shtrihet rëndshëm edhe, më së pakti, në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, që nuk e di nëse ka filluar apo jo ende punën. Me ligjin e ri për gjykatat administrative parashikohet që shqyrtimi i të gjithë ankimeve, si rregull, do të bëhet mbi bazë dokumentesh në dhomë këshillimi, njëlloj si në dhomëtranxhat e deritanishme civile e penale. Në këtë mënyrë, me këto lehtësi ligjore, korrupsioni me emrin shumëdomethënës “dhomëtranxhat e mos’këshillimit gjyqësor” do të shtrihet gjerësisht edhe në nivelin e mesëm të gjyqësorit administrativ.
Për të parandaluar këtë fatkeqësi të madhe që mund të ndodhë në gjyqësorin administrativ, mund të bëhen tre propozimthirrje: 1. Të ndalet organizimi dhe funksionimi i dhomave të mos’këshillimit në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, të suprimohen urgjentisht këto dhoma që jo vetëm nuk japin drejtësi por punojnë në kurriz të drejtësisë, duke gjeneruar korrupsion. 2. Të reduktohen kompetencat e gjykimit në shkallë të tretë, të kolegjeve të Gjykatës së Lartë, me qëllim që kjo të kthehet kushtetuetshmërisht në një gjykatë ligji dhe e unifikimit të praktikave gjyqësore. 3. Të gjitha çështjet civile, penale, administrative, etj. të kalojnë për shqyrtim në shkallë të tretë në seanca të rregullta publike të kolegjeve të Gjykatës së Lartë, me pjesëmarrjen në gjykim të palëve në konflikt, pa asnjë seleksionim paraprak në dhomëtranxhat korruptive të mos’këshillimit gjyqësore.