Statusi për Shqipërinë, BE e shtyn në Qershor
Bruksel, 17 dhjetor 2013
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian njeh progresin e bërë dhe përpjekjet e intensifikuara nga qeveria e re, por perspektiva e qartë për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë nuk është dhjetori, por do të jetë muaji qershor. Për këtë Shqipëria duhet të punojë mirë dhe është në dorë të saj që statusi të meritohet. Ishte ky mesazhi sot nga Brukseli për vendimin mbi Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën sot në Bruksel lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për statusin e Shqipërisë.
“Statusi për Shqipërinë. Do kthehemi në qershor për këtë”, ishte vendimi i ministrave të jashtëm të BE-së në një konferencë për shtyp.
“Presim që Shqipëria të punojë mirë. Është në dorën e Shqipërisë për të marrë statusin në qershor”, u shpreh eurokomisioni Fule gjatë konferencës për shtyp.
Fule më tej vlerësoi hapat që ka kryer shteti shqiptar në rrugën drejt integrimit si dhe konsensusin e arritur nga klasa politike. “Shqipëria ka bërë hapa impresiv përpara, sidomos reforma e integrimit në shumë fusha, nga shtatori nuk ka shumë, por qeveria dhe parlamenti i ri kanë treguar se kanë mundësi për të mbajtur një konsensus politik. Bëhet fjalë për konsensusin dhe siç e thashë në shënimet e mia është çështje kohe dhe Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe do vijojë me reformat dhe kjo çështje do zgjidhet në të ardhmen”.
“Nuk ka kushte të reja, por statusi nuk do të jepet direkt”
Jo kushte të reja përvec atyre ekzistuese, megjithatë BE do të vijojë të mbajë nën mbikëqyrje punën me reformat, ecurinë me to dhe dialogun në klasën politike shqiptare. Këto theksoi lidhur me Shqipërinë sot Fule në konferencën për shtyp në Bruksel mbi cështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Nuk do ketë një status që do jepet direkt, është cështje kohe. E kam bërë të qartë, pozitën e Këshillit të BE që Shqipëria ka ecur përpara dhe që vendet anëtare gjithashtu duhet të plotësojnë. Sigurisht janë dhe ato 3 cështjet e rëndësishme, që sic janë nuk ka kushte shtesë dhe kjo është e rëndësishme për gjithë vendet anëtare. Dhe së dyti, ka pasur vlerësim dhe mirënjohje për punën e bërë dhe ajo dallohet dhe në një prej paragrafëve që është specifik për progresin e bërë nga Shqipëria dhe elementi i tretë është parashikueshmëria që është e rëndësishme për pjesën më të madhe të vendeve anëtare dhe që i referohet takimit të ardhshëm të BE në Qershor që bazohet në raportin e komisionit. Unë mund të flas më tepër, kam qenë në Shqipëri para pak kohësh dhe për të nisur dialogun për prioritetet kyçe dhe kam njohur një dialog si me qeverinë ashtu dhe me opozitën, lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, dhe jam i befasuar për bashkëpunimin me mes tyre dhe unë besoj fort se këto angazhime do vazhdojnë. Jemi në rrugë të duhur për këtë takim të Qershorit”.
Kryeministri Edi Rama nga Azerbajxhani ku ndodhet për vizitë zyrtare ka reaguar mbi cështjen që Shqipërisë iu shty marrja e statusit të vendit kandidat për integrimin në Bashkimin Europian.
Rama thekson se BE vlerëson arritjet e qeverisë. “BE: Kompromis mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërcit të brendshëm jashtë Shqipërisë. Vlerësohet lart puna e qeverisë po vendimi në qershor”, shkruan Rama në Facebook.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reaguar mbi shtyrjen nga BE të dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Kreu i PD ka bërë fajtore qeverinë e aleancës Rama-Meta.
Në një konferencë për shtyp, Basha e konsideroi si lajm të keq për shqiptarët shtyrjen e statusit. “Shtyrja e statusit kandidat është përgjegjësi e qeverisë Rama dhe vepër e saj”. Sipas Bashës, qeveria e mëparshme la gjithçka gati dhe qeverisë Rama-Meta i kishte mbetur vetëm të shkonte ta merrte statusin. E vetmja gjë që ka ndryshuar në këto muaj, është qeveria, tha ai.
“Shtyrja është përgjegjësi e saj, vepër e saj. Përmes arbitraritetit, paligjshmërisë skandaloze të tyre, goditjes së institucioneve, s’pastrimeve në administratë, goditjen e Policisë së Shtetit, kanë ushqyer fuqishëm skeptikët dhe kanë kthyer në skeptikë fuqi të mëdha evropiane që deri dje ishin pro statusit”, theksoi Basha.