Taksat, pushteti vendor dhe tatimi mbi pasuritë
Nga Agim Hoxhaj, botuar në Shekulli Online, 4 dhjetor
Me rritjen e autonomisë lokale, njësitë vendore përgjithësisht kanë fituar një shkallë autonomie edhe në fushën e të ardhurave të veta, por ndryshimet ligjore, sidomos në fushën fiskale, japin impakt të ndjeshëm në burimet e tyre financiare. Këtu, nuk mund të bëhet fjalë për njësi që nuk mbledhin të ardhura ose mbledhin veç një minimum të papërfillshëm për buxhetin e tyre dhe që mbijetojnë vetëm nga grandet e qeverisë.
Në njësitë vendore, në buxhetin e të cilave, burimet e brendshme zënë mbi 40 % të të ardhurave, rritet ndjeshmëria nga ndryshimet ligjore në fushën fiskale. Heqja e taksës së biznesit të vogël, e parashikuar në ligjin e ardhshëm fiskal, do të krijonte një gropë në burimet e të ardhurave të bashkive e komunave, e cila duhet të mbulohet me burime të tjera ligjore, e që është e mundshme.
Ligji nr. 9632 “Për taksat vendore”, megjithëse u jep mundësi pushteteve lokale të hartojnë paketën fiskale të taksimit biznesit dhe banorëve në territoret e tyre, duke bërë dhe diferencime në intervalin e lejueshëm të ulje-ngritjes së treguesve (-30 – +10 %), ka kufizime, sidomos në vendosjen e tarifave, të cilat vështirësojnë ngritjen e një sistemi të drejtë taksimi dhe grumbullimi të të ardhurave.
Kufizimi me ligj i nivelit të tarifave deri në 10 % të taksës së biznesit të vogël, është një barrierë, sidomos për njësi vendore që kanë kosto të larta shërbimi p.sh, të grumbullimit dhe largimit të mbeturinave urbane, gjelbërimit etj.. Po ashtu i njëjti kufizim për taksat e përkohshme, i vë në vështirësi këto njësi që në fazën e përgatitjes së tavaneve buxhetore dhe deri në grumbullimin e të ardhurave të tyre të mundshme.
Heqja e taksës së biznesit të vogël, rrëzon këto deformime buxhetore dhe njësitë vendore me të ardhurat nga tarifat, do të kenë mundësinë e mbulimit të kostove të shërbimeve që ato ofrojnë. Këtu merr rëndësi të veçantë llogaritja e saktë e këtyre kostove dhe bërja e transparencës me taksapaguesit, me qëllim që ata të ndërgjegjësohen se janë duke paguar tarifën në nivelin që njësia shpenzon realisht për shërbimin e ofruar.
Burim tjetër i rëndësishëm për të ardhurat e njësive vendore është taksa mbi pasurinë. Është diskutuar shpesh, aplikimi i taksës së pasurisë mbi vlerën e tregut, çka do të ishte mënyra më e drejtë. Po a mund të aplikohet kjo në një kohë që jo vetëm mungon baza e të dhënave të pasurive dhe bashkëpunimi i njësive vendore me institucionet përkatëse të regjistrimit të pasurive?
Po kështu, njësitë vendore, ende kanë pasuri të paregjistruara si aset të vetin dhe nuk marrin përfitime financiare prej tyre? Në kushtet e informalitetit në ndërtime dhe në biznes, kjo bazë të dhënash nuk ka saktësinë e nevojshme, madje në mjaft raste ndryshon nga viti në vit pronari, ose nuk përcaktohet destinacioni i objektit, për banim apo për biznes.
Regjistrimi i pasurive, ndjekja dhe evidentimi në mënyrë të vazhdueshme i ndërtimeve të reja, jo vetëm si pasuri e personave, por dhe si objekt i taksimit mbi pasurinë, është një rezervë e madhe, burim të ardhurash për njësitë vendore. Pas regjistrimit të pasurisë me të gjitha të dhënat e nevojshme, krijohet mundësia e taksimit të pronës mbi vlerën e tregut, që krahas përfitimeve të tjera për pronarin e pasurisë, do të shërbente edhe për vlerësimin e saj me vlerën e tregut dhe diferencimin e nevojshëm të barrës fiskale të taksapaguesit.
Nga një vizitë studimore të realizuar në Kosovë për fushën e tatimeve dhe veçanërisht për taksën mbi pasurinë, na u tha se qeveria qendrore, krahas asaj lokale, zotëronte bazën e të dhënave për secilën njësi lokale mbi të cilën llogariten të ardhurat nga prona.
Mendoj se kuadri ligjor dhe eksperienca e tyre, mund të konsiderohen si një përvojë që duhet vlerësuar, si nga qeveria, ashtu edhe nga njësitë lokale. Regjistrimi i gjithë pasurive ekzistuese, evidentimi i çdo ndërtim të ri në regjistrin e pronave të komunës (atje ku nuk ka bashki) përmes sistemit GPS, informacion, i cili ndodhet edhe në zyrat e qeverisë qendrore(Kosova ka vetëm dy nivele qeverisje, qeveri qendrore dhe komuna) dhe përditësimi rast pas rasti i informacionit, e bën bazën e të dhënave më funksionale dhe të sigurt.
Kësaj i do shtuar edhe taksimi sipas vlerës së pronës, bazuar në një paketë ligjore e përbërë nga ligji për tatimin mbi pronën e paluajtshme i mbështetur nga udhëzimet përkatëse(për mbledhjen e të dhënave mbi pronën, për përcaktimin e vlerës së pronës, procedura e ankimimit, procedura e pezullimit të shërbimeve për mospagesën e tatimit, procedura e vjeljes dhe procedura e humbjes të së drejtës mbi pronën).
Kjo paketë ligjore ku përcaktohen qartë procedurat, strukturat përgjegjëse dhe sanksionet, ndikon jo vetëm në uljen e informalitetit dhe rritjen e të ardhurave vetjake, por i jep mundësinë qeverisë qendrore dhe lokale për kontroll më të mirë të territorit. Ndoshta një mekanizëm i testimit të kapaciteteve të njësive vendore, nëse ato janë të afta të krijojnë bazën e të dhënave, të bashkëpunojnë me organizma të tjera dhe me qeverinë, të planifikojnë, mbledhin dhe menaxhojnë këto të ardhura, do të ishte hapi i parë për të vendosur nëse grumbullimi i të ardhurave u duhet lënë njësive vendore ose jo.
Ato njësi që e fitojnë këtë testim, mund ta menaxhojnë vetë procesin, të tjerat, pse jo, procedurat mund të kryhen nga degët e tatimeve ose të bashkëpunohet mes njësive të ndryshme vendore me më shumë kapacitete. Paketa e re fiskale, e pasuar nga ndryshimet respektive në aktet që lidhen me të dhe veçanërisht ndryshimet e pritshme në ligjin për taksat vendore, duhet t’i japë më shumë frymëmarrje punës së biznesit, duke u aplikuar taksimi i drejtë dhe i ndershëm.
Aplikimi i këtyre ligjeve duhet të shërbejë si instrument i rëndësishëm për gjenerim të nivelit optimal të të ardhurave nga njësitë vendore dhe për mirëfunksionimin e tyre në tërësi.