Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njëriut: “Le të shkojmë larg, së bashku!”

Nga Florian Raunig, Kryetar i Prezencës së OSBE, 10 dhjetor 2013

Një nga gjërat mbresëlënëse dhe të mrekullueshme që të huajt shpesh vërejnë në Shqipëri, është krenaria e njerëzve për vendin e tyre. Shqiptarët kanë një patriotizëm që është i rrallë në botën e sotme, pasi ai nuk mbështetet në konfliktin me kombe të tjera apo mohimin e tyre.

Ndërsa Shqipëria bën hapa të mëdhenj përpara, vendi duhet të përparojë si i tërë. Por ç’do të bëhet me ata që nuk ecin edhe aq mirë? Me ata që janë penguar për arsye jashtë kontrollit të tyre, si për shembull nga aftësia e kufizuar, historia e tyre individuale apo familjare, apo nga identiteti i tyre personal a etnik? Nëse disa lihen pas, përparimi i pjesës tjetër vihet në rrezik.

Në vitin 1950, Kombet e Bashkuara e shpallën 10 dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, një ditë për të festuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe për të theksuar rëndësinë e saj si një standard për t’u arritur nga të gjitha kombet. Kur flasim për të drejtat e njeriut, biseda mund të kthehet shpejt në abstrakte, teorike. Por ekziston një thelb i thjeshtë në çdo të drejtë të njeriut, i cili kumbon brenda të gjithëve ne. E drejta për të qenë të lirë nga diskriminimi është, në thelb, e drejta e secilit prej nesh për të pasur mundësi të barabartë për të marrë pjesë në shoqërinë tonë, për të kontribuar në të dhe për të përparuar bashkë me të. Për të mos u lënë pas.

Diskriminimi prek shumë njerëz në Shqipëri, megjithatë diskutimi përqendrohet shpesh te komuniteti rom dhe ai egjiptian. Disa mund të pyesin “pse ky fokus i veçantë?”. Fatkeqësisht, të gjitha të dhënat tregojnë se romët dhe egjiptianët në mbarë vendin përballen me një përjashtim më të madh nga shoqëria në krahasim me pjesën tjetër të saj. Ata hasin pengesa dhe diskriminim në të gjitha fushat e jetës, që nga pjesëmarrja në vendimmarrje deri te mungesa e shërbimeve të tilla, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi. Ata po lihen pas.

Me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, dëshiroj ta uroj Shqipërinë për hapat e mëdhenj përpara dhe të mbështetem në vrullin e kohëve të fundit për të zhvilluar zgjidhje afatgjata, për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e Qeverisë; njerëzit vetë duhet të veprojnë. Nuk është vepër bamirësie. Nëse tani shkelen të drejtat e dikujt tjetër, nesër mund t’ju vijë radha juve. Trajtimi i diskriminimit është një detyrë e rëndësishme për çdo qytetar. Pavarësisht ndryshimeve tona, ne duhet të ecim së bashku.

Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, janë angazhuar për të luftuar diskriminimin. Kjo do të thotë që pakicave dhe grupeve në nevojë u duhet dhënë mundësia të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në jetën qytetare, ekonomike dhe kulturore në të gjitha vendet e OSBE-së.

Një raport i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) për përmirësimin e situatës së romëve, në tetor 2013, nxjerr përfundimin se ata vazhdojnë të hasin diskriminim dhe të mbeten të ndarë nga shoqëria në mbarë rajonin e OSBE-së. Sipas raportit, edhe pse është bërë progres nga qeveritë, ka ende mangësi të dukshme në fusha si strehimi, arsimi dhe shëndeti. Në vitin 2012, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri raportoi 90 ankesa për diskriminim të paraqitura pranë këtij institucioni, 35% e të cilave kishin lidhje me diskriminim për shkak të racës dhe përkatësisë etnike. Megjithatë, kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Kur shohim situatën aktuale të vendit, duket qartë që jo të gjitha grupet kanë pasur mundësi të barabarta pjesëmarrjeje. Shqipëria është një nga vendet e pakta të Ballkanit Perëndimor që nuk parashikon shprehimisht pjesëmarrjen e pakicave në proceset vendimmarrëse qeverisëse. Edhe pse romët dhe egjiptianët shërbejnë si këshilltarë të zgjedhur në shumë prej njësive të qeverisjes vendore, pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje në nivel qendror është e kufizuar në emërimin e një pjesëtari të komunitetit rom në Komitetin Shtetëror të Minoriteteve, një organ këshillues për Qeverinë. Romët dhe egjiptianët as janë përfaqësuar në Parlamentin shqiptar dhe as janë renditur në vende të favorshme në listat zgjedhore të partive politike të vendit.

Një tjetër tregues i përfshirjes sociale është strehimi. Pavarësisht programeve në vazhdimësi të legalizimit të banesave në Shqipëri, pjesa më e madhe e komuniteteve rome dhe egjiptiane ende nuk kanë tituj të qartë ligjorë pronësie. Ky problem prek edhe komunitetet jorome, por romët preken në mënyrë shpërpjesëtimore, pasi u mungojnë lidhjet dhe njohuria për të kërkuar të drejtat e tyre në mënyrë të efektshme.

Arsimi është një pjesë thelbësore e çdo përpjekjeje për të eliminuar diskriminimin. Kjo nuk do të thotë vetëm që grupet në nevojë të kenë qasje të barabartë në arsim, por edhe që kurrikulat arsimore të rishikohen në mënyrë të tillë që t’u mësohet të gjithë fëmijëve për tolerancën dhe mundësitë e barabarta që në moshë të vogël. Ndërkohë që gjithmonë e më shumë romë dhe egjiptianë në Shqipëri po marrin arsim cilësor, edhe arsim universitar, ka një hendek midis këtij suksesi dhe mundësisë për punësim. Prezenca është angazhuar të mbështesë Qeverinë të hapë vende pune dhe të rrisë aftësitë profesionale të të rinjve romë. Kjo do t’i mbështesë autoritetet që të përmirësojnë qasjen e romëve dhe egjiptianëve në shërbime dhe të përforcojë ndjesinë e këtyre komuniteteve që po dëgjohen dhe po përfaqësohen.

Shqipëria ka ndërmarrë shumë hapa pozitivë për të adresuar diskriminimin. Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i hartuar me ndihmën e Prezencës së OSBE-së, krijoi mbrojtje të rëndësishme të të drejtave të njeriut. Institucione të tilla si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi përmbushin një rol kritik për të siguruar zbatimin e këtij ligji dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shqipëria ka ndërmarrë hapa edhe për të qenë një lider rajonal duke organizuar, në bashkëpunim me OSBE-në, një konferencë për Tolerancën dhe Mosdiskriminimin, në maj 2013, ku u diskutua për luftën kundër diskriminimit, parandalimin dhe reagimin ndaj krimeve të urrejtjes. Për më tepër, komponenti shqiptar i projektit rajonal të OSBE-së “Praktikat më të mira për integrimin e romëve”, ka kontribuar në integrimin e romëve, duke sjellë së bashku përfaqësues të qeverisë dhe grupe të shoqërisë civile për të diskutuar mbi praktikat e mira dhe mësimet e marra në fushën e antidiskriminimit, strehimit dhe pjesëmarrjes në jetën publike.

Në këtë Ditë të të Drejtave të Njeriut, le të marrim kohë për të menduar mbi diskriminim, i cili prek jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë botën. Ne duhet të diskutojmë sukseset dhe të gjejmë mënyra për të kapërcyer pengesat që bllokojnë shtegun drejt një shoqërie të barabartë e të drejtë. Është një rrugë e gjatë, sepse duhet të ndryshojmë mentalitetet, në mënyrë që njerëzit të gjykohen për karakterin e tyre, dhe jo për karakteristikat sipërfaqësore. Ecja së bashku në këtë rrugë jo gjithmonë është e lehtë. Por, siç thotë edhe fjala e urtë: “Nëse doni të ecni shpejt, ecni vetëm. Nëse doni të shkoni larg, ecni bashkë”.

Le të shkojmë larg!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi