Taksat, pushteti vendor dhe tatimi mbi pasuritë

Nga Agim Hoxhaj, botuar në Shekulli Online, 4 dhjetor

Me rritjen e autonomisë lokale, njësitë vendore përgjithësisht kanë fituar një shkallë autonomie edhe në fushën e të ardhurave të veta, por ndryshimet ligjore, sidomos në fushën fiskale, japin impakt të ndjeshëm në burimet e tyre  financiare. Këtu, nuk mund të bëhet fjalë për njësi që nuk mbledhin të ardhura ose mbledhin veç një minimum të  papërfillshëm për buxhetin e tyre dhe që mbijetojnë vetëm nga grandet e qeverisë.

Në njësitë vendore,  në buxhetin e  të cilave, burimet e brendshme zënë mbi 40 % të të ardhurave, rritet ndjeshmëria nga ndryshimet ligjore në fushën  fiskale.  Heqja e taksës së biznesit të vogël, e parashikuar në ligjin e ardhshëm fiskal, do të krijonte një gropë në burimet e të ardhurave të  bashkive e komunave, e cila duhet të mbulohet me burime të tjera  ligjore,  e që është e mundshme.

Ligji nr. 9632  “Për taksat vendore”,  megjithëse u jep mundësi pushteteve lokale të hartojnë paketën fiskale të taksimit biznesit dhe banorëve në territoret e tyre, duke bërë dhe diferencime në intervalin e lejueshëm të ulje-ngritjes së treguesve (-30  – +10 %), ka kufizime, sidomos në vendosjen e tarifave, të cilat vështirësojnë  ngritjen e një sistemi të drejtë taksimi  dhe grumbullimi të të ardhurave.

Kufizimi me ligj i nivelit të tarifave deri në 10 % të taksës së biznesit të vogël, është një barrierë, sidomos për njësi vendore që kanë kosto të larta shërbimi p.sh, të grumbullimit dhe largimit të mbeturinave urbane, gjelbërimit etj.. Po ashtu i njëjti kufizim për taksat e përkohshme, i vë në vështirësi këto njësi që në fazën e përgatitjes së tavaneve buxhetore dhe deri në grumbullimin e të ardhurave  të tyre të mundshme.

Heqja e taksës së biznesit të vogël, rrëzon këto deformime buxhetore dhe njësitë vendore me të ardhurat nga tarifat, do të kenë mundësinë e mbulimit të kostove të shërbimeve që ato ofrojnë. Këtu  merr rëndësi të veçantë llogaritja e saktë e këtyre kostove dhe bërja e transparencës me taksapaguesit, me qëllim që ata të ndërgjegjësohen se janë duke paguar tarifën në nivelin që njësia shpenzon  realisht për shërbimin e ofruar.

Burim tjetër i rëndësishëm për të ardhurat e njësive vendore është taksa mbi pasurinë. Është diskutuar shpesh, aplikimi i taksës së pasurisë mbi vlerën e tregut, çka do të ishte mënyra më e drejtë. Po a mund të aplikohet kjo në një kohë që  jo vetëm mungon baza e të dhënave të pasurive dhe bashkëpunimi i njësive vendore me  institucionet përkatëse të regjistrimit të pasurive?

Po kështu, njësitë vendore, ende kanë pasuri të paregjistruara si aset të vetin  dhe nuk marrin përfitime financiare  prej tyre? Në kushtet e informalitetit në ndërtime dhe në biznes, kjo bazë të dhënash nuk ka saktësinë e nevojshme, madje në mjaft raste ndryshon nga viti në vit pronari, ose nuk përcaktohet  destinacioni i objektit, për banim apo për biznes.

Regjistrimi i pasurive, ndjekja dhe evidentimi në mënyrë të vazhdueshme i ndërtimeve të reja, jo vetëm si pasuri e personave, por dhe si objekt i taksimit mbi pasurinë,  është një rezervë e madhe, burim të ardhurash për njësitë vendore. Pas regjistrimit të pasurisë me të gjitha të dhënat e nevojshme,  krijohet mundësia e taksimit të pronës mbi vlerën e tregut, që krahas përfitimeve  të tjera për pronarin  e pasurisë, do të shërbente edhe për vlerësimin e saj me vlerën e tregut dhe diferencimin e nevojshëm të barrës fiskale të taksapaguesit.

Nga një vizitë studimore të realizuar në Kosovë për fushën e tatimeve dhe veçanërisht për taksën mbi pasurinë,  na u tha se qeveria qendrore, krahas asaj lokale,  zotëronte bazën e të dhënave për secilën njësi lokale mbi të cilën llogariten të ardhurat nga prona.

 Mendoj se kuadri ligjor dhe eksperienca e tyre,  mund të konsiderohen si një përvojë që duhet vlerësuar, si nga qeveria, ashtu edhe nga  njësitë lokale. Regjistrimi i gjithë pasurive  ekzistuese, evidentimi i çdo ndërtim të ri në regjistrin e pronave të komunës  (atje ku nuk ka bashki)  përmes sistemit GPS, informacion, i cili ndodhet edhe në zyrat e qeverisë qendrore(Kosova ka vetëm dy nivele qeverisje, qeveri qendrore dhe komuna) dhe  përditësimi rast pas rasti i informacionit,  e bën bazën e të dhënave më funksionale dhe të sigurt.

Kësaj i do shtuar edhe taksimi  sipas vlerës së pronës, bazuar në një paketë ligjore e përbërë nga ligji  për tatimin mbi pronën e paluajtshme i mbështetur nga udhëzimet përkatëse(për  mbledhjen e të dhënave mbi pronën,  për përcaktimin e vlerës së pronës,  procedura e ankimimit, procedura e pezullimit të shërbimeve për mospagesën e tatimit, procedura e vjeljes dhe procedura e humbjes  të së drejtës mbi pronën).

Kjo paketë ligjore ku  përcaktohen qartë procedurat, strukturat përgjegjëse dhe sanksionet, ndikon jo vetëm në uljen e informalitetit dhe rritjen e të ardhurave vetjake, por i jep mundësinë qeverisë qendrore dhe lokale për kontroll më të  mirë të territorit. Ndoshta një mekanizëm i testimit të kapaciteteve të njësive vendore, nëse ato janë të afta të  krijojnë bazën e të dhënave, të bashkëpunojnë me organizma të tjera dhe me qeverinë, të planifikojnë, mbledhin dhe menaxhojnë këto të ardhura, do të ishte hapi i parë për të vendosur nëse grumbullimi i të ardhurave u duhet lënë  njësive  vendore ose jo.

Ato njësi që e fitojnë këtë testim, mund ta  menaxhojnë vetë procesin,  të tjerat, pse jo,  procedurat mund të kryhen nga degët e tatimeve ose të bashkëpunohet mes njësive të ndryshme vendore me më shumë kapacitete. Paketa e re fiskale, e pasuar nga ndryshimet respektive në aktet që lidhen me të dhe veçanërisht  ndryshimet e pritshme në ligjin për taksat vendore, duhet t’i  japë më shumë frymëmarrje punës së biznesit, duke u aplikuar taksimi i drejtë dhe i ndershëm.

Aplikimi i këtyre ligjeve duhet të shërbejë si  instrument i rëndësishëm për  gjenerim të nivelit optimal të të ardhurave nga njësitë vendore dhe për mirëfunksionimin e tyre në tërësi.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi