Përse është i gabuar momenti për vendosjen e taksës progresive

Nga Florjan Salaj, botuar në Mapo Online, 11 dhjetor 2013

Qeveria po përgatitet me të gjitha gjasat që të aplikojë sistemin progresiv të taksimit në ekonomi. Për ta florjan salajmiratuar pret miratimin e FMN. Ndërkohë bizneset dhe ekonomistë të tjerë kundërshtojnë këto masa, duke nënvizuar riskun potencial që këto politika paraqesin për sa i përket rritjes së evazionit. Nga ana tjetër, eksponentët kryesorë të qeverisë, prej muajsh, në publik “evidentojnë” me forcë e bujë të madhe problemet e mbartura dhe fajet e qeverisë së shkuar. Ndërkohë që shqiptarët presin me padurim për drejtimin ekonomik, që qeveria me politikat e saj do t’i japë vendit; pra me pak fjalë, të ashtuquajturin model ekonomik që eventualisht do të duhej të implementohej në një vend ku bankat kanë më shumë depozita se kredi.

Ky shkrim ka për qëllim që të evidentojë momentin tejet të gabuar të implementimit të taksës progresive duke iu referuar kontekstit lokal dhe rajonal, duke e trajtuar, njëkohësisht, si një çështje që i përket një problematike më të gjerë, që lidhet pikërisht me doktrinën ekonomike dhe/ose modelin që duhet të ndiqet.

Në fazat e para, që i paraprijnë lajmit të miratimit të pritshëm të paketës fiskale, qeveria (atëherë ish-opozitë) përdori një argument tejet të fortë lidhur me favorizimin e dukshëm fiskal të disa firmave, që pothuajse nuk paguanin taksa megjithë fitimet e mëdha. Ideja e taksës progresive u paraqit, përpos idesë së një drejtësie fiskale, pikërisht, si një mjet për të ndëshkuar monopolet dhe bizneset klienteliste.

Megjithëse mund të duket e drejtë në pamje të parë, aplikimi i kësaj politike sjell pasoja negative për biznesin dhe ekonominë. Ndodh që “me të thatin do të digjet dhe i njomi”; ato biznese që, dhe më parë, nuk ishin të favorizuara, tani do të kenë vështirësi më të mëdha në akumulimin e kapitalit të nevojshëm për t’u zhvilluar. Për këtë arsye tendenca për evazion, për të fshehur të ardhurat ndaj tatimeve do të jete shumë e lartë me efekte negative për buxhetin. Në disa shkrime është nënvizuar fakti që problemi real i biznesit në ekonomi në qeverinë e kaluar ka qenë konkurrenca e padrejtë, ndaj dhe, duke u nisur nga kjo, për të ndëshkuar bizneset e favorizuara mendoj që do të mjaftonte një rritje e rigorozitetit dhe efikasitetit të administratës tatimore. Në këtë mënyrë do të rriteshin të ardhurat në buxhet e do të stimulohej krijimi i një ambienti biznesi konkurrencial që, do të nxirrte bizneset e keqmenaxhuara nga tregu duke nxitur rritjen e kërkesave menaxheriale e që këtej për aftësi dhe kompetenca të veçanta teknike.

Një aspekt tjetër lidhet me efektet rajonale. Dihet që në kushtet në të cilat ndodhemi, me një mangësi të theksuar në kompetenca teknike, krahasuar me vendet e rajonit, investimet e huaja, sidomos joint venture janë fondamentale.  Përpara se të hidhte poshtë taksën e sheshtë, qeveria do të duhej të bënte një analizë që pse nuk ka funksionuar dhe nuk solli përfitimet dhe investimet e huaja në një masë më të madhe. Në teorinë e bashkëpunimit ndërkombëtar të ndërmarrjeve theksohet rëndësia që zë në vendimmarrjen e investuesve të huaj perceptimi i faktorëve ekonomikë dhe shoqërorë, burokracia, kultura afine dhe kultura sipërmarrëse. Në kushtet kur problemet që kemi pasur brenda vendit i kemi transferuar dhe në ambasadat tona, procesi i ndryshimit të perceptimit të të huajve për vendin dhe njerëzit në tërësi, ka dashur kohën e vet,  i drejtuar nga shqiptarët në të gjithë botën.

