Reforma administrative dhe Qarku

Nga Gjergji Duro, botuar në Shqip, 8 dhjetor 2013

Ishte i saktë konkluzioni i para do ditësh, i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, se reforma administrative duhet përfunduar para se të fillojë puna për reformën zgjedhore dhe të dyja duhet t’u paraprijnë në kohë zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Të tjerë hedhin ide që të bëhen fillimisht ndryshime kushtetuese, pastaj ato zgjedhore e më tej ndryshimet administrativo-territoriale. Tentativën serioze të ndërmarrë më 2003 për reformën administrative e territoriale e çoi në kalendrat greke, duke humbur 10 vjet kohë, pikërisht “ngatërrimi i radhës së punës”. Ndërkohë, edhe sot ka zëra “që nuk janë pjekur kushtet” për një reformë të tillë, që pak a shumë do të thotë të humbasim dhe nja 10 vjet të tjera.

Po pse në axhendën e punës reformatore, ndarja administrativo-territoriale e ka radhën e para?

Së pari, ka një mirëkuptim të përgjithshëm që ndarja aktuale me 12 qarqe (për rrjedhojë dhe prefektura) nuk i përgjigjet as nivelit të qeverisjes vendore dhe as kërkesave të menaxhimit të projekteve mbështetëse nga BE-ja. Një kategori ekspertësh mendojnë se mbase më racionale do të ishte ndarja në 5 qarqe e gjithë territorit të Shqipërisë. Por ka dhe të tjerë që gjykojnë më optimale ndarjen me 8 njësi të reja administrative që përsëri mund të emërtohen qarqe (emërtim jo shqip), mbase rajone (përsëri jo plotësisht shqip), apo thjesht prefektura (edhe ky një emërtim i huazuar).

Gjithsesi, unë po vazhdoj me emërtimin aktual, qarqe. Nëse qarqet e rikonceptuar do të ndryshojnë vetëm nga forma, (emërtimi dhe numri), por në përmbajtje dhe funksione do të jenë si qarqet aktuale, më mirë le të jenë kaq sa janë. Para së gjithash ky reformim duhet të prekë mënyrën e zgjedhjes dhe konstituimit të këshillit të qarkut dhe kryetarit të tij, funksionet dhe përgjegjësitë që do të marrin në shërbim të komuniteteve që do të përfaqësojnë. Aktualisht, këshilli i qarkut formatohet mbi bazën e këshilltarëve të zgjedhur në njësitë vendore të nivelit të parë. Mendoj se në njësitë e reja të nivelit të dytë të qeverisjes vendore, përfaqësimi duhet të jetë direkt dhe indirekt, që do të thotë; kryetarët e bashkive (besoj se me reformën e re do të ketë vetëm bashki dhe jo edhe përkthim të kësaj fjale në frëngjisht komunë) do të jenë automatikisht anëtarë të këshillit të qarkut, (si të zgjedhur direkt nga populli, por që do të përfaqësojnë pjesën indirekte të të zgjedhurve në këshillin e qarkut). Kurse pjesa tjetër e anëtarëve të këshillit të qarkut të zgjidhej direkt me votim nga populli, sepse nëpërmjet zgjedhjes direkte këshilli i qarkut do të marrë më shumë përgjegjësi dhe atribute për vendimmarrjet në politikat e zhvillimit, si përfaqësuese direkte e interesave të komunitetit. Ku japin llogari deri tani këshilli i qarkut dhe kryetari i tij, për veprimtarinë në interes të qarkut? Askund!

Në gjykimin tim, edhe kryetari i këshillit të qarkut duhet të zgjidhet me votim direkt nga populli, një ide kjo që u mbështet gjerësisht edhe në një konsultë me disa ish-kryetarë qarku. Aktualisht ka një mospërputhje jo të dobishme midis zgjedhjes së kryetarit të bashkisë/komunës direkt nga populli dhe zgjedhjes së kryetarit të këshillit të qarkut nga vetë këshilli, që e zbeh rolin dhe autoritetin e tij, por edhe të vendimmarrjes së të gjitha strukturave që menaxhon. Jemi dëshmitarë të pazarit të votave që bëhet për zgjedhjen e kryetarit të qarkut (si në rastin e Fierit apo Beratit). Dhe të gjitha këto stimulohen nga procedurat aktuale, që burojnë edhe nga Kodi Zgjedhor.

Zgjedhja e këshillit dhe kryetarit të qarkut direkt nga populli, bëhet e domosdoshme për të shmangur të dyja dukuritë e rezultatit të përgjithshëm të zgjedhjeve, si vendore dhe kombëtare. Normalisht mendohet se kodi aktual zgjedhor krijon ekuilibër midis mazhorancës dhe opozitës (prandaj dhe u çuditëm nga rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti), e nëse do ndodhë kështu në zgjedhjet vendore të 2015, imagjinoni trafikun e blerjes së votave, duke filluar që nga anëtarët e këshillit bashkiak për anëtarë të këshillit të qarkut e deri në ato për zgjedhjen e kryetarit. Por edhe nëse rezultati do të jetë me diferencë të theksuar midis mazhorancës dhe opozitës qarkore, përsëri do kemi fuqinë e kartonëve në zgjedhjen e autoriteteve të qarkut. Sido të shfaqen këto dukuri nga zgjedhja direkte e organeve të nivelit të dytë, është zgjidhje e sovranit dhe nuk gjykohet.

Problem shumë i diskutueshëm, madje lidhet me kompetencat dhe detyrimet e qarkut, të cilat aktualisht janë “për me u gjend Kola në punë”. P.sh., arsimi në shkallë qarku mbulohet nga drejtoria përkatëse në varësi të ministrisë dhe prefekturës, por… transporti i mësuesve në fshat është në varësi të qarkut(!), ose prefektura kujdeset për mirëfunksionimin e rrugëve nacionale dhe qarku ka të njëjtën përgjegjësi për rrugët rurale, pavarësisht se drejtoria e rrugëve në qark është një. Rishikimi i këtyre kompetencave duhet të fillojë nga ato financiare dhe buxhetore, për të cilat qarqet aktualisht janë tepër të diskriminuara. Një pjesë e mirë e shpenzimeve të qarkut mbulohen nga kontributet që duhet të japin bashkitë dhe komunat përbërëse të tij. Mendoni që çdo qark ka 20-25% të komunave që mezi kaurdisen me burime financiare për të mbijetuar dhe këto duhet të kontribuojnë edhe për të mbajtur me para qarkun!

Por kompetencat më të mëdha, për rrjedhojë edhe përgjegjësitë më të mëdha qarku do të marrë në kuadrin e projekteve LAG. Parë në këtë këndvështrim, do të ishte mirë që të gjitha drejtoritë vertikale që operojnë në rang prefekture apo rrethi të dikurshëm, të jenë nën autoritetin e veprimtarisë së këshillit të qarkut. Nuk mund të bëjë politikë rajonale këshilli i qarkut, kur drejtoritë vertikale veprojnë në mënyrë të shkëputur nga këshilli i qarkut dhe shumë dëgjojnë ndonjë opsion të prefekturës, meqenëse prefekti “ka diçka në dorë” në emërimin apo çemërimin e tyre! Kësaj i thonë “dhentë e dhitë e Zeres nami i Hasan Qerres”! Politikat rajonale të zhvillimit të ekonomisë, bujqësisë, turizmit apo arsimit, si pjesë përbërëse e politikave përkatëse kombëtare, mund të jenë atraktive dhe të kontrollueshme vetëm nëse organizmat vertikale dekoncentrohen, të themi me varësi të dyfishtë ministri-qark. Dhe kjo mund të funksionojë shumë mirë në rast se autoritetet e qarkut zgjidhen nga populli dhe japin llogari te  zgjedhësit.

Së dyti, besoj se qarqet e reja të dala nga reforma administrativo-territoriale, me kompetencat dhe atributet që do t’i shoqërojnë, do të kenë ndikim edhe në madhësinë e përfaqësimit në organet kombëtare të zgjedhura direkt nga populli. Pra në formatimin e Kuvendit të Shqipërisë. Nëse bëjmë një aritmetikë të thjeshtë, deputet/banorë, sipas nivelit të përfaqësimit të tyre në vendet e BE-së, do na rezultojë një Parlament me 63-65 deputetë (p.sh Holanda ka 75 deputetë). Kemi konsultuar deputetë e ish-deputetë dhe të gjithëve përgjithësisht u duket “i vogël” një parlament me 65-70 deputetë, por ndërkohë të gjithë e pranojnë se pjesa më aktive e Parlamentit përbëhet nga 25-30% e deputetëve, të tjerët (veç punës së padukshme në komisione) mbajnë ndonjëherë ndonjë fjalim kur i cakton grupi, se kanë kohë “që nuk kanë dalë në podium”.

Po ç’lidhje ka qarku i ri që do formohet me numrin e deputetëve në Parlament? Natyrisht, problemi i numrit të deputetëve është çështje e konsensusit të forcave politike, por s’mund të pretendohet për qeveri “të vogël” me një Parlament “të madh”!

Përpos kësaj, ajo që është më e rëndësishmja, në qarqet e reja do të zgjidhen anëtarë këshilli, nëse do të aplikohet sistemi i zgjedhjes direkte, që do të duhet të sigurojnë votat e 10-15 mijë zgjedhësve, ndërkohë që për deputet mund të zgjidhesh edhe me 5 apo 6 mijë vota.

Në këtë aspekt, për të rritur nivelin e përfaqësimit në ligjvënie, mbase do parë edhe mundësia e krijimit të dy dhomave parlamentare. Dhoma e lartë që mund të jetë me 65-70 deputetë të zgjedhur direkt dhe dhoma e ulët me 80-100 vetë, të cilët të jenë kryesisht anëtarë të këshillit të qarkut të ri të dalë nga reforma administrative. Në këtë mënyrë do të sigurojmë një vazhdimësi më të mirë të qeverisjes nga një nivel në nivelin tjetër dhe do të vijnë më mirë problemet e zgjedhësve, apo do të sigurohet një nivel më i lartë i zbatueshmërisë së ligjeve të miratuara.

Çdo problem i mësipërm ha diskutim, bile të gjerë e të thelluar, veçse jemi në kohë për t’i bërë ato. Por suksesi dhe produktiviteti i tyre do të sigurojnë qëndrueshmëri e zgjidhje afatgjata nëse paraprihen nga realizimi në kohë, me cilësi e mbi të gjitha, sa më gjithëpërfshirëse i reformës administrativo-territoriale.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi