Stabiliteti financiar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Nga Ardian Fullani Guvernator i BSH, botuar në Panorama Online, 8 dhjetor 2013

Kriza që po kalojmë, duke qenë kaq e thellë dhe e zgjatur në kohë, do të lërë shenjën e saj në shkencën ekonomike në përgjithësi, dhe në bankingun qendror në veçanti. Deri para Recesionit të Madh, politika monetare jetonte në një botë që mund ta quajmë si “epoka e shënjestrimit të inflacionit”. Në shumë mënyra, shënjestrimi i inflacionit e bëri relativisht të thjeshtë punën e bankës qendrore, për sa kohë ajo e ndiqte politikën në mënyrë korrekte.

Banka qendrore, e konsideruar nga publiku si një institucion i pavarur, duhej të angazhohej në mënyrë të besueshme për një objektiv eksplicit për inflacionin, me qëllim ankorimin e pritjeve afatmesme për inflacionin. Pritshmëritë vetëpërmbushëse nga agjentët ekonomikë dhe përcaktuesit e çmimit do të ndihmonin, në këmbim, për arritjen e objektivave të politikës monetare. Ekonomistët besonin se duke stabilizuar çmimet konsumatore, do të ndikonin edhe që mjetet financiare të silleshin në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Kriza na kujton me dhimbje se sjellja në tregjet financiare nuk është gjithmonë racionale dhe mungesa e besimit te tregjet mund të dalë jashtë kontrollit, duke dërguar valë goditëse në të gjithë ekonominë. Çmimet në rritje të mjeteve dhe rënia e papritur e tyre pati ndikim domethënës mbi sjelljen dhe bilancet e agjentëve ekonomikë, si dhe sfidoi stabilitetin e sistemit financiar. Në këtë drejtim, koncepti i stabilitetit financiar u pa si një nënprodukt i stabilitetit monetar.
***
Mbikëqyrja mikroprudenciale u përqendrua te shëndeti i institucioneve financiare të veçanta, me bindjen se kjo do të mjaftonte për të siguruar stabilitetin e përgjithshëm të sistemit financiar. Përsëri kriza e fundit financiare e bëri të qartë se mbikëqyrja mikroprudenciale nuk ishte e mjaftueshme për të zbuluar dhe trajtuar akumulimin e rreziqeve në të gjithë sistemin financiar për shkak të:
a) konsiderimit të pamjaftueshëm të efekteve të tërthorta;
b) përfshirjes se institucionit financiar në veprime që diktoheshin nga lëvizjet sektoriale apo ato të konkurrencës dhe jo nga interesat më të mira individuale në qëndrimin ndaj rreziqeve;
c) ekspozimeve të përbashkëta me nivel të lartë rreziku;
d) dhe prociklikalitetit në veprimtarinë e sistemit financiar. Më tej, institucionet financiare me rëndësi sistemike vërtetuan se ishin “tepër të mëdha për të dështuar”, ndaj duheshin marrë masa për t’i trajtuar institucionet aktualisht me rëndësi sistemike në nivel vendor dhe botëror. Kompetencat e autoriteteve për rigjallërimin dhe zgjidhjen e institucioneve financiare po forcohen. Kufizimi i rrezikut sistemik, si në dimensionin e zhvillimit të tij përgjatë kohës, edhe në atë strukturor, është objektivi i politikës makroprudenciale.
Në tre vjetët e fundit, në rang ndërkombëtar, ka pasur progres domethënës për identifikimin e një sërë instrumentesh, të konceptuara:
• për trajtimin e zgjerimit të shpejtë dhe përqendrimit në aktivitetin kreditues;
• për të siguruar që bankat të kenë likuiditet të mjaftueshëm për përballimin e goditjeve të ndryshme;
• për të dekurajuar sjellje që mbartin rrezik nga ana e institucioneve financiare, duke rritur kërkesën për kapital për këto veprimtari. Këto masa mund të kenë natyrë kundërciklike dhe mund të zbatohen për institucionet financiare sipas rëndësisë së tyre sistemike.
Këto standarde kërkojnë ndërtimin e një kuadri institucional që identifikon qartë autoritetin/ autoritetet që do të kenë kompetenca makroprudenciale, në përputhje me strukturën dhe nivelin e zhvillimit të tregut. Banka qendrore shfaqet e pozicionuar më mirë, në krahasim me autoritete të tjera, për të luajtur rolin makroprudencial. Përveç përgjegjësisë ekskluzive për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, banka qendrore ka përparësi të tjera në lidhje me:
• përfshirjen në zhvillimin e infrastrukturës së sistemeve të pagesave;
• aksesin në të dhëna të shumta për tregun dhe sistemin financiar;
• në shumë raste, rolin e saj si rregullatore dhe mbikëqyrëse e bankave. Në ditët e sotme pranohet gjerësisht se është bërë progres i madh në gjithë botën për të siguruar pavarësi ligjore dhe operacionale për bankat qendrore. Kjo është një arsye tjetër e rëndësishme pse asaj mund t’i besohet politika makroprudenciale.
***
Për ta përkufizuar si duhet funksionin makroprudencial të bankës qendrore, është e rëndësishme të vendoset një marrëdhënie e drejtë me politikën monetare. Kjo mund të realizohet duke kuptuar se të dyja politikat, nëse hartohen dhe zbatohen si duhet, plotësojnë njëra-tjetrën. Kështu, politika monetare mund të vijojë kursin e vet duke ndjekur presionet e ulëta inflacioniste, ndërsa masat makroprudenciale mund të përdoren për të trajtuar në kohë të hershme rreziqet që zhvillohen në një mjedis me norma të ulëta interesi. Nga ana tjetër, masat makroprudenciale mund të përdoren edhe për të zbutur rreziqet që vijnë nga flukset hyrëse të kapitalit, në një mjedis me norma interesi reale relativisht të larta.
Shembuj të konfliktit midis dy politikave nuk duhen shpërfillur, gjithsesi. Këta shembuj mund të jenë më të theksuar nëse objektivat e dy politikave hartohen në mënyrë të gabuar në një situatë të caktuar financiare, ose kur instrumentet respektive përdoren jashtë qëllimit të tyre. Për këtë arsye, besoj se mund të jetë me vend që të mbahet politika monetare si objektivi parësor i bankes qendrore Stabilizimi i inflacionit duhet të jetë diçka për të cilën bankierët qendrorë mund të jenë krenarë, diçka që duhet ta inkurajojnë dhe të vijojnë të përpiqen ta arrijnë. Megjithatë, duhet të kuptojmë se çështjet e stabilitetit financiar dhe masat përkatëse makroprudenciale duhet të fitojnë ndjeshëm më shumë terren në diskutimet dhe vendimet e bankave qendrore.
Është e qartë se kursi i politikës monetare do të vijojë të diskutohet gjerësisht në të ardhmen, mbështetur në të kuptuarit më mirë të rolit të çmimeve të mjeteve dhe të fërkimeve financiare. Përfshirjen e objektivave të stabilitetit financiar në regjimin e shënjestrimit të inflacionit, në Shqipëri e kemi konsideruar si një mundësi për të kuptuar dhe trajtuar zhvillimet ekonomike dhe rreziqet e mundshme makrofinanciare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik afatgjatë. Ndërsa mandati i politikës makroprudenciale dhe instrumentet e saj duhet të jenë të qarta, duhet kuptuar që ajo mund të ketë efekte më të gjera në sistemin financiar dhe ekonominë reale. Për këtë arsye, diskutimet për politikën dhe masat makroprudenciale duhet të përfshijnë edhe autoritete të tjera, përfshirë atë fiskal.
Shumë vende kanë ngritur tashmë një organ ndërinstitucional, me kompetenca të buta ose të forta, për të hartuar dhe zbatuar politikat makroprudenciale për zbutjen e rrezikut sistemik. Roli i bankës qendrore në këto organe ndërinstitucionale do të pasqyrojë legjislacionin dhe traditën e tyre dhe objektivin e pavarësisë. Ndonëse bankat qendrore mund të mos jenë gjithmonë në rolin drejtues të këtyre organeve, ato mund të luajnë një rol kritik për të mbështetur funksionimin e këtyre organeve duke pasur parasysh informacionin dhe ekspertizën që japin. 

SI JANË ZHVILLUAR KËTO POLITIKA NË RAJONIN E EUROPËS JUGLINDORE?
Pavarësisht nga rritja solide në periudhën që i parapriu krizës globale, kjo krizë e gjeti Europën Juglindore (EJL) në një pozicion të dobët. Më së shumti, modeli i rritjes në rajon mbështetej te nxitja e absorbimit vendas, që nga ana e vet financohej pjesërisht nga huamarrja e jashtme. Flukset hyrëse financiare u kanalizuan në ekonomitë e EJLsë kryesisht nëpërmjet filialeve të bankave nga BE-ja. Në EJL ato inkurajuan investime në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe atë të shërbimeve dhe u reflektuan në deficite të mëdha të llogarisë korrente. Konkurrueshmëria e jashtme dhe reformat strukturore u anashkaluan disi në axhendën e politikëbërësve, ndërsa pozicionet fiskale u lejuan të përkeqësohen dhe masat mbrojtëse financiare ishin të dobëta. Për rrjedhojë, kur goditi kriza, EJL u përball si me probleme strukturore edhe me probleme ciklike. Struktura e përgjithshme ekonomike nuk ishte konkurruese, ndërsa rritja u zvogëlua me kolapsin e kërkesës së jashtme dhe kërkesa e brendshme vuajti nga pasiguri më të larta, prime më të larta rreziku dhe mungesë financimi.
Në aspektin financiar, ekonomitë tona vuajtën uljen e ndërmjetësimit financiar, të njohur si deleveraging, nga bankat e huaja, të cilat e ulën ekspozimin e tyre në EJL. Përveç kësaj, disa vende u përballën me dobësi të mëdha në sistemin financiar, kur kreditë me probleme u rriten me shpejtësi për shkak të kombinimit të rritjes së dobët dhe kredive në monedhë të huaj ndaj huamarrësve të pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Natyrisht që kjo tablo është një përgjithësim. Vende të ndryshme kanë pasur përvoja të ndryshme, në varësi të kushteve fillestare dhe reagimit të politikës ekonomike. Megjithatë, kriza ekspozoi disa dobësi të këtij modeli ekonomik. Në të njëjtën kohë, për sa kohë ekzistojnë diferenca midis vendeve, mund të arrijmë në më shumë përfundime nga përvoja jonë. Konkretisht:
– Vendet me kushte fillestare të favorshme vuajtën më pak. Shqipëria ishte një rast i tillë. Ne nuk e shmangëm krejtësisht akumulimin e zhbalancimeve, po kemi qenë të kujdesshëm sa duhet për të shmangur kreditimin nga bankat në një monedhë tjetër të pambështetur nga burime të qëndrueshme; për të nxitur një model biznesi të kujdesshëm për sistemin bankar;
për të shmangur flukse hyrëse afatshkurtra të monedhës; si dhe për t’u fokusuar në stabilitetin e përgjithshëm si parakusht për rritje afatgjatë.
– Vendet me stabilitet dhe politika të orientuara drejt afatit të gjatë kanë performuar më mirë. Dilema e politikës në EJL lidhej kryesisht me faktin nëse duhet mbështetur rritja ekonomike nëpërmjet politikave kundërciklike apo të vendoset si përparësi stabiliteti ekonomik dhe financiar nëpërmjet veprimeve të vendosura korrektuese. Në rastin kur ekonomia është e orientuar drejt importeve, dhënia e stimulit makroekonomik mund të vërtetohet të jetë një veprim pa efekt.
Si rrjedhojë, në Shqipëri kemi rritur përpjekjet për të ristrukturuar ekonominë. Banka e Shqipërisë ka kërkuar, gjithashtu, të rrisë transparencën në sistemin bankar dhe të forcojë bilancet e tij, si nëpërmjet rritjes së kapitalit edhe nëpërmjet trajtimit të borxheve të këqija. Kjo e fundit është bërë duke promovuar ristrukturimin e kredive apo fshirjen e tyre.
Në këtë drejtim, fokusi i Bankës së Shqipërisë do të ndalet në një përqasje mikro të analizës së debitorëve të këqij, të cilët paraqesin rëndësi sistemike.
– Bashkëpunimi ndërkombëtar është parakusht për zbutjen e efekteve zinxhir dhe për administrimin e suksesshëm të krizës. Në veçanti, Nisma e Vjenës ka pasur rol kyç për kufizimin e procesit të uljes së ndërmjetësimit financiar të sistemit bankar privat në ekonomitë tona.
– Kuadri institucional dhe i veprimeve mbrojtëse për situata të jashtëzakonshme financiare duhet të përmirësohen, për t’i bërë më eficiente dhe më të qëndrueshme.
***
Megjithatë, mbeten ende disa çështje për t’u zgjidhur. Ekonomitë e EJL-së kanë zgjedhur me të drejtë integrimin në BE si qëllim kryesor. Kjo ndihmon për ankorimin e sistemit të tyre politik, reformave strukturore, mjedisit ligjor dhe rregullator, dhe politikave makroekonomike dhe financiare. Megjithatë, modeli i rritjes ekonomike duhet të ndryshojë. Fokusi kryesor i autoriteteve kombëtare në EJL duhet të lehtësojë shpërndarjen e kapitalit në sektorë më produktivë, duke siguruar incentivat e duhura, reforma strukturore, mjedisin ligjor, politikat e përshtatshme të taksimit dhe stabilitet ekonomik. Në sistemin financiar të këtyre vendeve, të mbizotëruar nga bankat, ulja e ndërmjetësimit financiar është nën presionin e përkeqësimit të cilësisë së kredisë. Kreditimi është zvogëluar pasi bankat janë bërë më të ndjeshme ndaj rrezikut dhe ngurrojnë t’u japin hua kredimarrësve të mundshëm duke shtrënguar kushtet e kreditimit. Ndaj, agjentët e sektorit real, sidomos bizneset që operojnë në sektorët “e sëmurë” në ekonomi, po përballen me vështirësi në rritje për financim afatshkurtër dhe kanë humbur disi vizionin për objektivat e tyre për të ardhmen. Procesi i ristrukturimit në këto kompani duhet të gjejë mënyra që biznesi i tyre të ndryshojë e të bëhet eficient, në mënyrë që të mbijetojnë dhe që të rimëkëmben. Fondet financiare dhe ekspertiza janë veçanërisht të rëndësishme gjatë fazës së ristrukturimit. 

Cili është roli i sistemit financiar në këtë proces? Duhet të jemi të qartë për dy çështje: 1) ne kemi ndërtuar një sistem financiar dhe kemi ndjekur një strategji integrimi financiar që mbështetet te bankat. Në fakt, ato përbëjnë mbi 90% të sistemit financiar në të gjithë rajonin. Ne mendojmë se ky model është i suksesshëm dhe se, me disa rishikime të vogla, ai duhet t’u shërbejë ekonomive tona në të ardhmen. Bankat e huaja sjellin ekspertizë dhe më së shumti stabilitet për sistemin financiar. Megjithatë, përvoja e kohëve të fundit e ka zbutur këtë argument. 2) Bankat duhet të jenë mjeti kryesor i flukseve hyrëse financiare. Si ekonomi konverguese, EJL pritet të ketë deficite të llogarisë korrente. Si i tillë, ky është një rajon i uritur për kapital, të cilin bankat ndërkombëtare duhet ta ndërmjetësojnë. Një model i ri biznesi që mbështetet plotësisht te depozitat e gjeneruara në vend është një reagim i gabuar ndaj ekstremit të mëparshëm të flukseve të mëdha hyrëse. Duhet kërkuar një mjet më i përshtatshëm, një zgjidhje e bazuar në flukse hyrëse të kujdesshme dhe të qëndrueshme të fondeve. 

SI DO TË NDIKOJË MEKANIZMI I VETËM MBIKËQYRËS NË PUNËN E BANKAVE QENDRORE NË RAJON?
Besoj se Mekanizmi i Vetëm Mbikëqyrës (Single Supervisory Mechanism – SSM) do të ketë ndikim pozitiv mbi bankat qendrore (dhe autoritetet rregullatore) në rajon për përmbushjen e përgjegjësive të tyre në lidhje me mbikëqyrjen dhe politikat makroprudenciale. Rregullatorët në rajon do të flasin tani me një mbikëqyrës të vetëm “të vendit të origjinës”, dhe kjo pritet të sjellë më shumë vëmendje te shqetësimet e tyre për mbikëqyrjen. Ky proces mund të forcohet më tej nëse bankat qendrore në rajon përmirësojnë bashkëpunimin midis tyre dhe janë në gjendje të identifikojnë pozicione të përbashkëta në komunikimin me Bankën Qendrore Europiane. Ky bashkëpunim mund t’i përgjigjet më mirë shqetësimit se një mbikëqyrës i vetëm mund të jetë më i largët sa u takon shqetësimeve të rregullatorëve të vendeve të vogla të rajonit. Mundësia për të bashkëpunuar me një mbikëqyrës të vetëm të “vendit të origjinës” do të ketë rëndësi kyçe për të ecur më shpejt në procesin e konvergjencës rregullatore dhe për të krijuar një terren më të përshtatshëm për institucionet financiare në rajon. Kjo është diçka që po udhëhiqet me kujdes nga Nisma e Vjenës 2.0. Përveç përgatitjes për zbatimin e standardeve të ndryshme rregullatore lidhur me instrumente kundërciklike dhe makroprudenciale, një çështje me rëndësi afatshkurtër është ajo që ka të bëjë me njohjen dhe trajtimin e kredive me probleme. *** Vetëm pak kohë më parë, disa vende në rajon u prekën nga procesi i uljes së ndërmjetësimit financiar që filloi në sistemin financiar të BE-së. Kjo u ndie më shumë gjatë vitit 2012, pas kërkesave për rritje të kapitalit, që shoqëruan ushtrimin e provës së rezistencës (stress test) të nëntorit 2011 nga Autoriteti Bankar Europian dhe hapat përkatës të ndërmarrë nga autoritetet kombëtare “të vendeve të origjinës” për të përmbushur këto kërkesa. Së afërmi do të kryhet Analiza e Cilësisë së Aktiveve nga BQE-ja. Shpresa dhe bindja jonë është që këtë herë, shqetësimet e vendeve të EJL-së për ulje të mundshme e të mëtejshme të ndërmjetësimit financiar do të shqyrtohen më me kujdes dhe në mënyrë më specifike, për të shmangur ulje të mundshme e të mëtejshme të ndërmjetësimit financiar. Më lejoni të ritheksoj se ekonomitë në rajonin tonë mbështeten shumë te financimi nga bankat dhe se ka një nevojë në rritje për të drejtuar fluksin e kredisë drejt ekonomisë. Së fundmi theksoj rëndësinë e krijimit të një kuadri të qëndrueshëm për politikën makroprudenciale, si në aspektin e instrumenteve, ashtu edhe të qasjes institucionale, për parandalimin me eficiencë dhe në kohë të rrezikut sistemik. Kjo duhet të shoqërohet me masa për forcimin e kuadrit për administrimin e krizave financiare. Nëse hartohet si duhet, politika makroprudenciale jo vetëm do të shmangë çdo konflikt me politikën monetare, por do ta plotësojë atë si duhet. Vendet e EJL-së duhet të përfitojnë nga sinergjitë që lidhen me ngritjen e Mekanizmit të Vetëm Mbikëqyrës. Këto përfitime mund të bëhen më të mëdha nëse arrijmë të forcojmë bashkëpunimin rajonal. Ne mbetemi ende të shqetësuar për një ulje të mundshme e të mëtejshme të ndërmjetësimit financiar pas procesit të pritshëm të Analizës së Cilësisë së Aktiveve të grupeve bankare evropiane dhe shpresojmë që BQE-ja dhe autoritete të tjera në eurozonë dhe BE të mund ta konceptojnë atë në mënyrë të tillë që ta kufizojnë sa më shumë këtë ndikim.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi