Tranzicioni shqiptar brenda qasjeve teorike

Nga Tonin Gjuraj, botuar në Mapo Online, 7 dhjetor 2013

Siç dihet gjerësisht, komunizmi në Shqipëri mori një formë shumë specifike, duke vënë enverizmin në qendër të tonin gjurajmendimit politik zyrtar për disa dekada. Për të kuptuar më mirëunicitetin e tranzicionit demokratik në Shqipëri, është më me interes të analizojmë modelin që ka të bëjë me format e ndërveprimit ndërmjet politikës dhe disa aspekteve kulturore të shoqërisë shqiptare. Në fakt, pak është zhvilluar një model i tillë prej teorive ekzistuese të tranzicionit demokratik, por brenda këtij modeli Shqipëria paraqet vështirësi për t’u shpjeguar në mënyrë të përshtatshme. Po t’i hedhim një vështrim qasjeve më të spikatura të tranzicionit demokratik në kohën e sotme, ata mund të grupohen në tri lloje: deterministike, voluntaristike dhe institucionale. Është me rëndësi këtu të zbërthehet modeli shqiptar brenda kontekstit të këtyre qasjeve.

Brenda qasjes deterministike gjendet një ndërlidhje pozitive midis modernizimit social-ekonomik dhe demokratizimit të një shoqërie, ku është e mundur të dallohen vlerësimet social-ekonomike dhe kultura politike tradicionale, si faktorë ndihmës dhe përcaktues për një tranzicion të plotë e të suksesshëm, përfshirë dhe Shqipërinë.  Autorë të tillë si Lipset, Moore, Gibson, Di Palma e shumë të tjerë kanë krijuar një shkollë të tillë të mendimit politik, bazuar në politikën tradicionale. Në këtë kontekst, gjendja e demokracisë shqiptare përcaktohet nga rruga që ka ndjekur shoqëria shqiptare që prej kohëve të hershme deri në ditët tona. Historia e Shqipërisë paraqitet si variabël qendror që mund të shpjegojë llojin dhe nivelin e demokracisë.  E kaluara e saj paraqitet me shumë ndikim në promovimin e elementeve demokratikë dhe përpjekjeve për konsolidimin e demokracisë. Si rrjedhojë, po t’i referohemi një trajtimi të tillë duket që mundësitë për demokratizim të shoqërisë shqiptare të jenë të kufizuara, sepse  zhvillimi social-ekonomik dhe historia demokratike e këtij vendi nuk kanë qenë favorizuese në këtë drejtim.  Vendi deri vonë u dominua kryesisht prej të huajve, ndërkohë që periudha e sundimit të gjatë komunist përbën përvojën më antidemokratike të shoqërisë shqiptare. Para Luftës së Dytë Botërore, kryesisht gjatë qeverisjes zogiste, shoqëria shqiptare ka provuar elemente dhe praktika demokratike, por ata nuk kanë qenë të tilla, në kuptimin e demokracisë liberale.  Megjithëse modelet dhe rrugët e përparimit demokratik janë të shumëllojshme dhe parakushtet e proceseve demokratike mund të ecin paralelisht me njëra-tjetrën, duhet të nënvizohet se zhvillimi ekonomik dhe historia e zhvillimit demokratik të shoqërisë shqiptare paskomuniste kanë qenë shumë prapa normave të ecurisë së një shoqërie normale në tranzicion.

Qasja voluntaristike e demokratizimit thekson kryesisht rolin e elitës politike, e cila përfshihet në një proces të gjithanshëm njohjeje të zhvillimeve politike dhe zotërimit të shprehive demokratike si: kompromisi, dialogu, konsensusi, përshtatja me situatat e reja etj…Tranzicioni demokratik kërkon të karakterizohet nga një shkallë e lartë dialogimi dhe kompromisesh.  Përveç këtyre, personaliteti, talenti, kultura dhe nuhatja politike e aktorëve politikë mbeten mjaft të rëndësishme. O’Donnell, Schmitter, Verba, Almond, Powell e shumë studiues e politologë të tjerë mbrojnë me forcë këtë argument. Mirëpo, edhe në këtë drejtim, realiteti demokratik shqiptar paraqitet unik me vështirësitë e tij karakteristike.  Mund të thuhet pa ngurrim se, përvoja shqiptare ka ofruar gjatë dy dekadave të fundit një sjelljeje të pamatur politike të elitës së saj dhe mungesë të përgjegjshmërisë. Kjo elitë provoi të ishte më tepër konfliktuese sesa krijuese, e pasigurt në zgjidhjen e situatave të nxehta dhe, mbi të gjitha, u karakterizua nga një lloj hakmarrjeje, që në ndonjë rast kaloi deri në eliminimin fizik të kundërshtarëve politik.  Pavarësisht zhurmës për orientim euro-atlantik, në fakt, qëndrimet dhe sjelljet në këtë drejtim nuk u përshtaten si duhet.  Të qenit një politikë properëndimore do të thotë, para së gjithash, seriozitet në kuptimin dhe zbatimin e normave të brendshme e të jashtme të filozofisë së kësaj hemisfere demokratike.  Përgjithësisht, qëndrimet dhe sjelljet e elitës politike shqiptare shuan shpresat për një tranzicion me efekte pozitive manifestuese dhe të shpejta për shoqërinë shqiptare.  Fraksionet dhe çështjet e ndryshme u përcaktuan, siç do të argumentonte Shinasi Rama, mbi bazën e dallimit shok-armik, gjë e cila mbizotëroi në sistemin politik shqiptar.  Koha tregoi se fraksionizimi ekstrem nuk solli ndonjë dobi në jetën politike shqiptare.

Ka ekzistuar pra një panoramë disi e zymtë sa i takon qëndrimeve dhe sjelljes politike të elitës politike shqiptare, me disa përjashtime sporadike, më shumë konjukturale, të arritjes së kompromiseve politike, që nisën në fundin e vitit 1998, përfshirë periudhën e luftës në Kosovë, disa ndryshime pozitive në marrëdhëniet pozitë-opozitë me takimet Berisha-Majko, Nano–Berisha, qeverisja Berisha-Meta, aktualisht Rama-Meta, si dhe ujdia më e fundit për marrjen e statusit. Përveç kësaj, edhe disa prej fushatave zgjedhore brenda forcave kryesore politike, pavarësisht prej ndonjë prirjeve klanore, interesave të ngushta meskine, apo shpërdorimeve me institucionin e lirisë dhe zgjedhjeve të lira, u shfaq, të paktën pjesërisht, një shkallë fillestare embrionale emancipimi dhe maturie politike. Është e nevojshme të theksohet gjithashtu se, së fundi, po shtohen kredencialet e një brezit të ri politikanësh, djathtas e majtas, që po shfaqin një kulturë të re politike e debati brenda forcave të tyre politike, nisur ndoshta nga fakti se mbi ta nuk rëndon pesha e së kaluarës.  Më tej, edhe mbështetja nga jashtë, e cila shpeshherë konsiderohet përcaktuese për fatet e lidershipit politik, tregon se konkurrenca politike nuk është më diçka formale dhe e paracaktuar. Në tërësi, mund të konstatohet se ka një prirjeje drejt besnikërisë ndaj rregullave demokratike dhe një lidershipi të institucionalizuar, të cilat përbëjnë një evolucion të madh në sistemin politik shqiptar.

Qasja institucionale meriton një vëmendje të veçantë, duke vlerësuar se janë institucionet, kushtet ekonomike dhe politika që formësojnë perspektivat për demokraci në shoqëritë tranzicionale. Tranzitologjistët mendojnë dhe mbrojnë pikëpamjen sipas së cilës, institucionet mund të ndryshojnë mjedisin shoqëror e politik. Sipas Juan L. Linz & Alfred Stepan, ata luajnë rol përcaktues në tranzicionin dhe konsolidimin demokratik. Nëse në fillimet e proceseve demokratike në Shqipëri u hodhën hapat e para për ngritjen e institucioneve demokratike dhe u shfaq një performancë e kënaqshme ekonomike, sot pamja paraqitet disi e ndryshme. Përpjekjet për të rivendosur autoritetin institucional në një tranzicion tashmë të tejzgjatur, si rezultat i ngjarjeve të marsit 1997, shtatorit 1998 dhe janarit 2011, si dhe përmbushja e kritereve për t’iu bashkuar BE-së, përbëjnë sfidën aktuale.

Në shoqëritë e sotme tranzicionale ku bën pjesë edhe Shqipëria, institucionet janë përcaktuese në krijimin dhe konsolidimin e një sistemi të qëndrueshëm social dhe politik.  Sipas T. Parsons, institucionet, si komplet rolesh, janë strategjikisht të rëndësishme për këtë sistem. Ai konsideron modelet institucionale si shtylla kurrizore të një sistemi shoqëror.  Pikërisht, këtu shoqëria shqiptare ende nuk përputhet me shoqëritë demokratike bashkëkohore.  Përvoja historike tregon se demokracia si proces kërkon përherë përmirësime, pavarësisht nga staus-quo-ja e saj.  Në këtë rrugë të gjatë identifikohen ata që Freeman R. Butts i quan armiqtë e demokracisë si, për shembull, korrupsioni, dëshpërimi, mungesa e qeverisjes efektive, por edhe indiferenca e qytetarëve ndaj të drejtave dhe përgjegjësive të tyre qytetare, si dhe mospjesëmarrja në mënyrë aktive në jetën politike të vendit.  Konsolidimi i demokracisë nuk mund të jetë apriori i sigurt.  Respektimi ose shkelja e parimeve, vlerave dhe shprehive demokratike do të përcaktojnë fatin e demokracisë shqiptare.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi