Bashkimi Europian ndëshkon mungesën e konkurrencës dhe kartelet e krijuara nga gjigantët e financave
6 dhjetor 2013
Bashkimi Europian ndëshkon mungesën e konkurrencës dhe kartelet e krijuara nga gjigantët e financave
Tetë banka, nga më të mëdhatë e kontinentit, u gjobitën nga Bashkimi Europian me 1.7 miliardë euro për formimin e një karteli të paligjshëm për të manipuluar normat e interesit.
Karteli operonte në tregjet e derivateve financiare, produkte që përdoren për të menaxhuar rreziqet dhe lëvizjet e normave të interesit. Dy nga tetë bankat, Barclays dheUBS, u falën nga penalitetet e tyre financiare, për shkak se zbuluan ekzistencën e karteleve.
Komisioni tha se ishte i tronditur nga fakti që banka konkurrente patën bashkëpunuar me njëra-tjetrën për kaq shumë kohë. UBS dhe Barclays duhej të paguanin gjobat më të rënda prej 2.5 miliardë dhe 690 milionë euro respektivisht, por u falën për shkak se ndihmuan hetimin.
Një numër bankash qenë angazhuar në manipulimin e normave të interesit të produkteve që reflektojnë koston e kredive ndërbankare në euro, ndërsa një grup tjetër fiksoi çmimet e produkteve të bazuara në jen japonez.
Disa qenë përfshirë në disa manipulime njëkohësisht, përfshirën bankën RBS, e cila u gjobit për 391 milionë euro. Përveç RBS-së, Barclays dhe UBS, banka të tjera të gjobitura qenë Deutsche Bank me 725.36 milionë euro, Societe Generale, JP Morgan, Citibank dhe ndërmjetësi RP Martin.
Ka edhe disa banka, për të cilat nuk janë përcaktuar ende gjobat dhe që janë ende nën hetim. Këto janë HSBC, Credit Agricole, si dhe JP Morgan, e cila pranoi gjobën për manipulimin e një tregu, por jo edhe për manipulimin e tregut tjetër.
Joakuin (Joaquin) Almunia, zëvendëspresident i Komisionit Europian, përgjegjës për politikat e konkurrencës, tha: “Ajo që është tronditëse mbi këto skandale është jo thjesht manipulimi i normave referencë të interesit, manipulime që po gjurmohen nga rregullatorët financiarë në të gjithë botën, por edhe bashkëpunimi mes bankave që supozohet se konkurrojnë me njëra-tjetrën. Konkurrenca e shëndetshme dhe transparenca janë vendimtare që tregjet financiare të punojnë siç duhet, në shërbim të ekonomisë reale dhe jo në shërbim të interesave të pak njerëzve.”
Manipulimet
Bankat i japin kredi njëra-tjetrës për periudha të ndryshme me interesa të përcaktuara nga tregu. Këto interesa publikohen nga bankat dhe autoritetet nxjerrin një mesatare të tyre për të postuar interesin mesatar referencë, të njohur si Libor apo Euribor. Këto interesa referencë përdoren nga bankat në të gjithë botën për të fiksuar çmimet e kredive. Përgjatë viteve të shkuara, bankat e mëdha manipuluan në mënyrë të koordinuar deklaratat e tyre mbi çmimet e kreditimit ndërbankar, duke sjellë rritje të kostos së kredive në të gjithë botën.