BE-ja midis vetvetes, Shqipërisë dhe Holandës
Nga Zeno Jahaj, botuar në Balkanwen, 16 dhjetor 2013
Bashkimi Europian është përpara provave jo të vogla brenda vetes për të mbijetuar. Të tilla janë edhe zgjedhjet parlamentare europiane që do të mbahen në maj 2014, të cilat mund të bëhen një lloj arene, ku forcat ultra të djathta pritet të sfidojnë për të marrë më shumë iniciativë. Një pritshmëri e tillë, sipas shumë vëzhguesve, mund të çojë në rritjen dhe forcimin e nacionalizmave të ringjallura europiane, si dhe në krisjen e madhe të vetë Bashkimit Europian. Kësisoj, Bashkimi Europian është përpara një dileme më të madhe sesa t’i humbë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, apo t’i japë Holandës, më saktë gjysmës së djathtë të saj, fitoren e parë.
Holanda, – dikur promotori i integrimit europian dhe themeluesi i Bashkimit Europian, – sot duket se kërkon të nisë një proces në kahje të kundërt. Udhëheqësia e djathtë e Holandës, saktësisht udhëheqja e Partisë së Lirisë, pasi ka lidhur aleancë me Frontin Kombëtar të Marine Le Pen në Francë dhe në kërkim të aleatëve të tjerë, ëndërrojnë që votuesit europianë të përmbysin raportet në këto zgjedhje me qëllim që të vihet në pikëpyetje vetë ekzistenca e Bashkimit Europian. Geert Wilders, udhëheqës kryesor i kësaj partie, është deklaruar se Europa nuk është një shtet-komb, e si e tillë nuk mund të ndërtojë institucione të përbashkëta demokratike, sepse demokracia mund të ekzistojë vetëm në shtete-kombe. Ai nuk kërkon thjesht reformimin e Bashkimit Europian – një proces i natyrshëm për këtë organizatë, – por një zgjidhje më radikale: zëvendësimin e tij me shtete- kombe, të lira nga zinxhirët e Brukselit.
Për të djathtën holandeze, nëse Europa ka kuptim, ajo duhet të mos përzihet me myslimanët. Geert Wilders vlerësohet të jetë politikani me fobinë më të pakontrollueshme antimyslimane në Europë. Me çka vendosi qeveria e kryeministrit Mark Rutte -udhëheqës i Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci, – për të mos i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, tej standardeve që normalisht kërkohen e që drejtësisht justifikohen për rastin e Shqipërisë, duket se është në të njëjtat pozita me Partinë e Lirisë të Geert Wilders. Ky i fundit mendon se nuk ka vend për islamin në kontinentin europian, por nuk dihet se për cilin islam e ka fjalën. Për mungesë informacioni, për paragjykim, por më shumë për shkaqe akoma më të thella, duket se renditet edhe Shqipëria si vend mysliman, duke rikrijuar kështu mure të reja, pikërisht brenda Europës.
Plot njëqind vite më parë, pikërisht në 1913-ën, Europa negocionte Shqipërinë për të ruajtur vetveten. Më 19 dhjetor 2013, Bashkimi Europian nuk negocion më Shqipërinë, as Holandën, por vetveten. Në ato kohë, Europa kishte bindjen se pavarësimi i Shqipërisë do të mënjanonte burimin e trazirave në Ballkan. Prandaj Europa kërkoi me çdo kusht zgjidhjen: krijimin e një shteti shqiptar, sido që të ishte, në fakt një gjysmëzgjidhje, duke i mbetur borxh, sidoqoftë, kombit shqiptar për gjysmëzgjidhjen tjetër, çka e detyroi t’i rikthehej gjysmëzgjidhjes tjetër plot pas 100 vjetësh. Europa, duket se e kishte një brengë për vendin dhe kombin me identifikimin më europian të gadishullit Ballkanik, që kishte shkruar historinë e qëndresës në mbrojtje të kontinentit.
Shqiptarët janë pjesë e organizmit europian, e fatit të Europës, e gjeografisë, kulturës, civilizimit dhe vlerave të saj. Identiteti shqiptar është identitet europian. Ruajtja e identitetit kombëtar ka qenë arma kryesore jo vetëm e mbijetesës shqiptare, por shumë më tepër sesa kaq. Identiteti kombëtar shqiptar ka shërbyer, njëherësh, për të mbajtur gjallë rrënjët e Europës, pikërisht aty ku Europën kanë synuar ta çrrënjosin. Shqiptarët janë ndjerë europianë jo vetëm me identitetin e tyre, por në radhë të parë me shpirtin, qëndresën dhe besimin e tyre në vlerat europiane, me historinë, gjuhën dhe me të gjithë panteonin e tyre. Europianët mund të konstatojnë fare lehtë se në ç’masë e aplikojnë islamin shqiptarët apo emigrantët shqiptarë në Holandë ose në çdo vend tjetër të Europës. Me siguri do të gjejnë se shqiptarët në Shqipëri e në Europë identifikohen krejt natyrshëm si qytetarë, si shqiptarë e si europianë, madje edhe në besimin e hershëm të të parëve të tyre.
Bashkimi Europian ka të drejtë të kërkojë nga shqiptarët standarde europiane të sjelljes, shtet ligjor, çrrënjosje të korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, drogës etj. Por Bashkimi Europian e ka për detyrë gjithashtu të mos fshihet pas gishtit, për të pranuar se droga, trafiku, krimi i organizuar etj., as nuk fillojnë e as nuk përfundojnë në Shqipëri.
Europa e di se një Shqipëri e lënë mënjanë nuk është në të mirën as të Shqipërisë, as të vetë Europës. Përkundrazi. Duke pranuar Shqipërinë me statusin e vendit kandidat, Europa vë në provë vetveten për të kryer jo vetëm një akt civilizimi, por edhe një vepër të madhe shpëtimi: shembjen e mureve artificiale brenda saj. Europa nuk është Europë pa Shqipërinë, Kosovën apo Bosnjë-Hercegovinën.
Më 19 dhjetor Europa mund të japë ndoshta edhe një gjysmëstatus për Shqipërinë. Por gjysmëstatusi nuk është zgjidhje. Është thjesht një gjysmëzgjidhje. Shqipëria dhe vetë Europa kanë vuajtur më shumë pikërisht nga gjysmëzgjidhjet. Europa, Holanda posaçërisht, duhet ta kujtojë sot këtë faj të saj të kryer në kohët moderne, pikërisht ndaj një populli europian si boshnjakët e Srebenicës, ku gjysmëzgjidhja kushtoi aq shtrenjtë.