Thanas, shtrëngo rripin!

Nga Artan Hoxha, botuar në Panorama Online, 16 dhjetor 2013

PARAJSA, PURGATORI DHE FERRI FISKAL I KRYEMINISTRIT!
Më në fund, pas shumë përpëlitjesh, konfuzioni e (keq)informimi, qeveria miratoi projektin për paketën fiskale dhe buxhetore 2014. Kryeministri shpalli “më pak taksa për 97% të taksapaguesve”, duke përmirësuar me 2% premtimin e tij elektoral. Një copëz parajse, për momentin modeste, do të zbresë në tokë si dhuratë kryeministrore. “Drejtësi e ndershmëri fiskale. Kush fiton më pak, do paguajë më pak”, tha, vendosi e vulosi Ai.
Edhe ata 3% nuk do të përfundojnë në ferrin fiskal, por në purgator. Ngarkesa do t’u rritet ca, por jo aq shumë. Kryeministri vuri dorën në zemër. Nga mirësia kryeministrore u përjashtuan fare pak, dhjetëra syresh, shërbëtorë të regjimit të Saliut, që ferri i pret me mjete të tjera alternative, por këta nuk përbëjnë as 0.1% të totalit.
Ndaj, ia vlen të ndriçohet drejtësia kryeministrore, me ca llogaritje. E ndonëse kemi të bëjmë me Rilindje alla franga, llogaritjet na duhet t’i bëjmë alla turka, pra me lekë të vjetra.
PERFITOJNE APO HUMBASIN ATA ME RROGA TE ULETA E TE MESME?
Cilido që sot merr një rrogë mujore nga 300 mijë lekë deri në 1 milion e 300 mijë lekë, do paguajë më pak sesa paguante më parë, sipas taksës 10%. Për dikë me rrogë 400 mijë në muaj, në vend që të paguajë 40 mijë, do të paguajë 13 mijë, pra 27 mijë lekë më pak. Ai me rrogë 500 mijë do të paguajë 24 mijë më pak, ai me rrogë 600 mijë do të paguajë 21 mijë më pak e kështu me radhë. Sa mirë!
Por, rrogat nuk do të rriten në 2014-n dhe me inflacion minimal 2%, rroga do të vlejë 2% më pak. Ajo 300 mijë do të vlejë 6 mijë lekë më pak, ajo 400 mijë 8 mijë lekë më pak, ajo 500 mijë 10 mijë lekë më pak, ajo 600 mijë 12 mijë lekë më pak e kështu me radhë. Zbritini këto nga përfitimi përkatës i taksës dhe shihni rezultatin. Sa keq!
Këta rrogëtarë, në shtet a privat, do t’u duhet të shpenzojnë 100 lekë më shumë për çdo litër naftë a benzinë. Se sa karburant shpenzojnë në muaj e dinë vetë e po vetë mund t’i bëjnë hesapet, por le të supozojmë se konsumojnë 100 litra në muaj dhe, pra, do të shpenzojnë 10 mijë lekë më shumë vetëm nga rritja e akcizës, shto këtu edhe efektin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), e kjo shumë bëhet 12 mijë lekë, pa llogaritur këtu rritjen shtesë të çmimit si kundërpërgjigje e tregtarëve sa herë që rritet një taksë. E, nëse rrogëtari nuk ka makinë, le ta bëjë hesapin me rritjen e mundshme të çmimit të biletës me p.sh. 100 lekë, me 2 bileta në ditë vajtje-ardhje dhe 30 ditë të muajit që bëjnë 6 mijë lekë. Zbritini këto nga përfitimi përkatës i taksës dhe shihni rezultatin. Sa keq!
Këta rrogëtarë nuk kanë mundësi të tjera, veçse për zbavitje modeste, si p.sh. një kafe te kafeneja pranë punës apo tek ajo e lagjes e mbrëmjet shpesh i kalojnë te lokali aty pranë duke parë ndeshje futbolli me ndonjë gotë birrë. Se sa do t’u duhet të shpenzojnë më shumë për shkak të rritjes së akcizës, le ta bëjnë vetë llogarinë e ta zbresin nga përfitimi i taksës ose të heqin dorë edhe nga këto zbavitje. Sa keq!
