Për një Republikë të Pestë të Shqipërisë
Nga Romeo Grurakuqi, botuar në Panorama Online, 13 dhjetor 2013
Funksionimi i sistemit të qeverisjes, performanca përgjegjshmëria dhe shpjegueshmëria e sistemit politik në Shqipëri nuk mund të kuptohen pa analizuar marrëdhëniet që ekzistojnë në mes agjentëve kryesore institucionalë të shtetit, që e kanë çuar vendin në prag të kolapsit funksional dhe krejt larg parametrave të një demokracie të mirëfilltë liberale. Shqipëria ndodhet prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh nën menaxhimin e një bashkësie politike shumë komplekse, me thelbe qytetarie e intelektualizmi të paplota, së cilës i rrjedhin pranë e pranë lumi punist, orientalist e ballkanik dhe një përrua i tharë liberal. E dallueshme për uncommon sense e vet, mungesën e përgjegjësisë për të respektuar balancat krahinore dhe religjioze, bashkësia e ka çuar vendin në pragun e një ballafaqimi civil, të cilin vetëm ajo nuk e shikon në derën e Shqipërisë së rrënuar tërësisht në shpirtin e saj, në unitetin e saj të brendshëm.
Shqipëria është një demokraci elektorale, por që nuk ka arritur të bëhet një demokraci liberale, sepse nuk garanton respektimin e lirive civile, nuk mbron dot jetën, një operim të fuqishëm të sundimit të ligjit dhe rendit, një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, nuk ka bërë një proces dekomunistizues dhe të transparencës së dosjeve të diktaturës, një shkëputje të plotë nga nepotizmi, klientelizmi e korrupsioni. Shteti shqiptar sot gjendet nën veprimin e kastave sunduese dhe kontrolluese të institucioneve, të ekonomisë dhe strukturave të padukshme, nën një kontroll të plotë të jetës së brendshme politike nga parti që janë ose klienteliste, ose jo demokratike.
* * *
Përveçse rezultat i trashëgimisë së sipërpërmendur dhe e veçorive që mban të ndrydhuna bota e prapambetur sociale e kulturore shqiptare, ajo është, ndër të tjera, rezultat i një Kushtetute të mangët të vitit 1998, të cunguar më tej në vitin 2008. Pra, jeta politike shqiptare është prodhim edhe i sistemit të ngritur pamjaftueshmërisht. Ajo Kushtetutë e ka vendosur jetën e brendshme politike para tronditjeve të thella, të cilat riciklohen sa herë që lind nevoja e zgjidhjeve institucionale të radhës, sa herë që afrohen zgjedhje e duhet të bëhen emërime. Vendi ndodhet para nevojës për një Kushtetutë të re, të detajuar, të hollësishme dhe korrigjuese të sëmundjeve që po e bëjnë të vuajë shtetin e Shqipërinë, një Kushtetute që rindërton unitetin tonë të brendshëm nacional dhe kulturor.
Kësisoj, jo kthimi në kornizën konstitucionale të vitit 1998, që do t’i mbajë gjallë sërish padrinot e së keqes në Shqipëri, pronarët e paligjshëm të pronave të publikut, por reformimi në disa prej kapitujve themeltarë të Kushtetutës (roli i kreut të shtetit, rindërtimi i sistemit të Drejtësisë, një kapitull të gjerë shtesë mbi krahinat dhe grupimet kulturore, përfaqësimi i tyre dhe një kapitull mbi mënyrën e krijimit të një qeverie të balancuar kulturalisht dhe krahinarisht) siç bëri Italia në vitin 2001, ose reformimi tërësor i sistemit kushtetues nëpërmjet transformimit të Republikës së pastër parlamentare në Republikë gjysmëpresidenciale, do të ishte qasja më e arsyeshme. Vetëm kështu Shqipëria do të hyjë realisht në fazën e Republikës së saj të Pestë (këtë reformim e kanë bërë përgjithësisht disa prej vendeve postkomuniste që kanë synuar përforcimin e veprimit reformativ në rrugën integruese e europianizuese, nën shembullin e Francës së 1958-s, së cilës iu desh të minimizonte rolin e partive politike viktima të klientelizmit dhe korrupsionit).
Hapi i parë që do t’i duhet të zgjidhë shumica e re, jo pa pjesëmarrjen e opozitës, mendoj se mund të jetë reforma konstitucionale, që do t’i hapë rrugën më tej reformës institucionale, reformës së sistemit gjyqësor, reformës administrative të ndarjes së re të qarqeve, bazuar në veçoritë krahinore dhe kulturore. Madje, nuk mendoj se mund të përfundohet një reformë administrative territoriale pa kryer një reformë kushtetuese. Klasës politike shqiptare, ndihmuar prej konstitucionalistëve, do t’i duhet të bëjë zgjidhjen në mes transformimit të Republikës, në parlamentare me President Korrektiv (Parlamentary with President), apo transformimit të plotë të Republikës drejt gjysmëpresidencializmit (President Parlamentary).
Në qoftë se parimisht do të mendohet që të ruhet Republika parlamentare, ajo do të mund të shndërrohet së paku në Parlamentary with President, sepse kështu siç është, ndodhet në impasse dhe në pamjaftueshmëri totale vepruese. Në këtë rast, ndryshimi kryesor që mund të bëhet në sistemin tonë është zhvendosja e pozicionit të kreut të shtetit nga një institucion i dobët, në një institucion në mënyrë të moderuar i fuqishëm, gjë që është e mundur edhe për sistemet parlamentare me mjaft shembuj në Europë. Rasti më tipik është ai italian, ku Presidenti i Republikës është një organ monokratik, i paanshëm, apolitik, që nuk ushtron funksione aktive të qeverisë, por ka detyrën e rëndësishme për të vëzhguar nga sipër të gjitha pushtetet dhe ekuilibrat e parashikuar nga Kushtetuta, në mes organeve të ndryshme të shtetit. Synimi vëzhgues është që Presidenti të kontrollojë që asnjë institucion të mos mbivendoset mbi të tjerat dhe të verifikojë që janë të kontrollueshme parimet dhe vlerat themeltare të sanksionuara nga vetë themeli i shtetit. Në rast se do të vendoset që Republika jonë të mbetet edhe në vijim një Republikë parlamentare, ajo duhet të bëhet edhe me një institucion presidencial të fuqishëm, roli i kreut të shtetit do të duhet të ridimensionohet; atij do të duhet t’i artikulohen dhe shtohen qartë pushtete të rëndësishme që lidhen me funksionet legjislative, ekzekutive, përveç atyre juridike që i ka, dhe njëkohësisht pushtetet ndërmjetësuese e të vëzhgimit të interesave të publikut, që në situacionin aktual juridiko-konstitucional janë munguese (Shqipëria është një Republikë Pure Parlamentary).
* * *
Palët politike shqiptare, pikërisht për këtë mungesë, kanë luajtur të qeta, pa asnjë arbitër të brendshëm dhe janë ballafaquar mes vetes egërsisht dhe me kosto destabilizuese sa herë interesat e tyre, jopublike e joparimore, janë vënë përballë. Institucionit të kreut të shtetit do t’i duhet t’i forcohen kompetencat e nxjerrjes së akteve me drejtim presidencial, sidomos ato që kanë të bëjnë me emergjencat politike në vend. Por, sa më sipër, a është e gjitha çfarë ofron një Republikë parlamentare me President Korrektiv?
Transformimi i sipërshënuar do të përmirësonte ndjeshëm rolin e kreut të shtetit si arbitër ndërinstitucional, shprehës i interesave të publikut në tanësi dhe si garant i rendit, por se nuk do të zgjidhte një seri mangësish të shtetit, të politikës shqiptare; nuk do të ndalonte kontrollin e politikës nga krimi i organizuar dhe monopolet dhe, mbi të gjitha, do ruante edhe më tutje kontrollin partiak mbi kompozimin e Ekzekutivit, ndërhyrjen e partizave e simpatizantëve të tyre në rrjepjen e Ekzekutivit, e, për rrjedhojë, vendi do të gjendej edhe më tutje nën një destabilitet, nën një transformizëm politik permanent, kapluar nga një sistem i drejtësisë nën kontrollin e ekzekutiveve apo interesave vetjake të domenit të Juridikut, apo nën një trafik të dhimbshëm interesash klienteliste dhe nepotike mes individëve të institucioneve.
Në qoftë se një reformë e thellë e sistemit nuk do të ndërmerret, unë mendoj se Principal-Agency Problem do të jetë një fenomen që do ta shoqërojë edhe qeverisjen aktuale, pasi është kjo kornizë konstitucionale parlamentare që e prodhon.
Kësisoj, një reformë rrënjësore konstitucionale, që do të ndërmerrte plotësimin e të gjitha boshllëqeve ligjore dhe njëkohësisht do të parashikonte mekanizmat konstitucionalë për shmangien e ligësive të sistemit politik dhe sëmundjeve të lindura nga sistemi, do të ishte një prej mënyrave të shpëtimit dhe shërimit të Republikës, shpëtimit të shtetit dhe institucioneve të tij, tashmë shumë të komprometuara dhe të padenja për të qenë pjesë e familjes europiane.
* * *
Unë mendoj se Republika e Pestë e Shqipërisë do të duhet të jetë një Republikë gjysmëpresidenciale, e kuotuar teorikisht si: President-Parlamentary.
Nevoja për një të tillë është e lidhur me kërkesat në rritje të opinionit të shëndoshë, për pjesëmarrjen e forcave intelektuale jopartizane në qeveri, me domosdoshmërinë e një shkëputjeje më të madhe të interesave partiake nga drejtimi qeveritar, me reduktimin e incentivave për politikanët e zgjedhur në kontrollin e portofolave ministerialë dhe departamentalë. Në qoftë se do të duhet të rreshtojmë disa arsye për këtë transformim, unë do të vendosja:
1) Zvogëlimi, në mos zerimi i ndërhyrjes së partive politike mbi portofolat qeveritarë; kodifikimi i mënyrës dhe forcës së kontrollit të partive mbi të njëjtat. 2) Nevoja e ndërhyrjes së faktorit unitet i kombit dhe institucionit përfaqësues i interesave të publikut në kompozimin e qeverisë. Në sistemin gjysmëpresidencial kabineti do të jetë produkt i negociatave në mes Presidentit dhe Kryeministrit, e, për rrjedhojë, ky komponent i dytë do jetë më aktiv. 3) Dobësimi i marrëdhënieve parti-qeveri, që përbën një domosdoshmëri në sistemin shqiptar, mbasi përdorimi partizan i qeverisjes po rrënon qëndrueshmërinë administrative, performancën dhe ekspertizën e administratës, sjelljen e përgjegjshme ndaj publikut që kjo administratë duhej të mbajë. 4) Nevoja për sigurimin e kontrollit të disa portofolave të rëndësishëm nga ana të besuarve të kreut të shtetit, dhe këtu kam parasysh, së pari, vetë Kryeministrin, që nuk mund të jetë më një sfidant i Presidentit, por një bashkëpunëtor në të mirë të interesave publike; ministrin e Financave, atë të Jashtëm, ministrin e Mbrojtjes dhe atë të Drejtësisë. Të gjithë këto tagra kushtetues i japin Presidentit të Republikës një ndikim më të madh mbi politikën dhe më shumë patronazh pushtetesh, duke reduktuar rolin e partive politike, klientelave partiake dhe atyre familjare, që në këtë vend janë bërë tmerr për njerëzit e thjeshtë që duan të kenë shpresë në të ardhmen. Ky hap, mendoj unë, është një mekanizëm kushtetues që mund të ulë ndikimin e partive në ndërtimin e qeverive, sidomos mbi dikasteret kryesore të tij, minimizon kthimin e dikastereve të akorduara partive në koalicion, në domene grabitjeje partiake dhe hap rrugën drejt depolitizimit real të administratës së lartë të shtetit. 5) Sistemi gjysmëpresidencial i formatit President-Parlamentary, hap rrugën për përfshirjen në qeveri të një përqindjeje të spikatur ministrash teknicienë, të cilët tipikisht kanë një përgatitje të caktuar administrative, janë jopartiakë dhe janë të caktuar për shkak të ekspertizës së tyre teknike. Formati i lartpërmendur hap rrugën edhe për emërimin e teknicienëve nga bashkësitë fetare minoritare, të harruara nën ombrellat partiake, madje edhe të përsekutuara në heshtjen e një shteti pa vetëdije, nga individët me paragjykime të trashëgueme nga e kaluemja. Rasti më tipik është goditja sistematike që po kryhet aktualisht ndaj qytetarëve të Shkodrës në administratën qendrore, veçanërisht në administratën e Parlamentit dhe në disa prej dikastereve kryesore. Ky është një zhvillim për t’u shënuar nga ndërkombëtarët para vendimit mbi dhënien e statusit Shqipërisë. Pozita aktuale do të duhet të kuptojë se Shqipëria është edhe atdheu i atyre që nuk aderojnë në asnjë parti politike dhe që kanë madje alergji për ato dhe për prerjet e tyre antidemokratike dhe klienteliste. Formati aktual kushtetues u mundëson partive të shmangin përgjegjësitë, përndryshe reforma në kuptimin e përshkruar më sipër i përfshin shqiptarët pa dallim në sistemin politik dhe administrativ.
Republika gjysmëpresidenciale e implementuar për herë të parë me Kushtetutën franceze të vitit 1958, është konceptualizuar për herë të parë teorikisht prej Maurice Duverger në vitet 1970. Ky tip regjimi politik përmban tri karakteristika themelore, secila ndërtuar për një funksionalitet të caktuar korrigjues të sistemit parlamentar: (a) Presidenti i zgjedhur me votim të përgjithshëm; (b) zotëron pushtete të konsiderueshme; dhe (c) ka përballë një kryeministër e ministra të cilët zotërojnë pushtete ekzekutive dhe qeverisëse dhe mund të qëndrojnë në detyrë vetëm në qoftë se Parlamenti nuk shfaq opozicion ndaj qeverisë. Nga ana e tij, Giovanni Sartori, regjimeve gjysmëpresidenciale u vesh pesë karakteristika: 1) Kryetari i shtetit (Presidenti) zgjidhet me votë popullore, për një mandat të caktuar. 2) Ai e ndan pushtetin ekzekutiv me Kryeministrin, duke krijuar kështu një strukturë autoriteti dual, strukturë, e cila përmban këto tri kritere vijuese. 3) Presidenti është i pavarur nga Parlamenti, por nuk mund të qeverisë vetëm ose drejtpërdrejt dhe prandaj vullneti i tij duhet të përcillet përmes qeverisë së tij. 4) Në mënyrë të përkundërt, Kryeministri dhe kabineti i tij janë të pavarur nga Presidenti për sa kohë ato janë të varur nga Parlamenti: Kryeministri dhe Qeveria janë subjekte të votëbesimit dhe mosbesimit të Parlamentit dhe në të dyja rastet është e nevojshme mbështetja e një shumice parlamentare. 5) Struktura duale e autoritetit të gjysmëpresidencializmit jep mundësi për balanca të ndryshme dhe zhvendosje në mbizotërimin e pushtetit në mes Ekzekutivit, nën kushtin strikt që “autonomia potenciale e secilës njësi përbërëse të Ekzekutivit mbahet në jetë”.
* * *
Nga pikëpamja sistematike dhe përmbajtësore, më precize për impostim të qartësuar, është ndarja e Matthew Shugart, që sugjeron këta katër tipa regjimesh politike, të cilat ne, jo rastësisht i përdorëm në tekstin pararendës: 1) Regjim të pastër Presidencial; 2) Premier-Presidencial; 3) President-Parlamentary; 4) Parliamentary with President dhe 5 Pure Parliamentary. Duke e konsideruar Republikën e Shqipërisë një Republikë të pastër parlamentare (tashmë të dalë mode e të dekompozueme nga funksionaliteti e efikasiteti), vëmendja jonë për reformën, në qoftë se ajo do të vendoset për t’u kryer, do të duhet të përqendrohet në transformimin e Republikës sot drejt gjysmëpresidencializmit, që në vetvete përmban dy kategori kryesore: atë Premier-President dhe atë President-Parlamentary. Një vend i vuajtur ky i yni, nën tiranë të vjetër e të rinj, nën korrupsionistë dhe gangsterë politikë, besoj se nuk e ka të këshillueshme të kopjojë modelin rus të një republike gjysmëpresidenciale, të tipit Premier-President. Presidenti i fuqishëm edhe konstitucionalisht në një vend si i yni, do të ishte një kondicion katastrofal i gatuar me duart e popullit dhe votën e tij. Një vend i prapambetur dhe me një traditë politike liberale të kufizuar si Shqipëria, do të pësonte kështu një dëm shumë të madh në aspektet e lirisë e ruajtjes së përgjegjshmërisë shtetërore. Shqipëria mbase do të duhej të përqendrohej më së shumti në rastin francez të gjysmëpresidencializmit, ose atë çfarë mund të konsiderohet kategoria President-Parliamentary, në të cilën Presidenti nuk ka pushtete formale për të shkarkue një qeveri që mbështetet në një maxhorancë, por ka pushtete të mjaftueshme për të ndarë me këtë qeveri pushtete ekzekutive dhe për të ndikuar në formimin e një qeverie të tillë të bazuar edhe në teknicienë. Në një rast të tillë do kishim një President që do të bashkëjetonte edhe me një qeveri opozitare me atë shumicë me të cilën ai zgjidhet. Edhe një gjë tjetër për t’u saktësuar: pushtetet e Presidentit në një republikë gjysmëpresidenciale të tipit President-Parliamentary për të shkarkuar qeverinë vërtet ekzistojnë, por ato janë vetëm një aspekt i pushtetit të Presidentit dhe përdorimi i tij në praktikë nga Kushtetuta imponohet në mënyrë logjike dhe jo në mënyrë autoritare. Ndikimi i Presidentit bëhet krejtësisht i dallueshëm në dikasterin e Punëve të Jashtme, në të cilin kontrolli i çdo partie fituese duhet të zhduket plotësisht dhe pjesëmarrja e teknicienëve në Diplomaci duhet të jetë i vetmi kriter përzgjedhjeje. Shqipëria ka vuajtur dhe po e vuan ende këtë. Mjafton të shikosh të djeshmen e sistemit e projektimet e sotshme të papërshtatshme të realizuara nga Ekzekutivi aktual, për të kuptuar se jemi në një rreth vicioz ripërsëritjeje të kotësisë, injorancës, tarafit, borxhit dhe afinitetit politik me të djeshmen diktatoriale.
Në fund duhet të theksojmë se në rastin e përzgjedhjes së Presidentit, duhen kuotuar edhe dy parametra plotësues: a) kriteret intelektuale, qytetare dhe gjithëpërfshirëse të staturës presidenciale; dhe b) ndërtimi i Institutit të Impeachment-it.
Publiku dhe ndërgjegjja e dëlirë qytetare e intelektuale e këtij vendi janë të interesuar që sistemi të ndryshojë, të bëhet më kompatibël, më demokratik, më i kontrollueshëm nga masa e gjerë e zgjedhësve. Mendoj që situacioni aktual i sistemit me një regjim parlamentar kaq të dobët nuk e plotëson këtë dëshirë të përhapur në shoqëri. Janë vetëm partitë, me demokraci të brendshme të shkatërruar, ato që e ruajnë këtë status quo kushtetuese dhe ligjore, mbasi fatet e tyre janë të lidhura reciprokisht në ruajtjen e kësaj kornize, të këtij kontrolli, të këtij fuzioni anarkik Ekzekutiv-Legjislativ dhe kësaj përgjegjshmërie foshnjarake në zgjedhjet parlamentare. Por Shqipëria nuk është e tyre.