Politika fiskale duhet peshuar mirë
Nga Edlira Shehu, botuar në Dita, 3 dhjetor 2013
Nga 1 janari 2014, nuk do të ketë më taksë të sheshtë. Shumica e ekspertëve të ekonomisë bien dakord që qeveria duhet të shihte rritje taksash tek ato indirektet dhe tek akcizat për karburantet, duhanin dhe pijet alkolike. Taksat e tjera mbi konsumin (si taksa mbi të ardhurat personale, etj.) nuk duhej të rriteshin. Mirëpo rreth 20 mijë punonjësve të Shtetit që e kanë pagën mbi një milion lekë të vjetra në muaj, taksa u rritet ndjeshëm dhe kjo do të sjelle ulje konsumi. Rritja e tatim fitimit mbi bizneset po ashtu do të ule investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo sidomos tani, kur konsumi ka rënë ndjeshëm dhe të marrësh kredi nga bankat është bërë një aktivitet gati hënor.
Rritja e taksave të konsumit mund të përkthehet në një frenim të mëtejshëm të ekonomisë dhe një rritje të re çmimesh për artikuj dhe shërbime. Po ashtu, kjo rritje mund të bëhet shkak për rritjen e informalitetit. Do të jenë shumë kompani të mëdha që do të ndahen në më të vogla, për shkak të përshkallëzimit të tatimit mbi fitimin. Nëse qeveria mendon se rritja e taksave do të sjellë të ardhura shtesë në Buxhetin e Shtetit për një shumë rreth 210 milionë euro, kjo është vetëm në teori. Zbatimi praktik në Shqipëri duke iu referuar traditës, sjell shifra të tjera.
Rritja e taksave shpeshherë në të kaluarën është shoqëruar me rritje të evazionit fiskal. Rikthimi i progresivitetit edhe në të ardhurat personale, do të stimulojë informalitetin në deklarimin e tyre. Të gjitha këto ndryshime taksash, në vend që të rrisin të ardhurat në buxhet, rrezikojne të kundërtën. Ka dhe pasoja të tjera negative nga rritja e taksave. Ato mund të shtrihen në ekonominë e gjerë. Me shtimin e taksave do të rriten kostot e biznesit. Duke paguar më shumë taksa, bizneset do të kenë më pak fonde të lira për investime, pra dhe për të punësuar njerëz dhe për të hapur vende të reja pune. Dhe nëse kjo rritje taksash, sikundër ka shumë gjasa të ndodhë, do të shoqërohet me informalitet, atëherë me qindra biznese të ndershme rrezikojnë të dalin nga tregu.
Bilancet e kompanive mund të jenë jo në dy, si deri tani, por në tre dhe katër variante. Do të jetë nje garë kush të evadojë, të deklarojë sa me pak xhiro të kryer. Nga ana tjetër, shpenzimet do të fryhen dhe do të kemi fenomenin e viteve 1992-1996, kur mbi 80 përqind e kompanive (fusnin në shpenzimet edhe përqindjet abuzive të amortizimit) dilte me humbje! Me këtë cilësi dhe karakter të ekspertëve kontabël të autorizuar që kemi sot, një trukim i tillë i bilanceve është shumë i lehtë. Në rast se organet tona fiskale nuk marrin masa shtrënguese për t’ia bërë shumë të kushtueshme biznesit të tentojë të trukojë bilancet e veta, atëherë Buxheti rrezikon të humbasë para, në vend që të marrë më shumë nga shtimi i taksave. Prandaj dhe maturia në këtë reformë radikale fiskale është kryefjala e ditës. Çdo veprim me taksat duhet peshuar mire, madje shumë mirë.