Natyrisht që, kur të blejnë ilaçe, nuk do të ketë më TVSH 10% se ajo do të bëhet zero, por edhe fondi përkatës i subvencionit të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore do të pakësohet me vlerën ekuivalente të këtij 10%. Qeveria e kaluar e vuri TVSH 10% dhe rriti fondin kompensues të Institutit. Qeveria e re heq TVSH 10% dhe ul po aq fondin kompensues. Praktikisht dalim në të njëjtën qafë, pa llogaritur këtu që ndoshta çmimi nuk do të ulet me 10% a ndoshta nuk do të ulet fare, ndërsa fondi kompensues është zeruar tashmë. As mirë e as keq. Në fakt, më shumë keq sesa mirë.
Pas gjithë kësaj, bëjini hesapet dhe jepini përgjigje pyetjes së shtruar, duke konsideruar edhe lloje të tjera taksash që rriten e do t’ju dalë keq e mos më keq. Për më të paktit e më fatlumët, kokoshi që do të përfitojnë nga ulja e taksës, në fund të llogaritjeve do t’u reduktohet në ca kaushë kokoshkash.
PERFITON APO HUMBET BIZNESI I VOGEL?
Një biznes i vogël që fiton 10 milionë lekë në vit, do të paguajë taksë 750 mijë e jo më 1 milion lekë, pra 250 mijë më pak në vit. Sa mirë!
Por, se sa harxhojnë për transport mallrash e furnizimesh apo për nevoja familjare, gjithashtu e dinë vetë, por le të supozojmë 6 litra në ditë, apo 200 litra në muaj, apo 2400 litra në vit dhe, pra, 240 mijë lekë më shumë vetëm nga akciza shtuar edhe 48 mijë nga shtesa e TVSH mbi akcizën, e që vetëm këto e firuan ç’fitoi nga taksa. Sa keq!
Kësaj mund t’i shtohet edhe 2 mijë lekë taksë më shumë për çdo metër katror të dyqanit p.sh. prej 40 metrash pra, 80 mijë lekë më shumë taksë në vit dhe biznesmeni del rruar e qethur me kaq e le pastaj nëse konsiderohen edhe efekte të tjera të taksave të ndryshme që rriten, si ajo për sigurimin shëndetësor e të tjera gjithashtu. Keq e mos më keq!
ME SHUME BARAZI APO PABARAZI?
Kryeministri e ka quajtur padrejtësi të madhe që dy shqiptarë, që fitojnë njëri më shumë e tjetri më pak, të paguajnë të dy 10% të asaj që fitojnë respektivisht. Sipas tij, 10% e atij që fiton më pak, rëndon më shumë se 10% e atij që fiton më shumë. Ndaj, ai vendosi taksimin progresiv mbi rrogëtarët. Le të biem dakord që një farë drejtësie e ndershmërie në drejtimin vertikal të të ardhurave nuk është keq dhe ca progresivitet i bën mirë sistemit.
Gjithsesi, ky do të ishte parimi social Nr. 2 i sistemit fiskal, pasi parimi social Nr. 1 i tij është që dy njerëz me të ardhura të njëjta duhet të paguajnë të njëjtën taksë. Sistemi fiskal i qeverisë, duke dashur të krijojë drejtësi e ndershmëri vertikale, ka shkaktuar shumë padrejtësi e pandershmëri horizontale mes njerëzve me të ardhura të njëjta që do të paguajnë shuma të ndryshme taksash.
Le ta fillojmë që me taksën e banesës për të cilën, taksa e atyre të ndërtuara para 1993, pra në komunizëm, e cila, nga 150 lekë për metër katror në vit, bëhet 300 lekë duke u barazuar me taksën e banesave të ndërtuar në kapitalizëm. Në origjinë, ky diferencim u bë duke konsideruar cilësitë dhe vlerën fare të ndryshme të tregut mes këtyre lloje banesash e, kur dihet që ato të ndërtuara në komunizëm kërkojnë më shumë shpenzime mirëmbajtjeje dhe ngrohjeje për metër katror, krahasuar me ato të ndërtuara në kapitalizëm. Në këto ndërtesa jetojnë më së shumti rrogëtarët me rroga të ulëta e modeste, si edhe të varfrit, të cilëve tashmë, krahas taksave të rritura për disa lloje mallrash, u shtohet, për një banesë p.sh. 60 metra katrorë, edhe 9 mijë lekë më shumë në vit. A nuk është ky një penalizim i atyre që kanë e fitojnë më pak, kur fqinjët e tyre në lagje me shtëpi më cilësore e të ardhura më të larta do të paguajnë njësoj për çdo metër katror e do të shpenzojnë më pak për mirëmbajtje e ngrohje? A nuk është kjo në kundërshtim me vetë parimin Nr. 2 të sistemit që shpall Kryeministri?
Le të konsiderojmë një biznes të vogël, p.sh. një avokat, një parukier, një bojaxhi, një marangoz, elektricist, IT, që fiton në vit (diferenca e të ardhurave me shpenzimet) po aq sa një rrogëtar, në shtet a privat, me rrogë mujore 1,5 milionë lekë apo 18 milionë lekë në vit. Për këtë fitim, këtyre lloj bizneseve u duhet një xhiro shumë më e vogël se kufiri 80 milionë lekë në vit, ndaj, kryesisht janë biznese të vogla. Biznesmeni do të paguajë në vit vetëm 1 milion e 350 mijë lekë, ndërsa rrogëtari do të paguajë 2 milionë e 112 mijë lekë në vit. A nuk është kjo një shkelje e parimit që, për të ardhura të barabarta, taksa duhet të jetë e njëjtë?
Një biznes që bën një xhiro pak më të madhe se 80 milionë lekë në vit e që fiton p.sh. 15 milionë, do të paguajë një taksë 15% ose 2 milionë e 250 mijë lekë ose 2 herë më shumë se një biznes që bën një xhiro prej pak më pak se 80 milionë lekësh në vit e që fiton po aq, pra 15 milionë lekë, i cili do të paguajë 7.5% të fitimit ose 1 milion e 125 mijë lekë. Kjo është një tjetër padrejtësi që rikthehet pas kaq vitesh dhe një nxitës i fortë që shumë biznese të fshehin xhiron dhe/ose të ndahen në pjesë fiktive në mënyrë që të figurojnë si biznese të vogla, duke përfituar kështu nga “sistemi që prish njeriun”, siç thotë Kryeministri.
Një biznes jo i vogël, që fiton në vit p.sh. 20 milionë lekë, do të paguajë taksë fitimi prej 15%, një rrogëtar me po aq rrogë vjetore do të paguajë taksë po aq ose më shumë, ndërsa një individ që jep me qira prona apo ka në bankë depozita nga të cilat merr në vit 20 milionë lekë, do të tatohet vetëm 10%, ndonëse biznesit i duhet ta thinjë përditë kokën e rrogëtarit, i duhet të djersijë në punë orar pa orar e të mbajë përgjegjësi, ndërsa rentieri mund të gjerbë kafe e tymosë duhan pa e prishur terezinë. Brenda konceptit të progresivitetit, a nuk duhej të zbatohej e kundërta? A nuk është kjo një pabarazi e njëherazi nxitje e sistemit në favor të dembelizmit e kundra sipërmarrjes dhe punës, veçanërisht asaj të kualifikuar?
SISTEMI RILINDES VECSE I KEQ EDHE PER EKONOMINE, EDHE PER SHOQERINE
Që ky sistem është kundër prodhimit, investimit, punës dhe dijes, këtë e kupton çdo njeri me dy pare mend në kokë e për këtë as që ia vlen të zgjatesh.
Por, ky sistem, ndryshe nga çka propagandohet nga qeveria si një sistem që vendos ndershmëri e drejtësi, është edhe më i padrejtë edhe më i pandershëm se ai i mëparshmi, pasi, në emër të drejtësisë vertikale në të ardhura, krijon diferencime e pabarazi mbi një parim edhe më të madh, atë të barazisë mes subjekteve me të ardhura të njëjta.
Së fundmi, paketa fiskale nuk u jep asgjë atyre shqiptarëve me të ardhura të ulëta e modeste, ndonëse duket sikur i favorizon. Në fund, llogaritë dalin se edhe këta shqiptarë humbasin. Qeveria me një dorë u jep e me dy duar u merr më shumë. Lidhur me këtë çështje të fundit, më e ndershme për Kryeministrin do të ishte të thoshte që të gjithë do të shtrëngojnë rripin vitin 2014, e disave, që fitojnë më pak, do t’u duhet të hapin një vrimë e ca të tjerë, që fitojnë më shumë, dy e më shumë vrima e jo të na shesë, siç po bën, ferrin për parajsë.
Ndaj, me ca llogaritje dhe analiza, s’po bëj gjë tjetër veçse po ju rikujtoj fatin e Thanasit tek ai filmi i vjetër grek që transmetohej çdo javë në kohën e qepës, film të cilin grekët e përjetuan në botën reale këto vitet e fundit e që, me sa duket, do e përjetojmë edhe ne shqiptarët vitin e ardhshëm.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi