Tatimi progresiv dhe regresi tatimor
Nga Ermal Hasimja, botuar në Panorama Online, 7 dhjetor 2013
Edhe ata që nuk e kanë votuar këtë qeveri, kanë pasur shpresën se diçka do të ndryshojë për mirë pas degradimit të qeverisjes së shkuar në 2-3 vitet e fundit. Në një vend në krizë ekonomike, me një sektor privat që mezi mbijeton, pritej që qeveria të inkurajonte rritjen dhe, rrjedhimisht, punësimin. Por shenjat e para janë frikësuese.
Informacionet e paraqitura në media për politikën e re fiskale të qeverisë tregojnë se fokusi është vënë te sigurimi i përkrahjes afatshkurtër nga shtresat e varfra përmes një politike që tingëllon populiste. Në të kundërt, biznesi vendoset në pozitën e një lope që duhet mjelë deri në shterje. Në mes të krizës.
Taksat progresive godasin shtresën më aktive, më të shkolluar dhe më sipërmarrëse të popullsisë, sepse kjo është shtresa me rrogat më të larta. Nga ana tjetër, ulja e ndjeshme e rrogave neto për shkak të rritjes së menjëhershme të tatimit mbi fitimin dhe ndoshta edhe e sigurimeve, do të përcillet pashmangshmërisht me presion mbi punëdhënësit, nga të cilët do të kërkohet pjesërisht ose plotësisht kompensim i uljes reale së rrogave. Pra, në një mënyrë ose një tjetër, tatimi progresiv mbi pagat do të bjerë mbi shpatullat e biznesit, i cili edhe pa këto taksa është në pikë të hallit. Dhe që biznesi është në pikë të hallit, këtë e ka thënë mbi të gjitha vetë z. Rama gjatë fushatës, dhe ka pasur të drejtë.
E kotë të flasim pastaj për aspektin demotivues për të gjithë ata që preken: të kesh një rrogë të lartë në sektorin privat, ndryshe nga sektori shtetëror ku bën namin militantizmi dhe paaftësia, do të thotë të kesh sakrifikuar shumë dhe të jesh duke sakrifikuar shumë. Këtë sakrificë tatimi progresiv e trajton si padrejtësi që duhet ndrequr. Përveçse e pandershme, ky është morali më i keq që u përcillet brezave të rinj: puno më tepër dhe do të mbash mbi shpatulla edhe të tjerët. Kjo nuk është çështje solidariteti. Edhe ajo që quhet taksë e sheshtë, është në fakt progresive në vlerë, sepse 10% i dikujt që fiton 100 000 lekë nuk është njësoj me 10% e atij që fiton 40 000. Tatimi progresiv nuk e krijon solidaritetin, sepse ai ekziston dukshëm edhe me taksën e sheshtë, por e transformon atë në zhvatje të njërit në kurriz të tjetrit. Madje edhe kjo zhvatje kalon nga duart e pista e plotësisht të paragjykueshme të një shteti tranzicional që vjedh sa mundet. Lekët që merren nga ata që fitojnë më shumë, do të mbushin pjesërisht edhe llogaritë bankare në Qipro e vende të tjera, do të harxhohen për “shpenzimet operative” të burokratëve të shtetit dhe vetëm ajo çfarë mbetet do të shkojë tek ata që po fërkojnë duart nga kënaqësia e zhvatjes së “atyre që kanë lekë”.
Qytetari mesatar nuk mund ta kuptojë efektin ekonomik të politikave të tilla. Ai hutohet pas idesë se ata që kanë lekë i kanë me të padrejtë dhe u duhen marrë. Por qeveria duhet ta kuptojë. Dhe unë besoj se e kupton. Mjafton të mbledhë ca ekonomistë mesatarë dhe të përpiqet të parashikojë pasojat. Qeveria ndoshta do të marrë miratimin e mijëra shqiptarëve që i kënaq varfërimi i shtresave të mesme për ta ndarë fatin me ta, ose edhe falimentimi i bizneseve kur tatimi progresiv të godasë drejtpërdrejt biznesin. Por pyetja është: Sa kohë ka ndër mend të qeverisë qeveria? Çfarë do të ndodhë kur të mbeten për t’u tatuar vetëm bizneset me lidhje politike?
Ulja e paraqitur e tatimit për bizneset e vogla me 2,5% nuk zgjidh asgjë përballë masakrës që ofrohet me tatimin progresiv, qoftë individual, qoftë për bizneset. Edhe përfitimet elektorale do të ishin tepër afatshkurtra. Ndoshta mijëra votues do të kënaqen përkohësisht me idenë e zhvatjes përmes taksave, por me rënien e zhvillimit ekonomik dhe uljen e punësimit, të njëjtët votues do ta kthejnë gishtin e përgjegjësisë nga qeveria.
Nga ana e tij, çdo qytetar do të duhet të mendojë pak më thellë se thellësia e xhepit. Ku qëndron dobia e goditjes së sektorit privat? Dhe pastaj pyetja klasike reflektuese: Aa veta punësojnë të varfrit në këtë vend? A është më mirë të presësh lëmoshën e një shteti që i merr paratë privatit dhe i kalon mbetjet në formë lëmoshe qytetarëve në nevojë, apo ia vlen që bizneset t’i mbijetojnë krizës e të hapin vende të reja pune? Natyrisht, është e vështirë të flasësh për dobinë publike të sipërmarrjes private në vendin ku kulakët ende gjallojnë në mendjet e njerëzve në forma moderne. Por këtu nuk është fjala vetëm për një brez. Është fjala për atë që i lihet brezit tjetër.
Të dhënat gjysmëzyrtare e ndoshta testuese që dalin në media flasin edhe për një nismë tjetër të frikshme: vendosjen e TVSH-së për arsimin. Nëse sektori privat në përgjithësi është në krizë, sektori i arsimit privat është në qendër të saj. Tre vjet më parë Partia Socialiste dhe z. Rama ishin në krye të një beteje të admirueshme për ta bindur qeverinë e Berishës që të hiqte TVSH-në për arsimin. Nëse qeveria vendos të bëjë të kundërtën e asaj për të cilën luftoi, rezultati i thjeshtë do të jetë rrënimi i një sektori, i cili sapo ka nisur të bëjë diferencimin cilësor në gjirin e vet. Do të dëmtohen në radhë të parë shkollat private më cilësore, që kanë edhe shpenzimet më të larta, dhe do të rezistojnë shkollat jocilësore, që nuk investojnë ose fshehin të ardhurat. Teksa e shkruaj këtë, përsëri besoj se kjo nismë është më tepër një provokim gjysmëpolitik e gjysmëmediatik, sepse më duket e vështirë të besoj se qeveria mund të shkojë kaq larg.
Unë besoj se z. Rama do të donte një Shqipëri të zhvilluar. Por goditja e sektorit privat shkon në sensin e kundërt. Ky vend nuk është zhvilluar nga qeveritë, por nga biznesi. Pas 4 vitesh votuesit do ta kenë harruar çështjen e tatimit progresiv, por do ta gjykojnë qeverinë edhe nga vendet e punës që nuk do të mund të hapin bizneset që mund të goditen sot.