Gjyqësori, politika dhe modeli “Frankenstein”
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 5 dhjetor 2013
Nuk ka dilemë se sistemi gjyqësor përbën një nga plagët më të dukshme të standardit minimal të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Këtë vlerësim e citon çdo raport ndërkombëtar, e thonë institucionet tona, e pranon vetë sistemi gjyqësor dhe e vërteton çdo ditë kontakti ynë me të, informacioni në media apo lista e pafund e skandaleve korruptive dhe abuzuese. Kohët e fundit të gjithë flasin për të, e mbrojnë, e denigrojnë, e akuzojnë dhe shumica e shohin aty shkakun e mungesës së progresit. Është praktikë rutinë: e bën çdo mazhorancë në muajt e parë të mandatit. E bëri PD më 1992, e bëri PS më 1997, e bëri PD në vjeshtën e vitit 2005 dhe po e bën sot PS.
Një skenë që përsëritet, me të njëjtat tone, të njëjtin refren, të njëjtit aktorë dhe fatkeqësisht, për të njëjtat qëllime që shpesh kanë mospërputhje serioze me pritshmëritë për standard, cilësi, profesionalizëm dhe paanshmëri në sistemin gjyqësor. Ndaj, si dje ashtu edhe sot dilema reale është krejt tjetër: a është gjyqësori produkti “frankenstein” që vetë krijuam, dhe që sot, përbën gangrenën dhe rrezikun kryesor të sistemit? A është gjyqësori dhe institucionet e drejtësisë fajtorë të vetëm, a janë ato produkt të vetvetes apo pasojë e një situatë të imponuar, të sponsorizuar dhe të mbrojtur nga pushtete të tjera, sidomos ai politik?
Çfarë është në thelb sot sistemi gjyqësor shqiptar? Juristë me formim, fillimisht militantë të regjimit të vjetër dhe më pas edhe të regjimeve të reja që erdhën pas vitit 1990, individë që kanë fituar imunitet falë politikës, kanë bërë karrierë në shumicën e rasteve falë lidhjeve apo shërbimeve politike dhe që në përditshmëri, reflektojnë një grup shoqëror pa kokë, me organizim piramidal, pa person përgjegjës dhe pa emër dallues. Shqipëria ka mbi 350 gjyqtarë, shumica e të cilëve janë ricikluar ose kanë mbijetuar brenda sistemit, disa herë nga meritat personale, disa herë nga sponsorizimet politike. Ka prej tyre që bëjnë pjesë në oligarkinë e tranzicionit, të pasuruar pakufi; ka prej tyre modele të paafta dhe korruptive deri në banalitet, siç ka edhe profesionistë me shumicë, njerëz që kanë respekt për veshjen, simbolin dhe besimin që u është dhënë.
Në aspektin organizativ dy nivelet e para të gjyqësorit zyrtarisht administrohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, organ që në vite është drejtuar nga një ministër politik drejtësie, nga një gjyqtar i shkarkuar nga sistemi dhe sot nga një jurist që nuk ka qenë kurrë në gjyq, as si gjyqtar, as si avokat, as si prokuror. Mbi të qëndron Presidenti, një angazhim formal dhe aq protokollar sa vetë bilanci kritik, në 16 vitet e fundit asnjë president nuk ka fituar betejat e votimit në KLD. Të drejtën e hetimit e kanë dy struktura paralele, Ministria e Drejtësisë dhe Inspektorati i Lartë, e para strukturë politike, e dyta strukturë profesionale, por vetëm Ministri ka monopolin për të propozuar masa ndëshkimore për gjyqtarët.
Vetë KLD përbëhet nga gjyqtarë apo juristë të zgjedhur nga parlamenti ose Konferenca Gjyqësore, prej të cilëve aktualisht janë katër anëtarë të padekretuar në kohë të ndryshme nga kreu i shtetit bazuar në informacione korruptive. KLD ka alibi mbledhjet rutinë dhe rreth 15-20 shkarkime gjyqtarësh, shumica e të cilëve faktikisht kanë fituar gjyqin dhe janë rikthyer më vonë në sistem, ndonjë prej të cilëve e kemi sot edhe në politikë, në qeveri e parlament dhe që kështu, ka kompetencën të marrë vendime për reformat në sistemin që e dënoi për korrupsion e shkelje.
Prej 1992 kemi Gjykatë Kushtetuese e drejtuar rreth një dekadë nga dy deputetë, figura politike të së djathtës dhe të majtës, dhe më pas nga juristë, edhe ata produkt i votës politike në votimin në parlament. Midis emrave në këtë gjykatë gjenden personalitete dinjitozë, siç gjenden edhe prurje aksidentale që shpesh krijojnë lajm negativ në media. Prej fillimit kemi edhe Gjykatë të Lartë, struktura më e lartë gjyqësore, të përbërë nga juristë të kaluar në filtrin politik dhe partiak të parlamentit. Kupola e lartë gjyqësore ka disa dhjetëra ndihmës që shkruajnë vendimet, nuk ka një mekanizëm kushtetues kontrolli dhe në administrimin e vet është tërësisht autonome.
Disa mijëra dosje janë në pritje të Godosë dhe raporte të ndryshme, përfshirë dokumentet e wikileaks dëshmuan raste skandaloze vendimesh në interes të personave me kartelë kriminale. Prurjet cilësore janë shoqëruar me prurje aksidentale ose dhurata të politikës, ndaj kemi gjyqtarë të lartë që kurrë në jetë nuk kanë shkruar dy faqe letër, nuk kanë shkruar një vendim, siç kemi disa të cilët bëjnë pjesë sot në oligarkinë politike dhe financiare të tranzicionit. Në çdo rast ata emërohen nga kreu i shtetit dhe votohen në parlament. Gjatë 14 viteve të fundit parlamenti ka refuzuar 11 kandidatë për gjykatën e lartë dhe kushtetuese, në çdo rast bazuar në vlerësime politike të mazhorancave të radhës.
Mesazhi është i qartë: kalojnë vetëm emrat që kanë besimin politik të mazhorancave, ndërkohë që kushtetuta parashesh një Gjykatë Kushtetuese garant të Kushtetues dhe një Gjykatë të Lartë garant të dhënies së drejtësisë në Shqipëri. Për pasojë, testin politik të parlamentit nuk e kanë kaluar, p.sh, gjyqtarë që kanë bërë pjesë në Gjykatën e Strasburgut, ndërkohë që e kanë kaluar juristë pa asnjë meritë, produkt apo lidhje direkt me gjyqësorin apo shkencat juridike. Aktualisht dy mandate presidenciale emërimi qëndrojnë në kundërshtim me kushtetutën prej 2004 dhe 2010 në sirtarët e parlamentit, dy të tjerë janë në pritje të gjykimit partiak të shumicës së re për të zënë vendet vakant në Gjykatën e Lartë.
Cila është zgjidhja për reformën e shumëpërfolur dhe shumë-premtuar në sistemin gjyqësor? Nuk ka një zgjidhje ideale, por shumë zgjidhje të vogla që plotësojnë njëra tjetrën për të arritur objektivin madhor për një sistem drejtësie sa më funksional, të besueshëm, profesional dhe të paanshëm. P.sh, parlamenti ka votat e nevojshme të bëjë reformë kushtetuese në gjyqësor, të krijojë mekanizma kontrolli, të ngrejë komisione hetimore, të zhvillojë séance dëgjimore apo të kryejë reforma administrative dhe organizative që sigurojnë transparencë më të madhe në sistem. Parlamenti nuk e ka bërë ende këtë.
As parlamenti që humbi me 23 qershor, as ai që fitoi atë ditë. Mazhoranca e re ka zgjedhur mjetet tradicionale të reformës, presionin publik shpesh denigruese, si dhe masa e praktika emergjente që nuk synojnë reformimin e sistemit, por zëvendësimin e gjyqtarëve me emra të rinj më të besuar politikisht. Në mandatin e parë të së majtës avokatit dhe mikut të kryetarit të PS iu besua administrimi politik i KLD dhe gjyqësorit, të njëjtën gjë bëri PD gjatë tetë viteve në pushtet, të njëjtën gjë po shohim edhe tani që rotacioni politik është kryer. Ky është një sinjal negativ që nuk lë shteg për optimizëm.
Reforma mund të realizohet me një ristrukturim të sistemit gjyqësor, transparencë dhe korrektim të rregullave të vendimmarrjes, shqyrtimit të çështjeve, kontrollit mbi konfliktet e interesit si dhe vlerësimit sipas vendimmarrjeve që burojnë nga nivelet më të larta gjykuese. Korrupsioni në gjyqësor mund të luftohet duke krijuar mekanizma kontrolli të pasurisë dhe burimeve ekonomike të gjithë sistemit, verifikim të vlerave monetare që ata qarkullojnë në rrugë formale e informale, verifikim të lidhjeve familjare, të konfliktit të interesit, etj, praktikë që nuk ka ndodhur edhe pse një gjë që tillë mund të bëhet nga ILDKP dhe PP, dy institucione në varësi të parlamentit. Reforma mund të realizohet edhe duke reformuar KLD dhe sistemin e emërimeve në gjyqësor, përmes kritereve të ngjashme me vendet perëndimore, jashtë çdo ndikimi politik dhe trafiku influence.
Sistemi i meritës i shumëpërfolur nga çdo qeveri ende nuk ekziston dhe krijimi i tij do ishte një hap thelbësor drejt cilësisë, motivimit dhe transparencës. Reforma cilësore mund të arrihet edhe përmes sistemit të testimit të vazhdueshëm të dijeve, forcimit të monopolit cilësor të shtetit në studimet juridike universitare, në aplikimin e konkursit me juri të huaj në magjistraturë, sistemin e prokurorisë dhe nivele të tjera të drejtësisë, si dhe në nevojën e njësimit të praktikave gjyqësore (aktualisht vetëm 3-4 në vit), të përmirësimeve të ligjeve dhe krijimit të një kuadri ligjor dhe administrativ që siguron transparencë dhe barazi për çdo rast, çdo akuzë, në çdo nivel gjyqësor. Modele pozitive kemi, madje edhe në rastin shqiptar, duke filluar që nga vitet 30 me Këshillin e Shtetit, një praktikë unike me më shumë integritet dhe produktivitet sesa të gjitha eksperimentet e deritanishme të tranzicionit.
Më 2007 politika mori në dorë një material me mbi 300 faqe me sugjerime për reformën në drejtësi. Misionet amerikane dhe evropiane kanë bërë raporte të shumta sugjeruese konkrete, dhe vetë letra e fundit e ekspertëve amerikanë drejtuar parlamentit për ndryshimet në Kodin Penal e Civil është një prej dhjetëra dokumenteve zyrtare që posedohen nga politika, gjyqësori dhe institucionet. Thjesht, duhet vullnet politik, institucionet duhet të bashkëveprojnë, axhenda për drejtësi funksionale duket të jetë prioritare mbi çdo axhendë politike të radhës dhe Presidenti, parlamenti e qeveria duhet të përkthejnë në ligj dhe vendime konkluzionet dhe sugjerimet e këtij procesi. Gjë që nuk ka ndodhur dhe, me pesimizëm e them, nuk pritet të ndodhë.
Shpjegimi është praktik: sepse drejtësia shqiptare ka defekte të mëdha, por ka një “meritë” të madhe: nuk ka dënuar asnjë politikan, amniston politikën dhe kështu, bëhet mburojë e fajeve të saj. Politika bërtet sot se ka krijuar modelin frankenstein dhe ky produkt po minon sistemin, kur në fakt edhe drejtësia mendon se ka krijuar të njëjtin model tek politika, dhe ky produkt gjithashtu po bllokon sistemin. Një proces i dyanshëm abuziv, dyfish i dënueshëm sepse minon drejtësinë në emër të drejtësisë, minon demokracinë në emër të demokracisë. Kjo është arsyeja që politika kërkon, investon dhe synon vetëm një gjyqësor aleat, i cili të përdoret e keqpërdoret, por që në thelb, të mos cenojë sistemin oligark dhe korruptiv të vetë politikës.
Për dështimet e veta politika ka nevojë për alibi, dhe shpesh, alibia e gjyqësorit është konsensuale, bëhet e besueshme dhe krijon tango, edhe pse vetë politika me mandatin e saj kushtetues për reforma, de facto refuzon të bëjë reformën, ose e bën atë gjysmake e kundërproduktive, siç paralajmëruan me të drejtë ekspertët amerikanë më 2005 dhe tani më 2013, pra në thelb refuzon të ndryshojë status quo-në. Një pakt që ndihmon dukshëm politikanët dhe imunizon gjyqësorin, por që sot e mot, nëse vijon, ndëshkon pafundësisht Shqipërinë.