Borxhi publik mund të reduktohet

Nga Eduart Gjokutaj, botuar në Dita, 9 dhjetor

Kriza e menaxhimit të drejtimit të ekonomisë dhe financave, bazuar mbi një model zhvillimi ekonomik, që nuk ju përshtat kushteve reale të Shqipërisë, e ka lënë ekonominë me një borxh publik të nivelit të lartë. Kjo situatë, në këtë nëntor 2013, shënon tashmë një nivel borxhi mbi 63% të Prodhimit të Brendshëm dhe më shtyn të pyes se cilat janë gabimet (faktorët) që e rritën borxhin publik dhe cili është korrektori (faktorët) që mund t’i reduktojë ato?Unë do të komentoj shkurt treguesit e buxhetit (të ardhurat dhe shpenzimet), për të paktën 10 vitet e fundit (2002–2012) në mënyrë që shkrimi të ketë kuptim më të plotë.

Treguesit makroekonomikë dhe të ardhurat buxhetore?

Në fund të 2012-s, Prodhimi i Brendshëm (PBB) është rritur me 2.1 herë në krahasim me fundin e vitit 2002. Norma e inflacionit është në shumën 28.4%. Niveli i rritjes të të ardhurave buxhetore është 2.1 herë. Niveli i rritjes të të ardhurave nga tatimet dhe doganat është 2.4 herë.

Shpenzimet e buxhetit?

Në vitin 2012, rritja e shpenzimeve buxhetore gjithsej është 1.9 herë më e madhe në krahasim me vitin 2002. Në shpenzimet e buxhetit, sipas destinacionit ka (a) rritje të shpenzimeve sociale me 2.9 herë, (b) rritje të investimeve publike (kapitale) me 1.6 herë dhe (c) rritje të shpenzimeve administrative dhe operative me 1.6 herë.

Rezultati i bilancit të buxhetit?

Deficiti më i lartë buxhetor në vlerë absolute është regjistruar në vitin 2009 me -80 miliardë lekë dhe deficiti më i ulët është regjistruar në vitin 2005 me -28.2 miliardë lekë. Në vitet 2008 dhe 2009, ky tregues është përkeqësuar duke arritur respektivisht në 6% dhe 7% të PBB-së. Në vitin 2012, deficiti buxhetor është në nivelin 3% të PBB-së.

Modeli, që ka zbatuar qeveria në tre vitet e fundit, por që nuk e ka të shprehur në programin qeverisës ishte modeli Kejnsian (Keynesian), sipas të cilit, qeveria duhet të rrisë borxhin kombëtar për stimulim të ekonomisë gjatë rënies ekonomike dhe zvogëlimit të borxhit gjatë rritjes ekonomike. Por, edhe nëse vërtet kanë zbatuar këtë model, ai është përshtatur në kushtet më të këqija të mundshme ekonomike. Shqipëria nuk është ende ekonomi kapitaliste, me industri të ngritur dhe sistem financiar të integruar. Shqipëria ka një ekonomi që nuk funksion sipas parametrave që ka studiuar Kejnsi dhe të tjerë ekonomistë të mëdhenj modernë.

Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në thellimin e deficiteve buxhetore për çdo vit?

Qeveritarët shqiptarë kanë pëlqyer t’i shpenzojnë paratë për programe që kënaqin zgjedhësit e tyre. Nga ana tjetër, ata nuk parapëlqyen t’i taksojnë ata, madje u bënë edhe përjashtime nga taksat. E kundërta për ta do të thoshte vendosje e një kostoje të lartë mbi votuesit. Kjo duket qartë nga barra fiskale në vend, e cila ka qenë e pabarabartë sipas zonave elektorale. Zbatimi i një pabarazie të tillë ka ndodhur sa nga politika fiskale preferenciale, sipas zonave gjeografike dhe industrive, po ashtu edhe nga një administrim fiskal klientelist. Një faktor tjetër, që ka ndikuar, ka qenë marrja e kredive nga tregu privat apo edhe Banka e Shqipërisë. Nëpërmjet huamarrjes, qeveria e ka zhvendosur një pjesë të mirë të barrës për të paguar detyrime të larta nga dje, në sot dhe të nesërmen e afërt. Por, ndërsa këta janë faktorët që lidhen me shpenzimet e fondeve të buxhetit, nga ana tjetër, kostoja e shërbimeve publike nuk ka qenë ndonjëherë transparente. Kostoja e shërbimeve publike është edhe pjesa ku mund të evidentohen të gjithë elementët e dyshuar për korruptim me fonde publike. Por, ky është një kapitull më vete për debat teknik e publik. Në vijim të faktorëve negativë, po të krahasohet niveli i rritjes ekonomike dhe normës së inflacionit në njërin kah me nivelin e rritjes të të ardhurave nga tatimet dhe doganat në kahun tjetër, shihet se të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë -3.3% poshtë nivelit të kahut të parë. Natyrisht, që ky krahasim i thjeshtë i tre të dhënave nuk është një analizë e plotë, por tregon thjesht se sa besnikërisht i ka ndjekur administrimi dhe politika fiskale treguesit formalë të ekonomisë. Por, nëse në analizë përfshihet (a) ekonomia informale me përmasa pak më të mëdha se ekonomia formale, (b) tregu i punësimit informal, që përfshin një numër të afërt me tregun formal të punësimit, mund të thuhet se agjencitë e administrimit kanë punuar me humbje. Ligji i buxhetit, pothuajse në shumë vite tashmë modifikohet për të mbuluar këtë performancë negative, por që kanë thelluar “rezultatin me humbje” të mbartur vit pas viti prej financave publike të vendit. Deficiti ka shtyrë koston e dukshme të qeverisë për të ardhmen e afërt. Treguesit statistikorë nuk justifikojnë edhe politikën fiskale të miratuar nga qeveritë, që tregon më e pakta se ka qenë larg modeleve të administrimit të të ardhurave buxhetore, si dhe nuk ka ndikuar në modifikim të politikave që të nxirrnin administrimin nga kjo mënyrë të të mbledhurit të taksave. Në krahasimin e nivelit të performancës të të ardhurave nga tatimet dhe doganat dhe nivelit të investimeve me fonde publike, vërehet se sa i varur është administrimi i të ardhurave fiskale nga investimet me fonde publike. Faktet flasin se për vitet kur ka pasur rritje të peshës së zërit të investimeve nga buxheti, po ashtu ka pasur edhe rritje të të ardhurave nga tatimet dhe doganat (shih Analiza e treguesve buxhetorë për periudhën 1996 – 2012, AL-Tax.org/Library).

Cilët faktorë do të mund ta reduktonin deficitin buxhetor të ardhshëm dhe borxhin publik?

Në këtë shkrim, ku u përballën treguesit buxhetorë me politikën fiskale më rezulton, se politika fiskale nuk duhet parë si një politikë e vetmuar në funksion të ekonomisë dhe politikave sociale. Politika fiskale duhet ndërlidhur ngushtësisht me zbatimin korrekt të parimeve të administrimit publik dhe fiskal. Ajo duhet të jetë një garanci në zbatimin e kontratave sociale dhe rritjen e indeksit të besueshmërisë të qytetarëve te qeveria dhe politika. Miradministrimi i fondeve për shpenzime publike (sociale, investime dhe administrative) sipas një programi të bazuar mbi (a) parimet e reformës së re administrative (reformim i decentralizimit) si dhe (b) parimeve të luftës ndaj krimit ekonomik (evazionit) dhe krimit social (korrupsionit) do të fillonin të ndihmonin buxhetin dhe reduktimin e deficitit buxhetor. Nëse harxhohet më shumë kohë duke pasur vëmendjen te debatet për të mbrojtur gabimet e qeverisjes, nuk mund të konsiderohet më si një moral pozitiv dhe i vlefshëm për publikun dhe vendin. Një aspekt tjetër i rëndësishëm për të zbutur borxhin publik është negociimi me Fondin Monetar dhe Bashkimin Europian për një kuadër rregullator, sa më të përqasur me rregullat e këtij të fundit. Por, edhe lëvizja e fundit për një ndihmë financiare të kushtëzuar nga Fondi Monetar ose Banka Botërore do të ndihmojnë për të zgjidhur problemet primare të shpenzimeve buxhetore, të cilat kanë pasur një fillim të keq këtë vit. Problemi i bankave dhe kredive të këqija duhet të jetë prioritet i qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për t’i dhënë zgjidhje, pasi problemet që mund të vijojnë, do të përkeqësojnë treguesit e kreditimit të sektorit privat dhe publik me raste. Por, edhe mungesa e remitancave, që kanë dhënë ndikim të madh në ruajtjen e normës e inflacionit duhet të vërehen me vëmendje për orientimin e ekonomisë drejt burimeve financiare, të cilat brenda kontureve të programit qeverisës, sjellin fondet e investimeve aty ku kërkohet si prioritet dhe mundësi zhvillimi. Veprimet e para të qeverisë dhe ato që do të pasojnë, të bazuara në besimin e publikut karshi saj, do të ndihmonin më së miri për rikuperimin e rritjes ekonomike, performancës fiskale, duke reduktuar edhe borxhin publik vit pas viti.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi