Të ngërthyer në një rreth vicioz

Nga Giovanni Sartori, publikuar në Balkanweb, 6 dhjetor 2013

Në veçanti ne, por jo vetëm ne, jemi tashmë të ngërthyer në një rreth vicioz që ishte i lehtë për t’u parashikuar, por që fatkeqësisht nuk u parandalua. Tejkalojmë çështjen se kush janë fajtorët. Problemi është që kemi krijuar një komunitet europian me ekonomi prodhuese të pambrojtur dhe me politika punësimi të dështuara. Megjithatë ishte e pritshme që hapja ndaj globalizimit, në një botë në të cilën rrogat në vendet e varfra, të ashtuquajturat vende të botës së tretë, ishin 5, 10, ndonjëherë madje 20 herë më të ulëta se rrogat në vendet tona, domosdoshmërisht do të detyronte industritë tona, veçanërisht industritë e mëdha, të zhvendoseshin aty ku forca punëtore kushtonte më pak.
Pra globalizimi i ekonomisë prodhuese sillte si rrjedhim papunësinë në Europë. Vendet me politika më efikase dhe më të mirëqeverisura kanë mundur t’i bëjnë ballë situatës deri më tani. Por në shumë vende anëtare të Bashkimit Europian, globalizimi ka fryrë borxhin publik në nivele të papërballueshme dhe ka fryrë në mënyrë të ekzagjeruar burokracinë shtetërore. Sot jemi të detyruar të “shfryhemi”, duke filluar me eliminimin e enteve të padobishme dhe burokracive klienteliste.
Për të dalë nga kriza e papunësisë që po na përpin dalëngadalë duhet që puna të kthehet në Bashkimin Europian. Si mund të bëhet kjo? Kjo mund të bëhet siç kanë bërë gjithmonë vendet e tjera të zhvilluara, duke përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar (që herë është në Europë, e herë jo): duke marrë masa mbrojtëse kur është e nevojshme. Europianistët, nga ana tjetër, mbështetin idenë që zgjidhja është federalizmi. Por, sikurse kam përsëritur gjithmonë, një sistem federal ka domosdoshmëri një gjuhë të përbashkët.
I vetmi përjashtim i këtij rregulli është Zvicra e vogël. Por kush përmend Zvicrën (e cila, pavarësisht ndonjë përjashtimi, është bilinguale), duhet të shpjegojë dhe të përshtatë formulën e qeverisë federale të këtij vendi. E cila është shumë e çuditshme dhe jo e eksportueshme. Maksimumi që Europa mund të pretendojë, është një formulë konfederale me një fuqi qendrore të dobët, por kjo mundësi nuk do të zgjidhte ndonjë gjë. Propozimi im është një Bashkim Europian që është njëkohësisht edhe një bashkim doganor. Kjo do të thotë që policia doganore nuk mund të jetë e kontrolluar nga shtetet individuale, por duhet të jetë e autorizuar nga një organ ndërshtetëror, si për shembull Banka Qendrore Europiane. Përndryshe, vendi ynë (dhe vendet e tjera me probleme si tonat) do të vazhdojë të taksojë thjesht për të paguar pak dhe keq pensionistët dhe të papunët. Është një pus pafund në të cilin po zhytemi gjithmonë e më shumë, duke marrë parasysh që kemi vendosur edhe që emigrimi klandestin nuk është krim dhe kemi një Ministri Integrimi që lufton për të vendosur “Ius soli”, të drejtën e marrjes së shtetësisë për këdo që arrin të hyjë në Itali.
Duhet rikujtuar që industrializimi i Europës kontinentale u favorizua dhe u mbrojt nga bashkimi doganor (fillimisht ai gjerman), pra në pak fjalë nga mbrojtja e industrive, pa të cilat një vend nuk mund të bëhet industrial. Në kontekstin e Bashkimit Europian, mbrojtja e shteteve individuale duhet lejuar, për shembull, nga Banka Qendrore, e cila mund të lejojë edhe barriera të brendshme që janë të justifikuara nga mbrojtja e vendeve të punës dhe e industrive kyçe. Alternativa e kundërt është ajo që po jetojmë: Taksa që rriten, tashmë në mënyrë vetëvrasëse, për të paguar një papunësi që rritet gjithashtu. Në vitin 2008 një politolog i rëndësishëm amerikan, Walter Laqueur, publikoi një libër të titulluar “Ditët e fundit të Europës”, në të cilin shpjegonte se “emigrimi i pakontrolluar e ka populluar Europën me njerëz që nuk kanë asnjë dëshirë integrimi, por që pretendojnë shërbimet sociale, ndihmën mjekësorë të subvencionuar dhe madje edhe pagesat për të papunët- shërbimet sociale që ofrojnë vendet pritëse”. Ky emigrim vjen nga vendet që dinë të menaxhojnë bizneset dhe dyqanet e vogla, tregjet karakteristike të Lindjes së Mesme, pazaret tipike ku tregtohen kinkaleri të çfarëdollojshme, por që nuk kanë zhvilluar asnjëherë një shoqëri industriale. Më të zotët nga emigrantët e këtyre vendeve mund të rikrijojnë në vendet europiane pazaret e vogla, po shumica mundet thjesht të ofrojë një forcë punëtore të nënpaguar që i mban të margjinalizuar në periferitë e mizerjes, të karakterizuara nga papunësia dhe një ndjenjë mërie ndaj vendit pritës. Rrjedhimisht rezultati nuk është integrimi, por pakënaqësia sociale dhe rritja e kriminalitetit.
Anglia dhe Franca janë sot vendet europiane më të populluara nga këta emigrantë jo të integruar, të cilët bëhen gjithmonë e më shumë rebelë dhe të dhunshëm. Anglia për shkak të Komonuelthit (Commonwealth), ndërsa Franca për shkak të përpjekjes (absurde) për ruajtjen e ndikimit kolonial. Franca, sot me një president socialist, përpiqet vetëm të evitojë trazirat. Anglia, që i ka krahët më të lira, kërkon sot që të kontrollojë dhe të limitojë rreptësisht emigracionin. Po ne? Me qeverinë e dëshpëruar Letta dhe me presionin në rritje nga “e majta” e Matteo Renzi ne jemi më keq nga të gjithë.
Në terma shifrash. Borxhi ynë publik kalon me 130% prodhimin e brendshëm bruto. Është një borxh që paguhet nga Thesari, pra nga kursimet e njerëzve dhe nga bankat. Papunësia e të rinjve ndërmjet 15 dhe 24 vjeç kalon 40%. Në këtë kaos, fuqia e gjyqësorit zhbëhet çdo ditë. Gjej rast të citoj Severgninin, i cili shprehet se “Italia është e zezë edhe për shkak se procesi civil në shkallë të parë zgjat mesatarisht 564 ditë, ndërkohë që mesatarja europiane është 240 ditë. Koha mesatare në vendet europiane për mbarimin e një procesi në të tre shkallët e gjyqësorit është 788 ditë…në Itali është thuajse 8 vjet”. Në këtë situatë të errët shtohen zërat e votuesve që do të dëshironin daljen nga Europa, çka do të lejonte zhvlerësimin e monedhës sonë. Kam frikë se duke parë gjendjen në të cilën jemi, kjo do të përbënte një rrezik tepër të lartë. Unë nuk do e këshilloja.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi