Anti-korrupsion? Ja sesi

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Mapo Online, 19 dhjetor 2013

BE refuzoi për të tretën herë klasën politike të Tiranë. Duhen reforma, duhet luftë kundër korrupsionit, duhet shtet ligjor, duhen akte dhe rezultate konkrete! Këto ishin kërkesat e tij, të cilat janë edhe kërkesat e shumicës qytetare shqiptare. Pra, BE artikuloi atë realitet që ne njohim dhe kërkoi reagim serioz, institucional dhe afatgjatë. Pas BE folën edhe politikanët në Tiranë. Ata, si përherë, kërkuan fajin tek pala tjetër. Sepse vetë, asnjëri nuk ndjen përgjegjësi. As ata që e patën shndërruar shtetin në pronë private, as ata që në emër të rilindjes ricikluan figurat korruptive të disa viteve më parë, as ata që ishin dhe janë pjesë aktive e dy modeleve – Pyetja është: si mund të luftohet korrupsioni? Përgjigja vjen nga vetë modeli perëndimor. Ekspertë të njohur amerikanë deklaruan në VOA një mekanizëm konkret të luftës ndaj korrupsionit: ata sugjeruan konfiskimin e pasurisë së paligjshme të politikanëve, çdo pasuri që nuk ka justifikim të ligjshëm financiar. Është e vështirë të provohet nëse një zyrtar / politikan është i korruptuar, por është e lehtë ti kërkohet secilit prej tyre të justifikojë pasurinë e tij. Nëse nuk e bën dot, atëherë ndërhyn shteti dhe organet e ligjit për të bërë konfiskimin. Si në modelet anti-mafia. Si në çdo vend demokratik ku sundon ligji dhe barazia përpara tij.
Ekspertët amerikanë folën për korrupsion politik dhe gjyqësor të kontrolluar nga politika. Ata dhanë receta sesi edhe kjo pengesë mund të kalohet. Duke sjellë gjykatës dhe ekspertë të huaj për një periudhë afatshkurtër në vende problematika siç është Shqipëria. Shpresa se vetë sistemi politik do pranojë pavarësinë e drejtësisë, apo se drejtësia do të reflektojë për tu reformuar, janë e mbeten alibi utopike, jashtë realitetit. Ideja e ekspertizës së mandatuar nga jashtë, nga vende me modelet më të mira të shtetit të së drejtës, mund të jetë zgjidhje e sforcuar, por mund të jetë praktike. Dhe ne kemi nevojë për zgjidhje praktike, të qëndrueshme, të besueshme dhe efektive.
Krahas tyre ekzistojnë edhe “zgjidhje” të tjera simbolike me vlerë të madhe.
P.sh, që çdo parti politike të pranojë me deklarim publik heqjen dorë nga çdo mbrojtje politike të çdo individi të akuzuar për korrupsion, përfshirë drejtuesit partiakë, deputetët apo ministrat. Së dyti, çdo politikan të bëjë publike burimet e tij të financimit personal e familjar dhe t’i japë akses medias apo ekspertëve të pavarur për verifikimin e këtyre fakteve. Së treti, çdo zyrtar e politikan të bëjë publike jetëshkrimin e tij, përfshirë edhe kualifikimin e tij universitar e profesional, si dhe t’i njohë të drejtën një axhensie të pavarur, për të verifikuar saktësinë e të dhënave, përfshirë edhe ato që lidhen me proceset hetimore të mëparshme, vërtetësinë e diplomimit apo konfliktet e interesit gjatë aktivitetit drejtues. Së katërti, çdo parti politike të bëjë publike çdo javë fitimet/shpenzimet e veta dhe t’i krijojë mundësinë një axhensie të pavarur ose eksperti të jashtëm për verifikimin real të shifrave, përfshirë shpenzimet para dhe pas elektorale.
Së pesti, të bëhen publike të gjitha pagesat ekstra, favoret indirekte dhe përfitimet lobuese të politikanëve dhe zyrtarëve në raport me kompani monopol, ose firma të mëdha të tregut, të cilat përfitojnë nga paraja publike ose politikat shtetërore. Së gjashti, emërimet në poste publike (jopolitike) të bëhen me konkurs publik, të drejtuar nga ekspertë të jashtëm ose të zgjedhur me short, duke i dhënë fund praktikës së njëjtë të riciklimit të administrave sipas flamurit të partive politike në pushtet. Së shtati, verifikimi përmes një komisioni hetimor ad hoc, të emërimeve që lidhen me lidhje familjare apo suport politik në poste publike, të cilat administrojnë paratë publike.
Së fundi, hetimin dhe verifikimin e çdo lidhje politike dhe pushteti (ish pushteti) me aktivitete fitimprurëse të licensuara nga qeverisja qendrore e vendore, kryesisht në fushën e mjekësisë, arsimit, ndërtimit, politikave sociale, mjedisit, sigurisë publike, etj.
Nuk janë renditur të gjitha metodat dhe format që vende të tjera kanë përdorur për tu përballur me gjendje alarmante korrupsioni, siç është rasti shqiptar. Madje do mjaftonin vetëm disa prej tyre për të arritur qëllimin final, që Shqipëria të bëhet një vend normal, i jetueshëm dhe i denjë për një sistem vlerash evropiane.
E bëjmë dot? Kjo është pyetja qe media duhet t’ia adresoje çdo minutë, çdo orë, çdo dite dhe çdo jave Presidentit, kryeministrit, kryeprokurorit, gjykatësve, politikaneve në mazhorance dhe opozite…Pa u thënë kjo, nuk është thënë asgjë. Pa u bere kjo, nuk është bërë asgjë!
Kush mund ta bëjë këtë? Nëse do kishim demokratë e reformatorë të vërtetë ata me siguri do ta bënin. Nëse do të kishim rilindas të vërtetë ata me siguri do ta bënin. Nëse do kishim shtetarë të vërtetë ata me siguri do ta bënin. Këta tanët nuk bëjnë pjesë në asnjërën kategori. Ata janë vetë problem. Ndaj zgjidhja mund të jetë vetëm radikale, e imponuar nga jashtë ose nga qytetarët. Nga jashtë BE foli dhe po flet me zë të lartë, nga brenda do duhet të vijë koha kur modelet e protestës qytetare bullgare, greke apo italiane të bëhen edhe modele shqiptare.
Sa më shpejt, aq më mirë. Për çdo qytetar, për vendin, për demokracinë, për statusin, për shtetin dhe për Shqipërinë evropiane, – një aspiratë të krijuar përmes mijëra sakrificave dhe të denigruar nga një klasë politike para-demokratike, në shumicën e saj oligarkike, e korruptuar, e paaftë dhe arrogante me qytetarët dhe vlerat e shoqërisë së saj.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi