Pluralizmi dhe sistemi i oligarkisë

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 11 dhjetor 2013

23 vjet më parë u lejua pluralizmi politik. Pas dy dekadave një parti e vjetër/e vogël politike zhvilloi Kongresin e saj dhe me votim konkurrues midis kryetarit në post prej 14 vitesh dhe një sfidanti të tij përfundoi me fitoren e këtij të fundit në raundin e dytë. Deri tani nuk ka pasur kontestime për garën dhe rotacioni në krye të PLL është tashmë zyrtar. Vlera e tij nuk lidhet me vetë peshën simbolike të PLL-së në jetën politike, por me faktin se për herë të parë në 23 vjet një kryetar partie humbet garën konkurruese pas shumë viteve në drejtim. Nuk ka ndodhur në PS, nuk ka ndodhur në PD, tek LSI, tek PBDNJ, tek PSD apo te partitë e tjera politike të tranzicionit.

Në Kosovë vlen rasti Sejdiu – Mustafa, në Maqedoni nuk ka ndonjë praktikë ndryshe, në Malin e Zi gjithashtu. Gjithsesi sistemi partiak në Shqipëri është unik dhe meriton analizë të veçantë. Selami e humbi garën në PD më 1995 në një formë tjetër, duke mos qenë realisht kryetar, Majko e humbi më 1999 përballë liderit historik. Të tjerët gjithnjë kanë ndjekur dy rrugë: ose kanë fituar me kandidatë formalë në garë ose kanë përjashtuar/denigruar të gjithë kandidatët rivalë potencialë. Dominues është përjashtimi ndaj nga 4-5 parti të viteve 1991-1992 kemi sot rreth 26 parti politike të dala si fraksione prej tyre. Të gjitha ato janë krijuar me premtimin se do të sjellin një model dhe stil ë ri demokratik drejtimi, por realisht, secili kryetar fraksioni është shndërruar në kryetar absolut duke refuzuar çdo tendencë, thirrje apo përpjekje për zëvendësim përmes garës demokratike.

Për pasojë sistemi politik shqiptar ka prodhuar vetëm një model, atë të kryetarit absolut, arrogant dhe prepotent, refuzues ndaj garës dhe kritikës, një stil drejtimi që bashkon modelin e sotëm rus të oligarkisë dhe modelin komunist të liderit suprem dhe të përjetshëm. Risia e viteve 1990-1992 për kufizim të mandatit të kryetarit me dy mandate, u ndryshua më 1993-1994 dhe që atëherë çdo kryetar e shtrin fuqinë e vet identifikuese me partinë që drejton deri në limitet e pronësisë absolute.

Fakti që partitë shqiptare mbeten ndër të vetmet në rajon dhe më tej, që nuk pranojnë rotacionin demokratik në krye të tyre, ku partia vihet në funksion 100% të interesave, qëndrimeve, familjeve dhe axhendës politike dhe personale të kryetarit zyrtar, ku periodikisht dhe publikisht shkelet në mënyrë konsensuale detyrimi për zgjedhje dhe konkurrencë të lirë ligjëruar në ligjin mbi partitë politike dhe nenin 9 të Kushtetutës së Shqipërisë, është tregues simbolik i kapjes së sistemit partiak, pafuqisë së tij për të gjeneruar ide dhe projekte të reja, pamundësisë për reformim dhe pushtetit të tyre ekstra-kushtetues mbi institucionet dhe jetën publike.

Premtimi solemn i palëve politike për aplikimin e parimit 1 anëtar – 1 votë rezultoi ashtu si të gjitha nismat propagandistike: garë formale, në pjesën më të madhe me një kandidat zyrtar ose me një kandidat të dytë të emëruar nga kandidati zyrtar, përkatësisht kryetari në detyrë i partisë politike. Shansi i PD në korrik për një model ndryshe konkurrimi u humb që në nisje, kur kandidatët u emëruan, rregullat e lojës dhe procedura u bënë nga një i tretë kontrollues mbi dy palët, si dhe vetë gara rezultoi fiktive në mënyrën e zhvillimit, organizimit dhe realizimit të saj.

Prej korrikut 2013 zyrtarisht PD nuk ka kryesi, nuk ka sekretariat legjitim, nuk ka strukturë të Këshillit Kombëtar dhe as një status zyrtar, mbi të cilin të funksionojnë rregullat e lojës. Prej shtatorit 2013 edhe PS nuk ka kryetar legjitim, nuk ka strukturë legjitime drejtuese dhe nuk ka organe vendimmarrëse funksionale. Dy palët, të njëjta në praktikat e identifikimit me kryetarin, kanë krijuar modelin e vendimmarrjes nga grupi parlamentar, një strukturë pa vendimmarrje statutore dhe produkt i emërimit nga vetë vullneti personal i kryetarëve.

Kur në dy partitë e mëdha aktualisht kemi gjendje dhe struktura jostatutore dhe për pasojë, joligjore, tek partitë e tjera situata është edhe më dramatike. Zgjedhjet u bënë, pas tyre çdo parti serioze bën analizë dhe shefat e tyre mbajnë përgjegjësi duke kërkuar votëbesim ose duke dhenë dorëheqje, në rastin konkret shqiptar vetëm shefi i PBDNJ e përmendi formalisht një standard të tillë, të tjerët heshtën dhe më pas, secili kërkoi alibi për të evituar çdo element analize, gare, konkurrimi, dorëheqje apo reflektimi.

Shumë më dramatike paraqitet situata në disa parti politike me pretendime për poste parlamentare dhe ekzekutive, shumica e të cilave nuk kanë as kryesi formale drejtimi, as sekretariat, as staf drejtues publik, shpesh as zyra dhe as adresë në internet, – pra ekzistojnë vetëm falë emrit të kryetarit, njohjeve të tij personale, aksesit të tij personal në media dhe disa qindra apo mijëra votave që sigurohen nga trafiku i influencës në zona të ndryshme të vendit.

Përse ka vlerë për publikun nevoja që partitë të jetë demokratike nga brenda, të kenë garë dhe norma funksionimi, që kryetarët të jenë administratorë me kontratë të përkohshme dhe që jeta politike të kryejë rotacion të vazhdueshëm elitash? Janë 1001 arsye. Së pari sepse është detyrim kushtetues (neni 9) dhe ligjor (ligji mbi partitë politike). Së dyti, sepse është kriter i demokracisë përfaqësuese dhe standardit të demokracisë funksionale.

Së treti sepse sistemi piramidal i partive nominale e klanore rrezikon shkëputjen nga shoqëria dhe krijimin e një oligarkie arrogante dhe imponuese, shpesh në formë konsensuale, mbi qytetarët. Së katërti, sepse partitë që nuk janë demokratike nga brenda, liderit politikë që nuk janë demokratikë në familjet e tyre politike, nuk janë dhe nuk mund të jenë demokratë në mentalitet e funksion në krye të shtetit, jashtë familjes politike. Së pesti sepse në një shoqëri ende të mbyllur si shoqëria shqiptare, me një të kaluar të mbushur me sundimtarë dhe me një demokraci pa demokratë, ekzistenca e modeleve demokratike është jetike, është rrugëzgjidhja dhe garancia e vetme për të shpresuar në një të ardhme ndryshe.

Së fundi, sepse sistemi piramidal në partitë politike, imponohet si model suksesi në publik përmes krijimit të sistemeve piramidale në qeverisjen qendrore e lokale, në media e biznes, në kontrollin personal të burimeve ekonomike dhe jetës publike, – dhe kështu, ai deformon në thelb vlerat dhe parimet e demokracisë përfaqësuese, minon besimin tek demokracia dhe sjell jo vetëm zhgënjime tek qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Çfarë duhet bërë? Kushtetutën e kemi, ligjin e kemi, parti kemi me shumicë, media kemi, shoqëri civile kemi, por askush nuk ka shkuar ende në gjykatë për të kërkuar detyrimin e partive për aktivitet konform ligjit. Ndryshe nga praktikat demokratike ende nuk ka asnjë nismë anëtarësh për referendum brenda partisë, nuk ka raste të mocioneve të mosbesimit, nuk ka tendencë për fraksione institucionale, nuk ka liri për të shprehur opinione të pavarura në publik dhe nuk ka asnjë nismë publike e institucione për të hetuar praktikat abuzive të partive me burimet financiare të shtetit, privatit apo donacionet e huaja.

Dikush duhet ta bëjë. Mund të jetë një grup qytetarësh, mund të jetë një OJF, mund të jetë Avokati i Popullit, mund të jetë vetë Prokuroria, mund të jenë fondacionet e huaja politike që asistojnë standardet e demokracisë, etj. Hidhni sytë tek studentët bullgarë, demokratët ukrainas, rrjetet rinore në Gjermani e dhjetëra modele pozitive në çdo anë të globit për të kuptuar se edhe këtu mund të ndodhë ndryshimi.

Vetëm nëse flasim, nëse reagojmë, nëse guxojmë, nëse rrezikojmë diçka nga e sotmja për një të ardhme më të sigurt, nëse vërtetë e duam demokracinë dhe nëse vërtetë kuptojmë se çfarë është ajo. Dhe natyrisht, ia vlen ta citojmë përsëri këshillën lapidare amerikane drejtuar shqiptarëve “ndryshimi nuk vjen nëse presim për një tjetër person ose për një tjetër kohë. Ne jemi ata për të cilët kemi qenë në pritje. Ne jemi ndryshimi që kërkojmë”. Një mesazh që na vlen sidomos kur ende vijojmë të kemi të njësuar përvjetorin e pluralizmit me përvjetorin e rradhës të tranzicionit!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi