Rama prezanton paketën fiskale në KEK

10 dhjetor

Tri ditë para miratimit përfundimtar në qeveri, Kryeministri, i ndihmuar edhe nga përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës Botërore, i ka treguar biznesit paketën e re fiskale. Në mbledhjen e dytë të Këshillit Ekonomik Kombëtar janë vënë piketat, edhe pse me kundërshtimin e qartë të biznesit, për rritjen e taksave për sipërmarrjen dhe uljen e tatimit mbi të ardhurat për pjesën më të madhe të rrogëtarëve. Pas disa orësh mbledhje duket se paketa fiskale ka marrë një formë përfundimtare. Gazeta zbardh një pjesë të taksave që do hyjnë në fuqi në janar. Në total efekti vetëm nga shtesa e barrës fiskale arrin në 180 milionë dollarë. Kaq është shuma që do paguajmë më shumë për të njëjtat prodhime dhe shërbime në vitin 2014.

Prezantuesi para kamerave i ndryshimeve fiskale ka qenë vetë Kryeministri. “Taksa 10% ka qenë një fasadë, ku 95% e kompanive janë ndeshur me një forcë që i ka detyruar të paguajnë shumë më shumë jo për llogari të qeverisë, por për llogari të korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë”, ka theksuar Rama. Më pas ai ka prezantuar rritjen e takës për biznesin e madh dhe përgjysmimin e asaj për biznesin e vogël. Rama ka qartësuar lehtësimin fiskal për shëndetësinë, duke e përjashtuar nga TVSH si dhe ka prezantuar politikën e re të taksimit të të ardhurave nga paga, që sipas tij do të mbrojë 95 për qind të rrogëtarëve. Nga ana tjetër, Rama ka treguar se do të paguhen të gjitha borxhet që ka qeveria ndaj biznesit për punët e kryera në vite. Një shifër është rreth 240 milionë USD. Pikërisht për këtë shumë është rënë dakord për një ndihmë si kredi buxhetore nga FMN dhe BB. Kjo, sipas Ramës, do të sjellë korrektësi ndaj biznesit dhe rritje të mundësive të tij për investime të mëtejshme. Rama ka premtuar që në vitin 2014 do të fillojë pagesa e TVSH-së së prapambetur dhe se qeveria do të jetë korrekte ndaj të gjitha bizneseve për rimbursimin e taksave dhe tatimeve.

Me konkretisht:

Biznesi i vogël
Nga 1 janari i gjithë biznesi i vogël nuk do të paguajë sipas tabelave që publikohen nga bashkitë. Është vendosur që bizneset e vogla me xhiro nga 2 deri në 6 milionë lekë në vit të paguajnë 7.5 për qind tatim fitimi. Pra është ulur me 25% tatimi, nga 10 për qind që është aktualisht. Bizneset e tjera me xhiro nën 2 milionë lekë, do të kenë një taksë fikse, por më pak se sa paguajnë aktualisht. Por qeveria parashikon që të dyfishojë taksën e ndërtesës për objektet që përdoren për qëllime biznesi.

Biznesi i madh
Biznesi i madh do të mbajë barrën më të madhe fiskale. Nga 1 janari do të aplikohet rritje me 50% e tatimit mbi fitimin, duke e çuar nga 10% në 15%. Edhe pse e kundërshtuar fort, duket se qeveria e ka vendosur përfundimisht aplikimin e taksë së re. Efektet nga rritja e tatim fitimit llogariten në rreth 60 milionë dollarë më shumë në arkën e buxhetit.

Akcizat
Kafeja, duhani dhe alkooli do të kenë rritje të akcizës. Qeveria duket se është tërhequr nga rritja e akcizës së karburanteve, pasi do të ndjekë një metodë tjetër indirekte. Akciza e paketave të cigareve do të rritet nga 20 lekë nga janari i 2014-s. Aktualisht paguhet 70 lekë për paketë. Por rritja do të vazhdojë edhe në vitet 2015, 2016, 2017 me 10 lekë të tjera për paketë. Parashikohet dyfishimi i akcizës për duhanin e dredhur, nga 1500 lekë për kilogram në 3 mijë lekë.
Rritje do të ketë me rreth 30% për akcizën e alkooleve. Gjithashtu parashikohet edhe vendosja e akcizës për pijet energjetike. Kafeja e pjekur do të ketë dyfishim të akcizës, nga 60 në 120 lekë për kilogram. Të gjitha këto ndryshime pritet të pasqyrohen në çmimet e prodhimeve në treg. Në kuadrin e akcizave pritet që kompanitë koncesionare në fushën e naftës të fillojnë nga janari të paguajnë akcizë për karburantin që përdorin për nevojat e veta.

TVSH
Duket se qeveria është tërhequr nga varianti i rritjes së TVSH në 21 ose 22 për qind. Është vendosur që të gjitha ilaçet dhe produktet apo prodhimet e tjera që i shërbejnë shëndetësisë të përjashtohen nga TVSH. Aktualisht ato paguajnë 10% tatim mbi vlerën e shtuar. Pra nga janari pritet që të ulen çmimet e ilaçeve apo shërbimeve shëndetësore. Është menduar që për shtresat në nevojë, familjet që marrin ndihmë ekonomike apo pagesë papunësie, të subvencionohet 10% e TVSH për energjinë elektrike. Gjithashtu është vendosur që të subvencionohet me 10% TVSH për bukën, miellin qumështin dhe vezën. Skema do të jetë ajo aktualja.

Tatimi mbi pagën
Është akoma një amulli në përpjekjen e qeverisë për ndryshimin e tatimit mbi të ardhurat personale. Varianti i prezantuar dje parashikonte që pagat deri në 130 mijë lekë në muaj të taksohen më pak se sa aktualisht. Kjo parashikon një tatim mbi të ardhurat progresive. Ky në fakt është i vetmi tatim progresiv i paketës së re fiskale. Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë thjesht me rritjen e taksës së sheshtë, nga 10 në 15% për biznesin e madh dhe uljen nga 10 në 7.5% për biznesin e vogël. Sipas variantit të ri, pagat deri në 30 mijë lekë nuk taksohen. Ato nga 30 mijë deri në 130 mijë do të taksohen me 15 për qind për diferencën. Pagat mbi këtë nivel deri në 300 mijë do të taksohen me 20%. Dhe ato mbi 30 mijë me 25%. Sidoqoftë, ky lloj tatimi është akoma i pavendosur, pasi pritet të ketë debate për taksimin e dividentit. Në rast se të ardhurat personale taksohen deri në 25%, atëherë edhe dividenti i kompanive do të taksohet të paktën me të njëjtën vlerë.

Taksat për karburantet
Qeveria ka vendosur të marrë më shumë para nga konsumi i karburanteve. Taksa e qarkullimit rrugor që paguhet në çmimin e çdo litri karburant, do të rritet nga 7 në 12 lekë për naftën dhe nga 7 në 11 lekë për benzinën. Kjo do të sjellë direkt një rritje të çmimit të karburanteve. Aq më tepër që mbi këtë taksë do të paguhet edhe TVSH 20%.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi