Pse taksa e sheshtë është më e mirë se progresivja

Nga Jonel Kristo, botuar në Mapo Online, 9 dhjetor 2013

Tashmë që debati mbi sistemin taksor në Shqipëri po konkretizohet, kemi një mundësi për një debat shumë më të ngritur, si ekonomik ashtu edhe filozofik. Prandaj kësaj teme mund t’i rikthehemi tashmë me shumë më shumë konstruktivitet se disa muaj më parë.

Si fillim, gjej disa mangësi në argumentimet mbështetëse ndaj taksës së sheshtë. Më i lehti ndër këto argumente është që taksa e sheshtë është e thjeshtë, dhe qartësia logjistike që vjen nga një sistem i tillë është domethënëse për të ulur informalitetin. Kuraja mbresëlënëse e këtij argumenti është që merr përsipër të vendosë një lidhje shkakësie mes thjeshtësisë së sistemit fiskal dhe zgjedhjes për të hyrë në informalitet. Por, në fakt ekonomia bëhet informale atëherë kur fshehja është më atraktive, pra kur i lejon dikujt të mbajë më tepër nga të ardhurat që arrin të krijojë (e thënë ndryshe, të rrisë të ardhurat e disponueshme). Çdonjëri nga ne do të donte të mbante 100% të të ardhurave që krijonte nga puna e vet. Por detyrimet që krijohen nga të qenit pjesë e një shoqërie e bëjnë normale marrjen e një pjese të të ardhurave nga taksat dhe largimin nga kufiri maksimal prej 100%. Pra, një faktor tërësisht artificial si thjeshtësia e sistemit nuk duhet të ketë ndikim në vendimmarrjet fiskale. Thjeshtësia e sistemit është çështje logjistike, çështje procesi. Çdo qeveri mund të punojë për të ndërtuar një sistem informatike që adreson kompleksitetin e sistemit progresiv. Në kohë më të hershme, ndërtimi i një sistemi të tillë informatik ishte i pamundur, prandaj edhe argumenti i thjeshtësisë administrative dominon. Por në ditët e sotme është i parëndësishëm.

Argumenti i dytë lidhet me nxitjet që taksa e sheshtë i bën investimeve të huaja dhe rritjes ekonomike. Shumë shpesh bëhet gabimi që regjimit të taksës së sheshtë i atribuohen shumë nga arritjet ekonomike të viteve të fundit në Shqipëri. Ka një rritje të vendeve të punës gjatë viteve të taksës së sheshtë, një rritje të investimeve të huaja, e kështu me radhë. Por, cili është ai studim rigoroz që ka nxjerrë shkakësi mes vendeve të punës dhe taksës së sheshtë? Apo mes investimeve, rritjes së numrit të ndërmarrjeve të mëdha dhe regjimit të sheshtë të taksave? Në fakt investimet e huaja janë rritur, dhe kjo rritje ka përkuar me periudhën e taksës së sheshtë. Por përveç këtij përkimi kohor, asgjë nuk është e përbashkët mes këtyre dy variablave. Madje, bëhet gabim kur këto dy variabla interpretohen në të njëjtin argument sepse faktorë të tjerë nuk janë kontrolluar. Vendimi për të kryer investime kapitale të reja ndikohet nga disa faktorë, dhe regjimi i taksave në asnjë studim nuk ka dalë në mënyrë konkluzive si faktor ndikues. Por niveli i taksave ka dalë, dhe kjo ka shumë më shumë kuptim, sepse niveli ka rëndësi, jo regjimi. Në fund të fundit, i vetmi faktor që i intereson një agjenti ekonomik në lidhje me taksat është madhësia e barrës fiskale, jo mënyra e aplikimit dhe as sistemi. Një kompani e madhe ka aq burime sa për të adresuar kompleksitetin e një regjimi progresiv taksash. Ajo nuk ka problem thjeshtësinë e sistemit kur përballet me një oportunitet fitimprurës. Problem ka nivelin e taksave. Një sistem me taksa të larta – qoftë progresiv apo i sheshtë – është njësoj negativ për një biznes.

Në fakt, vendet e rajonit do ta vuajnë shumë shpejt faktin që po përdorin sistemin e taksave si faktor konkurrence në nivel global. Ashtu siç po ndodh, sistemi i taksave – dhe në disa raste edhe norma e taksave – po konvergojnë. Kjo nënkupton që ky si faktor konkurrues i një ekonomie do të neutralizohet ndërmjet vendeve. Qeveritë do detyrohen të gjejnë – ashtu siç është normale – faktorë të tjerë mbi të cilët të bazojnë konkurrencën ndërmjet tyre dhe rritjen ekonomike. Kjo është një shenjë që debati mbi sistemin e taksave është një fluskë teorike.

Por cili duhet të jetë qëndrimi i duhur? Qëllimi i një sistemi fiskal që synon rritjen ekonomike duhet të jetë maksimizimi i të ardhurave të disponueshme të agjentëve ekonomikë, përfshi këtu konsumatorët individualë. Në fakt kjo duhet të jetë e vetmja detyrë që qeveria duhet t’i vërë vetes në këtë drejtim: të rrisë të ardhurat e disponueshme për frymë. Taksa e sheshtë lejoi më shumë të ardhura të disponueshme se më parë, dhe me shumë gjasa kjo ndikoi konsumin në ekonomi për disa vite me radhë. Rritja e konsumit më pas bëri që oferta të shërbehej me investime të reja, kërkesë agregate më të lartë, e kështu me radhë. Në fakt, kjo ka gjasa të jetë arsyeja e vërtetë e ndikimeve pozitive nga politika fiskale e viteve të fundit. Por ky rezultat do mund të arrihej edhe me një taksë progresive të ulët. Pavarësisht sistemit, rëndësi ka sa të ardhura të disponueshme ngelen në fund të muajit. Pra, norma ka rëndësi, dhe jo sistemi. Të njëjtat probleme që i bashkëngjiten një takse progresive shkaktohen edhe nga një taksë e sheshtë më e lartë se 10%. Këto të dyja i ndan vetëm thjeshtësia në aplikim që, siç u tha më sipër, mund të adresohet me një sistem të mirë informatik.

E parë në këtë këndvështrim, përdorimi i taksimit progresiv për të rishpërndarë të ardhurat është një argument i pabazë. Si mund të rishpërndash publikisht diçka individuale, diçka për të cilën vlera është krijuar individualisht? Rishpërndarja e të ardhurave në fakt është rishpërndarje e vlerës së krijuar nga dikush tek dikush tjetër. Të ardhurat akumulohen kur krijohet një vlerë e caktuar nga një proces ekonomik, pra është rezultati fundor i një procesi. Prandaj rishpërndarja e të ardhurave në fakt është rishpërndarje e asaj vlere të krijuar. Sistemi i lirë ekonomik e ka parashikuar këtë rishpërndarje të vlerës duke lejuar njerëzit të krijojnë vende pune, të shpikin, të japin ide, dhe të avancojnë nivelin e jetesës së të tjerëve. Ky është në fakt mekanizmi se si rishpërndahet vlera. Do kemi gjithmonë një problem ekonomik nëse thjesht adresojmë rishpërndarjen e të ardhurave, dhe jo rishpërndarjen e vlerës që krijohet nga puna e dikujt. Për shembull, nëse unë ndërtoj një rrugë, dhe përdor gurin e lumenjve (pronë publike), ujin e sistemit ujor (pronë publike), dhe krijoj një rrugë (pronë publike), kam shtuar në sistem vlerën e një vepre që më përpara nuk ekzistonte. Çdo gur, ujë, ajër apo burim tjetër është muzeal deri në momentin që prej tyre përfitohet një vlerë ekonomike. Koordinimi i të gjitha burimeve prej meje dhe krijimi i rrugës është vlera që unë kam krijuar. Këtë vlerë e kam rishpërndarë duke krijuar vende të reja pune, duke mundësuar shkurtimin e distancave, dhe uljen e amortizimit të makinave. Këtë e kam bërë duke nxjerrë një fitim, që nuk është gjë tjetër vetëm marzhi që unë duhet të nxjerr si koordinues në këtë proces.

Taksa progresive adreson pikërisht këtë marzh shtesë, çka është e pakuptimtë sepse dekurajon një nxitje për të krijuar vlerë. Kjo përqasje në fakt është tërësisht josociale, josolidare, ashtu sikurse mund të pretendojë një qeveri e majtë. Nëse një agjent ekonomik shkurajohet të krijojë vlerë, atëherë fshihet mundësia për ta rishpërndarë këtë vlerë në formën e punësimit, konsumit, dhe uljen në përgjithësi të kostove të jetesës për të rritur kështu të ardhurat e disponueshme, dhe rrjedhimisht ekonominë në tërësi.

Prandaj regjimi i taksave më tepër se një debat i mirëfilltë merr trajtën e një çështjeje virtuale dhe dytësore. Debati në fakt duhet të jetë thjesht një ushtrim optimizimi mbi normën e duhur të taksës, sepse në fund të fundit vetëm ajo ka rëndësi, dhe jo mënyra se si implementohet.

Mos humbisni

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi