Sfida e Tatimeve
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 1 dhjetor 2013
Tatimet shqiptare, në tërësi i gjithë sistemi fiskal shqiptar,sidomos për të hyrat buxhetore, sot ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Ai mbështetet në tri anije para-mbledhëse për Buxhetin e Shtetit: tatimet, doganat dhe lojrat e fatit, që për këto vitet e fundit patën për “kapitenë” … tre mësues. Kjo, në një kohë kur strukturat fiskale të çdo shteti janë ndër institucionet më të specializuara të tij (nuk bëhet shaka me fondet publike që duhet të mblidhen për t’ju shërbyer qytetarëve). Në të gjitha administratat fiskale, të paktën të Evropës, në krye të tyre janë ose vendosen profesionistë me vite të gjata pune dhe eksperiencë në fushën fiskale. Kurse qeveria jonë “bëri shaka” me mbledhjen e afro 1 miliard eurove tatime në vit.
Rezultati i sjelljes në krye të këtyre institucioneve shumë të ndjeshme të Shtetit tonë, të njerëzve pa një ditë pune në sistemin fiskal të vendit apo të huaj, ishte tejet dëshpërues. Për shembull, në tatime, shuma e të ardhurave të mbledhura, në raport me Produktin e Brendshëm Bruto të vendit, përbënte për vitin 2012 nivelin më të ulët të viteve 2005-2012. Aq më keq është situata deri në 8-mujorin e këtij viti. Nga raportimet e bëra publike edhe nga Ministria e Financave, konstatohet që për herë të parë në historinë e financave të pas viteve ’90-të të shekullit të kaluar, mblidhen më pak para se viti paraardhës. E çuditshme ështe se, sikurse edhe evidentuar zyrtarisht, por dhe pohuar në çdo ambient publik nga ish-qeveritarët tanë, Shqipëria nuk rezultoi në asnjë moment në recesion.
Ku shkuan paratë tona, paratë që i takonin publikut shqiptar, pensionet e të moshuarve, të invalidëve, pagat e administratës, e policëve dhe të ruajtësve të shëndetit, të investimeve apo shpenzimeve korente? Nën zë, por edhe mbi zë, nga administruesit e këtyre të hyrave buxhetore flitet për krizë (të paktën publikisht kurrë nuk e kanë përmendur më parë), për vit elektoral, apo për përjashtime nga taksa mbi konsumin. Por thjesht po të vëzhgohet, dhe pa pasur nevojë të analizohet, të dhënat rezultojnë kontradiktore. Por jo vetëm, ato tregojnë mangësi të dukshme të natyrës subjektive.
Zgjedhje të përgjithshme, Shqipëria ka kryer edhe përpara katër vjetësh. Bile ka arritur pikun historik (edhe pse në atë vit hyri faktikisht në fuqi arkëtimi i përgjysmuar i tatimit mbi fitimin, nga 20% në 10%). Kjo, për faktin e thjeshtë se vetëm për këtë vit, në krye të Tatimeve patëm fatin të kishim një ekspert të mirëfilltë të fushës dhe përbërja e trupës kryesore drejtuese, dominohej nga disa specialistë karriere. Në sistemin tatimor dy janë elementët kyç të funksionimit të shëndetshëm: marrëdhëniet me klimë të shëndoshë me biznesin dhe administrimi i brendshëm i burimeve njerëzore.
Në tre vitet e fundit, numri i gjobave për biznesin u rrit frikshëm. Ndryshoi mendësia e raportit me biznesin, pse patëm në këto tre vite një drejtor tatimesh që mburrej se … 22 për qind të të ardhurave tatimore i mblidhte nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Ose mbi 200 milionë euro. Në një kohë që kjo shifër në administrata të ngjashme me tonat, si ajo maqedonase apo malazeze, luhatet në masën 4-5 për qind. Me fjalë të tjera, dilnin hetuesit tanë tatimorë me kërbaçin në brez dhe vilnin detyrimet! Kjo mendësi i ktheu Tatimet shqiptare 10 vite mbrapa, në kohën e Far West (Perëndimi i Largët) për administratën tonë fiskale. Dhe kjo ndodhte në një kohë kur Fondi Monetar Ndërkombëtar këmbëngulte që gjuha parësore e komunikimit të administratës sonë tatimore duhej të ishte bindja për deklarimin dhe pagesën vullnetare të detyrimeve, si dhe dialogu me biznesin.
Në vend të dialogut, qeveria jonë kishte zgjedhur gjobat. Ndodhi një rritje e frikshme eksponenciale e numrit të gjobave vënë biznesit. Ai, natyrisht, do të ankohej. Por nga 4.500-5.000 ankesa të ardhura në Drejtorinë e Apelimit për vitin 2012, vetëm 8-10 për qind e tyre u pranuan nga administrata. Dhe pastaj, hajde kërko që biznesi yt të të besojë si qeveri dhe administratë fiskale! I binte që më shumë se nëntë ndër dhjetë sipërmarrës apo qytetarë që ankoheshin për gjobën apo taksën e vënë ta kishin gabim apo të kërkonin të mashtronin Shtetin! Një raport të tillë mospranimi nuk e kanë as edhe administratat tatimore të Irakut apo Afganistanit.
Tatimet shqiptare kanë një Rregullore të Analizës së Riskut, me rreth 25-30 kritere për t’u plotësuar, që të përzgjedhësh se cilat kompani e biznese do të kontrollosh. Me specialistët e mirëfilltë të trajnuar që nga viti 1996, shumica e të cilëve u përzunë apo emigruan nga sytë këmbët nga mjedisi gati i pamundur i krijuar, me 70 për qind të stafit tatimor që u rekrutua pa asnjë ditë pune eksperiencë në fushën fiskale (dhe këtu vijmë në elementin e dytë kyç të Tatimeve shqiptare), është e qartë se sa nga këto 30 kritere u respektuan në kontrollet tona mbi bazën e riskut! Ja përse të gjitha dhomat e tregtisë dhe strukturat e tjera përfaqësuese të biznesit shqiptar e të huaj tek ne kanë patur vetëm ankesa vitet e fundit.
Kërdia me stafin e përgatitur vazhdoi me strukturat ku ai ishte punësuar. Një pjesë e mirë e drejtorive të borxhit u suprimua. U fshi drejtoria e administrimit të borxhit tek sektori i kompanive të mëdha (të quajtur VIP-a), edhe pse 60 për qind e borxhit vinte pikërisht nga VIP-at. Rezultati ishte që, nëse në vitin 2010 stoku i borxhit të tatimpaguesve ndaj Shtetit kapte rreth 50 miliardë lekë të reja (rreth 360 milionë euro), në gusht të vitit 2013 ky borxh gati u dyfishua, duke arritur në 78 miliardë lekë (afro 600 milione euro). Akoma nuk dihet ku do arrijë. Kjo, megjithë amnistinë e kryer, e cila mendohej se duhej ta ulte ndjeshëm borxhin, por rezultoi me të kundërtën.
Reforma si vendosja e kasave fiskale u shua në këto vite, pa filluar ende mirë në të gjithë territorin. Po ashtu, u shua edhe ajo reformë e shpallur aq bujshëm (DIVA-Deklarimi Individual Vjetor i të Ardhurave), duke mos ngritur asnjë strukturë për zbatimin e saj. Në fakt, me të, qeveria e deridjeshme diçka bëri. “Reformoi”, duke deklaruar pasurinë vetjake të shefit të opozitës së djeshme, sot Kryeministër, thjesht për të shpikur një skandal elektoral. Duke dhunuar parimin ligjor të konfidencialitetit të tatimpaguesit, për sa kohë ai apo ajo nuk ka shkuar në një procedure mbledhjeje tatimi të detyruar.
Në këtë derexhe u katandisën Tatimet shqiptare. Drejtuesit e sotëm të strukturave tona fiskale duhet të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të duruar me këtë administratë të përçudnuar dhimbshëm. Ka, mes qindra e qindra tatimorëve, specialistë të mirë dhe njerëz të ndershëm. Atyre u duhet dhënë dora dhe besimi për të ecur në karrierë dhe për të kryer si duhet përgjegjësitë e Shtetit. Tek mirëadministrimi tatimor janë ngulur sytë e gjithë ekonomistëve të vendit, po ashtu dhe të opinionit tonë publik, kur nuk mund të kërkojmë gjë të madhe nga borxhet dhe të ardhurat nga privatizimet.
Do të varet shumë, në mos gjithshka, nga drejtuesit e rinj të Tatimeve, Doganave dhe lojrave të fatit, tre “anijeve” që grumbullojnë mbi 2 miliardë euro të ardhura publike në vit.
Pse, duhet ta dimë mirë: anija lypset të drejtohet nga detarët dhe kurrë më nga peshkatarët…