Integrimi evropian nuk është për ne një provim para të tjerëve, por një sprovë përpara vetes
Deklaratë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama
Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare,
Vendimi i djeshëm për marrjen e vendimit mbi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në qershor, padyshim që nuk ishte vendimi më i mirë që Familja Evropiane mund të merrte për vendin tonë.
Po me siguri as për rajonin nuk ishte vendimi më i mirë.
Por lejomëni të jem shumë i qartë me ju sot:
Ky vendim vetëm e rrit vendosmërinë tonë për reforma të thella shtet-ndërtuese dhe ndryshime rrënjësore e cilësore në çdo fushë, në mënyrë që gjithkush në Shqipëri, të prekë vijimësisht, rezultate të reja të mirëqeverisjes sonë në të mirë të vendit dhe të çdo qytetari.
E kemi thënë kaherë dhe dua ta përsëris edhe sot:
Për ne procesi i integrimit evropian nuk është udhëtim për diku jashtë Shqipërisë, po rrugëtim brenda nesh; për ta ndërtuar Shqipërinë Evropiane këtu, në rrugët, shkollat, shërbimet publike, ekonominë dhe rendin ligjor e sigurinë e atdheut tonë.
S’ka dyshim se më vjen mirë, që puna e saponisur e qeverisë së re është vlerësuar dje me notat më pozitive, si nga vendet anëtare e po njësoj dhe nga të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian.
Ashtu sikundër, padyshim, më vjen keq që opozita ka ndërmarrë me një frymë, një përpjekje qesharake për të fajësuar qeverinë e re. Fatkeqësisht për të, gjithçka opozita ka thënë deri më tash bie katërcipërisht ndesh, me gjithçka ka nënvizuar qartë dje Bashkimi Evropian, në vlerësimin e vet të njëzëshëm për rezultatet e qeverisë shqiptare.
Sidoqoftë, ne, siç e kemi bërë të ditur publikisht, po siç ua kemi thënë shkoqur në çdo bisedë edhe partnerëve evropianë, nuk kishim ndërmend të festonim si fitimtarë, nëse vendimi do të ishte ai që shqiptarët prisnin me plot të drejtë. Po as kemi ndërmend të hyjmë në lojën e vjetër të baltës së fajësimit të opozitës, sot që jemi përpara një vendimi të ndryshëm nga ai i më i dëshiruari.
Por le të jetë e qartë për të gjithë, në këtë moment, ajo çka kemi ndjerë e dëgjuar në këta muaj nga pjesa më hezituese e vendeve anëtare, na e kanë shprehur qysh në fillim dhe vijimësisht, nevojën e tyre për më shumë kohë për të vendosur për statusin, ngaqë, siç thonë, e kanë ende shumë të freskët në kujtesë, qeverisjen e shkuar të ligjeve të shumta dhe të vullnetit të pakët, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
E megjithatë, në kohën fare të pakët që patëm në dispozicion, ne u dhamë edhe më hezituesve, përmes jetës së re parlamentare dhe mirëqeverisjes, provat që Shqipëria e pas 23 qershorit meritonte mbrëmë më shumë se ç’mori prej tyre.
Falë këtyre provave, në fakt, morëm një mbështetje të pazakontë publike nga shumë vende anëtare dhe i hapëm rrugë, më në fund, edhe qasjes konstruktive të vendeve më hezituese.
Dhe le të jetë e qartë po ashtu sot, se përcaktimi i qershorit si moment për të vendosur për statusin, në një afat më të shkurtër se zakonisht, pas shtyrjeve të mëparshme nga një dhjetor në tjetrin, erdhi pikërisht si rezultat i provave bindëse që dhamë në më pak se tre muaj qeverisje.
Të gjithë, edhe më hezituesit, i njohin dhe i vlerësojnë këto prova. Të tjera prova do të japim ditë pas dite, jo vetëm deri në qershor, por deri ditën e fundit të mandatit tonë. Dhe jo për ata që do të gjykojnë në qershor, në Bruksel, progresin e bërë, por për të ndërtuar për popullin tonë rrugën e Shqipërisë Evropiane.
Asgjë s’mund t’i zmbrapsë as shqiptarët, as qeverinë e tyre nga kjo rrugë e fatit evropian që e kanë shkruar për atdheun tonë gjeografia, historia, gjaku, letrat dhe stërmundimet e njerëzve tanë.
Integrimi evropian nuk është për ne një provim para të tjerëve, por një sprovë përpara vetes dhe gjeneratës tjetër të shqiptarëve.
E lejomëni gjithashtu nga ana tjetër, të jem sot sinqerisht i drejtpërdrejtë edhe me të tjerët që sot janë në Bashkimin Evropian, dhe posaçërisht me udhëheqësit e politikanët që kanë barrën e madhe të vendosin për të tjerët, brenda apo ende jashtë BE-së.
Bota po ndryshon me shpejtësi dhe kaq gjë e dimë të gjithë, ashtu sikundër me siguri të gjithë e dimë se mbyllja në vetvete e BE-së, karshi shpejtësisë së ndryshimit të botës, nuk e bën BE-në as më të fortë, as më të sigurt. BE-ja ka padyshim kundërshtarët e vet të brendshëm, por fatmirësisht janë ende shumë më shumë në çdo vend, qoftë brenda e qoftë ende jashtë BE-së, evropianët që e duan Bashkimin Evropian.
E nëse ideali i BE-së ishte qysh në krye të herës, të siguronte paqen e mirëqenien për miliona njerëz, bilanci është spektakolar, jo vetëm për vendet brenda BE-së, por edhe për ato ende jashtë saj – si për shembull vendet e rajonit tonë që, pikërisht në emër të së ardhmes evropiane, kanë gjetur më në fund rrugën e paqes mesveti, kurse rrugën e mirëqenies së tyre e shohin njësh me rrugën e integrimit në BE.
E pra ky i Bashkimit Evropian është një ideal, për të cilin i’a vlen të luftohet me mish e me shpirt, jo vetëm kundër krimit të organizuar e korrupsionit në vendet që aspirojnë BE-në, si Shqipëria, po edhe kundër forcave ekstremiste që duan t’i imponojnë Familjes Evropiane një axhendë antievropiane nga brenda vendeve të BE-së.
Prandaj nuk mundem të mos e shpreh edhe keqardhjen, që procesi historik i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe fati evropian i vendeve në proces, siç është edhe vendi ynë, të ndërlikohet nga rrethana të brendshme politike apo vigjilje elektorale vendesh anëtare, ku nën ndikimin negativ të forcave ekstremiste, problemet me ekonominë, emigracionin apo papunësinë, kthehen artificialisht në pengesë e politikës evropiane të zgjerimit – që është suksesi më i madh në historinë e transformimit të kontinentit evropian.
Thënë të gjitha këto, përpjekja jonë për ndërtimin e Shqipërisë Evropiane vazhdon pa u ndalur dhe pa humbur kohë të çmuar me çka nuk e kemi vetë në dorë, në rrugën e fatit tonë të shkruar evropian.
Të vazhdojmë të punojmë me ndershmëri e përkushtim të plotë, për ta rilindur vendin tonë dhe për ta ngritur atë në lartësinë e duhur në sytë e botës.
Të vazhdojmë të ecim më shpejt në rrugën që kemi nisur për të vendosur rendin ligjor dhe rilindur ekonominë kombëtare e familjare të shqiptarëve.
Të vazhdojmë të ndryshojmë cilësisht kulturën politike qeverisëse, për ta vënë shtetin në shërbim të qytetarëve dhe qeverisjen në shërbim të zgjedhësve.
Të bëjmë gjithçka mundemi që askush të mos mund të ketë më asnjë alibi për të penguar kandidaturën dhe më tutje anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, po edhe që gjithkush këtu, në Shqipëri, të mund ta jetojë realitetin e ndryshuar prej zotimeve tona të mbajtura.