Afër, kemi një shtet si Italia që, ende sot, pozicionohet ndër vendet e para në botë për sa i përket GDP, dhe që karakterizohet, sidomos në pjesën veriore të saj, nga biznese prodhuese, të cilat i nënshtrohen një presioni fiskal të papërballueshëm. Ka shumë indikatorë që tregojnë që tashmë këto firma i kanë hedhur sytë, më së fundi nga Shqipëria. Jehona pozitive në mediat italiane për kalimin e pushtetit në mënyrë të qetë, dokumentarë për italianët që punojnë në Shqipëri, dhe së fundi, promovimi i jashtëzakonshëm që ish-kryeministri italian bëri në kongresin e partisë së tij (të përbërë kryesisht nga italianë të zonave prodhuese te veriut), për avantazhet që ofronte Shqipëria për krahun e lirë të punës, por sidomos për taksën e sheshtë, janë të gjithë elementë te fuqishëm që ndikojnë pozitivisht, duke tërhequr interesin e sipërmarrësve italianë.  Pra qeveria do të duhej thjesht të shfrytëzonte situatën e krijuar, duke ndërmarrë ndonjë masë promovuese, për përthithjen e investimeve.

Por ç’ndodh në realitet?

Do të rritet tatimi mbi fitimin, duke ndryshuar, në sytë e një investuesi të huaj, perceptimin e vlefshmërisë së një investimi në Shqipëri. Është e vërtetë që, nga studime të kryera, niveli i taksave nuk është më i rëndësishmi ndër problemet e biznesit të huaj, por kjo, për sa i përket biznesit tashmë të implementuar, dhe jo atij që është në fazën e vendimmarrjes së delokalizimit të investimit. Një ndryshim i normës se taksimit mund të ndryshojë profilin e riskut të tij duke bërë që të ndryshojë mendim. Ndërkohë që, pa pushim, flitet dhe paraqitet me zë të lartë gremina në të cilën gjendemi, që, përveçse një justifikimi eventual për humbjen e pavarësisë në vendimmarrjet ekonomike në favor të FMN-së, nuk bën gjë tjetër veçse largon investuesit dhe kapitalin drejt konkurrentëve tanë kryesorë; Serbi, Maqedoni, Mal i Zi, Bosnje.

Duke patur parasysh strategjinë e gabuar të ndjekur për tërheqjen e investimeve të huaja mendoj që gjithë vëmendja e qeverisë është përqendruar në nënshkrimin e akordit me FMN. Negociata, për të cilat, njësoj si në rastin e armëve kimike dimë shumë pak, përveç faktit që, megjithëse ende pa u nënshkruar akordi me FMN, duhet të presim miratimin e saj për buxhetin. Pra mungon tërësisht transparenca në lidhje me të dhe arsyetimi që, nuk ka akord ndaj, dhe nuk kemi ç’themi nuk qëndron pasi këtu e kemi thirrur ne dhe shpresoj që të paktën të kemi objektiva të qartë të cilët duhet të ishin shpallur. Dhe, mungesa e transparencës vetëm mund të dëmtojë ekonominë, duke bllokuar çdo iniciativë, në pritje të drejtimit që do marrë ekonomia.

Drejtim që, përsa i përket doktrinës ekonomike, për fat të keq, duket se shkon drejt aplikimit të së ashtuquajturës “Rregulla e Artë” në ekonomi sipas së cilës shpenzimet e qeverisë duhet të barazohen me të ardhurat, për të pasur një rritje “të qëndrueshme”, në masën e shpenzimeve për investime të qeverisë. Ndjekja e kësaj politike dhe financimet ekskluzivisht për infrastrukturën përbëjnë shtyllat e ndërhyrjes së FMN-së. Quhet zhvillim i qëndrueshëm, por do të thotë, mbi të gjitha, lënie jashtë lojës së instrumenteve monetare në dispozicion të institucioneve përkatëse, që mund të përdoreshin eventualisht si leva mbështetëse, duke pasur si objektiv zhvillimin.

Le të ndalemi pak. Një politikë e tillë mund të jetë e volitshme në vende si Shqipëria e viteve ‘90, ku menjëherë Shqipëria e gjeti veten të papërgatitur e të ekspozuar ndaj vendeve të tjera, me një nevojë të madhe për valutë të huaj. Një pjesë e mirë e inteligjencës u largua nga vendi dhe nuk ekzistonin figurat dhe tradita për menaxhimin e një ekonomie kapitaliste, të afta për të krijuar vlerë. Në këto kushte ekonomia ishte tërësisht e varur nga “bujaria” e donatorëve te huaj dhe ndihmës së FMN-së. Ambienti ekonomik ku operohej ishte shumë i thjeshtë e aspak kompleks që të kishte nevojë për figura të specializuara.

Kjo politikë, gjithashtu, sipas një pjese të shkollave ekonomike, do të kishte vlerë në fazën e maturimit të zhvillimit të një vendi.

Shqipëria sot, absolutisht nuk gjendet në një situatë të ngjashme me atë të viteve ‘90, por nga ana tjetër, me siguri mund të themi që nuk është në fazën e maturimit. Nuk është komplekse si një vend i zhvilluar, por kërkon të bëhet e tillë. Sot, me kapitalet e krijuara në banka, me një shoqëri më të hapur, me studentë të diplomuar në të gjithë botën, Shqipëria gëzon fatin e posedimit të një potenciali njerëzor të jashtëzakonshëm, me eksperienca të krijuara me anë të raporteve me kultura të ndryshme, të zhvilluara, perëndimore. Por, potenciali i krijuar, nuk mund të përthithet, duke aplikuar ‘Rregullën e Artë’, që lejon një rritje dhe krijim të ulët të kapaciteteve prodhuese industriale e të shërbimeve.

Nën prizmin e ‘Rregullës se Artë’ qëndron dhe ky tip taksimi progresiv, i vendosur për t’u aplikuar nga qeveria, duke menduar se jemi një vend në stadet e maturimit, pas zhvillimit, dhe duhet të kemi prioritet rishpërndarjen e të ardhurave. Asgjë nuk është më e gabuar.

Ne kemi fatin që mund të mësojmë si nga eksperiencat pozitive të vendeve të tjera ashtu dhe ato negative. Oportunitet e rritjes në Shqipëri, sot, janë realisht të larta nëse nuk hallakatemi dhe qepemi pas kujtdo duke thënë që nuk kemi ç’të bëjmë si në vitet ‘90, pa marrë në konsideratë, potencialin minerar, energjetik, te kapitalit financiar dhe njerëzor, të papërdorur. Do të ishin realisht shumë të larta nëse do të fillohej të merrej përgjegjësia dhe në ekonomi, në mënyrë të pavarur, të guximshme. Dhe mbi të gjitha profesionale. Nuk është e pranueshme, dhe nga ana e logjikës financiare, të ndodhë që të paguhet borxhi në monedhë vendase me borxh në valutë sado me kosto të ulët. Do të ishin edhe më të larta nëse Banka e Shqipërisë nuk do merrej vetëm me kontrollin e inflacionit dhe mimetizimin e politikave të saj monetare me ato të FED apo kujtdo tjetër duke dalë nga konteksti i realitetit të kohës më të përshtatshme dhe i realitetit lokal.

Si përfundim, duke patur parasysh forumet e ndryshme të thirrura prej kryeministrit, asgjë nuk do të kishte më shumë vlerë se promovimi i një debati real midis ekonomistëve të rrymave të ndryshme në Shqipëri, për modelin ekonomik që duhet ndjekur.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi